Identifikohu



Regjistrohu

Fjala e plote e kryeprokurores Ina Rama

Balkanweb
26/04/2008

Të nderuar deputetë!

Në mbështetje të nenit 73, pika 2 të Kushtetutës dhe të nenit 288 të Kodit të Procedurës Penale, Ju paraqesim kërkesën për të marrë autorizimin Tuaj, për të proceduar penalisht deputetit Fatmir Mediu.

Në datë 29. 03. 2008, Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm ka regjistruar procedimin penal në ngarkim të Z. Fatmir Mediu, ish Ministër i Mbrojtjes dhe Deputet në Kuvendin e Shqipërisë, për veprën penale të “Shpërdorimi i detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, si dhe ndaj Ylli Pinarit, Mihal Delijorgjit, Dritan Minxollit, Sokol Gjecit dhe Dashnor Caushit, për vepren penale të “Shkeljes së rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive”, parashikuar nga neni 282 i Kodit Penal.

Procedimi penal është regjistruar në datë 15. 03. 2008 fillimisht në Prokurorinë e rrethit gjyqësor Tirane,  e cila, pasi ka kryer një sërë veprimesh hetimore, ka konstatuar se kishte të dhëna e prova se, në tërësinë e proceduarave të urdhëruara dhe të zbatuara për realizimin e procesit të çmontimit në rajonin e Gërdecit, evidentohej se ishin kryer veprime dhe mosveprime në kundërshtim me ligjin dhe në mospërmbushje të rregullt të detyres nga ish Ministri i Mbrojtjes  z. Fatmir Mediu.

I. Hetimi i kësaj ngjarje tragjike  vertetoi një numër të madh pasojash që kanë ardhur si rezultat i një seri shpërthimesh të ndodhur në ish repartin e tankeve në Gërdec, i cili i ishte dhënë nga Ministria e Mbrojtjes, një shoqërie private për kryerjen e proceseve të çmontimit industrial të municioneve.

Shpërthimet masive kanë shkaktuar dëmtime shumë të rënda të interesave të shtetit dhe të shtetasve, duke krijuar një situatë tejet të rëndë social - ekonomike dhe dëmtoi sigurinë në gjithë rajonin që preku kjo ngjarje.

Hetimet paraprake vërtetuan se kjo ngjarje shkaktoi vdekjen e 26 personave, plagosjen e rëndë të 11 personave, plagosjen e lehtë të 31  personave dhe dëmtime të natyrës më të lehtë të 260 personave të tjerë, pa përmendur këtu lëndimin e shëndetit mendor dhe emocional të një numri të konsiderushëm personash të tjerë. Në Qarkun e Tiranës dhe të Durresit janë dëmtuar dhe 5413  banesa dhe objekte private, 32  biznese private dhe  34 ferma bujqesore.  Të gjitha dëmtimet e shkaktuara, sipas një vleresimi paraprak, të datës 16. 04. 2008, të Entit Kombëtar të Banesave, kapin  vlerën 2, 039, 216, 418  lekë.  Gjithashtu, kjo ngarje ka cënuar rëndë një serë interesash të tjera të shtetit dhe të shoqërisë, siç janë: cënimi i rendit dhe i sigurisë në rajonin që përfshiu ngjarja, si dhe dëmtimin e imazhit të shtetit në raport me komunitetin/shoqërinë dhe më gjerë.

Hetimet e kryera deri në këtë fazë, evidentojnë të dhëna që na krijojnë dyshimin e arsyeshëm të mbështetur në prova se deputeti Fatmir Mediu ka kryer veprime e mosveprime me dashje në kundershtim me ligjin dhe aktet nënligjore, që përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës së tij, si Ministër i Mbrojtjes. Veprimet dhe mosveprimet e kryera në kundërshtim me ligjin dhe aktet nënligjore nga ish Ministri i Mbrojtjes ka të dhëna se kanë lidhje shkakësore me ngjarjen e ndodhur në Gërdec. Ka të dhëna që krijinë dyshime të bazuara në prova se ato kanë sjellë përfitime të padrejta  në favor të subjekteve private të përfshira ne procesin e çmontimit të municioneve në ish repartin ushtarak Gërdec.

