Login



Register

Ina Rama, moj mizore…

Nga Kristaq Çoka*

…Pak u duke, shumë na dole! Kjo përshtatje anakronike e një këngë të lashtë shkodrane, ngjan se shpalos më qartë reagimet dhe sensibilitetet e përditësuara që ka krijuar Ina, Prokurorja - e re - e Përgjithshme.

Termi “e re” tashmë ka marrë thinja e rrudha. Jo nga ajo. Aspak. Por nga zhgënjimi pozitiv e negativ që ka ngjallur. Zhgënjim dyfish ose në katror, po të arsyetojmë matematikisht. Ka zhgënjyer të gjithë ata që mendonin se duke e emëruar, do të ishte një Barbie në duart e tyre. Ka zhgënjyer edhe ata që e hamendësonin një nëndetëse politike, duke i zhveshur nga mundësia e silurimit të saj. Por, mbi të gjitha, ajo ka zhgënjyer botën maçiste, duke u dëshmuar të gjithëve se ka meshkuj, ka edhe femra, por ka mbi të gjitha edhe BURRA, edhe pse me fustan … Shkurt hesapi, u ka treguar të gjithëve, brenda e jashtë, se prokuroria nuk është më kukull kineze me kurdisje apo vetëkurdisje, por një mekanizëm që vihet në lëvizje apo vetëlëviz, sapo kërcënime, dëme, apo pasoja rëndojnë mbi shoqërinë dhe individin.

Nuk do t’i shkruaja këta radhë, po të mos shihja sekuenca nga parlamenti i djeshëm. Një kabinet që shkëlqente me mungesën e tij. Deputetë, majtas e djathtas, të larguar në drejtim të paditur… Dhe mendoni: Lufta antikrim është një kalë dori beteje! Ishte prononcimi i parë parlamentar i Prokurores së Përgjithshme. Dhe kjo është një zonjë… Amerika për herë të parë ka emëruar në këtë funksion një femër në vitin 1993! Dhe përfytyroni fatin e ligjit për barazinë gjinore!…

Në të gjithë këtë ansambël “shkretëtire parlamentare” unë mund ta përfytyroj sikletin e zonjës Rama. Sepse, a ka më emergjencë më të madhe se krimi? A ka nevojë më të madhe që toleranca zero ndaj krimit, të shtrihet edhe në tolerance zero ndaj shkaqeve të krimit?

E kanë mbiquajtur Silvia Konti. Patetizëm dhe virtualitet. Për të na udhërrëfyer në një botë fiksioni. “Harroni librat e verdhë dhe filmat policore. Bota reale është krejt tjetër”. Nuk i harroj edhe sot këto fjalë që na tha në amfiteatrin “Zhorzh Klemanso” të shkollës franceze të komisarëve të policisë, pedagogu francez i të Drejtës Penale të Aplikuar. Sepse filmat janë tjetër nga jeta, sepse jeta është shumë më e pasur dhe me fakte reale. Po të jetë për “Silvia”, Ina Ramës mund t’i serviret një Silvia në Zvicër, një Silvia reale, Silvia Favre, prokurore, e cila shpartalloi gjithë botën prodhuese të orëve luksoze. Arrestoi baronin e orëve zvicerane, Jean Jacquet Baume, bashkë me nja tridhjetë e katër të tjerë dhe tronditi industrinë dhe botën politike transalpine. Të gjithë i dhanë të drejtë shtatëdhjetë e katër fashikujve të saj të hetimit: “Është njësoj sikur një kardinal të vjedhë në Shën Pjetër ose arkën e Vatikanit”.

Po t’i përmbahemi emrit, por duke ndryshuar gjini, mund të ofrojmë edhe Silvio Berluskonin, që ka marrë tashmë “abone të përgjithshme”, pavarësisht nga funksioni, për t’u paraqitur vajtje-ardhje në gjykatat e prokuroritë italiane. Megjithatë, le t’i lëmë meshkujt.

