Identifikohu



Regjistrohu

I bukuri shejtan

tiranapluhur.jpg….Duke u futur më thellë në analizë rezulton se nuk kemi të bëjmë me ndonjë surprizë të vërtetë, megjithëse nuk përjashtohet mundësia e ndonjë  xhuvelimi me të dhënat për të cilat ka qënë nevoja të merreshin nga Qeveritë.   Por ja vlen të supozosh se vlerësimi është i saktë dhe të analizosh….


Lavdosh ferruni
Telegraf
8 shkurt 2008

Xhuveli doli në televizion, disa ditë më parë, dhe i dha një lajm të madh Shqiptarve “Shqipëria e 25ta në botë për mjedisin”. Ai tha edhe se kjo renditje përbën një hop të madh përpara në mbrojtje të mjedisit jo vetëm duke u krahasuar me vendet më të zhvilluara të botës por edhe me vetë Shqipërinë 1 vit më parë, ku renditej në vendin e 57.
Aq sa e bukur është të dëgjosh këtë, po aq i madh është dhe shejtanllëku i saj.  I impresionuar nga lajmi kryeministri, në mbledhjen e parë të radhës deklaron:

“Gjykoj se renditja e Shqipërisë në këtë vend përbën një arritje madhore të përpjekjeve tona për mbrojtjen dhe zhvillimin e mjedisit”. Me kreditet e kryeministrit me performancë të njejtë me shumë shtete të zhvilluara të Europës(Danimarka në vend të 26, Itali në vend të 24) dhe më mirë se shumë shtete të tjera të Europës perëndimore (Greqia në vend të 44, Hollanda në vend të 55) por me performancë edhe më të mirë se vetë SHBA (rreshtuar në vend të 39) Berisha nuk e la ti shpëtonte rasti e ti këpuste një dush standard ambjentalistëve, ose më saktë qytetarëve ose tamam tamam qytetarëve të Vlorës që mbushën 3 vjet protestë për perfomanca qeverisëse antimjedisore. “….duhet t`i sqarojmë, duhet të dalim nga fusha e paragjykimit dhe të hyjmë në fushën e standardeve”.

Kombinimi i renditjes surprizë, ndër 25 më të mirët në botë për mjedisin, së bashku me “futjen në fushën e standarteve” i krijon Qeverisë një komoditet të jashtëzakonshëm që në pak vite ta kaloj Shqipërinë në vendin e 125të për mjedisin. Dhe këtu është problemi i madh.

Renditja surprizë
Lexuesi pret me siguri që artikullshkruesi, i angazhuar edhe vetë në lëvizjet qytetare-ambjentaliste të sulmoj raportin i cili në mënyrë të pamerituar e renditka Shqipërinë kaq lart në performancën mjedisore, kur opinioni në vend në pjesën dërmuese të tij konstaton sot se Qeveria Shqiptare nuk po ka asnjë vëmëndje mjedisore në performancën e saj, përkundrazi po injoron dukshëm impaktin mjedisor. Për të qënë fare i sinqertë ai (unë) ju fut analizës me këtë synim, që të gjente se raporti është i pa saktë apo i manipuluar. Por nga analiza rezultoi ndryshe. Së pari, hartuesit kryesor të  këtij raporti (dy qendra kerkimore universitare amerikane) pranojnë në konkluzionet e tyre se kemi të bëjmë me një “punë në përmisim e sipër”  (“ëork in progress”) dhe se metoda ka boshllëqe serioze sidomos lidhur me mungesen e të dhënve për seritë-kohore që bëjnë të vështirë vlerësimin sa më të saktë sasior të treguesve mjedisor. Së dyti, rezultoi se krahasimi me vitin 96 është thjesht një shejtanllik xhuvelor, pasi metoda e raportit të 2008 ka ndryshime shumë të mëdha në krahasim me atë të 96s dhe nuk kanë bazë  krahasimi. Psh në raportin e 2008 janë përdorur 25 tregues në vend të 16 treguesve në 2006. Në raportin e 2008 është futur me peshë specifike shumë të madhe në masën 25% vetëm 3 tregues të ndryshimit të klimës, që janë emisione/per frymë; emisione/ për njësi të gjenerimit elektrik; intesiteti karbonit industrial dhe të tjera ndryshime. Së treti në listën e vendeve me performancë më të mirë janë renditur edhe vende të tjera jo të zhvilluara si Costa Rika (vendi i 5të), Kolumbia (vendi i nëntë), Ekuadori (vendi i 22të). Së katërti, raportuesit i mëshojnë faktit se dokumeti ka më shumë vlerë në vrojtimin analitik të treguesve se sa listimi i përgjithshëm.
Duke u futur më thellë në analizë rezulton se nuk kemi të bëjmë me ndonjë surprizë të vërtetë, megjithëse nuk përjashtohet mundësia e ndonjë  xhuvelimi me të dhënat për të cilat ka qënë nevoja të merreshin nga Qeveritë.   Por ja vlen të supozosh se vlerësimi është i saktë dhe të analizosh.