Të nderuar deputetë!

II. Mbështetur në aktet dhe dokumentat e administruara nga hetimet e deritanishme, evidentohen mjaft indicje dhe të dhëna që përbëjnë dyshim të arsyeshëm se deputeti Fatmir Mediu ka kryer veprime dhe mosveprime me dashje në kundërshtim me ligjin, që përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës së tij, në cilësinë e Ministrit të Mbrojtjes, se ato kanë lidhje shkakësore me pasojat e ardhura nga ngjarja e ndodhur në Gërdec dhe se kanë sjellë përfitime të padrejta në favor të subjekteve private të interesuar dhe të perfshira në procesin e demontimit të municioneve në ish repartin ushtarak Gërdec. Indicjet, të dhënat dhe provat lidhur me veprimet dhe mosveprimet në kundërshtim me ligjin, që përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës të kryera nga ish Ministri i Mbrojtjes z. Fatmir Mediu, po i parashtrojmë si më poshtë:

1. Nga hetimi rezulton se në muajin shkurt të vitit 2006, drejtori i Ndërmarjes së Ministrisë së Mbrojtjes (MM) Military Export Import Companny (MEICO), i pandehuri Ylli Pinari, ka rënë në kontakt me përfaqësuesin e shoqërisë amerikane “Southern Ammunition Company Inc” (SAC), Patric Henry III, i cili ka shfaqur interes për municionet me gëzhojë tunxhi që dispononte ushtria shqiptare dhe që nuk ishin pjesë e armatimit të saj. Në lidhje me kërkesën e kësaj kompanie, në datë 5. 07. 2006, është vënë në dijeni ish Ministri i Mbrojtjes z. Mediu, nga ish drejtori i MEIKO-s, i pandehuri Ylli Pinari, nëpërmjet një memoje të kësaj date. Për këtë kërkese, në periudhën korrik - dhjetor 2006, nuk evidentohet ndonjë interesim dhe qëndrim aktiv i ish Ministrit të Mbrojtjes z. Mediu. Në këtë situatë mosinteresi dhe heshtje të ish Ministrit të Mbrojtjes z. Mediu, përfaqësuesi i kompanisë amerikane SAC, i orjentuar nga i pandehuri Ylli Pinari, ka realizuar takim të drejtpërdrejt me z. Fatmir Mediu dhe me datë 27. 12. 2006 i ka dërguar një kërkes nëpërmjet një faksi në gjuhën angleze. Pas kësaj interesimi dhe veprimi i ish Ministrit të Mbrojtjes z. Mediu është i menjëhershëm, duke filluar një proces përgatitje me procedura të përshpejtuara, që synonte realizimin e projektit të ofruar nga kompania amerikane SAC.

Evidentohet fakti se përfaqësuesi i komapanisë amerikane SAC, Patric Henry III, kishte ardhur disa herë në Shqipëri dhe në takimet me të pandehurin Ylli Pinari ishte informuar lidhur me mundësitë për të ngritur aktivitetin e çmontimit dhe të çmilitarizimit të municioneve në Shqipëri, duke e orjentur drejt përfshirjes në këtë aktivitet të pandehurin Mihal Delijorgji, i cili ka qenë disa herë objekt i ndjekjes penale për vepra penale në fushën e evazionit fiskal. Në këto takime, i pandehuri Pinari i ka shpjeguar përfaqesuesit të kompanisë amerikane SAC, Patric Henry III, një numër elementesh juridike dhe kushtesh që duhet të plotësonte kompania SAC për këtë aktvitet. Rezultati i këtyre konsultimeve paraqitet në kërkesën/faksin e sipër përmendur, datë 27. 12. 2006. Në këtë dokument që përbënte një ofertë të kësaj kompanie evidentohen elementet/kushtet që duhet të permbushnin palët (MM e përfaqësuar nga MEICO dhe SAC), pra një produkt i negocuar dhe i sugjeruar nga kompania SAC pas konsultimeve ndërmjet të pandehurit Ylli Pinari dhe përfaqësuesit të SAC. Duke ju referuar këtij dokumenti konstatohet se:

Së pari, evidentohet se SAC ka krijuar paraprakisht një shoqëri shqiptare të quajtuar ALBADEMIL shpk, për të hyrë në marrëveshje me Ministrinë e Mbrojtjes, për realizimin e procesin të çmontimit dhe çmilitarizimit të municioneve. Pra, komopania që do të kryente këtë proces nuk do të ishte SAC, por ALBADEMIL shpk.