A e dini se prokuroret femra kanë bërë histori?

Eva Zholi në Francë e detyroi Roland Dyman, kryetar i Këshillit Kushtetues, të jepte dorëheqjen dhe e çoi për nja dy vjet në qeli. Luiz Arbur, kanadeze, përpiloi aktakuzën ndaj Millosheviçit dhe arrestoi kryeministrin e Ruandës bashkë me 70 (me të vjetra kjo shifër) eksponentë të regjimit dhe ushtarakë të lartë. Që të mos dalim nga kontinenti i Amerikës së Veriut, Zhanet Reno, Prokurorja e Përgjithshme e SHBA, e emëruar nga Bill Klinton, ngarkoi Kenneth Starr për të hetuar Klintonin. Për gojore dhe jo për djegore, (si ato të Gërdecit). Dhe Klintonit i eksplodoi përfundimisht karriera politike. Prokurorja aktuale çeke, Renata Veseçka, i është turrur “me gurë në trastë” zv. kryeministrit aktual, Juri Çunek, se është denoncuar nga sekretarja e tij, Marçela Urbanova, kur ishte kryetar i Bashkisë së Vsetinit, për një zarf 20 mijë euro në favor të firmës “H&B Real”. (Shifër fort e vogël me ato që qarkullojnë në vendin tonë). Ajo vazhdon traditën e paraardhëses së saj në këtë post, Maria Beneshova, e cila u “capërly” me ministrin e Drejtësisë së kohës, Pavel Nemeç, për të anuluar ekstradimin nga Çekia në Katar të princit Hamid Bin Abdul Sani Al Thani, princ i Katarit që kishte abuzuar në hotelet luksoze të Pragës me të paktën 16 vajza të mitura!

Ja pra, ja që edhe femrat, por jo në filma, por në realitet, e bëjnë punën e tyre dhe shumë mirë madje.

***

Por në Shqipëri, fatkeqësisht, xhirohet ende me intensitet të plotë versioni oruellian i fermës së kafshëve. Të gjitha kafshët janë të barabarta, por disa prej tyre janë edhe më të barabarta… Më duket vetja si banor i “Afrikës së bardhë”, kur lexoj disa shembuj nga Afrika e “zezë”, të gjitha shembujt, taze, të freskët:

Në Nigeri u arrestua Hama Amadu, kryeministri dhe kryetari i partisë në pushtet. Edhe favoriti

kryesor për zgjedhjet presidenciale 2009. Për 152 mijë euro dhënë për të korruptuar shtypin lokal.

Në Kenia u arrestua ministri i Financave, Amos Kimunia, pse nënshkroi shitjen e hotelit “Grand Regency” në Najrobi për 45 milionë USD. Është hotel nëntëkatësh. (Mendoni 15-katëshin tonë që u shit 5-milionë euro!)…

Në Kamerun, Ministri i Energjitikës, Alfons Siam Sive, u dënua me 30 vjet burg dhe me konfiskim të të gjitha pasurive të luajtshme e të paluajtshme.

Në Sierra Leone, ministrit të Detarisë, Okere Adams, iu vunë prangat vetëm për një ndërhyrje telefonike për të ndikuar në një tender.

Le ta lëmë Afrikën. E zezë. Kalojmë në Izrael. Kryeministri aktual, Ehud Olmert, është bërë si i shtëpisë në lokalet e policisë izraelite që nga 2 maj 2008. Duhet të përgjigjet për histori korrupsioni, kur ishte kryetar i Bashkisë së Jerusalemit, kur ishte ministër i Tregtisë, Industrisë dhe Punës dhe mbi të gjitha, kur ishte ministër i Financave, sepse në këtë detyrë ka kryer… 15 emërime të paligjshme! Me këtë akuzë imagjinoni sa burgje dhe sa qeli të reja duhen në mëmëdheun tonë!… Dhe për koincidencë të gjitha këto hetime janë drejtuar e kontrolluar nga prokurore femra…

Për sa më sipër, mjafton një vëmendje modeste për ta kuptuar, lexuar e zbërthyer sjelljen ndaj Inës. Nga patetizmi me Silvia Kontin e filmave, mbërrihet në prozaizmin e realitetit të hidhur me sulme publike ndaj Inës dhe deri në bojkotim simbolik!

