Login



Register

Interviste e At Artur Liolin:”Edhe Noli do ta kishte pritur Janullatosin”

Flet kancelari i Kishës së Shën Gjergjit në Boston të SHBA-ve, at Artur Liolin. Janullatos shkakton debate në prag të 100-vjetorit të meshës së parë në shqip

Alfred Lela

Pikërisht kur kanë nisur kremtimet e 100-vjetorit të dhënies së meshës së parë në gjuhën shqipe mes komunitetit shqiptar në Amerikë, kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Shqiptare, Janullatos, është bërë shkas për debate të shumta në radhët e diasporës, por edhe në Shqipëri. Teksa kanë nisur aktivitetet në nderim të të parit themelues të Kishës Autoqefale Shqiptare, imzot Fan Stilian Noli, të cilat do të vazhdojnë deri në fundin e vitit 2008, vajtja e kreut aktual të Kishës Ortodokse ka sjellë tensione. “Edhe vetë Fan Noli, nëse do të ishte gjallë, do ta kishte pritur Janullatosin”, - thotë kancelari i Kishës së Shën Gjergjit në Boston të SHBA-ve, at Artur Liolin. Sipas tij, “kjo është një kohë për pajtim dhe negociata paqësore dhe një kohë për të lënë mënjanë diferencat për të mirën tonë të përbashkët”. I përfoluri dhe i propozuari disa herë për të qenë në vendin e Imzot Anastasit sot, pohon se pëlqimi për ardhjen e tij dhe marrja pjesë në kremtimet e 100-vjetorit të meshës së parë shqip është pranuar nga pjesa më e madhe e krerëve të Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë, përfshirë edhe episkopin Nikon.Si sot 100 vjet më parë, imzot Fan Noli mbajti meshën e parë shqipe në Kishën e Shën Gjergjit në Boston. Si jeni përgatitur për ta përkujtuar këtë ditë të madhe?Viti 2008 është 100-vjetori i kishës sonë. Filloi më 6 janar, ditën e shenjtë të Epifanisë dhe Ujit të Bekuar. Është, gjithashtu, dita e emrit dhe ditëlindja e Fan Nolit.
Më 9 mars përkujtojmë bërjen prift të Fan Nolit dhe fillimin e misionit të tij të shkëlqyer si njeri i Kishës, burrë shteti, akademik, poet dhe patriot. Marsi është një muaj i veçantë për ne, përderisa ishte ky muaj i pranverës kur u hap kisha e parë në Boston - Kisha e Shën Gjergjit - shenjti mbrojtës i Gjergj Kastriot Skënderbeut. Në muajin mars të vitit 1965 i madhi Fan Noli mbylli sytë dhe u fut në histori për arritjet e tij në shumë fusha. Ndërsa më 4 maj, ditën e Shën Gjergjit, ne do të hapim një ekspozitë speciale në auditoriumin “Andon Athanasi” në katedralen tonë, që do të pasqyrojë jetën dhe veprën e Fan Nolit dhe rilindasve. Më vonë, më 27 dhe 28 shtator të këtij viti, 100-vjetori kulmon me aktivitetin “Grand Gala” në “World Trade Center” në Boston dhe me meshën finale në katedralen tonë.Në drekën e shtruar me këtë rast do të jetë edhe Fortlumturia e Tij, kryepeshkopi i Shqipërisë, Janullatos. A ka qenë një ftesë e juaja, apo dëshirë e Tij për të marrë pjesë në këto festime?Të dyja. Kryepeshkopi Anastas katër vjet më parë më ftoi që të çoja meshë në Tiranë. Dy vjet më parë, ai ftoi Hirësinë e tij, arqipeshkvin Nikon i Episkopatës Ortodokse Shqiptaro-Amerikane për të festuar meshën në Tiranë dhe Korçë. Dhe vjet ai ftoi disa priftërinj shqiptaro-amerikanë për të marrë pjesë në mesha dhe për të dhënë leksione në Seminarin e Durrësit. Kështu, ky është një shkëmbim normal vizitash ndërmjet kishave tona. Ne e nderojmë imzot Nolin në këto kohë dhe mirëpresim gjithkënd që dëshiron ta nderojë kujtimin dhe arritjet e tij. Kjo është tradita e vjetër e shqiptarëve.Ndërkohë, kjo ka zgjuar reagime mes shqiptarëve të Bostonit disa prej të cilëve kanë vendosur të tërhiqen nga dreka jubilare që do të mbahet në restorantin e të ndjerit Andon Athanasi. A përligjet kjo, apo është thjesht një kokëkrisje shqiptare?Disa nuk janë të kënaqur dhe kjo është e pritshme. Sigurisht, ata kanë mendimin e tyre dhe ne e respektojmë këtë. Ata kanë dyshime dhe pyetje të ligjshme. Dhe ka mënyra të ndryshme për ta ngritur zërin. Sidoqoftë, banketi është pothuajse i prenotuar. Me qindra shqiptaro-amerikanë dhe miq do t’u bashkohen festimeve. Unë kam besim se të gjithë shqiptarët e mirë dinë si të sillen dhe si të shfaqin si duhet traditën tonë të tolerancës.A mendoni se e gjithë kjo përmban në fakt një paradoks, at Artur? Imzot Noli e shkëputi Kishën Shqiptare nga ndikimi dhe gjuha greke, duke bërë aktin e madh të themelimit të Kishës Autoqefale Shqiptare dhe tani, 100 vjet më vonë, pikërisht në jubileun e këtij akti madhor, kemi një grek, Janullatosin, i cili merr pjesë në ceremoni. A përbën kjo një përmbysje?Jeta është plot me paradokse dhe sfida. Fan Noli ishte njeri i kohës së vet. Ai na mësoi që me guxim t’i trajtojmë çështjet dhe realitetet e kohëve tona. Dhe pikërisht këtë po provojmë të bëjmë. Në shumë raste, ai priti individë me të cilët nuk ishte krejtësisht dakord sepse ishte jashtëzakonisht i hapur dhe kozmopolitan. Ne e shohim këtë jo vetëm si diplomaci të zakonshme e të mirësjellshme ndërmjet njerëzve të Kishës, por gjithashtu si oportunitet. Kjo nuk është vetëm tradita shqiptare e mikpritjes, por, gjithashtu, një nevojë absolute për përmirësimin e marrëdhënieve ndërmjet udhëheqësve të komunitetit tonë.