Së dyti, evidentohet se në kontekstin e plotësimit të kërkesave ligjore, SAC-u kërkontë të pajisej me tre lloje licencash:

•  Licensë për depozitim municioni;
•  Licensë për çmontim dhe çmilitarizim të municioneve;
•  Licensë për eksportimin e produkteve të dalë nga demontimi.

Së treti, është përcaktuar detyrimi për Ministrinë e Mbrojtjes, të mbulojë shpenzimet e transportit të municioneve për në ambjentin industrial të ALBDEMIL-it.

Së katërti, evidentohet se SAC kërkonte që ambjenti industrial i çmontim dhe çmilitarizim të municioneve, të ndërtohej në një zonë ushtarake afër Tiranës, duke sugjeruar për këtë Bërzhitën.

Përmendëm këto elemente të këtij dokumenti pasi siç do të trajtohet në vijim të kësaj oferte, për përmbushjen këtyre elementeve, është iniciuar nga ministri disa akte nënligjore, si një vendim i Këshillit të Ministrave (KM), janë miratuar prej tij disa urdhëra, si dhe është shmangur zbatimi i disa akteve nënligjore në fuqi të Ministrisë së Mbrojtjes.

Në datë 28. 12. 2006 ky dokument (oferta e kompanisë SAC) ka dalë nga zyra e ish Ministrit të Mbrojtjes me shënimet përkatëse drejtuar Shefit të Shtabit të Përgjithshëm (SHSHP) dhe Sekretarit te Pergjithshëm (SP). Ndërkohë, po me datë 28. 12. 2006 evidentohet fakti i krijimit të shoqërisë ALBADEMIL me ortakë përfaqësuesin e kompanisë SAC, Patric Henry III dhe të pandehurin Mihal Delijorgji. Në analizë të këtyre rrethanave krijohet dyshimi i arsyeshëm se ish Ministri i Mbrojtjes, z. Mediu, i kishte dhënë premtimin subjekteve të interesuara dhe kishte marrë vendimim për të realizuar këtë marrëdhënie bisnesi. Kjo vertetohet me të dhënat dhe provat, që ju parashtrojmë në vijim të kësaj kërkese.

2. Ish Ministri i Mbrojtjes Z. Mediu, për të realizuar synimin e tij, ka iniciuar hartimin dhe miratuar disa akteve nënligjore. Ai ka inicuar një projekt-vendim të Këshillit të Ministrave dhe ka miratuar projekt-urdhëra, të cilët kanë orjentuar realizimin e procesit të çmontimit dhe çmilitarizimit të municionit në përmbushje të ofertës të sipër përmendur të shoqërisë amerikane SAC, prapa të cilës ishte shoqëria ALBADEMIL shpk, duke angazhuar për hartimin e tyre një pjesë të  stafit  të ngushtë të tij. Në këtë proces administrativ z. Mediu ka pranuar dhe miratuar disa projekt-urdhëra, duke shmangur përfshirjen e strukturave dhe hallkave të domosdoshme që duhet të ishin pjesë e hartimit të tyre. Kjo provohet:

Së pari, me inicimin, në datë 12. 2. 2007, për miratim të projekt-vendimit të KM  me titull “Për procedurën e çmontimit, çmilitarizimit dhe tjetërsimit të një sasie municionesh të Forcave të Armatosura (FA), të dala nga armatimi e përdorimi me shoqërinë amerikane SAC”. Ky projekt vendim nuk është miratuar nga qeveria për shkak të mungesës së përqasjes së tij, me ligjin nr. 8671 datë 26. 10. 2000 “Për autoritetet e komandimit e drejtimit startegjik të FA të RSH” të ndryshuar dhe me ligjin nr. 7512 datë 10. 08. 1991 “Për sanksionimin dhe mbrojtjen e pronës private, të nismës së lirë, të veprimtarive provate të pavarura dhe privatizimit”,  si dhe për përfshirjen drejtpërdrejt në këtë projekt-vendim të KM të kompanisë amerikane SAC.