E ka sulmuar ekzekutivi, qoftë edhe me “Luftë të ftohtë”, me politikën e “karrigeve bosh”. E ka sulmuar legjislativi, madje duke e akuzuar për fshehje materialesh, madje duke i “dhuruar shkretëtirë parlamentare”, madje duke e detyruar të qëndrojë në këmbë në seance plenare, sikur jo të ishte kryeshefja e akuzës, por e akuzuar, armike publike nr. 1!

E ka sulmuar edhe gjyqësori, me inspektime të paraprogramuara. Por mbi të gjitha, e ka sulmuar politika: liderë formalë dhe informalë kanë këmbëngulur dhe kanë ricidivuar në silurimin e saj publikisht pranë Presidentit të Republikës. Dhe kjo është figurë penale. Por “ignorantia non est argumentum”.

Edhe masmedia e shkruar dhe elektronike nuk ka mbetur pas. Një pjesë, edhe publike, d.m.th., e paguar nga taksat tona. Në këtë kuadër mjafton të kujtojmë se më 12 korrik 1993, Silvio Berluskoni, me cilësinë e personit nën hetim, (ndërkohë i ishte arrestuar edhe i vëllai, Paolo) dhe si pronar i kësaj gazete, i dërgoi një faks pronës së tij “Il Giornale” kundër Antonio Di Pietros. Por drejtuesit e gazetës, Federico Orlando dhe Indro Montanelli, refuzuan ta botojnë faksin e tij dhe jo, aq më tepër, të sulmojnë Di Pietron…

Hane Itali, hane Arnautistan!

Ina Rama është në pozitë të vështirë. Aspak prej vetes, por nga “ekstragjenet”. Ajo po e bën punën e saj. Mirë fare. Për nëntë muaj në detyrë ka kërkuar dhe ka hequr nja dy imunitete parlamentare. Ka në liste pritje edhe një të tretë. Pati fat profesional që mori këtë detyre, por edhe po aq fatkeqësi që u ndodh para dy provash të vështira, tejet të rënda. Gërdeci dhe rruga Durrës-Kukës. Në të parën ka treguar strategji dhe taktikë profesionale hetimore, me ndryshim kualifikimi penal (nga monokriminalitetet në polikriminalitet) dhe juridiksioni procedural (nga poshtë-lart). Për të dytën ka vënë një afat hetimi. Dhe kjo nuk është pak duke parë kontekstin shqiptar. Madje, është një lëvizje që cek cakun e heroizmit, sepse në këtë vend të vogël ka një të vërtetë të madhe: politikanët vetëkonsiderohen supermenë, gjysmëzot, dhe e ndjejnë veten të paprekshëm dhe të pandëshkueshëm. “Partia mbi të gjitha”. Pavarësisht nga zullumet. Por kultura e mosndëshkimit duhet të marrë fund, nëse duam një shtet, ku të mbisundojë e drejta dhe ku të gjithë të jenë të barabartë para ligjit. Përndryshe do të kthehemi në një vend, ku, siç thoshte Kolysh, një satirist francez dhe kandidat për president republike, “gangsterët kapin politikën, kur i përzënë nga bota e krimit”.

