Identifikohu



Regjistrohu

Freedom House: Shtypi në Shqipëri nën presion politik dhe ekonomik

censura.jpgOrganizata Freedom House publikoi të martën në Uashington raportin vjetor për lirinë e shtypit në botë, sipas së cilit shtypi në Shqipëri vazhdon të jetë pjesërisht i lirë dhe nën presion politik dhe ekonomik. Sipas raportit, gazetarët në Shqipëri nuk i njohin të drejtat e tyre dhe autocensura është një dukuri mbizotëruese.

Keida Kostreci
Zeri i Amerikes

Mes 195 vendeve, Shqipëria radhitet në vendin e 105 në raport. Aty thuhet se qeveria e kryeministrit Sali Berisha ushtroi presion ndaj medias me prirje pro-opozitare gjatë gjithë vitit, duke i akuzuar ato - pa i përmendur me emër - se kishin marrë fonde nga grupe të krimit të organizuar. Karin Deutch Karlekar, studiuese e organizatës Freedom House the Redaktore Menaxhuese e raportit, tha dje për Zërin e Amerikës, se gjendja e shtypit në Shqipëri vitet e fundit ka qenë pak a shumë e pandryshuar.

“Duket se çfarëdo reformash që ishin ndërmarrë në këtë drejtim, kanë ngecur në vend. Nga njëra anë vihen re problemet e shkaktuara nga qeveria dhe një farë mungese vullneti për të përmirësuar gjendjen ligjore. Nga ana tjetër shihen vazhdimisht probleme me autocensurën, një nga problemet më të vështira për t’u zgjidhur, pasi shpesh gazetarët as nuk e pranojnë që po ushtrojnë autocensurë”.

Zonja Karlekar thotë se kjo dukuri ndodh jo vetëm për shkak të presionit të qeverisë, por edhe për shkak të problemeve ekonomike më të vështira për t’u diktuar.

“Këto ishin disa nga problemet kryesore në Shqipëri dhe në vitin 2007 nuk pamë ndonjë përmirësim”, tha zonja Karlekar duke shtuar se duke pasur parasysh Evropën Lindore në përgjithësi, Shqipëria është diku nga mesi, as shumë mirë, por as shumë keq për nga niveli i shtypit.

Në raport përmendet miratimi i ligjit për transmetimet dixhitale që u konsiderua se dëmtonte interesat e kompanisë Top Media, stacionet e së cilës vazhdimisht kanë kritikuar zotin Berisha, si edhe përpjekjet për gjobitjen e kësaj komanie që shkaktuan kundërshtime dhe protesta nga organizata të të drejtave të njeriut dhe të shtypit.

Freedom House thotë se liria e informimit në Shqipëri është e garantuar në kushtetutë, por zyrtarët shpesh u rezistojnë kërkesave të medias, ndërsa gazetarët nga ana e tyre nuk u shkojnë deri në fund kërkesave të tyre dhe në përgjithësi nuk i njohin të drejtat e tyre ligjore.

Këshilli Kombëtar i Radio Televizionit vazhdoi të përballej me akuza për politizim në favor të qeverisë dhe personeli dhe fondet për të vazhduan të ishin të pamjaftueshme. Megjithatë, Këshillit iu shtuan të emëruar të opozitës, sipas një marrëveshjeje të vitit 2006.

Media në Shqipëri vazhdoi të paraqiste një larmi këndvështrimesh në vitin 2007, por organet kryesore patën prirjen të mbështesnin ose njërin grupim politik ose tjetrin.

OSBE-ja njoftoi se radio-televizionet e zbutën njëanshmërinë e tyre të zakonshme dhe bënë një pasqyrim të ekuilibruar para zgjedhjeve lokale të shkurtit megjithëse partitë e vogla nuk u pasqyruan sa ç’duhej. Në raport thuhet se rregullat për caktimin e reklamave dhe heshtjen zgjedhore para votimit nuk u respektuan.

