Jo zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë
Albin Kurti*
Shekulli
Pas shumë mjegulle që ditët e fundit kishte mbështjellë realitetin politik të Kosovës, më në fund u bë e qartë se po përgatitet të ndodhë ajo për të cilën ne e kemi paralajmëruar herët dhe vazhdimisht: më 11 maj, zgjedhjet parlamentare dhe ato lokale të Serbisë do të mbahen në Kosovë. UNMIK-u është pajtuar me mbajtjen e këtyre zgjedhjeve në Kosovë, kurse qeveria bashkëpunëtore është pozicionuar prapa këtij qëndrimi. Në vend që t’iu thonë JO zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, UNMIK-u dhe qeveria e Kosovës me gjysmë zëri kanë thënë: shtyrje. Kjo na tregon se ata nuk po i konsiderojnë këto zgjedhje të patolerueshme: ata po kanë problem me kohën dhe legjitimitetin e tyre vetjak, e jo me legjitimitetin e zgjedhjeve të Serbisë.
Mbajtja e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë paraqet shkelje të drejtpërdrejtë të sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës. Asnjë shtet sovran, nuk organizon dhe mban zgjedhje parlamentare a lokale brenda një tjetër shteti sovran. Organizimi i zgjedhjeve përbrenda territorit të definuar të shtetit në një sistem unik zgjedhor nën kompetencën e shtetit, është veçori e sovranitetit shtetëror të vendit përkatës. Fatmir Sejdiu është munduar ta arsyetojë mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë nëpërmjet të drejtës së dyshtetësisë që serbëve ua mundëson Plani i Ahtisaarit. Ky është një mashtrim tepër naiv meqë nëpër të gjitha vendet e botës ku ekziston dyshtetësia, qytetarët e shtetit A votojnë për zgjedhjet e shtetit B përmes postës në ambasadën që shteti B e ka në shtetin A. Kjo ndodh p.sh., me shtetasit meksikanë që kanë po ashtu shtetësi amerikane: ata lejohen të votojnë në zgjedhjet e Meksikës vetëm nëpërmjet postës apo ambasadës së Meksikës në SHBA. Pastaj vetë fakti që detyrohesh të votosh nëpërmjet ambasadës së Meksikës, tregon njohjen që Meksika ka për ShBA-të. Por në momentin që shteti B hyn me strukturat e tij shtetërore përbrenda shtetit A, organizon atje zgjedhje paralele, mbi të cilat ngrihen institucione politike po ashtu paralele, ky është cenim i padiskutueshëm i pavarësisë dhe sovranitetit shtetëror. Kjo po i kërcënohet Kosovës nga zgjedhjet e 11 majit që Serbia po synon t’i mbajë brenda Kosovës.
Mbajtja e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, pra, nuk është thjesht shkelje formale e sovranitetit të Kosovës. Nuk është fjala këtu për mbajtjen e zgjedhjeve të cilitdo shtet, por kemi të bëjmë me shtetin e Serbisë, me të cilin na ndan e kaluara kriminale e tij ndaj nesh, e sotmja e okupimit nëpërmjet strukturave paralele shtetërore dhe e ardhmja e pretendimeve të hapura territoriale ndaj vendit tonë. Krejt veprimtaria e kaluar, e tashmë dhe e ardhme ushtarake e politike e shtetit serb, ka qenë dhe do të jetë (siç na tregojnë përditë me deklarata e veprime politikanët dhe ushtarakët serb) mosnjohja, pengimi dhe rrezikimi i shtetit të Kosovës me të gjitha mjetet. Njëri prej mjeteve të shtetit serb, janë strukturat e saj paralele brenda Kosovës. Serbia, e cila vetë e ka kundërshtuar Planin e Ahtisaarit, nëpërmjet këtyre strukturave të saj shtetërore, ka ndërsyer vazhdimisht serbët e Kosovës për mosnjohjen e shtetit të Kosovës. Kjo është bërë me qëllim të hapjes së një procesi tjetër negociator, ku serbët të sigurojnë përfitime edhe më të mëdha seç u jep Plani i Ahtisaarit. Dhe zgjedhjet parlamentare e lokale që Serbia po synon t’i mbajë në Kosovë, përveç që do ta thellojnë ndarjen institucionale, etnike dhe territoriale të Kosovës, ato do ta nxjerrin një strukturë paralele të përfaqësimit të serbëve brenda Kosovës. Serbia ka paralajmëruar mbajtjen e zgjedhjeve të saj në 23 komuna të Kosovës. Të gjitha strukturat paralele politike që dalin nga këto zgjedhje nuk do ta pranojnë Kosovën si shtet të tyre, por vetëm Serbinë. Serbët e Burimit (Istogut) do të votojnë për kryekomunarin serb që do të përfaqësojë këtë komunë. Në të ardhmen, Serbia synon që duke i cytur serbët për mosnjohjen e shtetit të Kosovës të nxisë negociata të reja, me ç’rast, ky përfaqësuesi serb i komunës së Burimit, të bëhet kryekomunar i komunës së re të Osojanit, që Serbia përpiqet ta themelojë nga fshatrat serbe të Burimit. Në listat zgjedhore të partive nga Serbia, të cilat mund të gjenden në faqen e internetit të Komisionit Zgjedhor të Serbisë, gjenden përplot kandidatë nga Kosova. Në listën e partisë së Boris Tadiqit figuron edhe një kandidat nga fshati Mogillë i Vitisë, i cili nëpërmjet decentralizimit parashihet t’i jepet komunës së re serbe të Kllokotit/Vërbocit.
