Identifikohu



Regjistrohu

Huazimet leksikore dhe qëndrimi ndaj tyre

….“Si do të flinim pa çarçaf, jastëk dhe jorgan? Si do të pastroheshemi pa sapun e peshqir? Çka do të mbathnim nëse jo çorape dhe papuçe a sandale, e ndoshta edhe çizme? Çfarë do të pinim nëse jo çaj me limon, kafe me sheqer a raki e duhan? Si do të hanim pite a sarma? Si do të thoshim për diçka se është e butë si pambuku ose e fortë si çeliku?”….

Nebi Caka

Sikurse edhe gjuhët e tjera, shqipja ka huazuar fjalë nga gjuhët e popujve me të cilët është takuar gjatë historisë së saj. Nga një analizë e bërë, del se shqipja nuk është më pak “e pastër” se anglishtja, edhe pse larg që të jetë aq e pasur sa ajo. Por tani, sikundër edhe shumë gjuhë të tjera të botës, ajo përballet me një “mësymje” të anglishtes. Si mund të përballohet kjo situatë dhe çfarë qëndrimi duhet mbajtur ndaj huazimeve leksikore të kohës më të re?

“Si do të flinim pa çarçaf, jastëk dhe jorgan? Si do të pastroheshemi pa sapun e peshqir? Çka do të mbathnim nëse jo çorape dhe papuçe a sandale, e ndoshta edhe çizme? Çfarë do të pinim nëse jo çaj me limon, kafe me sheqer a raki e duhan? Si do të hanim pite a sarma? Si do të thoshim për diçka se është e butë si pambuku ose e fortë si çeliku?”

Citati i mësipërm është marrë nga libri “Hyrje në gjuhësinë e përgjithshme” (Beograd – Novi Sad, 1996) të linguistit Ranko Bugarski dhe i referohet gjuhës serbe. Vërtet ai tingëllon ndryshe në origjinal (serbisht), por fjalët në kursiv, edhe kështu si janë shkruar, janë të kuptueshme jo vetëm për serbet, por edhe për popujt e tjerë të Ballkanit.

Këto dhe shumë fjalë të tjera, sikurse edhe gjuhët e tjera të Ballkanit, shqipja i ka huazuar nga turqishtja gjatë sundimit 4-5-shekullor të Turqisë në këto anë, ndaj quhen turqizma, edhe pse disa prej tyre turqishtja i ka marrë nga gjuhët e tjera të Lindjes (Orientit), si arabishtja e persishtja (së këtejmi edhe termi tjetër për to: orientalizma). Shumë turqizma, ndërkohë, janë zëvendësuar me fjalë të krijuara përbrenda shqipes, por një pjesë e konsiderueshme, si këto që sa u përmenden, janë të pazëvendësueshme.

Shtresa më e vjetër e huazimeve, njëherazi dhe me ndikim më të madh, në gjuhën shqipe, është, ndërkaq, ajo me bazë latine. Këto fjalë kanë hyrë në gjuhën shqipe gjatë pushtimit 500-vjeçar të trojeve të të parëve tanë nga ana e Perandorisë Romake, gjuhë zyrtare e së cilës ka qenë latinishtja. Shqipja, sikurse edhe gjuhët e tjera, ka huazuar fjalë jo vetëm nga gjuha e pushtuesve, por edhe nga gjuhët e popujve me të cilët është takuar gjatë historisë së saj dymijëvjeçare, si nga greqishtja, sllavishtja, italishtja.

Kush huazon fjalë dhe pse?

Një numër fjalësh të huazuara tashmë janë pronë e shqipes dhe nuk ndihen si të huaja, dhe siç thot David Crystal-i (në “The Cambridge Encyclopedia of Language”), “meqë asnjë gjuhë asnjë herë nuk e ka marrë ndonjë fjalë nga ndonjë gjuhë tjetër me qëllim që një ditë t’ia kthejë, e meqë fjalët e tilla kur nuk janë kthyer, termi huazim është term i gabuar”. Pa hyrë në hollësi për të shpjeguar huazimet, vetëm të përmendim se fjalë të huazuara apo huazime janë fjalët e një gjuhe të marra nga një gjuhë tjetër dhe të përshtatura sipas modelit (sistemit) të saj fonetik e morfologjik.

