Identifikohu



Regjistrohu

Kaos me rrugët

Kaos me rrugët, nga unazat te bulevardi i kuq

Zirina Llambro
Panorama

Kjo është Tirana jonë. E kthyer në një kantier punimesh që zvarriten e bëhen copa-copa, nuk po e rigjen kurrkund pamjen e një kryeqyteti. Qytetarët nuk kanë karar as me makina, as me autobusët e linjave. Të ecësh në këmbë mbetet stres më vete, pasi për të përshkuar 100 metra duhet të hash tonelata të tëra pluhuri. Përtej jehonës për investimet pa fund në infrastrukturë, për rrugët e reja, për projektet e njëpasnjëshme që lançohen, panorama mbetet e njëjtë. Të mësuar tashmë me këtë pamje lënguese të kryeqytetit tonë, banorët duket se nuk kanë asnjë alternativë tjetër. Nuk u mbetet veçse të shfryjnë me zë apo nën dhëmbë dufin, sa herë që bllokohen në trafik, sa herë që shtypen në autobusë e ndjejnë lloj-lloj aromash, sa herë që ecin në trotuare mes pluhurit e baltës. Por ajo që të bie më shumë në sy së fundmi, janë rrugët e bllokuara në fazë rikonstruksioni. E përpos kësaj, punimet e mbetura pezull në të tjera, ku me hope, sipas oreksit, punohet në mes të ditës. Ca kohë bëhet pushim e më pas rinis puna me hapin e breshkës. Ka edhe më tej. Arnime i bëhen çdo ditë gropave në qendër të Tiranës, ku sheshi ka arritur në fazën që nuk mban më. Ndërsa po të ecësh pak më tej e në ditë me shi, e të kalosh te bulevardi “Zogu i Parë”, nuk mund të të shpëtojnë nga sytë pllakat e kuqe që dalin nga vendi përgjatë tij.
Rrugët e hapura
Vetëm dy ditë më parë u përuruan punimet tek ajo që quhet “unaza e vogël” e kryeqytetit. Aksi nga rruga e Kavajës deri te “Luigj Gurakuqi”. Pas rindërtimit, nga sa u deklarua, do të ketë një pamje krejt tjetër. Por teksa flet për unazën e vogël, nuk mund të dalë nga mendja “unaza e madhe”, që s’po sos kurrë e që është aksi më i rëndësishëm i Tiranës. Ka më shumë se një vit që ka nisur rikonstruksioni i saj. Ka përfunduar gjysma, ndërsa punimet lënë për të dëshiruar në pjesën tjetër, sidomos që nga Farmacia 10 deri te “Bërryli”. Çdo qytetar që kalon për ditë aty mund të dëshmojë qartë për mënyrën sesi po ribëhet rruga. “Këta tri ditë punojnë e dhjetë ditë të tjera bëjnë pushim. Edhe kur i kap vala, fadromat në mes të ditës bllokojnë gjithë rrugën”, thotë një e moshuar në stacionin e autobusit pranë spitalit. Për të arritur nga ky stacion deri te “Bërryli”, të duhet të paktën dhjetë minuta. Trafiku, sidomos gjatë paradites, është i padepërtueshëm. Pasi mbërrin te “Bërryli” dhe i hedh një sy unazës, të vjen të vësh duart në kokë nga mënyra sesi është punuar në të. Njëri sens ende s’ka nisur të asfaltohet. Sensit tjetër i është hedhur dora e parë, por si për të prishur syrin e keq në hyrje janë lënë nja tre metra rrugë pa u prekur. Trotuaret duket se kanë mbetur për në fund, ndërsa njerëzit ecin ku të munden. “Kaq kohë sa ka zgjatur kjo rrugë, do ishte bërë gjithë Tirana”, qahet një nga shoferët e autobusëve të linjës. Më pas batutat hidhen e priten nga pasagjerët. “Po ja sa të vijë fundi i vitit dhe t’i futen me kokë, se po të duan