Kanuni, Shteti, sfidë civilizimit

 
 
 
ERALD KAPRI (ERALDKAPRI@HOTMAIL.COM)
Idealja/ Ç’përfaqëson Kanuni dhe ligji në letër në Shqipërinë e çvoshtur…kanuni. Kjo frazë krijon ndjenjë frike për shumë që e dëgjojnë, por për disa të tjerë jo, përkundrazi. “Evropës së qytetëruar do t’i duhen edhe 600 vjet për të arritur vlerat e kanunit shqiptar”, - shkruan Kazuhiko Jamamoto, albanologu japonez. Kanuni shihet shpeshherë si simboli i primitivitetit të shqiptarëve. Për disa shihet si përvoja më e mirë e civilizimit ideal, në kushtet më të mira të mundshme që mund të jetohet në një sistem të lirë e demokratik. Ç’përmban në fakt Kanuni, ç’përfaqëson për shqiptarët dhe pse shteti i trembet atij. Pse shumë pseudointelektualë sulmojnë Kanunin si antivlerë. Sot Shqipëria është në proces për t’u bërë shtet modern në Evropën e qytetëruar. Sot vendi ka ligje të shkruara, për të cilat ankohemi se nuk zbatohen. Paradoksi qëndron kur mendon se Evropës së qytetëruar i duhen 600 vjet për të kapur vlerat e Kanunit shqiptar…, por që ne po na shpëton prej duarsh. Ç’thonë për këtë çështje Ismail Kadare, Gjin Marku, At Shtjefën Gjeçovi, Shaban Sinani, Nopça, Edit Durhami etj.

Shoqëria shqiptare ka nevojë për katarsis, ose çvoshtje më shqip. Të paktën ky është konkluzioni që has më shpesh në diskutime. Periudha e tranzicionit po tregon forma jashtë normales, paradoksale sa më mirë të thuash se ky vend nuk bëhet, pasi ilaçi nuk është shpikur ende. Një fjalë e urtë thotë se “po nuk përqafove të shkuarën, nuk ke të ardhme”. Po çfarë të shkuare me vlerë ka vendi ynë? At Shtjefën Gjeçovi, një figurë e lartë e kombit, ishte i pari që në fillim të shekullit të kaluar mblodhi ligjet e pashkruara të Kanunit, të cilat u botuan në vitin 1933. “Unë Kanunin ua solla, që ju me shkop ta përzini”, - shkruante Gjeçovi. Natyrisht ai nënkuptonte qartë se Kanuni ka disa vlera të cilat nuk duhet të anashkalohen, por ai duhej të zëvendësohej me ligje të shkruara në letër.

Po sot… Shqipëria ka një shtet që prodhon ligje me shumicë, madje me standarde të mira. Sot ligji ekziston, por zbatimi i tij bëhet siç duhet dhe jo siç është. Paradoksale kur e mendon se Kanuni nuk ishte i shkruar, por zbatimi i tij ishte diçka që as nuk mendohej.

Në të njëjtin kontekst, tranzicioni i vështirë ka vendosur shqiptarët krahas problemeve sociale dhe ekonomike, edhe përballë mungesës së rregullit dhe mosrespektimit të lirive. Shteti është një vlerë dhe me mënyrë të vetëdijshme çdo individ i jep atij të drejtën për t’i kufizuar disa liri dhe për të garantuar liri të tjera. Shtetit i lejohet të prekë liritë e individëve me qëllim rritjen e këtyre lirive. Për shumë studiues, Kanuni shqiptar një gjë të tillë e kishte në thelb të tij, kur mendojmë se flasim se ai funksiononte në mesjetë. Studiuesi japonez, Kazuhiko Jamamoto, e ka parë me detaje Kanunin shqiptar dhe në studimin e tij shprehet se “Evropës së qytetëruar do t’i duhen edhe 600 vjet për të arritur vlerat e kanunit shqiptar”. Ai e sheh Kanunin si modelin ideal të civilizimit. Të mendosh këtë fillimisht mendon se është diçka absurde. Shumë shqiptarë, madje mes tyre intelektualë publikë dhe të njohur, e cilësojnë Kanunin si pengesa e civilizimit dhe që shpreh primivitetin e shqiptarit, por Jamamoto mendon ndryshe. “Kulti i primitivitetit mundohet të ngulitet tek shqiptarët. Duke i paraqitur shqiptarët njerëz të natyrës së egër dhe të virgjër, të barazvlefshëm ndonjëherë me njerëzit e egër dhe shoqërinë patriakale, mbushin median ndërkombëtare dhe shënimet e udhëtarëve të huaj kur shkruajnë nga viset shqiptare”, - shprehet Yamamoto.