Së dyti, më pas, me shkresën nr. 1525, datë 14. 03 2007, ish-Ministri i Mbrojtjes z. Mediu ka ridërguar për shqyrtim e miratim projekt-vendimin me titull “Për  procedurën e trajtimit të armëve, teknikës dhe pajisjeve të Forcave të Armatosura te hequra nga armatimi dhe perdorimi” i cili po atë datë është shqyrtuar edhe miratuar nga qeveria, duke u kthyer në vendim të KM nr. 138, datë 14. 03. 2007, me të njejtin titull që ishte propozuar. Siç do të analizohet në vijim të kësaj kërkese, ndonëse në këtë vendim të KM nuk është përmendur drejtperdrejt kompania amerikane SAC, në formulimin e pikës “IV/1” të projektvendimit të miratuar është parashikuar që shitja për çmontim dhe çmilitarizim të municioneve të bëhet për municione të kalibrit të vogël, ashtu siç ishte parashtruar oferta e kompanis amerikane SAC.

Të nderuar deputetë!
3. Në vijim të aktivititet të tij në kundërshtim me ligjin dhe në interes të përfitimeve të padrejta të subjekteve private që do të bënin çmontimin dhe çmilitarizimin e municioneve, ish Ministri i Mbrojtjes z. Mediu ka miratuar urdhërin nr. 550 datë 25. 04. 2007 “Për zbatimin e vendimit nr. 138 datë 14. 03. 2007 të Këshillit të Ministrave “Për procedurën e trajtimit të armeve, teknikës dhe pajisjeve të Forcave të Armatosura të hequra nga armatimi dhe përdorimi”, përsa i përket shitjes për çmontim dhe çmilitarizim të një sasie municioni”. Në analizë të procesit të hartimit të projekt-urdhërit, si dhe në analize të përmbajtjes së urdhërimeve të këtij akti nënligjor evidentohen veprimet në shkelje të akteve nënligjore dhe interesi për përfitime të padrejta ndaj subjekteve private që do të realizonin çmontimin dhe çmilitarizimin e municioneve, si më poshtë:

3.1. Hartimi i projekt-urdhërit nr. 550 datë 25. 04. 2007  është bërë nga drejtori i Drejtorisë së IMBM nën mbikëqyrjen e ish Sekretarit të Përgjithshëm të MM, duke mospërfshirë strukturat e Shtabit të Përgjithshëm, si dhe Drejtorinë e Harmonizimit të Legjislacionit dhe Marrëdhënieve me Kuvendin (DHLMK), pjesëmarrja e të cilave ka qenë e detyrueshme, për shkak të natyrës së aktit dhe strukturave të ngarkuara për zbatimin e tij. Kjo veprimtari është në shkelje të nenit 17 të Rregullores së Brendshme të MM, miratuar me Urdhërin e Ministrit të Mbrojtjes nr. 120 datë18. 03. 2003, i ndryshuar me urdhërin e Ministrit të Mbrojtjes nr. 318 datë 17. 05. 2005, i cili përcakton rregullat për hartimin dhe qarkullimin e akteve administrative. Gjithashtu, ky urdhër i Ministrit të Mbrojtjes, në përmbajtjen e tij, evidenton se nuk është i studiuar mirë dhe në përqasje me vendimin e KM nr.138, datë 14. 03. 2007, nuk është i qartë në urdhërimet e tij dhe konkret për procedurën dhe mënyrën e zbatimit. Këto urdhërime bien në kundërshtim me pikën 9 paragrafi i dyte, kreun IV, Seksioni  II, me titull “Rregullat e dhënies dhe zbatimit të urdhërave” të Rregullores së Jetës së Brendshme në FA, që parashikon se “Urdhëri duhet të jetë i studiuar mirë, i qartë dhe konkret”.