Metoda “ Indexi i Performanca Mjedisore (EPI, Environmetal Performance Index), mbi bazën e të cilës është bërë raporti i mësipërm,  ka 2 grupe kryesore tregusish, grupin “Shendeti mjedisor” dhe “Vitaliteti Ekosistemit” me peshë 50% sejcili, të cilët degëzohen në 25 tregues të tjerë me peshë të ndryshme ndaj totalit. Shqipëria në të dy këto grupe treguesish renditet mirë dhe konkretisht me 89.3 dhe 78.6  pike nga 100 te mundshme, që së bashku e nxjerrin Shqiperie me 84 pikë në vendin e 25të.  Në grupin e parë të shëndetit mjedisor Shqipëria ndodhet midis 57 vendeve të tjera, të cilat janë si apo më mirë se Shqipëria. Brenda këtij grupi gjysmën e peshës e ka kategoria e quajtur “Pesha mjedisore në sëmundje” dhe që matet me DALY (disability-adjusted life year), që është tregues i cili kombinon humbjen e jetës nga vdekja e parakohshme me humbjen e jetës së shëndetshme nga paaftësia ose e thënë ndryshe 1 DALY është e barabartë me 1 vit më pak në jetën e shëndetshme. Në këtë tregues Shqipëria hyn ndër 36 vendet me tregues më të mirë duke u vlerësuar me 99.5 pikë. Por a ka një meritë Qeveria e këtyre viteve të fundit apo jo? Lexuesit duhet ti kujtojmë se para vitit 90 Shqipëria klasifikohej në vendet e zhvilluara për sa i takon tregueve të shëndetësisë. Nga ana tjetër sipas evidencave të viteve të fundit konstatohet rritje e sëmundshmërisë. Autoritetet shkencore të vendit kanë pohuar se ndotja e mjedisit ka impakt të konsiderueshëm në rritje në sëmundshmërinë në Shqipëri. Po në këtë grup Shqipëria klasifikohet vetëm me 70.1 pikë për ndotjen me grimcat e imta të pluhurit (PM10) duke u futur ndër 47 vendet me performancë më të keqe, ku ka kontribut negativ Qeveria dhe ku nuk ka shenja përmisimi. Në kët grup Shqipëria klasifikohet mirë edhe në treguesit e sanitetit të mjaftueshëm dhe ujit të pishëm, për të cilat nuk mund ti atribuohet ndonjë meritë Qeverisë. Por a mund Shqipëria të ngjitet më shumë se vendi i 57 në grupin “Shendeti mjedisor”, ndërkohë kur ndotja nga mjetet pritet të shtohet prej rritjes së numurit të tyre dhe industritë fosile pritet të kenë një bum në vend?.