Me çfarë fjalësh do t’u drejtoheshit shqiptarëve dhe kryesisht shqiptarëve të Bostonit të indinjuar nga prania e kryepeshkopit Janullatos?

Marsi për kishën tonë është muaj meditimesh dhe ndjesash. Kjo kërkon një forcë speciale, largpamësi dhe këmbëngulje fisnike e guximtare për t’u mbajtur fort pas bindjeve tona në rrugë të qenësishme. E di se kjo nuk është e lehtë. Është shumë më e lehtë për ta mbrojtur veten me anë të së drejtës, pasi shumë flasin për çështje që janë të drejta. Sidoqoftë, të dy, Noli e Skënderbeu, do të takoheshin me ata me të cilët nuk ishin dakord. Pra, kjo është një kohë për pajtim dhe negociata paqësore dhe një kohë për të lënë mënjanë diferencat për të mirën tonë të përbashkët. Nëse bëjmë këtë me ndihmën e Zotit, mundësitë për progres në të ardhmen do të hapen. Ky është opinioni i episkopit Nikon, i pjesës më të madhe të krerëve të Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë dhe, gjithashtu, pozicioni im personal.

At Artur, po vetë Imzot Noli çfarë do të bënte?

Jam absolutisht i bindur se imzot Noli do të hapte dyert për dialog; në veçanti me një person kaq të respektuar, të arsimuar dhe të respektuar në mbarë botën, siç është imzot Anastasi. Ai kurrë nuk do t’i mbyllte dyert për askënd që do të ofrohej të fliste apo ta nderonte atë. Dhe ai do ta përdorte këtë rast për të folur ndershmërisht, hapur dhe me respekt. Noli nuk ishte vetëm orator. Ai dinte të dëgjonte me kujdes e vëmendje, pasi ai ishte një udhëheqës i jashtëzakonshëm, një qenie njerëzore e jashtëzakonshme me të cilin ne të gjithë mund të krenohemi.