3.2 Megjithëse në vendimin e KM nr. 138, datë 14. 03. 2007 nuk është rregulluar mënyra e përzgjedhjes së kontraktorit për shitjen e municioneve për çmontim dhe çmilitarizim, në pikën 1 të urdherit nr. 550, është nominuar drejtperdrejt kompania amerikane SAC për realizimin e këtij procesi.

3.3 Në pikën 4/a e në vijim, është parashikuar që procesi i çmontimit dhe çmilitarizimit të municioneve të realizohet në terenin në administrim të Ministrisë së Mbrojtjes të ndodhur në Gërdec, Vorë. Ky urdhërim në përmbajtje bie në kundërshtim me disa akte të tjera nënligjore dhe ka mundësuar krijimin e përfitimeve të padrejta për subjektet private të perfshira. Në analizë të tij evidentohen këta elementë:

Së pari, është dhënë e drejta për kryerjen e aktivitetit në shkelje të nenit 3 të  Rregullores së Ministrit të Mbrojtjes nr. 9603, datë 18. 09. 2003 “Për përpilimin dhe lëshimin e dokumentacioneve për veprimtarinë e eksport-importit të materialeve ushtarake”, e cila normon se për kryerjen e veprimtarive në fushën e armatim municionit është e domosdoshme të bëhet licensimi i shoqërive. Sipas kësaj rregullore licensimi bëhet nga një Komision i Posaçëm që krijohet me urdhër të Ministrit të Mbrojtjes. Nevoja për kryerjen e licensimit të aktivitetit i është bërë e njohur ish Ministrit të Mbrojtjes z. Mediu, me ofertën, datë 27. 12. 2006, të kompanisë amerikane SAC të përmendur më sipër në piken 1. Në këtë vështrim, në kundërshtim me nenin 3 të kësaj rregulloreje, z. Mediu, gjithashtu, ka urdhëruar Sekretarin e Përgjithshëm të MM për të dhënë leje eksporti të materialeve ushtarake për një subjekt të palicensuar.

Së dyti, përcaktimi i vendit ku do te kryhej procesi i çmontimit dhe çmilitarizimit të municioneve është bërë në shkelje të nenit 3, pika 1, paragrafi i trete, i Rregullores së Ministrit të Mbrojtjes nr. 9603, datë 18. 09. 2003 të sipër përmendur dhe në shkelje të Urdhërit të Ministrit të Mbrojtjes nr. 326, datë11. 05. 2000 “Për kryerjen e licensimit të depove të municionit sipas standarteve të NATO-s”, në të cilën përcaktohet se vendet ku depozitohet dhe ruhet municioni duhet të liçensohen, duke parashikuar kushtet dhe kriteret për liçensimin. Gjithashtu, ky urdhër parashikon se në varësi të distancave nga vendi i depozitimit dhe magazinimit të municionit në raport me zonat e banuara, rrugët (me trafik të ulët dhe të lartë), rrjetit elektrik, ujësjellësit, oficinën ku do të punohej me municionin, objektet e tjera (brënda repartit ushtarak dhe në rajon), duhet të përcaktohej sasia e municionit që do të depozitohej për demontim dhe e produkteve të tij, si ajo e lëndëve plasëse, barutit etj.

Caktimi i Gërdecit, si vend çmontimi dhe çmilitarizimi të municionit, është bërë në mungesë të verifikimit dhe vlerësimit të strukturave përkatëse të specializuara të Shtabit të Përgjithshëm. Në urdhërimin e ish Ministrit të Mbrojtjes z. Mediu për caktimin e Gërdecit si vend demontimi është  shpërfillur, gjithashtu,  mendimi i strukturave të FA, në komentet e bëra lidhur me kërkesën e kompanisë SAC që kishte sugjerurar paraprakisht Bërzhitën si vend të mundshëm për të realizur procesin e demontimit. Kjo, sepse,  në memon, datë 28. 12. 2007, me subjekt “Dhënie mendimi lidhur me ofertën e paraqitur nga SAC për asgjësim municioni”, që Drejtoria e Logjistikës, i ka dërguar ish Ministrit z. Mediu nëpërmjet Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të FA, i është bërë e ditur se “….Rajoni i Bërzhitës është i papërshtatshëm, si për depozitim ashtu dhe për asgjesim municioni. Ky rajon është i palicensuar për depozitim dhe demontim municionesh, është pranë rrugës nacionale Tirane - Elbasan dhe qendrave te banuara”.