Më 11 maj, Serbia serbëve të Kosovës do t’u ofrojë dy mundësi: ngritjen e strukturave paralele politike në nivel lokal, e të cilat nuk do ta njohin pushtetin lokal në Kosovë; si dhe mundësinë e përfaqësimit të serbëve të Kosovës në Parlamentin e Serbisë, e jo në atë të Kosovës. Kjo strategji e çintegron Kosovën tutje si në nivelin lokal, po aq edhe në atë qendror. Në nivelin komunal i izolon serbët edhe më shumë, duke e rritur lojalitetin e tyre ndaj strukturave paralele të Serbisë, kurse në nivelin qendror e thellon edhe më tej largimin e përfaqësimit të serbëve të Kosovës në Parlamentin dhe institucionet e Kosovës.
Prandaj, hapi i dytë serioz i cungimit të sovranitetit të Kosovës, pas okupimit të Veriut të Kosovës nga Serbia, është mbajtja e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë. Ata që na njohin seriozisht, kërkojnë hapa seriozë nga ne. Departamenti Amerikan i Shtetit, bëri të ditur që zgjedhjet e shtetit të Serbisë nuk duhet të mbahen në Kosovë. Të njëjtën gjë pat deklaruar edhe Ministri i Jashtëm Gjerman (Frank-Walter Steinmeier). Kurse disa të tjerë, si Komisioneri për Zgjerim i BE-së, Olli Rehn, duke cituar Planin e Ahtisaarit, ia mbajti ison Serbisë, duke i arsyetuar zgjedhjet nëpërmjet dyshtetësisë, dhe ky duket të jetë edhe qëndrimi i turpshëm i qeverisë së Kosovës. Por nëse vetë bashkësia ndërkombëtare është e paunifikuar mbi këtë çështje, ne duhet të kemi qëndrim pa ekuivok: kategorikisht, kundër mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë!


28 Prill 2008 @ 6:03 pm
Si pretendon Albini te ndaloje mbajtjen e zgjedhje? Policia e Kosoves nuk mund te hyje ne ato 3 komuna ne veri?
28 Prill 2008 @ 6:17 pm
Druaj se dikush do qe te kete ndarje de facto… njesoj si Kosova nga Serbia… reaksion zinxhir ndjekur ne Maqedoni… perseri ne qender te nje konflikti qe nuk eshte i yne… por a e kapi macja miun kete rralle ???
28 Prill 2008 @ 9:20 pm
me verteee??;)
29 Prill 2008 @ 12:17 am
SHPK KFOR edhe Unmiku e kontrollojn kufirin, ata kan fuqine ta bllokojne kufirin per disa dite gjate zgjedhjeve, e nese eventualisht naj qender e votimit hapet ne Mitrovice, atehere ka organizma tjere qe mund ta parandalojne ket proces pa Vule te KOsoves apo te UN. Ndoshta prap duhen do Autobusa te tropojes ne veri , se edhe na ne kosove i kemi do kucka nilloj si ato ne Himare!
30 Prill 2008 @ 11:41 am
un jam ok me nje propozim se nese ata i mbajn ne mitrovic ateher edhe presheva ti mbaj per kosov dhe te ken te njejtat te drejta si serbet e ks
30 Prill 2008 @ 2:02 pm
Ke ndegju najher ti prej ku e marrin ujin e pijes 500.000 banor te Prishtines? Uji vjen prej Gazivodes….Liqe ky ngjit te kufiri me Serbine eshte…. mund ta paramendosh ni skenar ku disa alkoholik centik vendosin te hedhin ni bombe aty qe Shqiptaret te mos kene uj? E di pasojat apo nuk ja ke idene aspak!
5 Maj 2008 @ 7:00 pm
une menoj qe zgjedhjet e serbise mos te mbahen ne republiken e kosoves ose edhe shqiptaret qe jane ne serbi le ti mbajne zgjedhjet ne serbi ose keshtu ose hiq edhe mendoj se pergjegjes per kete osht unmiku edhe kfori ata nuk duhet te lejojne mu majt zgjedhjet e serbise ne republiken e kosoves kjo osht sa i perket ksaj qishtu menoj une