HISTORIA E KISHËS SË BOSTONIT
Ngritja e saj mbi një histori tragjike

Gjithçka lindi me një vdekje. Emigranti shqiptar Kristaq Dishnica ndërroi jetë në vitin 1907 në Hudson të shtetit Massachusetts dhe kisha greke e zonës, ku shpesh faleshin shqiptarët, refuzoi t’i bënte të ndjerit shërbimet fetare. Duket se priftërinjtë grekë
kishin ndërhyrë që edhe kishat e kombësive të tjera të refuzonin varrimin e emigrantit nga Korça. Pavarësisht se cilat ishin shkaqet e refuzimit, vdekja e Dishnicës u kujtoi shqiptarëve se kishte ardhur koha që të krijonin kishën e tyre. Shqiptarët ishin të
vetmit ortodoksë të Ballkanit pa një kishë të tyren. Kjo pak i kishte shqetësuar shqiptarët deri atëherë kur kisha greke u angazhua në shërbim të shtetit grek për të paraqitur shqiptarët ortodoksë si grekë me synimin cinik materialist për të gllabëruar tokat
shqiptare. Ndërsa shqiptarët varrosnin trupin e emigrantit të shkretë që vdiq larg nga atdheu, ata varrosnin bashkë me të edhe iluzionin se mjaftonte të ishin “vëllezër
në Krisht” me bashkëfetarët e tyre grekë për të ruajtur dinjitetin e tyre kombëtar e njerëzor. Ajo që ndodhi në muajt që vijuan ndryshoi historinë e ortodoksëve shqiptarë, ndryshoi historinë e shqiptarëve të Amerikës dhe sipas të gjitha interpretimeve historike ndryshoi edhe historinë e mbarë kombit shqiptar. Kisha e Fan Nolit në Boston dhe
kishat e tjera ortodokse shqiptare në Amerikë kanë qenë një krah i fortë i federatës “Vatra” në punën për shpëtimin e Shqipërisë në fillim të shekullit të kaluar.
Përpjekja shqiptare për pavarësi nga kisha greke u kurorëzua më 8 mars 1908, me dorëzimin prift të Nolit në Nju Jork. Pak ditë më pas, më 22 mars 1908, Noli themeloi Kishën e Shën Gjergjit, në kishën ku qindra besimtarë ortodoksë shqiptarë e bashkatdhetarë të tyre të të gjitha feve e besimeve do të mblidhen këtë të diel për meshën e madhe përkujtimore.

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

5 Komente

  1. Laokonti thotë:

    11 March 2008 @ 10:20 pm

    …..Pikërisht kur kanë nisur kremtimet e 100-vjetorit të dhënies së meshës së parë në gjuhën shqipe mes komunitetit shqiptar në Amerikë, kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Shqiptare, Janullatos, është bërë shkas për debate të shumta në radhët e diasporës, por edhe në Shqipëri….
    ….Sipas tij, “kjo është një kohë për pajtim dhe negociata paqësore dhe një kohë për të lënë mënjanë diferencat për të mirën tonë të përbashkët”
    ——————-
    Pajtim me armikun, ulërinin paqsoret ( ndryshuar )
    mjaft më me luftë, zjarr edhe helm.
    Erdhi koha që shpatat ti kthejmë në parmenda
    armiqtë në miq erdh koha të kthejmë.
    —————————
    …. Kryepeshkopi Anastas katër vjet më parë më ftoi që të çoja meshë në Tiranë. Dy vjet më parë, ai ftoi Hirësinë e tij, arqipeshkvin Nikon i Episkopatës Ortodokse Shqiptaro-Amerikane për të festuar meshën në Tiranë dhe Korçë. Dhe vjet ai ftoi disa priftërinj shqiptaro-amerikanë për të marrë pjesë në mesha dhe për të dhënë leksione në Seminarin e Durrësit. Kështu, ky është një shkëmbim normal vizitash ndërmjet kishave tona. Ne e nderojmë imzot Nolin në këto kohë dhe mirëpresim gjithkënd që dëshiron ta nderojë kujtimin dhe arritjet e tij. Kjo është tradita e vjetër e shqiptarëve…
    ———————-
    …Ishte vjeshtë.
    Nën qiellin e hirnosur me erë
    kali i drunjtë përjashta priste në shi….
    ———————–
    …..Sidoqoftë, banketi është pothuajse i prenotuar. Me qindra shqiptaro-amerikanë dhe miq do t’u bashkohen festimeve. Unë kam besim se të gjithë shqiptarët e mirë dinë si të sillen dhe si të shfaqin si duhet traditën tonë të tolerancës. ..
    ——————-