Fjalët shpesh merren nga gjuhët e tjera për të plotësuar zbrazëtirën leksikore – për të emërtuar sendet (objektet), konceptet a dukuritë. Kështu shqipja, për të emërtuar dritaren, e ka huazuar fjalën “penxhere” nga turqishtja, derisa nuk e ka krijuar fjalën e vet, para njëqind e sa vjetësh (Naimi). Edhe anglezet e kanë huazuar fjalën për dritare (angl. “window”); ata këtë e kanë marrë nga norvegjishtja e vjetër, nëpërmjet danishtes, rreth vitit 1200. E sot nga anglishtja fjalën “window”, në trajtën e shumësit “Windows”, si term në informatikë, e ka huazuar e tërë bota.

Kur është fjala te anglishtja, duhet përmendur se anglishtja është një ndër gjuhët që ka marrë më së shumti fjalë nga gjuhët e tjera. Ajo ka “huazuar” fjalë nga frëngjishtja për më se 900 vjet. Prandaj, nuk thuhet pa të drejtë se një etimolog anglez e njeh më mirë leksikun e frëngjishtes së vjetër se sa e njeh homologu i tij francez, meqë një numër i konsiderueshëm fjalësh të anglishtes janë fjalë të moçme të frëngjishtes.

Analiza kompjuterike e rreth 80.000 fjalëve të fjalorit të anglishtes (Shorter Oxford Dictionary) e bërë nga Th. Finkenstaedt dhe D. Wolff, më 1973 (e botuar në Ordered Profusion) ka treguar se 28,30 % të fjalëve të anglishtes janë me prejardhje frënge, 28,24 % janë me prejardhje latine (përfshirë këtu edhe termat bashkëkohorë shkencorë e teknikë), 25 % rrjedhin nga anglishtja e mesme, norvegjishtja e vjetër dhe nga holandishtja, d.m.th. janë me prejardhje gjermanike, 5,32 % janë me prejardhje greke, 4,03 % janë me etimologji të panjohur, 3,28 % janë të prejardhura nga emra të përveçëm dhe 1% nga të gjitha gjuhët e tjera. Pra, rreth 70% të fjalëve të anglishtes janë prej brumit të huaj. Anglishtja edhe sot vazhdon të huazojë fjalë nga gjuhët e tjera. Në fjalorin e saj janë fjalë nga 120 gjuhë. Ndryshe si do të kishte ajo leksikun më të pasur në botë: më se 500.000 fjalë aktive e po kaq pasive, e vetëm disa shekuj më parë ka pasur 50.000-60.000 fjalë.

Vërtet sot merret se vetëm rreth 30% e numrit të përgjithshëm të fjalëve në gjuhën angleze janë fjalë vendi, por këto fjalë formojnë korpusin e fjalëve që kanë përdorimin më të dendur në të folur e në të shkruar dhe janë polivalente e polisamentike, pra të përshtatshme për lidhjen e fjalëve në sintagma e fraza dhe për krijimin e frazeologjizmave.

Në një korpus prej rreth një milionë fjalësh, marrë, sipas një përzgjedhjeje të caktuar, nga gazetat, revistat e librat në anglisht (i ashtuquajturi “korpusi i Braunit”), dhjetë fjalët që përdoren më së shumti në këtë gjuhë (the, of, and, to, a, in, that, is, was, he) janë fjalë vendi dhe përfshijnë rreth 25% të tekstit të marrë për analizë.

Ç’tregon një analizë kompjuterike?

Është interesant të përmendet se, sipas analizave që i kemi bërë një korpusi të ngjashëm me tekste shqipe, 10 fjalët e para për nga denduria e përdorimit në gjuhën shqipe: (7,17 %), e (5,32 %), (2,96 %), dhe (2,48 %), i (2,14 %), me (1,46 %), për (1,57 %), (1,41 %), (1.41%), një (1,04 %), nga (0,93 %) përfshijnë rreth 27 % të të gjithë tekstit, dhe që të gjitha, po ashtu, janë fjalë vendi (N. Caka – A. Caka, 2006).

Mund të vërejmë se që të gjitha këto dhjetë fjalë, të cilat kryesisht janë fjalë shërbyese a funksionale – parafjalë: me, në, nga, për, që; lidhëza: e, dhe, që, në; pjesëza: të, që; nyja: i, e, të, një; po dhe trajta të shkurtra të përemrave vetorë ai/ajo, ata/ato (i, e, të) dhe ty (të); përemra: ai (të), një, që; numëror: një e ndajfolje: nga, që – janë njërrokëshe. Kjo është në përputhje me Ligjin e Zipf-it: “Sa më e shkurtër është fjala, aq më të madhe e ka dendurinë e përdorimit”. Kjo është, mbase, një nga arsyet kryesore që një përshëndetje shumë e bukur dhe domethënëse e shqipes: “tungjatjeta” po përdoret gjithnjë e më rrallë në këtë trajtë, për shkak të gjatësisë së saj (4 rrokje me 10 fonema/tinguj).