Në grupin e dytë të EPI, “Vitaliteti i Ekositemit”   Shqipëria renditet ndër 24 vendet me ekosistem më vital. Gjysmën e peshës së këtij grupi e bëjnë 3 tregues të “ndryshimit klimatik”; emesionet/frymë, emesionet / elektricitet i gjeneruar dhe intesiteti i karbonit industrial.  Këtu Shqipëria hyn në 13 vendet me performancë më të mirë të botës, duke u vleresuar me 93.4 pikë dhe ku ze vend të dytë në Europë, pas Zvicrës. Këtu qëndron dhe thelbi i performancës së mirë mjedisore të Shqipërisë, pra emesionet e pakta në atmosferë. Nëse këtë do ta quanim performancë të mirë të vetë Qeverisë Shqiptare, menjëherë vjen pyetja, përgjigjja e së cilës dihet. A mundet Qeveria me angazhimet e mëdha të saj për ndërtim termocentralesh me fosile të mos shtoj emesionet në mënyrë të jashtzakonshme, duke e çuar Shqipërinë pikiadë poshtë në këtë klasifikim?. Absolutisht Jo. Por nëse është Qeveri e mençur, Po. Ja pse. Duke i hedhur një sy vendeve që renditen mbi Shqipërinë konstatojmë një fakt shumë domethënës. Thuajse të gjithë këto vende kanë burime të pasura ujore dhe menaxhim shumë të mirë të tyre. Costa Rika (vendi i 5të) një vend me të ardhura të krahasueshme me Shqipërinië, 98% të energjisë e siguron nga burimet hidro. Norvegjia (vendi i 3të) megjithëse vend i pasur me naftë e gaz 96% të energjisë e gjeneron nga burimet hidro. Zelanda e Re (vendi i 7të) 75% nga hidro;  Kolumbia (vendi i 9të) 70% nga hidro. Austria siguron nga burimet hidrike të saj, përfshi 1400 HECe të vegjël të saj, 70% te energjisë nga hidro. Shqipëria hyn në këtë kategori shtetesh, falë natyres që i ka falë kaq shumë burime ujore. Por xhuvelët tanë i kanë hipur kalit së prapthi e thonë uji le të shkoj në det se ne jemi të vendosur ti shtojmë vitet e jetës në Itali e ti paksojmë në Shqipëri (Shih DALY më sipër).

Për të mbyllur këtë presantim të indeksit të Performancës Mjedisore nuk mund të mos përmendim një kategori tjetër brenda grupit të Vitalitetit të Ekosistemit, që është ai i Biodiversitetit, ku Shqipëria renditet ndër 8 vendet me performancë më të keqe mjedisore në botë, duke marrë vetëm 4 pikë nga 100 të mundshme, ku bëjnë pjesë psh Djibuti e Iraku. Kjo është performancë e pastër e Qeverisë (kupto të gjitha Qeverive të tranzicionit).

Standartet
Pas  flamurit të klasifikimit të Shqipërisë në Top list për performancë mjedisore vjen menjëherë kryeministri me teorinë e “standarteve”.  Tani nuk është fjala për standarte të demokracisë, që shkelen me të dyja këmbët sa herë të duan politikanët tanë, por është fjala për standarte teknike.  Pra ne standartet teknike i respektokemi, problemin e kemi vetëm me standartet demokratike. Ky version po përpunohet këto ditë edhe nga disa media, që kërkojnë që të ndimojnë Qeverinë ”të respektoj” standartet për TECin e Vlorës, duke propozuar monitorim kur ai të vihet në punë. Për standartet e demokracisë, ku në rastin konkret është kërkuar e drejta referendumit, heshtet.

Një pyetje për ”standart mbrojtësit”. Po Amerika a ka standarte? Nëse po, si shpjegohet që me gjithë standartet e larta që ka mbetet pas Shqipërisë për perforancë mjedisore?. Po Europa, standartet e së cilës duam të arrijmë pse po vë detyra të forta reduktim të CO2? Tjetër dhe e fundit e këtij shkrimi. Nëse Shqipëria vë në dispozicion të Italisë bregdetin Shqiptar për të prodhuar energji me ”standarte” për Italinë, çfarë problemi ka?.  Le ta zhvillojmë Italinë! Le ti forcojmë fqinjët!.

