Kallëzimi i rremë: Policët më morën peng
TIRANË- Vonesa në shtëpi i ka kushtuar prangat një 21-vjeçareje nga Tirana. E gjendur përballë presionit të prindërve, Viana Rapishi duket se ka sajuar një histori përdhunimi jo me djem të zakonshëm, por me punonjës policie. Ajo është kthyer në shtëpi rreth orës 2.30 të mëngjesit dhe u ka pohuar prindërve se disa policë e kanë marrë peng në një makinë policie e më pas e kanë çuar në Laprakë. “Më morën me forcë në rrugën “Qemal Stafa” dhe më çuan në Laprakë. Atje tentuan të më përdhunojnë”,-mësohet t’u ketë thënë 21-vjeçarja prindërve. Të shqetësuar nga ky rrëfim prindërit e Viana Rapishit i janë drejtuar menjëherë komisariatit numër 4 të policisë, së bashku me të bijën dhe denoncuan ngjarjen. Ky kallëzim ka alarmuar më pas drejtuesit më të lartë të policisë së Tiranës, të cilët urdhëruan verifikimin e kësaj ngjarjeje. Menjëherë kanë filluar hetimet për zbardhjen e kësaj ngjarjeje, e cila rezultoi një sajesë. “Pas verifikimeve dhe hetimeve të menjëhershme të kryera rezultoi se Viana Rapishi ka bërë një kallëzim të rremë të imagjinuar, për t’iu justifikuar familjarëve të saj vonesën që kishte bërë në shtëpi”,-pohuan burimet zyrtare të policisë së Tiranës. Menjëherë pas verifikimeve të kryera, historia e 21-vjeçares ka rezultuar një gënjeshtër, gjë të cilën e ka pranuar edhe ajo vetë. Sipas njoftimit për shtyp të policisë së Tiranës, Viana Rapishi është arrestuar në flagrancë për kallëzim të rremë, ndërkohë që materialet për këtë ngjarje i kaluan prokurorisë së Tiranës, e cila filloi procedim penal ndaj saj për kallëzim të rremë, vepër kjo e parashikuar në nenin 305 dhe 272 të Kodit Penal.
A.Bogdani
Gazeta Shekulli
07/01/2006
21 March 2006 @ 5:10 pm
gjynaf goca e shkrete….c’ben frika ndaj prinderve eee?