Edhe fjalët e dhjetëshes së dytë të listës së radhitjes sipas dendurisë së përdorimit: nuk, se, është (folje), më, edhe, do, së, si, ka (folje), po, – me rreth 6% të paraqitjeve në korpus – po ashtu janë fjalë vetjake të gjuhës shqipe.

Pra, mund të merret se mesatarisht çdo e treta fjalë e një teksti në gjuhën shqipe është njëra nga këto 20 fjalë. Nëse këtyre fjalëve u shtojmë fjalët e lashta (emra, mbiemra, përemra, numërorë, folje e ndajfolje), të burimit indoevropian, të cilat përbëjnë bërthamën e leksikut të shqipes, si: ditë, natë, darkë, drekë; diell, mjegull, veri, kohë, mot, vit; dorë, gji, mjekër; motër; mal, shteg; ari, dem, derr, gjarpër, lopë, pelë, ujk, zog; elb, hudhër; djathë, dhjamë; emër, zë (zëri), ëndërr; i bardhë, i butë, i lig, i lirë, i vogël; kam, jam, ha, pi, pjek, djeg, çel, dal, qaj, them, mbush; unë, ti, ne, ju, ky, ai; mirë, keq; një, dy, …, dhjetë e shumë e shumë fjalë të tjera, atëherë del se shqipja nuk është më pak “e pastër” se anglishtja, edhe pse larg që të jetë aq e pasur sa ajo.

Ç’është e vërtetë, se sa fjalë i ka një gjuhë, pra dhe anglishtja, është vështirë të thuhet, ngaqë gjuhëtarët nuk mund të merren vesh se çka duhet konsideruar si fjalë. A duhet numëruar si fjalë të një gjuhe të gjitha fjalët e të folmeve të asaj gjuhe. Po zhargonet e leksiku bisedor? Çka me termat mjekësorë në latinisht e termat e tjerë shkencorë e teknikë. Po shkurtesat, që janë me qindra mijë? Po emrat e përveçëm dhe emërvendet? Nëse i numërojmë të gjitha këto si fjalë, atëherë fjalorit të secilës gjuhë duhet shtuar edhe disa miliona fjalë.

Vështirësi nuk paraqet vetëm numri i gjithëmbarshëm i fjalëve në një gjuhë, por edhe numri i fjalëve që përdor apo ka përdorur a njeh një njëri, pra leksiku a vokabulari i tij. Madje edhe për vetë Shekspirin nuk ka shifër të pranuar për numrin e fjalëve që ka përdorur. Sipas “American Heritage Dictionary”, ai ka përdorur gjithsej 884.647 fjalë, prej të cilave 29.066 janë të ndryshme, përfshirë këtu edhe emrat e përveçëm. Por në burime të tjera hasen shifra të tjera, prej 18.000 deri 25.000, meqë përpiluesit kanë pikëpamje të ndryshme se çka duhen marrë si fjalë të veçanta.

Si të përballohet “mësymja” e anglishtes?

Edhe pse me plotë fjalë “të huaja”, anglishtja, jo vetëm që gjallon edhe sot e kësaj dite, por është më me ndikim se kur më parë. Anglishtja, posaçërisht varianti i saj amerikan, është bërë një gjuhë që shumë më tepër jep sesa merr. Anglishtja është duke krijuar fjalë të reja me një ritëm që vështirë e kanë ta ndjekin gjuhët e tjera, ndaj duhet të marrin mjaft fjalë nga ajo nëse dëshirojnë të jenë në hap me shkencën, teknikën, teknologjinë e ekonominë e përparuar të botës.

Anglishtja është njëra prej gjuhëve me shtrirje më të gjerë të përdorimit. Rreth një miliardë e gjysmë njerëz në botë e flasin anglishten si gjuhë amtare, si gjuhë të dytë ose si gjuhë të huaj. Mbi 80% të informacioneve të ruajtura në mënyrë elektronike në botë janë në anglisht. Dy të tretat e shkencëtarëve të botës shkruajnë në anglisht e 36% të përdoruesve të Internetit, nga 200 milionë, sa vlerësohet se janë, komunikojnë në anglisht. Anglishtja është gjuhë zyrtare ose ka status special në mbi 75 territore të botës (www.i-uk.com/servlet).