për një javë e mbarojnë”, shfryn një mesogrua. “Ç’të bësh, nuk është kohë fushate tani”, ia kërcet një tjetër. Të paktën kështu shtyjnë edhe pak kohë teksa shtypen në autobusët e supermbushur. Argumentet nga strukturat përkatëse për zvarritjen e rindërtimit të unazës, kanë qenë të shumta. Pak muaj më parë topi iu hodh KESH-it, që nuk zhvendoste shtyllat. Së fundmi, thuhet se një firmë e fuqishme e internetit pret të zgjerojë linjat, duke shtrirë kabllot. Duket se atyre që e kanë marrë përsipër aq u bën si të përfundojë tani, ashtu edhe pas dy vitesh kjo rrugë. Të vetmit që vuajnë pasojat janë qytetarët, pasi për shkak të unazës bllokohen të gjitha rrugët lidhëse me të. Një tjetër rrugë që është hapur javët e fundit është ajo në krah të Ministrisë së Mbrojtjes, pranë “Tajvanit”. Gjysma e saj është e kalueshme për makinat, ndërsa në pjesën tjetër kryhen punime. Edhe këtu i njëjti avaz. Trafiku nis që nga “Myslym Shyri” e deri sa del në bulevard. Ende të papërfunduara mbeten rrugët te zona e ish-bllokut, të cilat kanë nisur në muajin tetor. Jo më larg se një javë më parë ka nisur të gërryhet nga fadromat aksi te Drejtoria e Policisë, por ndonëse është hequr një pjesë e asfaltit, gjithçka është lënë me aq. As nuk është shtruar, as nuk duken gjurmë të punimeve të mëtejshme në të. Këto janë disa prej akseve lidhëse më të rëndësishme të Tiranës, bllokimi i të cilave e ka kthyer në një kaos të vërtetë lëvizjen e automjeteve.
Bulevardi “Zogu i Parë”
Mjaftojnë vetëm disa orë shi dhe pllakat e bulevardit “Zogu i Parë” kërcejnë përpjetë. Nuk ka kaluar shumë kohë nga rikonstruksioni, por pllakëzat e kuqe duket se nuk janë ngjitur aq mirë nga sa është deklaruar kur kryheshin punimet. Garancia që u dha për këtë rikonstruksion artizanal, në funksion të kthimit në identitet, ishte e njëjtë me punën e italianëve. Në fakt, pllakat e vëna prej tyre nuk luajtën nga vendi për 70 vjet me radhë. Këto të sotmet nuk kanë mbushur ende 5-vjeçarin dhe lëvizin përgjatë gjithë bulevardit. Si për të të hedhur hi syve, ata që nuk mungojnë kurrë në këtë rrugë janë punëtorët e mirëmbajtjes së rrugës, të cilët sapo pushon shiu i sheh menjëherë aty. Vënë në vend pllakat që kanë lëvizur e mbushin boshllëqet e krijuara nga reshjet. Mesa duket e dinë mirë që kjo situatë ripërsëritet sa herë, prandaj rrinë në gatishmëri për riparimet e radhës. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me pllakat te Galeria e Arteve. Edhe ato kanë nisur të japin shenjat e para të lëvizjes nga vendi. Ndërkaq në stresin e radhës është kthyer edhe parkimi i automjeteve. Dhjetëra gjoba “hanë” çdo ditë qytetarët e Tiranës për parkimet e gabuara. Shumë prej tyre, së fundmi nga Policia Bashkiake që u bllokon edhe mjetet me pajisjen e posaçme. Ky hap është ndërmarrë për t’i bërë që të zënë mend e të zbatojnë rregullat e qarkullimit rrugor. Por nga ana tjetër mungesa e vendparkimeve në Tiranë në shumicën e rasteve i detyron ata të thyejnë këto rregulla. Për të ndryshuar situatën nuk është bërë asgjë nga askush.