***

Tek shkruaj këto radhë, nuk është sekret të them se jam i dokumentuar. Qoftë edhe për vetëmbrojte dhe siguri juridike. Nga brenda e nga jashtë. P.sh., kam përpara një dokument të Këshillit të Evropës, (sa jemi stërmunduar dhe sa përbetohemi me fjalë për këtë “shtëpi të madhe të demokracisë!”); titullohet “Roli i Prokurorisë në Sistemin e Drejtësisë Penale”. Ka numrin e kodifikuar “Rec (2000) 19. Përbëhet nga 38 faqe. Është një produkt i Këshillit të Ministrave të KE më 6 tetor 2000, por rezultat i një pune trevjeçare, 1996-1999, të analizës së vetëm 25 vendeve anëtare, përfshirë edhe Shqipërinë. Frymëzohet nga dokumenti (95) 12, “Për administrimin e drejtësisë penale”. Shkurt muhabeti, një pasqyrë ku na duket vetja e shëmtuar. Gjithë politikanët dhe ligjzbatuesit e këtij vendi duhet t’i lexojnë këto dokumente dhe t’i vënë gishtin kokës. Për të zgjedhur njëherë e përgjithmonë rrugët: “Drejt Evropës, apo drejt gropës?”…

Të paktën deri tani këto dy dokumente i japin të drejtë të plotë Ina Ramës dhe inkriminojnë e penalizojnë të gjithë të tjerët, me veprim apo me mosveprim.

Që ta kem ndërgjegjen e qetë dhe të vijoj të jem i sinqertë ndaj Ina Ramës (jo si person, por si kreu i institucionit që mbron interesat e shoqërisë), nuk mund të rri pa thënë edhe diçka:

1- E drejta penale është e drejta me humanitare. Duke zbuluar e dënuar vrasësin, mbrohet jeta. Duke e bërë këtë gjë për përdhunuesin, mbrohet integriteti fizik e psikologjik i femrës. Duke e realizuar këtë me hajdutin, mbrohet e drejta e pronës. Duke u investuar kështu për të miturit, mbrohet autoriteti prindëror. Pavarësisht nga “egërsia”, drejtësia penale pohon vlera dhe nuk mohon.

2- Zonja Rama është kryeshefja e Policisë Gjyqësore dhe e të gjithë atyre që e kanë këtë si atribut apo pushtet të deleguar. Në këtë aspekt, edhe kur bëhet fjalë për policinë, vetëm varësia administrative është në Ministrinë e Brendshme dhe në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, ndërsa ajo funksionale e procedurale është në prokurori. Ka mërdhirë koha e “Justizpolizei”. Këtë term e kishte fort për zemër Hitleri.

3- Ka ardhur koha e hetimit strategjik e taktik tematik. Jo nga njerëzit te çështjet, por nga këto të fundit të njerëzit. P.sh., çështje të tilla që na mbajnë peng dhe na vonojnë e na devijojnë nga përparimi e prosperiteti: pronat dhe grabitjet e tyre, privatizimet e dyshimta, shëndetësia komatike, pastrimi i parave (stadi primitiv), ndërprerjet e energjisë dhe të ujit, evazioni fiskal, mangësia disavjeçare e regjistrimit të popullsisë dhe e pajisjes me karta identiteti (ndër të tjera edhe një faktor kriminogjen ky brenda e jashtë vendit), mungesa dhe dështimi i vendosjes së kasave regjistruese etj., etj.

Një kantier i madh hetimi. Pavarësisht nga emrat dhe entitetet e përfshira. Vetëm kështu mbrohen të drejtat dhe interesat e shoqërisë. Të nëpërkëmbura, të përdhosura, të përdhunuara prej kushedi e sa vjetësh.

“Kur flet drejtësia, heshtin armët”, - shprehej Ciceroni.

Dhe Ina Rama as mund të jetë, as mund të emërohet dhe duket se as nuk do ta pranojë të jetë një fiksion filmik i Silvia Kontit. As kukull, edhe pse joshëse “Barbie”. Ajo ka vetëm një rrugë, të jetë Temis, vajza e Uranit në qiell dhe e Gojas në Tokë. Me sy të mbyllur, me një peshore farmacie dhe me një shpatë pa këllëf…

* Master i Fakultetit të Drejtësisë, universiteti “Jean Moulin III”, Lion, Francë

Nga Gazeta Tema

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

7 Komente

  1. Julius Shkruaji mesazh privat thotë:

    19 July 2008 @ 12:09 pm

    Bukur. :) Unë bëj tifo për bjonden. Shpresa e parë, dhe veçanërisht e bukur në atë sistem kalbësie.