Fjalët e marra nga anglishtja, apo anglicizmat, si: baipas, basketboll, biftek, bilanc, bilbord, biznes, boks, buxhet, fermer, fiskal, futboll, gol, grant, draft, hobi, kolegj, kompjuter, koncern, kompani, linç, lob, marketing, menaxher, monitor, nokaut, ofset, parking, piknik, printer, pulovër, ramstek, rekord, ring, rokenroll, sandviç, satelit, skaner, skaut, smog, printer, staf, stres, shok, tank, teleprinter, tenis, trajnim, trust, tuist, uiski, vagon, vaterpolo, vinç, volejboll, xhaz, xhentëlmen, xhinse, xhungël dhe shumë e shumë të tjera, numri i të cilave nuk dihet saktësisht , kanë hyrë ose presin të hyjnë jo vetëm në gjuhën shqipe, po edhe në shumicën e gjuhëve të botës.

Kështu, gjuhëve si franglish a franglais (frëngjisht + anglisht), denglish a germish (gjermanisht + anglisht), spanglish, chinglish e të tjerave në Europë e në Azi, mund të themi që po i shtohet edhe “albglish” apo “shqiglisht” (ta quajmë kështu). Pra, duhet të përgatitemi sa më mirë që dimë, duke mësuar nga përvojat e të tjerëve, që ta përballojmë sa më lehtë këtë “mësymje” të anglishtes, në radhë të parë duke gjetur ose duke krijuar fjalë të përshtatshme shqipe për ato të anglishtes dhe duke i hedhur këto në qarkullim – dhe cila fiton, fiton, pa ndërhyrje administrative, pa polici gjuhësore.

– Botuar fillimisht në shtojcën “KOHA për kulturë”, Nr. 324, f. 29, të së përditshmes “KOHA Ditore”, Nr. 3339, Prishtinë, më 30 shtator 2006.

– Autori është bashkautor i “Fjalor i informatikës, anglisht – shqip, shqip – anglisht”, botim i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, 2005.

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

31 Komente »

  1. LlTako Shkruaji mesazh privat thotë:

    13 Tetor 2006 @ 2:55 pm

    Shkrim shume terheqes, eshte kenaqesi ta lexosh.

  2. blete thotë:

    13 Tetor 2006 @ 5:47 pm

    fakt eshte qe ne fjaloret popullore citohet qe anglishtja ka huazuar 3500 fjale nga frengjishtja dhe 4000 nga gjermanishtja. (Kjo llogari merr parasysh faktin qe nje anglisht foles me nivel edukimi mesatar ka nje fjalor prej 10000 nga te cilat perdor rreth 3000-3500 per biseda ne dite)
    Po ashtu kohet e fundit u futen ne fjalor edhe disa fjale cifute si mensch (fjale per fjale burre, kuptimi i vertete eshte tamam burre, ose burre i forte), schlepp (terheq ose marr me vete ngarkesa te renda ose te kota) etj.
    Ndoshta do te jete me mire te kete nje “pranim zyrtar” te disa fjaleve te huazuara qe jane bere pjese e fjalorit te perditshem shqiptar, ne menyre qe te perdoren vetem ato. P.sh. fjala “access” qe ne shqip e perkthejne ose “Akses” ose “Qasje” (qe personalisht nuk me pelqen). Nese do te kishte nje kuptim zyrtar te pranuar, do te ishte me lehte per ta perdorur ne perkthime te ndryshme.

  3. LlTako Shkruaji mesazh privat thotë:

    13 Tetor 2006 @ 5:49 pm

    Ah, fjala access, shiko ketu Blete :)

  4. Laura Shkruaji mesazh privat thotë:

    13 Tetor 2006 @ 6:28 pm

    LiTako, famelinderit, fjala access shume mire mund te zevendesohet me fjale shqipe…ashtu sic mund te zevendesohen shume fjale te tjera qe te vrasin shume veshin… dhe perdoren ne menyra te gabuara si psh. Nano u shpreh : “Dua te permend dy elemente kryesore: Principin dhe parimin te cilat…” - si munc ta perktheje nje perkthyes kete fjali?

    Artikull shume i kendshem. Faleminderit… ose rrofsh (meqe fjale e pare vertete po zevendesohet gjithnje e me shume me rrofsh)

  5. anonymus thotë:

    13 Tetor 2006 @ 7:23 pm

    nuk eshte e thene qe cdo fjale e huaj te zevendesohet me nje fjale shqip. fjala vjen, ne themi “bie shi” ndersa anglisht eshte folja “to rain”. Po keshtu edhe fjala “access” nuk duhet kerkuar te zevendesohet me nje fjale te VETME qe te beje per te gjitha situatat. njerezia kishte mundesi te shikonte RAI-n me perpara, pa e ditur se paskeshin pasur “access” tek media perendimore, po ashtu njerezit lejoheshin te shkonin ne nje zone kufitare (me leje) pa pasur nevoje qe te “kishin access tek zona kufitare”. Ne anglisht kjo fjale perdoret mire per te dyja situatat ndersa ne shqip ne kemi dy fjale te ndryshme.