Por ç’ka qenë Kanuni?

Ja si e përshkruan profesori japonezi “i krisur”, vlerën e Kanunit kur duam të flasim për përsosjen e shoqërisë: “Struktura etike e Kanunit është forma më origjinale e etikës në shoqërinë njerëzorë. Kanuni i Lekë Dukagjinit ishte një mekanizëm i nevojshëm i kohës. Ai është një vështrim përqasës mes strukturës etike e shoqërisë homerike dhe asaj kanunore shqiptare. Shoqëria pa ndonjë autoritet shtetëror e shndërron dhunën e hakmarrjes në një forcë të shenjtë”, - shprehet Jamamoto.

Gjin Marku, kryetar i Komitetit të Pajtimit Mbarëkombëtar, shprehet për “standard” se vlerat e Kanunit janë ende të paditura. Mund të duket paradoksale që Kanuni vlerësohet nga një njeri që drejton një komitet për pajtimin e gjaqeve dhe pasojave që ka Kanuni. Por Marku nuk mendon kështu. “Kanuni, ashtu siç është, një vlerë kombëtare, i cili tregon se jemi një komb që e duam ligjin. Në qoftë se i referohemi të drejtës kanunore ose imponimeve dhe ligjeve të kanunit shqiptare, mund të nxjerrim konkluzione se si mund të bëhet një shoqëri funksionale”, - thotë Gjin Marku. E natyrisht, pjesa e gjakmarrjes është ajo që tremb njerëzit nga Kanuni, por Marku shpjegon se Kanuni nuk ekziston më në këtë pjesë. “Sot nuk ka gjakmarrje, por vetëgjyqësi nën psikologjinë e gjakmarrjes dhe të hakmarrjes. Sot vrasjet janë banditeske, të shëmtuara, të cilat nuk kanë të bëjnë me traditën e shqiptarit dhe kulturën e shqiptarëve për të drejtën e jetës. Nuk mund të pranosh sot vrasjet e sotme si vrasje kanunore. Gjakmarrja e sotme është një çoroditje, pasi njerëzit nuk e dinë ç’është Kanuni dhe tradita. Kjo është ajo që cilësohet sot si gjakmarrje. Është një frymë barbare. Nuk mund të ketë gjakmarrje sot kur nuk ke asnjë kusht për gjakmarrje”, - shpjegon Marku. Ai thotë me tej se “defekti nuk është tek qytetari, por tek ajo që quhet traditë shtetformuese. Mungesa e kësaj tradite në këtë klasë politike, bën që të mos të marrë burimin e së drejtës e cila është brenda tek Kanuni. Të marrë këto vlera dhe t’i vendosë në parametra bashkëkohore”. Temën e gjakmarrjes e ka prekur edhe shkrimtari shqiptar me famë, Ismail Kadare. “Gjakmarrja sot, në Shqipëri, mendoj se e ka shpjegimin si reaksion kundër ndalimit të rreptë me ligj që i bëri komunizmi dhe u mor si “zakon i mirë”, që duhet të ringjallet. Por është zakon që s’duhej të ringjallej. Kjo që po ndodh, s’ka të bëjë me Kanunin shqiptar dhe është shumë barbare, kryhet me kallashnikov. Është një gjëmë e zezë, e trishtueshme dhe duhet të mbyllet se është turp për kombin shqiptar, sot”, - thotë Kadare në një intervistë.