Njoftimi fillestar nga Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit te Ujerave per renditjen:

EPI 2008. Shqiperia ne vendin e 25 -te

Mbi raportin e Indeksit të Performancës Mjedisore EPI 2008

konf shtypiNe Raportin e Indeksit te Performances Mjedisore  (EPI) per vitin  2008 (mbi bazën e të dhënave të vitit 2007), midis 149 vendeve, Shqipëria renditet në vendin e 25-të, e vlerësuar me 84 pikë nga 100 të mundshme. Ky fakt bëhet edhe me domethënes  krahasuar me renditjen e vitit 2006 (mbi bazën e të dhënave për vitin 2005), pasi Shqipëria ngjit 32 shkallë duke kaluar nga vendi i 57 në vendin e 25-të. Po në këtë raport Shqipëria renditet në vendin e dytë pas Kroacisë midis vendeve të Europës Lindore dhe atyre të Azisë Qendrore.

Monitorimi, vlerësimi, hartimi dhe publikimi i raportit është bërë nga katër qëndra të specializuara dhe prestigjioze ndërkombëtare për mjedisin: Universiteti i Yale-s (Qendra per Politikat dhe Legjislacionin Mjedisor) dhe Universiteti Columbia (Qendra per Rrjetin Informativ Ndërkombëtar për Shkencën e Tokës) në SHBA, Qendra Kërkimore e Përbashket e Komisionit Europian në Ispra, Itali dhe Forumi Ekonomik Botëror në Gjenevë të Zvicrës.

Rezultatet janë nxjerre nga grumbullimi dhe përpunimi i të dhënave nga institucione të specializuara si Banka Botërore, Organizata Botërore e Shëndetësisë, Programi i Kombeve të Bashkuara për Mjedisin (UNEP), UNICEF, FAO, etj.

Në këtë publikim te shpallur në Davos të Zvicrës me dt 23 Janar 2008, janë monitoruar 149 vende për gjashtë  fusha te mjedisit dhe me konkretisht për fushat: mjedis i shëndetshëm, cilësia e ajrit, burimet ujore, biodiversiteti dhe habitatet, burimet prodhuese natyrore dhe ndryshimet klimatike. Nga këto fusha janë vlerësuar 25 tregues si përmbajtja në ajër e dioksidit të sulfurit, ozoni, karboni industrial, grimcat e pluhurit, emisionet në ajër për frymë të popullsisë, përdorimi i pesticideve, biodiversiteti, zonat e mbrojtura, indeksi i cilësisë së ujit, etj. Treguesit e publikuar nga të dhënat e monitoruara janë vleresuar edhe në kuadrin e masave dhe politikave që janë ndjekur për përmirësimin e tyre.
Shqipëria ka një përmirësim të ndjeshëm në zërin për mjedisin e shëndetshëm, ku indikatorët e matur tregojnë një rritje te pikeve nga 79.8  në 89.3. Indikatorët e matshëm për këtë zë janë:

*
Efektet e mjedisit mbi sëmundshmëritë
*
Efektet e ajrit në shëndet
*
Efektetet e ujit në shëndet

Një rritje e dukshme shënohet edhe  ne fushën e burimeve natyrore, ku indekset e matura janë në sektorin e pyjeve, peshkimit dhe bujqësisë. Në raportin e vitit 2006 Shqipëria kishte një indeks prej 70 %, ndërsa  në raportin e 2008 rezulton një rritje në 79.1%.

Përmiresime ka në mbrojtjen e natyrës. Shfrytezimi i inerteve është pakësuar duke e ndaluar krejtesisht këtë veprimtari në një gjatësi prej 50 km të baseneve lumore si dhe duke zvogëluar kohën e shfrytëzimit nga 12 muaj që ishte më parë, në vetëm 5 muaj (Qershor-Tetor).
Shqipëria është një vend i gjelbër ku pyjet dhe kullotat zënë mbi 51 % të sipërfaqes së vëndit. Zvogëlimi i prerjeve në pyje në vitin 2007 deri në 3 herë në krahasim me vitet 2004-2005, rritja e sipërfaqeve të mbjella, dyfishimi i sipërfaqes së zonave të mbrojtura nga 150 000 ha në vitin 2005, në mbi 300 000 ha në vitin 2007,  kanë sjellë një përmiresim të ndjeshëm të gjëndjes së pyjeve duke bërë që për herë të parë pas disa dekadash, rritja vjetore e volumit drusor në pyje, të jetë më e madhe se sasia e prerjeve vjetore. Vetëm për sezonin 2007-2008 është planifikuar të pyllëzohet një sipërfaqe prej mbi 500 ha.Në periudhën 2005-2007 është miratuar: zgjerimi i Parkut Kombëtar “Butrinti”, shpallja e Rezervatit Natyror të Menaxhuar “Liqeni i Shkodrës” dhe shpallja e Peizazhit të Mbrojtur “Lumi Buna-Velipojë”; Zgjerimi i Parkut Kombetar “Mali i Dajtit”, dhe Peizazhi i Mbrojtur “Mali me Gropa-Bizë-Martanesh”. Cilësia e ajrit dhe përmiresimi i treguesve në këtë fushë, ka qënë dhe mbetet një prioritet i Ministrise se Mjedisit,Pyjeve dhe Administrimit te UjëraveBazuar ne matjet dhe monitorimin qe institucionet shkencore bëjnë për këta tregues, cilësia e ajrit në 97% te gjithe territorit te vendit është brënda normave të vendeve të Bashkimit Europian.