  6. zhironi thotë:

    13 Tetor 2006 @ 7:45 pm

    Pse anglishtja eshte nje gjuhe shume e perhapur ne bote duke qene nje vend relativisht i vogel,244,820 m/2 afersisht 8 here me shume se shqiperia?

  7. Dori Shkruaji mesazh privat thotë:

    14 Tetor 2006 @ 12:43 am

    Artikull interesant, një vërejtje kur numëron fjalët “shqip”:

    “një, dy, …, dhjetë e shumë e shumë fjalë të tjera”

    dy (due), tre (tre), katër (quatro), pesë (penta), nëntë (nine), dhjetë (dieci), etj. s’para më tingëllojnë si shqip.

    Faktikisht gjuha ka lindur për folur dhe si e tillë zhvillohet që të përfshijë sa më shumë folës dhe kështu ka për të vazhdur. S’do të ishte çudi sikur njëmij vjet më pas të flitet vetëm një gjuhë nga shumica e njerëzve të botës (kuptohet me dialekte dhe fjalë të veçanta për zona të veçuara gjeografike).

  8. Ilira thotë:

    14 Tetor 2006 @ 9:03 am

    Dori po ju pergjigjem juve per te vazhduar me pas me mendimin tim mbi artikullin,
    Ju i keni krahasuar numrat shqip me numrat ne italisht, anglisht etj por une do te vazhdoj me tej per te te shpjeguar se numrat jane ne gjuhe te paster shqipe:
    psh. ne themi njembedhjete qe eshte e = me nje mbi dhjete pra ka nje kuptim llogjik, marrim njeshin dhe dhjeten dhe bejme njembedhjeten,
    kurse anglezet e kane eleven pra njeshit i thone one, dhjetes i thone ten.

    Ndersa per sa i perket artikullit kam rezervat e mia jam shume dakord qe do te hyne fjale te reja sidomos fjalet e teknologjise qe nuk e gjejne simotren e tyre ne vendet ku adaptohen, por te huazosh kot per qejf nuk mundem kursesi ta pranoje. Me lejoni te sjelle disa shembuj konkrete:
    Prodhues = producent
    suport= mbeshtetje
    suportoj=duroj
    suprimoj=heq
    suprem = me ilarte
    afeksion= dashuri,dhembshuri
    E shume e shume te tjera qe per momentin nuk me kujtohen.
    Tju sjell dhe nje shembull tjeter nga fusha e gazetarise.
    Zakonisht ne emisionin e Blendi Fevziut gazetaret qe kane qene te ftuar jane quajtur OPINIONIST per cudi kete te enjte ata u quajten KOMENTATORE pra keto emertime me nevrigosin sepse ngaterrojne publikun e thjeshte ate qe nuk di gjuhe te huaj, ate qe jeton ne vende rurale dhe jo ne Tirane dhe qe per ca vjet do kete nevoje per perkthes per te kuptuar shqipen.

  9. zhironi thotë:

    14 Tetor 2006 @ 10:51 am

    iliria :
    “…ne Tirane dhe qe per ca vjet do kete nevoje per perkthes per te kuptuar shqipen. ”
    pse nuk ekziston ndonje fjalor shqip-shqip ???

  10. Ilira thotë:

    14 Tetor 2006 @ 11:02 am

    Ka si ska, por nqs ne emisionin e lajmeve te pakten ne nje fjali perdoren tre-kater fjale te huazuara dhe une nderkohe kerkoj ne fjalor kuptim shqip te ketyre fjaleve do te ikin pa pare lajmet e asaj ore dhe ato pasardheset.
    P.s Isha duke folur per njerzit e thjeshte qe nuk i shfletojne dhe aq kollaj fjaloret.
    Por nqs ju jeni dakort per huazimet, ska asnje problem eshte mendimi juaj.