Ndërkohë mbrojtësit e lirisë së shtypit vazhduan në vitin 2007 ta nxisin qeverinë që të mos ta quajë më vepër penale shpifjen. Në vitin 2007 nuk pati njoftime për hapjen e ndonjë çështjeje penale për shpifje.

Sipas raportit, mungesa e transparencës për pronësinë dhe financimet, e ekspozon median ndaj akuzave të pabazuara të ndikimit nga bota e krimit, ose motive të tjera. Radio-televizioni publik është përgjithësisht në favor të autoriteteve dhe personeli i tyre ndryshon sa herë që ndryshon qeveria.

Organet e medias së shkruar shpesh kanë lidhje të hapura me partitë politike ose grupet e interesave dhe praktikisht asnjëra prej tyre nuk janë në gjendje të mbijetojnë vetëm nga reklamat dhe abonimet. Televizionet kryesore kanë më shumë fitime, por ato ndjejnë presionin e kompanive kryesore që japin reklamat. Tregu i radiove mbizotërohet nga muzika dhe emisionet zbavitëse. Vetëm katër nga 40 stacionet japin lajme origjinale.

Shumë gazetarë në Shqipëri punojnë pa kontrata, duke shtuar pasigurinë për vendin e punës dhe duke inkurajuar auto-censurën. Të gjitha mediat kanë vështirësi të depërtojnë në zonat rurale, për shkak të infrastrukturës së dobët dhe problemeve ekonomike. Një gjë e tillë prek veçanërisht internetin, të cilin e përdor rregullisht afërsisht vetëm 13 për qind e popullsisë, thuhet në raport.

Lidhur me Kosovën, raporti thotë se sistemi i liçensimit të mediave atje është i komplikuar dhe jo koherent. Gjatë vitit të kaluar ka patur njoftime për një numër incidentesh dhune dhe shumë herë gazetarët janë ankuar se nuk janë lejuar të shfrytëzojnë burimet e informacionit publik.

Raporti është hartuar për periudhën para se Kosova të bëhej e pavarur dhe zonja Karlekar thotë se ndoshta raporti i vitit të ardhshëm do të përfshijë një kapitull më vete për shtetin e ri.

“Mendoj se ka disa probleme që janë karakteristike për Kosovën përsa i takon polarizimit të popullsisë dhe medias. Por disa nga problemet besoj se janë karakteristike për gjithë rajonin. Do të jetë interesante të shohim më tej gjendjen në Kosovë. Shpresoj që gjendja në Kosovë të stabilizohet gjatë këtij viti dhe të mos ketë pasoja tek media”.

Shumica e mediave në Kosovë, thotë raporti, kanë patur vështirësi të mëdha financiare. Pavarësia redaksionale mbetet e dobët dhe media u nënshtrohet interesave të biznesit. Radiotelevizioni i Kosovës, thuhet në raportin e organizatës Freedom House është veçanërisht në mëshirën e interesave politike dhe ekonomike.

Në shkallë botërore, sipas raportit, në vitin 2007 u keqësua, me prirje më negative në ish-Bashkimin Sovjetik, Azi dhe Afrikën nënsahariane. Është i gjashti vit me radhë një liria e shtypit pëson rënie në botë. //kk//

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

11 Komente »

  1. edrus Shkruaji mesazh privat thotë:

    30 Prill 2008 @ 5:42 pm

    “Duket se çfarëdo reformash që ishin ndërmarrë në këtë drejtim, kanë ngecur në vend. Nga njëra anë vihen re problemet e shkaktuara nga qeveria dhe një farë mungese vullneti për të përmirësuar gjendjen ligjore. Nga ana tjetër shihen vazhdimisht probleme me autocensurën, një nga problemet më të vështira për t’u zgjidhur, pasi shpesh gazetarët as nuk e pranojnë që po ushtrojnë autocensurë”.

    Dhe pastaj kur ndonjë si Spiropali “guxon” dhe shkruan, jemi të fortë vetë që ta çensurojmë si “çupkë” të papjekur.