Gjatë vitit 2007, cilësia e ajrit është monitoruar në 15 stacione të 7 qyteteve kryesore te vendit, nga këto 7 stacione në Tirane, 3 në Elbasan dhe nga një në qytetet e Shkodrës, Durrësit, Korçës, Fierit dhe Vlorës. Këto zona janë konsideruar më sensitive, ndërsa gjithë qytetet dhe zonat e tjera të vendit tashmë nuk kanë shqetësime për cilësinë e ajrit. Në të 15 stacionet e përmendura më sipër janë monitoruar 6 tregues: PM10, LNP, NO2, SO2,O3, dhe Pb. Nga matjet rezulton se 4 prej këtyre treguesve, konkretisht SO2, O3, NO2, dhe Pb janë brenda standarteve shqiptare dhe atyre të BE në të gjitha qytetet dhe pikat e monitoruara. Matjet jane kryer gjatë 24 orëve për 16 ditë në muaj, nga Instituti i Shendetit Publik, Instituti i Hidrometeorologjise dhe Agjencia e Mjedisit dhe Pyjeve.

Nga matjet për cilësinë e ajrit në Tiranë në 7 pika, në 3 prej tyre  rezulton situatë problematike për ndotjen e ajrit per dy treguesit e grimcave të pluhurit  dhe konkrertisht:  tek kryqëzimi 21 Dhjetori, Sheshi Skenderbej dhe Zogu i Zi, situatë e përkohshme kjo, që shkaktohet kryesisht nga gjendja jo e mirë e rrugëve dhe nga punimet në infrastrukturë, dhe jo rrallë nga mosrespektimi i kushteve mjedisore. Ndërsa në pjesët e tjera të qytetit situata paraqitet normale.
Tregues mjaft pozitivë  të sjellë në raportin EPI 2008, janë edhe në fushën e burimeve ujore, përdorimit te energjisë së pastër si dhe nivelet e ulta që kemi në emetimet e gazeve serë. Së afërmi pritet të fillojnë punimet për ndërtimin e stacioneve eolike për shfrytëzimin e erës për të prodhuar energji elektrike të pastër. Gjatë vitit 2007, Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit te Ujërave ka licensuar disa kompani për të prodhuar energji të tillë me kapacitet mbi 1000 MË.

Për cilësine e ujërave vendi ynë renditet në grupin e 102 vendeve me treguesit më të kënaqshëm. Gjatë vitit të kaluar, mbi bazën e kontratave të lidhura nga Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, është kryer monitorimi i cilësisë së ujrave të plazheve ( edhe për treguesit e tjerë MMPAU ka lidhur kontrata monitorimi), në 72 stacione monitorimi në plazhet kryesore të bregdetit, si Velipoje, Shëngjin, Durrës, Kavajë, Vlorë, Dhërmi, Himarë, Borsh dhe Sarandë. Nga rezultatet e analizave mikrobiologjike, rezulton se 85%  ose në 61 plazhe cilësia e ujërave është në përputhje me rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe Bashkimit Europian. Me investimet dhe projektet që janë në proçes me një vleftë prej rreth 40 mil. euro, për eleminimin e ndotjes në ujërat bregdetare, në 2-3 vitet e ardhëshme, ky tregues do të përmirësohet ndjeshëm.

