Login



Register

Fjalë kurmi

Në një shkëndijë bebëzës m`u duk se të pashë shpirtin,
Dritë e mjegullt që hyri dritareve të mia e më gjeti vetëm,
Të pashë e pashë veten si tymi renë, shiu detin, tjetrin,
pema pyllin, zogu pemën, trungu dheun, dheu të vdekurin

Dritë e botës, mbyll sytë, është brenda,
Shkrihen akujt, rrjedh, pikoj, mbush s`di
çfarë gropash, ndoshta tuat a ti të miat,
përmbyten fjalët, varret, po në arkë
është dikush, ndryshe asgjë s`do ish

Uni nuk është jami
E pra: të flas për veten apo për ç`ndjej?
Nëse me thua më do, do të pyesja: Kë?
U bënë ca kohë që më njeh,
Po ja që unë nuk njoh veten…

Njoh vetëm tymin e çuditshëm,
retë, shirat, të kaltrën, ajrin,
Se jami është qiell nga ku shpresojmë
të na vinë apo të shkojmë (me) karroca zjarri
engjëjt, alienët, amshimi, ndihma,
Vetëm se të flasësh për motin, kohën,
pa marrë parasysh hapësirën
do ish gabim sipas Ajnshtajnit

Kush? Mendimi që shpërthen si yll që lind,
Vrima të zeza që e thithin prapë. Çfarë?
Botët notojnë në tjetrën e dashur,
të vdekurit e të gjallët, fjalët, qenia e fara,
në varr a në shtrat

Ja shtambë e mbushur,
të bie nga dora e thyhet,
ujë i ëndrrës derdhet,
Lagesh në shi e harron që eshtë ai
lumi, burimi, pusi, loti prej nga pi
nektarin, qumështin, hidhësine,
gjinjtë e kohës, kësaj nëne
që pi nga ti gji

Prit të erret ose mbylli sytë,
shiko yjet e fjalëve tek ndizen,
shuhen, e prit të gdhijë, ç`ndodh?
Asgjë, hiç, pafundësisht,
e njëjta dritë mbush terrin
e mbushet nga ai, ëndërr
e zjarrit ku digjesh si heretik,
libër në Aleksandri, feniks,
Bëhesh hi e harron që është ai
dheu, argjila, mishi, shkëmbi,
ku mbin bota, prej nga thith
nektarin, qumeshtin, hidhesinë,
gjinjte e nënës, këtij shiu,
që të mbush e mbushet nga ti

Jami nuk është uni
E pra: të them ç`ndjej, po kush?
Nëse të dua, te dua thjesht ashtu
siç mbush shiu një lumë

Mishi yt mbi shtrat më bën të ndihem keq,
Formë e tij e jo ai zgjon të verbërin në mua,
e më vjen turp që dëshiroj tymin e jo flakën,
mjegullën që mbështjell dritën, që zhveshur ndez
një tjetër vegim, fantazmë e gjallesës së thare më
shfaqet në ty. Ç`do bëjmë kur të kalbemi e dashur?

Gjuhë të re do shpik atëhere vetëm për ty,
me fjalë te reja, të virgjëra, të pathëna mot,
Muzikë me tinguj fëshfëritës, qerthullima,
zukatje, pëshpëshe, klithma, guduli e afshe.
E t`mos thuash dot as “Mos!” , veç “O Zot!”

Për shpresën mbarsur me dritë,
për dritën mbarsur me përjetësi,
për hyjninë do të tregoj,
për atë që gjallon përtej fjalës,
për plakun që pret anës rrjedhës
e varkën plot me ata që shkojnë

Kur të shohësh luleshtrydhet
si cati të vockëla përrallash,
me xhuxha, mjaltin buzëve,
Të më kujtosh për gjyshen,
me zë tjetër që të tremb pak,
Të shkrish e të ngrish lugjeve
plot ujq, luanë, alienë e zana

Turbull janë ujërat kur bien, me shkumë,
Kështu edhe gjaku që rrjedh damarëve të syve,
Të bardhë fare do jemi, të lëmuar, pa rrudha,
Një shkulmë e kuqe hyjnore do na lëkundë zemrat,
Do pime nga kupë e saj ngazëllimin pa fund,
Të dehur nga e vërteta e fundit, nga udha