  11. zhironi thotë:

    14 Tetor 2006 @ 11:02 am

    Komunikimi me ane te shkrimit.(gazeta,libri etj ..)dhe pamjes (tv,shfaqet humoristike,teatrale ) ne shqiperi duhet te jene ne nivele mesatare te cilat mendoj se ndikojne edhe ne perdorimin e gjuhes shqipe qe ajo te bastardohet dhe te varferohet

  12. zhironi thotë:

    14 Tetor 2006 @ 11:09 am

    Huazimi i panevojshem eshte i demshem do te thoja ,une nuk jam per kete lloje huazimi apsolutisht ky fenomen eshte aq i perhapur sa vend e pa vend vihet re dhe ne emrat e shume lokaleve ne Tirane duke menjanuar keshtu edhe identitetin shqiptar,ajo qe eshte shqiptare eshte me e suseshme kur identifikohet si e tille dhe jo kur zevendesohet me nje fjale te huazuar ,(te huaj)

  13. zhironi thotë:

    14 Tetor 2006 @ 11:22 am

    iliria:
    “..P.s Isha duke folur per njerzit e thjeshte qe nuk i shfletojne dhe aq kollaj fjaloret.”

    njerzit e thjesht.!!!! mmmm, ju ndoshta doni te thoni se ata nuk e kuptojne gjuhen shqipe ???? ose nuk e flasin mire ??/ njeriu i thjeshte eshte me i mencur sepse eshte popull. dhe nga populli dalin dhe ata qe dine ta shprehin kete mencuri,te shkolluarit juve ndoshta ne rastin konkret ..

    Mendoj se eshte e kunderta ,

    nje histori qe ju duet ta dini “Kostandin Kristoforidhi ne nje treg fshatar i theu vezet qellimisht nje fshatari qe kishte dal me i shit ato veze,si pa dashje .fshatari filloi ta shante mbare e prape Kristoforidhi mbante shenim te gjitha fjalet qe fshatari nxirte nga goja, -me ne fund e pyeti sa kushtojne ? dhe i dha sa dyfishin qe fshatari kerkonte ,keshtu fshatari filloi te thoshte shume e shume fjale pergezimi ,shume fjale te mira te cilat Kristoforidhi filloi ti shkruante ne bllokun e tij te vlefshem “”

  14. Ilira thotë:

    14 Tetor 2006 @ 11:31 am

    O zoteri,
    1. nofka ime eshte Ilira jo Iliria.
    2. Une nuk akuzova njeri, nuk thashe se populli i thjeshte eshte budalla dhe une qe kam shkolle jam e zgjuar.
    3. Pikerisht une jam me historine e Kristoforidhit, pra populli do te ruaje gjuhen e paster shqipe dhe nderkohe ne televizione etj do te perdoren huazime te kota dhe te panevojshme.
    4. Ju lutem eshte nje teme qe nuk ka nevoje per personalizime.
    Dhe te paturit te nje fjalori nuk tregon mencuri por dituri sepse njeriu lind i mencur si ne rastin e popullit qe permendni ju dhe behet i ditur nder vite.

  15. Blendi Shkruaji mesazh privat thotë:

    14 Tetor 2006 @ 12:51 pm

    Jam me ty Ilira.

    Une kam lene Tiranen prej nje kohe teper te gjate, dhe gjate kesaj kam jetuar, ne nje vend anglishtfoles, kam pervetesuar anglishten deri aty sa nuk me kupton dot njeri, biles ne St Louis me kuptuan qe “jam nga Bostoni”. Tre amerikanojugore te ndryshem kane pyetur nese jam argjeninas kur kemi biseduar spanjisht, njesoj dhe italianet jane habuitur qe une ne itali as nuk kam shkelur ndonjehere.

    Por krenaria e zemres time eshte qe flas nje shqipe e paster. Mua me vjen peshtire nga keta intelektualucë te Tiranes qe vend e pavend fusin fjale te huaja KREJTESISHT TE PANEVOJSHME perderisa ne kemi fjale te gjalla ne shqip per te pershkruar keto sende, qe nuk ka pse t’i zevendesojme.

    Jam dakord me Nebiun qe plot fjale do duhet te pershtaten ne shqip, por ne Tirane nuk po ndodh kjo, po nodh dicka tjeter. Po merren fjale kot me kot e po perdoren po aq kot nga njerez qe sinqerisht mua me duken kot vetem nga gjuha e bastarduar qe perdorin.

    Ata qe jane te “involvuar apo te implikuar” (por kurrsesi “perfshire”) ne kete sulm kundra shqipes jetojne me se shumti ne Tirane. Por ka edhe ne Prishtine nga ata qe fjalet e patra shqipe po i “kidnapojne” dhe po i “maltrajtojne”.