Shqetësues vazhdon të mbetete administrimi i mbetjeve të ngurta urbane (problemi i plehrave). Mbejtjet e ngurta përveç ndotjes së ambientit shkaktojnë edhe dëmtimin e peisazhit dhe ndikojnë në formimin e një imazhi negativ për vendin tonë. Gjatë këtij viti do të fillojnë punimet për ndërtimin e disa landfilleve  në Shkodër, Tiranë, Sarandë, Korçë, etj., por problemi mbetet i madh vlerësimi i  bërë nga institucionet ndërkombëtare, për progresin në fushën e mjedisit në Shqipëri, do të shërbejë si një inkurajim për të ecur më shpejt në realizimin e Programit të Qeverisë për përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetareve Shqiptare dhe plotësimin e angazhimeve në proçesin e integrimit europian.

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

5 Komente »

  1. leo thotë:

    9 Shkurt 2008 @ 10:10 pm

    Eshte per te ardhur keq kur mendon se me sa pafytyresi nje i ashtuquajtur minister mjedisi perdor te dhenat e huaja…
    shqiperia ka mundesi qe te jete ne vendin e 25 por nga fundi i listes…

    ah xhuvel! xhuvel!qe na e more qeverine nga brenda…

  2. Vemendje thotë:

    9 Shkurt 2008 @ 10:53 pm

    Mendon “Peshku” si notim ne ujra te mesme tek ky shkrim. Me ndihmon shkrimi te kuptoj se sa kontradiktore eshte per “Xhuvelet”; te zhvillojne ekonomine kushton me ndotje, duke mos e zhvilluar ekonomine, zene nje vend me te mire ne renditje. Per sa kohe ne do te na shpetoje moszhvillimi? Ky shkrim s’na le dhe aq koh.

  3. Pjer Thomas thotë:

    10 Shkurt 2008 @ 10:28 am

    Artikulli i Lavdoshit ishte interesant, veç ketu duhet shtuar se , nje vend pa industri , natyrisht qe s’ka ndotje, biles une habitem se pse Shqiperia klasifikohet ne vendin e 25 , kur fare mire mund ta klasifikonin ne 10 vendet e para, pikerisht se s’ka industri, s’ka ndotje .

  4. adriatik thotë:

    10 Shkurt 2008 @ 12:33 pm

    Kush eshte ai poeti titan qe tha fjalet lapidar:
    Qe kur doli xhuveleria,
    Plasi sheshit kurveria.
    Kushdo qofte poeti, me siguri eshte poeti me i madh shqiptar i te te gjitha koherave. Si do mund te karakterizohej me mire nje plak imoral deri ne frymemarrje vec si xhuvel.

  5. dukati thotë:

    10 Shkurt 2008 @ 7:18 pm

    Disa mendojne se Shqiperia eshte ne udhekryq. Ose zhvillim ose mjedis te paster. Mendoj se bota ka akumuluar aq pervoj sa ne te prapambeturit te perfitojme prej saj per te zgjedhur rrugen e duhur, pra te zhvillohemi duke mbajtur mjedisin te paster. Nje nga pervojat qe po perjetojme eshte manovra e kompanive ndotese per te cvendosur ndotjen ne vende si shqiperia, si psh cvendosja e industrise se naftes dhe te cimentos. Me kete forme “zhvillimi” shqiperia shkon ne kolaps per 2 dekada. Vendet e zhvilluara jane ne gjendje te minimizojne ndotjen pasi kane akumuluar keto 2 shekuj kapital edhe nga kolonite e vjetra dhe te reja. Po ne? do shlyejme me pare borxhet e BB apo do rikuperojme ndotjen qe do na lene te tjeret. ?

Burim RSS për komentet · TrackBack URI

Shkruaj një koment (login)


Peshku ruan të drejtën të fshijë ose zbehë komentin që po dërgoni, sidomos nëse:
1) komenti fyen autorin, komentuesit e tjerë apo persona publikë
2) komenti është jashtë teme
3) komenti është shumë i gjatë
Nuk kemi qejf të censurojmë askënd, por ama diskutimet në faqe duam t'i mbajmë civile dhe të sjellshme.