E libra do jemi, faqehapur, pa fillim , pa fund,
Do lexojme fletëve të syve atë që nuk besonim dot,
Atë që une dua të them e për të cilën nuk ka fjalë,
Atë që ti kerkon të gjesh përjetimeve, të jetuarit,
Ështe gropë më beso, thjesht një degëzim tjetër,
Ku bëjme ç`bëjmë kthehemi prapë, kafaz i artë,
Ku nuk dime ç`është brenda e çfarë është jashtë

Gjakojmë, përfaremi, stërpikemi, kllapisë puthen
buzët, këmbanë e heshtjes më kujton prapë
“ Jamskush, asdik, skajpafundpacak, ashiç,
tejmund, nukmos, veçpranë, kotmos, athua ”
Gërshet, mpleksje, gjerdan rrjedhash, pusin
e syve ku u pika, humba. Zoti je dhe ti, dhe unë,
e gjithkush nuk është këtu kur tretet muzgu,
Paemër, pa sy, pa gjuhë, pa veshë, i thjeshtë,
Ëndërr e vdekjes që shohim në njeri tjetrin kur
flemë pranë dhe na zgjon derti se kujt i duhemi

Shuhemi, flakë dykokëshe si joker i trurit,
Narcis i dashjes sipër përdëllen lirine, poshtë
gjigandi gijotinen, ciklopi i fatit ata që dalin,
Digjemi sërish në frymë, fjalëve të kurmit,
në të vjetrat rrokje që dëgjoi Moisiu në mal…

******************************


Herë herë

Herë herë,
në ag sheh dikë
tek u hedh ujë
e fshin pastaj
sytë e përgjumur
të makinës

Dritaret e shtëpive
shohin atë ëndërr
me përbindësh,
po nuk lëvizin dot,
ngrirë në brymë,
pastaj ngrihen
të trembura
e shtriqen

Sqep i kishës
çuket në kokë
krimbin, e vret,
dhe ua ndan
të vegjëlve
që e hanë tok

Vigani
vë kurorën,
e nuk di më
ç`të bëjë,
të rrijë
a të shkojë

Herë herë,
shtëpitë shtrihen
mbi asfalt
si dele pas kullote,
Sytë e njerëzve,
fshehur
pas syzeve
të diellit,
nuk i trembin,
ripërtypin hije
e koten

Fallus i kishës
zbutet e varet
përgjumësh,
pas seksit
me qiellin

Gjigandi gri
Tutet të vijë

Herë herë,
darkave,
çatitë pinë
hënën si birrë
e vjellin rrugëve
hije të dehurish
që tunden

Grykë e kishës
gromësin pastaj
tinguj këmbanash

Arapi
bën kujdes
kur ecën
se mos shkelë
padashur
gastaret e reve

Herë herë,
marr çatinë në krahë
e dal në shesh,
herë kërmill,
herë breshkë,
me mure, fasada,
pasqyra, binjakë,
themele e maska

Në kishën pranë,
dikush mban kryqin,
qiejt, fatin, vdes,
ngjallet prapë,
bën kujdes për ne,
mishin poshtë,
mëkatarët

Kurse djallit
aq i bën nëse
u shkrua apo jo
kjo vjershë…

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

3 Komente

  1. da vinci thotë:

    19 April 2008 @ 6:58 pm

    Nuk eshte se nuk kane asgje keto poezite. Madje mund te gjesh shumecka ne to, por se c’jane shume te ngarkuara me fjale… llafe… tepri. Dhe shumckaja firohet nder fjalet qe jane o zot sa shume…. e shumica prej tyre jane bosh.

    Mos u perpiq me e thane gjithe sa ndjen. Ndjenjes i bie gjithmone ngusht fjala…. , ose gjere. Shume rralle i bie tamam. Dhe pikerisht ketu qendron sekreti i poetit. Me e pre fjalen ne ate menyre qe ti rrije sa me bukur e sa ma tamam ndjenjes. (ose mendjes-mendimit).

    Mos ma shaj perkushtimin…. e dyfishte. (me te lexu e me te fole-shkru, me nda mendimin)

  2. Blendi Salaj Shkruaji mesazh privat thotë:

    20 April 2008 @ 7:23 pm

    Edhe une jam dakord me “da vinci” - gjithesesi urime. Me pelqyen. Flm.

  3. Vemendje thotë:

    23 July 2008 @ 11:35 pm

    “ Jamskush, asdik, skajpafundpacak, ashiç,
    tejmund, nukmos, veçpranë, kotmos, athua ”

    humormbushjete (humor-mbush-jete)

Burim RSS për komentet

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.