    Ky ishte mbarimi i polemikës për kalin,
    ju e dini me Trojën se ç’ndodhi pastaj.
    ————–
    Jeta është plot me paradokse dhe sfida. Fan Noli ishte njeri i kohës së vet. Ai na mësoi që me guxim t’i trajtojmë çështjet dhe realitetet e kohëve tona. Dhe pikërisht këtë po provojmë të bëjmë….
    ————–
    …Degjoj emra shtetesh të reja që kanë dalë,
    emra kombesh e popujsh të rinj dëgjoj,
    veç ai, i vjetri, i tmerrshmi kalë,
    ashtu si ahere ka mbetur njëlloj….
    ………………
    “Edhe vetë Fan Noli, nëse do të ishte gjallë, do ta kishte pritur Janullatosin”, - thotë kancelari i Kishës së Shën Gjergjit në Boston të SHBA-ve, at Artur Liolin..
    —————–
    Rapsodët anembanë përhapën
    versionin fals të gjarpërinjve hyjnorë.

    ——————

  2. Vlore1920 Shkruaji mesazh privat thotë:

    12 March 2008 @ 7:56 pm

    do i kish thene kete pjese:

    Këta qena, o shok’ i mbytni,
    Mbushni gjyle që t’i shtypni.
    Mbahu, Nëno, mos kij frikë,
    Se ke djemtë n’Amerikë.

  3. Kaltersi Shkruaji mesazh privat thotë:

    14 March 2008 @ 2:39 pm

    Laokonti, ke dhene nje nga komentet me te goditura. :)

  4. Laokoonti | Laokoonti, polemika me At Arturin ne Boston dhe banketi trojan i paqes thotë:

    23 April 2008 @ 6:17 pm

    […] Interviste e At Artur Liolin:”Edhe Noli do ta kishte pritur Janullatosin” […]

  5. ada thotë:

    30 April 2008 @ 12:05 pm

    Me vjen shume keq per te gjithe ju qe ushqeni nje ndjenje kaq negative per Kryepiskopin Anastas. Ai eshte i vetmi qe e ngriti kishen tone nga rrenojat dhe pa te cilin ne Shqiperi nuk do te kishte fare orthodhoksi. Lavderojme prdite me ze te larte Perendine qe na vendosi ate si ktyebari te kishes. Jemi rritur ne besim si rrezultat i perkujdesjeve te Tij. vete Patriku Ekumenik eshte shprehur me te drejte: “nese doni te shihni mrekullira, shkoni ne Shqiperi”. Disa prej jush qe keni shkruar artikuj dhe komentuar ato as nuk jetoni fare ne Shqiperi dhe merreni me komente te kota siperfqesore, pa ditur gjendjen e kishes dhe pa njohur kryepiskopin. eshte per te ardhur keq per ju qe ndizni nje ndjenje te tille edhe per te tjeret, te cilet ende nuk e njohin Kryepiskopin Anastas.
    mua personalisht me eshte dhene rasti dhe BEKIMI ta njoh ate dhe te bisedoj. e konsideroj si apostull te diteve tona.
    Megjithate, ju njohesit e fese e kuptoni edhe vete qe gjithe keto sulmet tuaja e ndihmojne Kryepiskopin te ngjitet me lart, duke mbajtur nje kryq me te rende.
    si mbyllje ju kujtoj se edhe vete Krishti kur ishte ne kryq tha:
    “Fali o Ate, se nuk dine ç’bejne!”

Burim RSS për komentet

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.