Përzgjedhja e Gërdecit si vend ku do të bëhej çmontimi dhe çmilitarizimi i municioneve dhe ku do të depozitoheshin sasi të konsiderueshme municioni dhe produkte të tij pas demontimit, (të cilat për nga natyra dhe vjetërsia paraqisnin ndjeshmëri të lartë në raport me faktorët atmosferikë dhe kushtet e ambalazhimit, ruajtjes e manipulimit me to), është bërë tërësisht në kundërshtim me çdo lloj rregulli në fuqi. Ky urdhër në praktikë, ka lejuar të depozitohen dhe akumulohen sasira të mëdha municioni e baruti në kundërshtim me distancat e sigurisë të përcaktuara në urdhrin nr. 326, datë 11. 05. 2000, duke determinuar pasojat e rënda që kanë ardhur qoftë jetës së njerëzve, shëndetit të tyre, apo edhe ato materjale. Nga sa më sipër, urdhëri 550, datë 25. 04. 2007, ka urdhëruar fillimin e një aktiviteti me një natyrë të lartë rrezikshmërie,  pa u krijuar më parë të gjitha premisat paraprake që do të siguronin një funksionim normal të këtij aktiviteti.

Caktimi i Gërdecit si vend për çmontimin dhe çmilitarizimin e municioneve luftarake, në kushtet e ekzistencës të një përgjigje negative nga Shtabi i Përgjithshëm për rajonin e Bërzhidës, vjen në të njëjtën linjë me ofertën e datës 27. 12. 2006 të kompanisë SAC të analizuar më lart, ku kërkohej që procesi i çmontimit të kryhej në një ambjent në afërsi të Tiranës, çka ka mundësuar cënimin e sigurisë gjatë gjithë procesit të çmontimit dhe çmilitarizimit të municioneve.

3.4 Urdhëri i  Ministrit nr. 550, datë 24. 05. 2007 në kundërshtim me detyrimet që burojnë nga pika  IV/4 e vendimit të KM nr. 138, datë 14.03.2007, nuk ka përcaktuar shprehimisht subjektin ushtarak që do të realizonte mbikëqyrjen dhe garantimin e sigurisë në procesin e çmontimit dhe çmilitarizimit të municionit në Gërdec, si dhe nuk ka qartësuar mënyrën e realizimit të këtij procesi me rrezikshmëri të lartë. Kjo shkelje ka lejuar kryerjen e një procesi të pakontrolluar nga specialistët e FA, si përsa i takon sigurisë në procesin teknologjik, ashtu dhe rregullave të magazinimit të nënprodukteve të këtij procesi. Në këtë aspekt, sikurse u theksua më lart, ky urdhër është miratuar pa qenë i studiuar mirë, duke qenë i paqartë dhe jo konkret, në kundërshtim me  rregullat e dhënies së urdhërave të parashikuar në  Rregulloren e Jetës së Brëndshme në FA, të përmendur më lart.

3.5 Në vijim të argumenteve se, ish Ministri i Mbrojtjes z. Mediu, në këtë proçes ka miratuar akte nënligjore i orjentuar nga interesat dhe përfitimet e padrejta të subjekteve private,  Ju parashtrojmë faktin se gjashtë ditë para se të firmoste urdhërin nr. 550, datë 25. 04. 2007, ndërmarrja MEICO kishte lidhur kontratë me shoqërinë SAC-ALBADEMIL, në datën 19 prill 2007, kontratë e cila ka qenë pjesë e praktikës së projekt-urdhërit të dërguar për t’u nënshkruar tek ish Ministri z. Mediu. Sa më sipër, evidentohen dy elemetë të rëndësishëm.

Së pari, kontrata i paraprin në kohë urdhërit, i cili ka përligjur kontratën, ndërkohë që duhet të ndodhte e kundërta, sepse shitje e municioneve është e drejtë vetëm e Ministrit të Mbrojtjes që materjalizohet me urdhërin e tij.