  16. zana thotë:

    14 Tetor 2006 @ 9:39 pm

    Kthehem rralle e cdo here kuptoj me pak. Tashti qe gjuhet marrin nga njera tjetra eshte nje proces normal i njohur e i spjeguar.Si shume
    procese te tjera i marrim per se mbrapshti.Analiste,komentatore ose opinioniste te mbushin me fjale e shprehje nganjehere qe as ata vete nuk ia dine kuptimin.Per mua eshte thjesht snobizem ,bile 2 leksh.Gjasme se di shume.Faji eshte edhe i joni qe shpesh kur kthehemi per karshillek
    perdorim edhe me shume fjale te huaja se zakonisht sa per te bere pjese ne mbreterine “gjasme se”.

  17. anonymus thotë:

    14 Tetor 2006 @ 10:59 pm

    sokol olldashi tha dje qe eshte nje kandidat PROBABIL per bashkine e Tiranes.!!!!
    Shqip fare!

  18. Taku thotë:

    14 Tetor 2006 @ 11:04 pm

    clidhje ka me temen kjo anonymus!!!

  19. anonymus thotë:

    14 Tetor 2006 @ 11:18 pm

    si nuk ka? a eshte shqip “kandidat probabil”??!!!

  20. Cheney thotë:

    14 Tetor 2006 @ 11:37 pm

    shkoni te tvklan.com edhe “shikoni” lajmet( jane ato te para nje jave, te parifreskuara besoj) do te vereni se midis bashes dhe olldashit flitet 50% shqip dhe 50% bote, pastaj kur e merr rradhen blushi te vjen te qeshesh se duket sikur ka marr fjalen katallani qe sa eshte zgjuar nga gjumi…komplet i papergatitur..nejse shkoni e shikoni sesi flasin keta te emancipuarit..

  21. bato bujku Shkruaji mesazh privat thotë:

    15 Tetor 2006 @ 9:48 pm

    Windows nuk është term, por emër i përveçëm i një sistemi operativ.

  22. medauri thotë:

    17 Tetor 2006 @ 7:24 pm

    bato bujku,

    Windows vërtet është emër i përveçëm që shënon një sistem operativ të Microsoftit, por njëherazi dhe term i informatikës. Që të bindesh për këtë shfleto cilindo fjalor të termave të informatikës (kompjuterikës) në Internet.

    Për kuptimin e fjalës term shiko Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe.

    Medauri

  23. medauri thotë:

    17 Tetor 2006 @ 7:34 pm

    dori,

    Je me fat që nuk është më gjallë Çabej, dhe që Demiraj nuk e ka lexuar këtë…

  24. bato bujku Shkruaji mesazh privat thotë:

    17 Tetor 2006 @ 8:47 pm

    Nga ¨Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe¨, botim i Akademisë së Shkencave të RPS të Shqipërisë, Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë, 1984:

    Term-i - Emërtim i një nocioni të një fushe të shkencës, të teknikës, të artit etj., që shprehet me një fjalë ose me një togfjalësh.

    medaur,
    Tani që ta prura edhe Fjalorin para hundës, tregomë se si, sipas këtij përkufizimi,
    Windows qenka një nocion.

  25. bato bujku Shkruaji mesazh privat thotë:

    17 Tetor 2006 @ 8:52 pm

    Provo edhe të bësh një kërkim për fjalën Windows te http://www.webster.com/ dhe shih se çfarë të kthen si përfundim.

  26. medauri thotë:

    18 Tetor 2006 @ 9:01 pm

    bato bujku,

    Fakt është që nuk e gjen fjalën Windows në http://www.webster.com/, siç nuk e gjen fjalën kompjuter (madje as ordinator) në “Fjalori i shqipes së sotme”, e po ashtu është fakt edhe se fjala nocion nuk është mu ajo që duhet për ta shpjeguar fjalën term, por këto nuk janë argumente të mjaftueshme se fjala Windows nuk është term. Që të të bind në të kundërtën, nuk po ta sjell ”para hundës” as “Dictionary of Computer and Internet Terms”, Columbia Press, Seventh Edition 2002, ku mund të shohësh se aty është përfshirë, si term, edhe fjala Windows, e as “Webster’s Encyclopedic Unabridged Dictionary of the English Language”, ku mund të gjesh një përkufizim mbase më të kuptueshëm (pa fjalën “çorientuese” nocion ) për fjalën term (në përkthim): Fjalë apo togfjalësh që emërton diçka, posaçërisht në një fushë të veçantë, por të rekomandoj që, megjithatë, të shfletosh ndonjë fjalor të termave të Informatikës ose të Internetit, si p.sh.: http://www.netling.com/, http://whatis.com , http://www.sharpened.net etj.
    E vlerësoj shpirtin hulumtues tëndin dhe të rekomandoj që të punosh për atë që angazhohet artikullshkruesi, se nëse gjuhëtarët nuk mund të merren vesh ndërmjet tyre se ç’është “fjala”, atëherë ne që nuk jemi gjuhëtarë grindemi kot së koti se a është Windows term a jo.

