Gjykata lehtëson dënimin për gjashtë ish-zyrtarët
Rilindja Demokratike
20 Maj 2008
Ish-zëvendësministri i Transporteve dhe pesë të tjerët akuzohen për korrupsion në qindra milion lekë
Gjykata e Shkallës së Parë dënoi dje, me 1 vit e 20 ditë burg ish-zëvendësministrin e Transporteve, Nikolin Jaka, i cili akuzohet për korrupsion me tenderat. Masa e dënimit e dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë e Tiranës është kryer vetëm për kohën e paraburgimit, kështu që Nikolin Jaka shumë shpejt mund të lerë qelinë. Duke e deklaruar fajtor për “korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike” në lidhje me skandalin në tenderat e rrugës, Gjykata vendosi të pezullojë për 3 vjet Nikolin Jakën për të ushtruar detyrën si dhe 500 mijë lekë gjobë. Gjithashtu, Gjykata dënoi ish-drejtorin e Përgjithshëm të Rrugëve, Ilir Berzani me 2 vjet heqje lirie dhe me gjobë 2.6 milion lekë, ndërsa ish-drejtori i Drejtorisë Juridike në Drejtorine e Rrugëve, Arjanit Sheti, u dënua me 1 vit e katër muaj burg dhe 400 mijë lekë gjobë. Ish-drejtori në Drejtorinë e Koordinimit në Drejtorinë e Rrugëve, Xhevahir Muçogllava, u dënua me një vit burg. Biznesmenët Isuf Ukperaj dhe Skënder Bogçiu u dënuan me 1 vit e 20 ditë burg dhe 600 mijë lekë gjobë. Kurse ish-drejtori i Prokurimeve të Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve, Bashkim Kamberi, u dënua me një vit e 20 ditë burg. Masat e dënimeve të dhëna dje nga Gjykata e Tiranës janë shumë më të ulëta se ato të kërkuara nga prokurori i çështjes. Masa e dënimit dhënë nga Gjykata për të gjithë të pandehurit është kryer me kohën e paraburgimit.
Pak ditë më parë, Prokuroria ka dhënë pretencën, duke kërkuar dënimin me 18 vjet e 9 muaj burg si dhe 9 milion lekë gjobë për 6 ish-zyrtarët e lartë të akuzuar për korrupsion në tenderat e rrugëve. Kështu, prokurorët e çështjes së abuzimit me tenderat e rrugëve, i kërkuan Gjykatës, që Nikolin Jaka të shpallet fajtor dhe të vuajë dënimin me 3 vjet burg si dhe të paguajë një gjobë prej 2 milion lekësh. Kurse për ish-drejtorin e Rrugëve Ilirjan Berzani, u kërkua 6 vjet burg si dhe 4 milion lekë gjobë. Ndaj Arjanit Shetit, drejtor i Drejtorisë Juridike në Drejtorinë e Rrugëve, Prokuroria kërkoi 2 vjet e 6 muaj burg, ndaj Bashkim Kamberit, drejtor i Prokurimeve në Drejtorinë e Rrugëve kërkoi 21 muaj burg, ndërsa ndaj Xhevahir Muçogllavës, drejtor në Drejtorinë e Koordinimit po në Drejtorinë e Rrugëve u kërkua 2 vjet burg. Prokuroria nuk ka kursyer as dy biznesmenët që kërkuan favore për tenderat e rrugëve. Kështu, Isuf Ukperaj e Skënder Bogçiu, sipas fjalës së akuzës janë fajtorë dhe duhet të dënohen me nga 2 vjet burg secili dhe nga 1 milion lekë gjobë. Arrestimi i të pandehurve disa muaj më parë, bëri jehonë të madhe në vend. I gjithë operacioni “Duart e Pastra” u zhvillua pas fakteve dhe përgjimeve lidhur me afera korruptive në 15 tendera rrugësh.
Arrestimi
Ish-zëvendësministri i Transporteve, Nikolin Jaka dhe pesë drejtorë të rrugëve, me dy biznesmenë dhe një sekser, u arrestuan në muajin shtator të vitit të kaluar gjatë operacionit “Duar të Pastra”. Sektori i Antikrimit Ekonomik dhe Prokuroria, kishin nisur hetimet, duke zbuluar skemën e abuzimeve me tenderat e zhvilluar në dhjetë ditët e para të muajit gusht 2007. Mbi 15 procedura përgjimesh telefonike dhe ambientale, si dhe mbledhja e deklarimeve nga më shumë se 20 dëshmitarë, kanë ndihmuar Prokurorinë në zbulimin e provave për secilin nga të arrestuarit. Dëshmitarët mësohet se janë punonjës shtetërorë, persona që kanë qenë të pranishëm në vendtakimet mes të arrestuarve dhe punonjës privatë. Sipas organit të akuzës, personi që sipas përgjimeve dhe deklarimeve të dëshmitarëve ka pasur rol kryesor në faktet objekt hetimi, ka qenë Ilirian Berzani. Ai është ekspozuar në përgjime teksa takohej me përfaqësuesit e firmave që fitonin tenderat dhe jepnin ryshfet, ndërsa më pas komunikonte në telefon me zv/ministrin e Transporteve, Nikolin Jaka. Zyrtarët e tjerë të Drejtorisë së Rrugëve, të cilët kanë qenë vartës të Ilirian Berzanit dyshohet se, kanë vepruar nën rekomandimin e Jakës kur kanë vendosur shpalljen fituese të firmave, me të cilat para tenderave ishte rënë dakord për rezultatet e konkurrimit.
Akuzat për korrupsion
Ish-zëvendsministri i Transporteve, Nikolin Jaka, ish-drejtor i Rrugëve, Ilirian Berzani, dhe shefi i Sektorit Juridik në Drejtorinë e Rrugëve, janë të akuzuarit për “korrupsion të funksionarëve publikë” dhe “shpërdorim detyre”. Për veprën penale të “korrupsionit aktiv” akuzohen edhe dy përfaqësues të firmave private, që fitonin tenderat “Arifaj” sh.p.k dhe “Vllazrimi” sh.p.k. të arrestuarit e tjerë, mes të cilëve tre ish-shefa që kanë pasur detyra të ndryshme në Drejtorinë e Rrugëve akuzohen vetëm për shpërdorim detyre. Lajmi konfirmohet nga burime të Prokurorisë, sipas të cilave, akuza e korrupsionit u është komunikuar vetëm ish-zv/ministrit Nikolin Jaka, ish-drejtorit të Rrugëve Ilir Berzani dhe ish-shefit Juridik, Bashkim Kamberi. Prokuroria pretendoi më tej se, zyrtarët e tjerë që kanë rënë në pranga janë të pandehur për shpërdorim detyre. Abuzimet me tenderat e rrugëve dyshohet, se janë kryer në dhjetë ditët e para të muajit gusht. Pas anulimit tri herë radhazi të tenderit të rrugës, Has-Qaf-Prushi, një prej firmave pjesëmarrëse në tenderin me vlerë 471 milion lekë denoncoi në polici, duke u bërë shkak për nisjen e hetimeve nga Prokuroria, që mori dosjen në dorëzim dhe filloi procedimin penal. Zyrtarët e akuzuar për korrupsion, dyshohet se përfitonin 10 për qind të fondit për çdo tender të fituar nga firmat, me të cilat bënin paktin paraprakisht.


Shkruaj një koment (login)