Studiuesi Shaban Sinani ka prekur shpesh temën e Kanunit shqiptar. Në studimet e tij tregohet mënyra se si funksiononte jeta nën Kanun, njerëzit që kanë shkruar për Kanunin, si dhe përshtypje e tyre. “Tradita vendëse e zgjidhjes së problemeve të së drejtës është dëshmi lashtësie e qytetërimi. Vetëm një popull i ngulitur prej kohësh mund të arrinte të përpunonte në atë shkallë me të vërtetë të lartë elementet e vetëdisiplinës dhe të autopërgjegjësisë. Një popull që arrin të krijojë një kod të normuar bashkëjetese duhet të ketë zotëruar më parë një kulturë të ngulitur etnike. Një mënyrë bashkëjetese e pranuar pa kushte nga të gjithë do shekuj të tërë të rregullohet me norma të njësuara. Kanuni shpreh ekzistencën e një jetë urbane qytetare dhe të një ndërgjegjeje bashkësie të hershme”, - shkruan në studimin e tij Sinani. Për Kanunin shqiptar ka shkruar edhe albanologu i shquar, baron Nopça i cili ka lënë edhe një vepër dorëshkrim mbi Kanunin. Albanologia e njohur angleze, Edith Durham, shkruan se “perandoritë e tjera erdhën e ikën, por ato kaluan mbi shpinën e shqiptarit, si uji mbi shpinën e rosës… dhe ai ruajti zakonet dhe identitetin e tij”.

Kuvendi kanunor dhe Kuvendi aktual ngjasojnë, por edhe ndahen. Pavarësisht se mund të duket se primitiv, Kuvendi kanunor ka tiparet e një demokracie të drejtpërdrejtë, por me përfaqësues dhe ku grupet e interesit kishin rol parësor. ‘Ligjin për të drejtën e vendimmarrjes, nga të gjithë qytetarët, e ka pasur shumë më të përparuar dhe të sofistikuar Kanuni sesa është sot. Por ta thjeshtojmë më shumë. Sot p.sh. nuk marrin pjesë në diskutime gratë apo fëmijët për ndonjë ligj që miratohet për ta. Në Kanun asnjë ligj nuk zbatohej në rast nuk kthehej nga Kuvendi, i cili do të diskutohej në çdo vatër, dhe më pas në Kuvend mblidhej dhe diskutonin për të rejat, ankesat dhe këshillat”, - shrehet Gjin Marku. “Vetë kuvendi i burrave ka etikën e vet të mbipushtetshme, që përbën kodin e spektaklit, të një spektakli që shfaqet gjithnjë vetëm një herë dhe nuk përsëritet më, të një spektakli që nuk njeh provë gjenerale. Është kjo etikë që ka krijuar atë dendësi të mendimit përherë të pranishëm në bisedën malësore, atë mirësjellje fisnike, atë dialog aq të kulturuar, që vë në peshë urtësitë dhe mban në eficiencë të plotë mekanizmin e kërkimit të së vërtetës. “Shqiptari rron për dy gisht nder”, “Dy gisht nder e faqen e bardhë”, janë dy përcaktime themelore për nderin në kanun“, - thotë Shaban Sinani.

…po sot, kur Kanuni ka zbritur në fushë?

Gjin Marku shprehet se në Tiranë, në zonat e Bathores apo Babrrusë, njerëzit kanë zbritur nga zonat më të thella të vendit. “Në Bathore, ku shteti nuk është prezent, njerëzit e ardhur nga zonat me traditë kanunore kanë vendosur rrugë mes njëri-tjetrit, rregulla për marrëdhënien mes tyre. Po të vini re, po të shkoni në një dasmë atje apo në ndonjë mort, tradita është e njëjtë. Përsëri funksionon dhe madje mirë. Instinkti i trashëguar po zbatohet ende sot”, - thotë kryetari i Komitetit të Pajtimit. “Shqiptarët e vlerësojnë të drejtën, e vlerësojnë pronën, familjen, jetën… por shqiptari nuk e ka në temperamentin e tij, por në bindjen e tij, nevojën për t’ia respektuar këto të drejta. Ligji aktual shqiptar nuk e garanton qytetarin as për pronën, as për familjen”, - thotë më tej ai.