  27. bato bujku Shkruaji mesazh privat thotë:

    19 Tetor 2006 @ 3:05 pm

    medaur,

    Windows-in shumë shumë mund ta shohësh si një zë në fjalorë të ndryshëm, por jo si term në fushën e kompjuterave.

    Fjala term është huazim në shqip dhe si e tillë, për ta kuptuar, duhet parë se çfarë duan të thonë me të ata që e përdorën para nesh, përmes apo përqark fjalës nocion.

    Ja një përkufizim tjetër i fjalës term, nga Pocket Oxford-i im:

    term - word for a definite concept,
    (fjalë për një koncept të përcaktuar)

    ose sipas Compact Oxford English Dictionary:

    term - a word or phrase used to describe a thing or to express a concept
    (fjalë ose frazë e përdorur për të përshkruar një gjë ose për të shprehur një koncept)

    Shembulli i Windows-it, sjellë nga autori i artikullit, është i gabuar sipas këtyre përkufizimeve, por i padëmshëm, si edhe ndërhyrja ime.

  28. gatwick thotë:

    19 Tetor 2006 @ 3:20 pm

    kete fjalen “nocion” e perdorin shume ne shqiperi shikoni ketu ka kuptim kjo ?
    http://www.vendlindja.com/forum/showthread.php?t=481

  29. blete thotë:

    19 Tetor 2006 @ 3:54 pm

    lutemi shume te hapni nje seksion me gafat e shtypit ketu tek peshku. kemi nevoje te qeshim, por edhe te illuminizojme ndonje ignorant qe nuk e ken konteksin e perdorimit te “antihomofobik” dhe “kandidat probabil” LOL
    kam qeshur shume

  30. medauri thotë:

    20 Tetor 2006 @ 4:04 pm

    Bato Bujku,
    Hë për hë nuk e kam këtu pranë „Pocket Oxford-in” tënd, por në “The Pocket Oxford Dictionary of Current English” ‘timin’, botim paksa më i hershëm, fjala “term” shpjegohet si: “a word or phrase considered as the name or symbol of something”, apo në përkthim të lirë: ‘ fjalë a togfjalësh [jo: ‘frazë’] që emërton a shënon diçka’. Këtu me ‘diçka’ nënkuptohet: një nocion, një koncept, një ide, një dukuri a një gjësend.
    Si duket këtë fjalor dhe fjalorin e Webster-it, që e kam cituar herën e kaluar, e kanë pasur parasysh hartuesit e fjalorëve të shumtë të ‘termave të informatikës dhe të internetit’ [pra, është fjala për fjalorë të cilët në titull mbajnë emërtimin “Fjalor i termave të…”], në të cilët, si zë të veçantë, kanë përfshirë edhe termin Windows.
    Ja edhe disa fakte në të mirë të Windows-it si ‘term’:
    Anglisht: “… the definition of the term ‘windows’ …” (http://www.lawdit.co.uk/reading_room);
    “… the meaning of the term ‘windows’. ..” (http://www.out-law.com/page-4283 )
    Italisht: “Informazioni sul Termine WINDOWS” (http://www.spiega.com/g.php?o=windows);
    “Il termine ‘windows’ non è distintivo” ( http://www.giurdanella.it/mainf.php?id=6473)
    Frëngjisht: “Le terme Windows désigne de nombreuses technologies et produits Microsoft.” (http://www.microsoft.com/france/windows/embedded/plan_faq.mspx); “Définition de terme Windows” (www.pc-infopratique.com/forum-informatique/viewtopic21372).
    I dashur Bato,
    Besoj se mjaft kemi debatuar për këtë çështje dhe se vazhdimi nuk do të sjellë asgjë të re. Nuk je i detyruar të ndryshosh qëndrimin tënd lidhur me këtë çështje, e sa për qëndrimin tim le të gjykojnë të tjerët.
    Medauri

  31. cheapest fioricet thotë:

    2 Mars 2007 @ 8:09 pm

    cheapest fioricet…

    news…

Burim RSS për komentet · TrackBack URI

Shkruaj një koment (login)


Peshku ruan të drejtën të fshijë ose zbehë komentin që po dërgoni, sidomos nëse:
1) komenti fyen autorin, komentuesit e tjerë apo persona publikë
2) komenti është jashtë teme
3) komenti është shumë i gjatë
Nuk kemi qejf të censurojmë askënd, por ama diskutimet në faqe duam t'i mbajmë civile dhe të sjellshme.