  2. avocados thotë:

    19 July 2008 @ 2:34 pm

    Shpresa e parë, dhe veçanërisht e bukur në atë sistem kalbësie.

    Ditto

  3. Cheney thotë:

    19 July 2008 @ 11:05 pm

    Kjo ishte receta e Temes per gatimin e purese..

    Perse autori ka harruar te analizoje fjalen e Kryeprokurores? Mesa lexova neper gazeta ajo kish harruar te permendte dicka.. spo e maj men as une se ca..

  4. Idris thotë:

    20 July 2008 @ 12:02 am

    E kemi per pruresin…qe po ti heqesh shume pak EMOCIONE….behet nje drite qarte per menyren e te OFRUARIT ne kryerjene detyres.
    I qarte. I sakte.I drejte. I ditur. Per mua URIME… si nje nga artikujt e rralle qe te ben te mendosh se edhe Shqiptaret mund te mendojne ne menyre EUROPIANE dhe si te tille ftojne te mendojne edhe te PARET e tyre midis te cileve kete rradhe ——-PROKUROREN.
    A do t’ja rekomandoje njeri INES , valle ?

  5. klodi thotë:

    20 July 2008 @ 5:16 pm

    te kendosh kengen e fitores pa filluar luften !
    linje tipike e te menduarit ne shqiperi……..

    do i kendoja IR atehere kur te kerkoje denime per DEPUTETE E POLITIKAN . te sbardhi cdo gje ….dhe te hapen dyert e burgut per ato qe jetojne ne LLUKS

  6. Bregdetari Shkruaji mesazh privat thotë:

    20 July 2008 @ 6:30 pm

    fati i Ina Rames do te vendoset ne Gjykaten e Larte. Nese shpallen fajtore pushtetaret tane atehere ajo do te jete nje heroine, nese ata shpallen te pafajshem ateher do ti veruslen te gjithe dhe ajo do te detyrohet te largohet.

    Meqe ra fjala ky i temes ja ka futur ca kot me kete shprehjen:
    “Kur flet drejtësia, heshtin armët”, - shprehej Ciceroni.

    Shprehja e vertete ne latinisht eshte INTER ARMA SILENT LEGE dmth Kur flasin armet heshtin ligjet. Keta gazetaret gjithmon e shtremberojne te verteten. :)

  7. gjergji. thotë:

    20 July 2008 @ 8:34 pm

    klodi thotë:

    te kendosh kengen e fitores pa filluar luften !
    linje tipike e te menduarit ne shqiperi……..

    do i kendoja IR atehere kur te kerkoje denime per DEPUTETE E POLITIKAN . te sbardhi cdo gje ….dhe te hapen dyert e burgut per ato qe jetojne ne LLUKS

    Dakort me Klodin,
    Artikuli eshte i shkruar shume bukur dhe shembujt e sjelle aty jane teper interesante, por nga ana tjeter ka nje mungese te madhe realizmi.
    Mos te harrojme se Shqiperia vazhdon te jete nder vendet e para per korrupsion ne bote, politikanet e korruptuar njihen nga te gjithe, duke filluar nga Nano e deri tek Mediu sot, dhe ne vend qe te kene perfunduar neper burgje ata vazhdojne te jene te paprekshem e te jetojne ne luks.
    Cdo dite ne liri e ketyre hajduteve mashtrueseve e vrasesve ne ndonje rast, eshte nje dite deshtimi dhe turpi per keta tipa qe i thone vetes prokurore.

Burim RSS për komentet

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.