  2. edrus Shkruaji mesazh privat thotë:

    30 Prill 2008 @ 6:04 pm

    Bile ja kanë futur kot tek raporti, sepse në Shqipëri ka një liri të tillë veprimi ndaj mediave sa që kushdo mund të bëjë si të dojë.(italisht)

  3. Lefti thotë:

    30 Prill 2008 @ 7:29 pm

    A sjell ndonjeri renditjet qe ka pasur Shqiperia keto vitet e fundit, qe te bejme krahasime dhe te dime ku kemi qene, ku jemi, dhe ku pretendojme te vemi ?

  4. Etrusk thotë:

    30 Prill 2008 @ 7:29 pm

    Mendoj se raporti e ka qartesuar me se mire mjergullen. Nuk ka harruar as qe mediat nuk jane absolutisht transparente dhe si perfundim varen apo i nenshtrohen presioneve te politikes.
    Ne Shqiperi si kudo, fillimisht cdo media eshte ngritur mbi biznesin, per te mbeshtetur kete te fundit npm manipulimit te publikut dhe presionit ndaj shtetit. Pra kur e ke dicka poshte kapeles thote populli, mire eshte te mos pyesesh shume cfare jane keto zhurma verdalle.

    Po ashtu edhe “politikucet” nuk kane asnje ide se cfare do te thote media apo lajm dhe e drejte per tu informuar.
    Ju ngjan si ai trotuari para Kuvendit Popullor qe mund te hypesh makinen aty sa here qe ska ven ose e ke me ngut.

    Ky eshte shteti qe ne duam te bejme, ky eshte shteti qe politika na ka servirur sot dhe qe ne ja kemi dhene kete te drejte.

    Ne Shqiperia vetem nje gje eshte totalisht e lire, PARAJA!!!

  5. alidea thotë:

    30 Prill 2008 @ 7:29 pm

    Sinqerisht qendron ky raport, po mua me duket se shtypi ne Shqiperi “vetcensurohet”, me sakte blihet. Po te ishte se politika ose shteti po e censuronte ata duhet te ishin te paret qe protestojne…pak here kam pare protesta gazetaresh, biles , biles dhe kur eshte bere nje proteste ka qene Mjaft qe ka sensibilizuar. Ouppps!!

  6. B…LI thotë:

    30 Prill 2008 @ 8:05 pm

    O SHQIPERI E MJERA SHQIPERI.
    Kete do te thosha dhe per ne qe jetojme “brenda”. O shqiptare te mjere shqiptare, kure do te shkulen rrenjet e kalbura te KOMUNIZMIT.
    Kur nje SHQIPTARE do te lejohet ne shtepine tije te punoje i qete pa qene i stresuar nga te gjitha PROBLEMET qe dhe po nuk ekzistojne te dele nje “idiot” ne “RRUGE’ dhe te thote per 4-ter vjet me zgjodhen mua keshtu qe ju do te beni si theme une, Edhe pse mbas zgjedhjeve ka te njejtat probleme ose ato edhe shtohen ne disa raste perseri ato nuk jame me dukshme nga syte e ketyre “………….” TE CILET VAZHDOJNE TA MBAJNE JETE E SHQIPTARE NE MINIMUMIN E MUNDSHEM PO JETOJNE CDO POPULLSI NE BOTE.