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

10 Komente »

  1. Arber Shkruaji mesazh privat thotë:

    9 Dhjetor 2007 @ 5:22 pm

    Po qahet nga rindertimi i rrugeve kjo motra…. A te thuash ti para se te fillonin punimet keto rruge ishin te shtruara me gur graniti e me tulipane neper trotuare… S’thote shyqyr qe po leviz dicka, po behen dy rruge, por po vonohen punimet tmerr i madh… Tmerr nuk eshte te shikosh nje rruge me 3 kuintal dhera ne rikostruksion, por te shikosh nje qytet ne agoni qe nuk shikohet as ne horizont ndonje investim… si pjesa me e madhe e qyteteve te tjera shqiptare… Me mire 1 vit rruge me dhera dhe rikostruksione sesa mjerim pa kufi….

  2. Pjer Thomas thotë:

    9 Dhjetor 2007 @ 8:44 pm

    Ne fakt ajo pjesa e unazes nga Farmacia 10 deri tek Bryli , eshte bere kangrene. Ka nja dy vjet qe vazhdon te jete ne mizerie.

  3. Cajupi_junior Shkruaji mesazh privat thotë:

    9 Dhjetor 2007 @ 8:58 pm

    Ne cdo qytet te Europes ka punime te tilla (reparime) rrugesh, problemi qendron se Shqiptaret tashme s’mbajne dot me (ngarkese shtresi),por ne fund te fundit a do ndertohet njiher ky vend ? - Le ti preokupoj me shume Shqiptaret “Ata” qe shkaterrojne se Ata qe punojne , ndertojne!
    Ndertimi i rrugeve mendoj personalisht ka nji fare llogjike(sjell zhvillim,mireqenje) ne ndryshim me gjithcka tjeter qe sot jetohet aty!

  4. Shqipo thotë:

    10 Dhjetor 2007 @ 3:32 am

    Po more qahet kjo motra sepse mbasi shpenzohen miliona leke nga taksapaguesit , dhe mbasi kalohet nje kohe e gjate me gangrenen e riparimeve rruget kthehen njesoj sic kane qene ose ndonjehere dhe me keq , per shkak te cilesise se dobet te punimeve .

  5. Cajupi_junior Shkruaji mesazh privat thotë:

    10 Dhjetor 2007 @ 10:55 am

    Cilesia e punimeve aha..kjo eshte fare e drejte ktu jame dakort me ju, pergjegjsia athere bie mbi punedhenesin , konkretishte bashkia !

  6. Tironsi thotë:

    10 Dhjetor 2007 @ 7:15 pm

    Kishte lezet me perpara o vlla. I futshe nje qofte e raki te parku ene dilshe u pshurrshe te qoshi. Rrime tani vrasim mendjen ku do parkojme e kena frike mos na bllokojne makinen. Atehere futshe kamionin gjithe beton ne Lane e s’te thoshte njeri gjo. :))
    Shyqyr qe ka ardh dita qe ankomeni per te tilla gjera si vende parkimi e sherbimin e transportit publik apo edhe cilesine e punimeve se te pakten dicka ka levizur. Mme pelqen te hsoh se ne shqiptaret nuk jemi nga ata qe genjehemi me pak gje. Te veme shkelmin po s’na e bere hysmetin mire. Vetem kujdes, se mund te biem nga shiu i imet ne bresher, po nga ai kokerrmadhi fare!

  7. artan thotë:

    10 Dhjetor 2007 @ 7:23 pm

    bulevardi i kuq !!!!!!!
    Pse edhe shqiperia paska bulevard i kuq,sheshi kuq ,demek si Kina !po pse i vini keto epitete xhanem kot se koti !!
    Ai ka emrin me te bukur Bulevardi Deshmoret e Kombit !

  8. Shqipo thotë:

    11 Dhjetor 2007 @ 1:23 am

    Lum si ti mo Tironsi , jeton ne mergim dhe enderon te psurosesh ne shqiperi , ke dhe probleme me parkimin :D

  9. Tironsi thotë:

    11 Dhjetor 2007 @ 11:04 am

    o Shqipo, nuk jetoj ne mergim jo. Nuk e mor vesh pse me del dy flamuri deutch ketu. Nga njehere del shqiptari, nganjehere gjermoni. Do e kete webpage-i. Shpine e kom te treni i vjeter dhe kom honger pluhur 2 vjet e akoma po ha. Po prape nuk eshte per te vene kujen. Pluhur ndertimi eshte jo si para ca vjetesh qe cahej rruga e s’ia ndiente njeriu me e mbyll me.

  10. poku thotë:

    21 Shkurt 2008 @ 1:24 pm

    Si fillestare qe je nuk e ke trajtuar problemin keq, gjithesesi nje shkrim i tille kerkon profesionalizem si nga ana profes. ashtu edhe ajo e etike, ku kjo e fundit do km qe te arrihet. Si i thone “beni si them une dhe mos beni si bej une, prandaj kujdes motra…..

Burim RSS për komentet · TrackBack URI

Shkruaj një koment (login)


Peshku ruan të drejtën të fshijë ose zbehë komentin që po dërgoni, sidomos nëse:
1) komenti fyen autorin, komentuesit e tjerë apo persona publikë
2) komenti është jashtë teme
3) komenti është shumë i gjatë
Nuk kemi qejf të censurojmë askënd, por ama diskutimet në faqe duam t'i mbajmë civile dhe të sjellshme.