Prapë, po sot? Kur kanuni ka një traditë të respektimit të ligjit, pse nuk përfitojmë nga kjo? Gjin Marku përmend kohën e Mbretit Zog. Në atë kohë, u ndërtuan institucionet, si dhe u miratuan ligje. Gjin Marku shprehet se në atë kohë, Mbreti Zog u takua me të gjithë bajraktarët dhe së bashku vendosën që ligji shtetëror që do të ruante harmoninë me Kanunin. Sipas Markut, kjo funksionoi pasi të parët e vendit në këto zona, respektuan ligjin e shtetit mbretëror. Ndërsa sot nuk është kështu. Gjin Marku bën përgjegjës sistemin komunist, i cili ka lënë trashëgim këtë klasë politike, e cila nuk kërkon t’i shqiptojnë as emrin Kanunit. Duke parë vlerat që ofron Kanuni, natyrisht lind pyetja se çfarë mund të shërbejë për sot. “Zgjidhja e vërtetë është ndërtimi dhe funksionimi i shtetit të së drejtës në Shqipëri, ulja e konfliktualitetit politik dhe social, stabiliteti dhe kthimi në normalitet, të cilat, sipas mendimit tim, arrihen vetëm me zgjedhje të lira e të ndershme, të pranuara nga të gjitha palët, mbi të cilat të ngrihen ekuilibra politikë të qëndrueshëm, institucionet legjitime demokratike të çdo qeverisjeje në të ardhmen”, - thotë historiani Uran Butka. Por pyetja lind se si duhet të arrihet ky shtet i përparuar dhe a duhet t’i kthejmë sytë nga Kanuni. Një përgjigje për këtë e thotë edhe shkrimtari Ismail Kadare. “Shqiptarët janë popull me aftësi të shquara ligjvënëse. Tregon se ai di të vetëqeveriset, pa pasur nevojë të marrë mësime dhe shansi i tij nuk gjykohet nga momenti i krizës”, - thotë Kadare, i cili për të tashmen ka mendimin se “shansi i tij (popullit) mund të jetë përpara”.

Kanuni i Lekë Dukagjinit

Kanuni i malësisë, sipas studiuesit Shaban Sinani, që lidhet me emrin e Lekë Dukagjinit, por në shumë elemente mund të jetë edhe më i vjetër se kjo figurë e njohur e historisë, është një univers juridik i lashtë, nënshtresa të të cilit, për nga burimi, shkojnë deri në antikitet. Formulat e betimit nuk zënë në gojë hyjnitë me emër. Betimi “për qiell e dhe”, “për kët’ gur”, “për kët’ peshë”, “për kët’ bukë”, shpreh një besim mitologjik. Vetëm një gjë me të vërtetë shumë e vyer mund të kapërcente shekuj të tërë për të ardhur gjer në ditët tona. Këto betime janë të njëjta me ato të grekëve të vjetër: “Për Uranin” (për qiellin), “për Demetrën” (për tokën) etj. Dhjata e re ia ndalon kategorikisht birit të njeriut të betohet për to. Kurse betimi për bukën të kujton kultin hebraik për “manna-n”, ushqimin e shenjtë hyjnor. Ishte ky kanun jo vetëm e drejta e rregullimit të bashkëjetesës (convente), por edhe e drejtë familjeje, e drejtë civile, e drejtë pune e procedure, një ansambël i vërtetë drejtësie, ku përcaktoheshin në mënyrën më të sintetizuar raportet e njeriut me familjen, me fisin, me miqësinë, me flamurin e me atdheun. Dihet se normat morale, rregullat e ndërtimit të jetesës së përbashkët, në popuj të ndryshëm, sipas përkatësisë së tyre fetare, janë identifikuar shpesh me përcaktimet e librave të shenjtë. Tek shqiptarët nuk vihet re një gjë e tillë. Kategori të tilla themelore të etikës popullore, si nderi, dinjiteti, respekti, mirësjellja, mikpritja etj. ndër shqiptarët janë përcaktuar nga “nomet e të parëve”.