  7. eT thotë:

    30 Prill 2008 @ 8:10 pm

    Ehhh

  8. krasta krau Shkruaji mesazh privat thotë:

    1 Maj 2008 @ 12:59 am

    Nuk ka ndonje perkeqesim me bo u bu bu… se kemi qene per u bu bu prej kohesh… Sidoqofte ajo qe vlen te permendet eshte se perkunder vendeve fqinje (si maqedoni apo bosnje), liria e shtypit ne shqiperi nuk ka bere asnje perparim… Prej vitit 2003 ne renditemi ne te njejtin rang… Rezultati me i mire eshte ai i vitit 2004 ku kemi pasur 49 pike nenkupton nje permiresim te lehte te pakten ne dukje… Matesi pastaj shenon 50 dhe 51 me nderrim por pa ndonje levizje te dukshme, ndersa bien ne sy permiresimet e vendeve qe kane qene ne krah te shqiperise si maqedonia e bosnja te tjera te cilat jane permiresuar dukshem…Jemi nje pike me mire se viti 2006, por 1 me keq se viti 2004, kshu qe nuk i dihet car na pret ne fund te ketij viti apo tjetrit pas tij….

    http://www.freedomhouse.org/uploads/fop08/FOTP2008Tables.pdf

    (105 pike 50)

    http://www.freedomhouse.org/template.cfm?page=271&year=2006

    ( vendi 107 pike 50)

    http://www.freedomhouse.org/template.cfm?page=204&year=2005

    (vendi 107 pike 51)

    http://www.freedomhouse.org/template.cfm?page=203&year=2004
    ( vendi 105 49 pike)

    http://www.freedomhouse.org/template.cfm?page=197&year=2003

    (Nuk ka vend te percaktuar renditemi mes 41 dhe 51 pikeve)

  9. olsib Shkruaji mesazh privat thotë:

    1 Maj 2008 @ 1:32 am

    thuaj presion ekonomik…

    …dhe ke thene gjithcka!

  10. zotrules Shkruaji mesazh privat thotë:

    1 Maj 2008 @ 11:39 pm

    Moj kraste… kemi gazetare ketu ne forum ne? Nga ata qe shkruajne gazeterave te shqiperise… Jam kurioz ta di. te na vijne te na flasin ketu. Kush i ka penguar te flasin apo te shkruajne.
    Shqiperia, jo vend te 100 e cate, por edhe vendin e pare e merr pernga liria. Vetem ne Shqiperi ti mund te shkruash c’te te doje qejfi, me gjuhen me te perdhosur ne bote, dhe perseri te pretendosh qe po flet ne gjuhen tende.
    Jo censure, por Shqiperia duhej te kritikohej si vend ku budallalleqet nuk kane karar dhe mbarim.
    Nuk jam ne gjendje te besoj asnje fjale te atyre qe thote ky studim. Jo per gje, po vete dhe na krahason edhe me fqinjet.
    Greqia eshte diktature fashiste dhe raciste, Maqedonia dhe Serbia po ashtu… Krahasohet Shqiperia me to? Cmenduri.

  11. Experienced! thotë:

    2 Maj 2008 @ 6:50 pm

    Edhe sikur te gjitha mediat ne Shqiperi te thone gjithcka qe duan, edhe sikur te thone te verteten per gjendjen e shtetit, njerezit, politikanet etj etj. Cfare do ndodhi pastaj? NJE HIC I MADH! PSE? Sepse Shqiperia eshte shteti i vetem “Evropian” qe ka liderin me idiot te koherave. Sikur gjith te keqiat te thone mediat per ate dhe shoket e tij, ai prape do marri te pakten 35% te votes (kjo thjesht per faktin e votes kanunore qe ka len mbrapa vendasit per vite me rradh dhe qe jane kail te japin jeten e koke-trashesine e tyre prej katunari se dorezojne kurre!) Keshtu qe ska se cshkruajne me gazetaret kur gjithcka eshte e qarte. Some things never change! Old habits die hard! But in Albania old habits seem to never die!

Burim RSS për komentet · TrackBack URI

Shkruaj një koment (login)


Peshku ruan të drejtën të fshijë ose zbehë komentin që po dërgoni, sidomos nëse:
1) komenti fyen autorin, komentuesit e tjerë apo persona publikë
2) komenti është jashtë teme
3) komenti është shumë i gjatë
Nuk kemi qejf të censurojmë askënd, por ama diskutimet në faqe duam t'i mbajmë civile dhe të sjellshme.