Kanuni i Labërisë

Botimi i Kanunit të Labërisë vjen pas botimit të librit “E drejta zakonore e Labërisë”, në vitin 1994 dhe të ribotimit në vitin 2002, nga po i njëjti autor, Ismet Elezi. Botimi i këtij Kanuni pasqyron me vërtetësi kulturën e lashtë juridike të popullit të kësaj krahine, si pjesë përbërëse e kulturës shpirtërore e materiale të kombit shqiptar. Parë nga këndvështrimi jo vetëm i shtrirjes gjeografike të saj, por edhe nga këndvështrime të tjera, botimi i Kanunit të Labërisë, paraqet rëndësi historike, etnokulturore, juridike dhe kombëtare. Shembulli i gjallë i Labërisë, ashtu si ai i trevave të tjera të Shqipërisë deri në Kosovë e më gjerë ku banojnë shqiptarë, në luftën për liri e pavarësi kombëtare kundër pushtuesve të huaj, është tepër domethënës, për të vërtetuar ato që ka thënë albanologia e njohur angleze, Edit Durham: “Perandoritë e tjera erdhën e ikën, por ato kaluan mbi shpinën e shqiptarit, si uji mbi shpinën e rosës… dhe ai ruajti zakonet dhe identitetin e tij” (Durham: Brenga e Ballkanit 1991, f. 104). Kjo ishte vetëmbrojtje e mirëfilltë shoqërore, për individët dhe shoqërinë. Në Kanunin e Labërisë sanksionohen në unitet etika, një sistem vlerash të larta morale, si dhe parimet themelore juridike të mbrojtjes së nderit, burrërisë, fisnikërisë, besës, mikpritjes, bujarisë, parimet e barazisë, së gjakut, të lirisë, ashtu siç pasqyrohen në të drejtën zakonore mbarëshqiptare. Për ngjashmërinë e vlerave morale dhe të parimeve juridike të së drejtës zakonore shqiptare me ato të grekëve të vjetër të përshkruara te “Iliada” e Homerit dhe në veprat e Sofokliut, Eskilit etj.

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

4 Komente

  1. Idris thotë:

    15 July 2008 @ 3:15 pm

    “”"”"”"Studiuesi japonez, Kazuhiko Jamamoto,”"”"”"”"
    Kush o ky mre ? Samuraj besoj se ata kane KODIN e tyre te ngjashem me KANUNIN dhe qe JAPONIA i fut ne BURG sa cfaqen jo mo ti leje te kerkojne KANUNE…..
    Do me e kthy Jaonine me shpata ne kohen e informatikes…Jepi ne ti mo!
    Kjo eshte njesoj sikur te diskutosh per vleren e SHPATAVE ne raport me Kallashet.. :P :P :P….
    Tedyja jane te vlefshme…por ….sejcili per kohen e TIJ…

  2. arditi thotë:

    15 July 2008 @ 3:17 pm

    Idris, Kazuhiko Jamamoto eshte nje albanolog i njohur dhe ka kryer nje studim perle mbi kanunin shqiptar

  3. Idris thotë:

    15 July 2008 @ 3:35 pm

    Kot Ardito ! Jashte teme….
    Studiusi me i madh ne bote per KURANIN osht Japonez dhe AI.. :)
    Kur do hapej bota Min.e Jashtme Amerikane mblodhi gjith diplomatet dhe i porositi;
    -Kujdes nga Japonezet.Ata do penetrojne shume ne keto situata…
    E gjithe trupa u ngrit ne kembe dhe si ne kor…….. ULURIU…….
    SHE!!!!!!!!
    Te gjithe ishin JAPONEZE… :D..Barcalete e 90..-tes

  4. autori thotë:

    21 August 2008 @ 8:38 pm

    per te kuptuar me mire kanunin, tek standard diten e shtune 18 gusht, intervistova Kazuhiko Jamamoton. mund ta lexoni per te kuptuar me mire kanunin.

    Erald Kapri

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.

  • Po shikoni nje artikull ne faqen e arkivit te Peshkut pa Uje. Per te pare faqen aktive, shkoni tek peshkupauje.com