Së dyti, ka qenë kërkesa e SAC-ALBADEMIL  e materializuar në kontratë, ajo që është marrë parsysh nga ish Ministri i Mbrojtjes z. Mediu, për caktimin e Gërdecit si vend për çmontimin dhe çmilitarizimin e municioneve, sepse në pikën 3.3 të kontratës, është përcaktuar se vendi i dorëzimit të municionit do të jetë fabrika e Gërdecit, Vorë.

3.6. Në urdhërin nr. 550, nuk është parashikuar qartë dhe shprehimisht se kush do të mbulonte shpenzimet e ngarkimit dhe transportit të municioneve nga depot e komandave të FA për në Gërdec- Vorë, ndërkohë që transporti i këtij municioni i është ngarkuar Forcave të Armatosura. Ky mosveprim i ish Ministrit të Mbrojtjes z. Mediu, për të parashikuar në urdhër që shpenzimet e transportit të mbulohen nga subjektet private, përbën një episod tjetër të veprës penale të shpërdorimit të detyrës me pasojë përfitimin e padrejtë të personave të tjerë dhe në dëm të interesave ekonomike të FA, sepse në fakt shpenzimet e transportit janë mbuluar prej tyre dhe përllogariten në shumën rreth 500 mijë dollarë.

Ky mosveprim i ish Ministrit z. Mediu vjen në të njëjtën  linjë me përmbushjen e një prej kushteve të kompanisë SAC-ALBADEMIL, të parashtruara në ofertën/dokumentin e datës 27. 12. 2006, në të cilën është kërkuar që shpenzimet e transportit për në rajonin e çmontimit të ALBADEDMIL, të mbulohen nga Ministria e Mbrojtjes. Mosparashikimi i shpenzimeve të transportit në këtë urdhër, i ka paraprirë dhe analiza e kostos për njësi shitje të municioneve, e llogaritur kjo pa përfshirë koston e transportit. Përjashtimi i kostos së transportit, e cila nga pikpamja ekonomike është element i domosdoshëm në përcaktimin e vlerës së mallit, përbën shkelje të rëndë dhe me qëllim favorizimi të padrejte të kompanive SAC-ALBADEMIL për të përfituar sa më shumë në procesin e demontimit.

Në frymën e këtij urdhërimi dhe në zbatim të tij,  ish Ministri i Mbrojtjes z. Fatmir Mediu ka nxjerrë Urdhërin nr. 1208, datë 19.07.2007 “Për zbatimin e  vendimit të KM nr. 138, datë 14.03.2007, “Për  procedurën e trajtimit të armëve , teknikës dhe pajisjeve të Forcave të Armatosura të hequra nga armatimi dhe përdorimi”, përsa i përket shitjes për çmontim dhe çmilitarizim të një sasie municioni”, dhe Urdhërin nr. 1300, datë 07. 08. 2007 “Për zbatimin e vendimit të KM nr. 138, datë 14.03.2007, “Për  procedurën e trajtimit të armëve, teknikës dhe pajisjeve të Forcave të Armatosura të hequra nga armatimi dhe përdorimi”, përsa i përket shitjes për çmontim dhe çmilitarizim të një sasie municioni”, urdhëra këto në të cilat parashikohet që dorëzimi i municioneve nga strukturat e FA të bëhet në qendrën e çmontimit Gërdec-Vorë, pa u shprehur për subjektin që do të mbulonte shpenzimet e transportit.

4. Në analiza të procesit të hartimit, të bazës ligjore dhe të përmbajtjes së urdhërit nr. 1300, datë 07. 08. 2007 të ish Ministrit të Mbrojtjes z. Fatmir Mediu, ka të dhëna për dyshime të bazuara se miratimi i tij është bërë në kundërshtim me aktet nënligjore, për të realizuar përfitime të padrejta në interes të subjekteve që kryenin çmontimin dhe çmilitarizimin e municioneve. Shkeljet e evidentuara janë si më poshtë:

4.1 Z. Mediu ka miratuar këtë urdhër pa përfshirë strukturat e FA, ndonëse në kjo përfshirje ka qenë e domosdoshme e diktuar nga objekti i rregullimit dhe strukturat e ngarkuara për zbatimin e tij. Ky veprim bie në kundërshtim me nenin 17, të Rregullores së Brëndshme të MM, miratuar me Urdhër të Ministrit të Mbrojtjes nr. 120, datë 18. 03. 2003, i ndryshuar me urdhërin e Ministrit të Mbrojtjes nr. 318, datë 17.05.2005, i cili përcakton rregullat për hartimin dhe qarkullimin e akteve administrative.
4.2 Ky urdhër bie në kundërshtim me pikën 1 të urdhërit të Ministrit të Mbrojtjes nr. 550, datë 25. 04. 2007, ndonëse formalisht ky i fundit është cituar si mbështetje ligjore e tij. Kjo, sepse, në pikën 1 të urdhërit nr.1300, datë 07. 08. 2007, janë ngarkuar strukturat e FA, për t’i dorëzuar, për çmontim ndërmarjes MEICO tre lloje municione (fishekësh të kalibrave 6.5 mm, 7.92mm dhe 8 mm), që nuk janë të parashikuar në pikën 1 të urdhërit nr. 550, datë 25. 04. 2007. Llojet e fishekëve të përmendura në Urdhërin nr. 1300, datë 7. 08. 2007, nuk kanë qenë pjesë e kërkesave të kompanive SAC –ALBADEMIL dhe kontratës të lidhur ndërmjet MEICO dhe këtyre kompanive.
4.3 Në kundërshtim me pikën  IV/2, tëvendimit të KM nr. 138, datë 14. 03. 2007, ish Ministri i Mbrojtjes z. Mediu, ka nënshkruar Urdhërin nr. 1300, datë 07.08.2007, në mungesë të vendimit të Komisionit të Miratimit të Çmimeve për shitjen e këtyre lloj municioneve për çmontim dhe çmilitarizim. Pra, ai ka urdhërur dorëzimin e municionit, pa patur një çmim për to.
4.4 Në kundërshtim me pikën 1 të Urdhërit të nxjerrë prej tij  nr. 416, datë 02. 04. 2007 “Për ngritjen dhe funksionimin e Komisionit të Posaçëm për përcaktimin e kontigjentit të armëve, teknikës, pajisjeve, municioneve dhe lëndëve eksplozive të hequra nga përdorimi”  ka nënshkruar  Urdherin nr.1300 datë 07.08.2007, megjithëse mungonte një vendim i këtij komisioni, i cili kishte për detyrë të bënte kategorizimin e tij në zbatim të vendimit të KM nr. 138, datë 14. 03. 2007.
Sa më sipër, miratimi i këtij urdhëri në kundërshtim me aktet nënligjore, përbën të dhënë për dyshime të bazuara, se është kryer për të realizuar përfitime të padrejta në interes të kompanive SAC – ALBADEMIL, për faktin se këto lloje municionesh kishin në përbërje gëzhojë tunxhi, ç’ka përmbushte në thelb oferten e kompanisë SAC-ALBADEMIL për municione me gëzhojë tunxhi.

Të nderuar deputetë!
III. Tërësia e këtyre urdhërimeve në kundërshtim me ligjin të ish Ministrit të Mbrojtjes z. Mediu, për realizimin e proçesit të çmontimit të municioneve të kalibrave 7.62-14.5 mm, evidenton të dhëna që përbëjnë dyshim të arsyeshëm se tek nëpunesit dhe ushtarakët vartës të tij, është krijuar përceptimi për një proces të parregullt, ku ish ministri z. Mediu kishte interesa të veçanta dhe se për realizimin e tyre, ai po shpërfillte aktet ligjore dhe nënligjore.

Baza e këtij proçesi të parregullt, të trajtuara më sipër, ka shërbyer për vazhdimin e përmbushjes së kërkesave në interes të përfitimeve të padrejta të kompanisë SAC-ALBADEMIL. Në këtë proces vazhdues, ish Ministri i Mbrojtjes z. Mediu ka vepruar në kundërshtim me ligjin në miratimin e akteve të tjera nënligjore, lidhur me çmontimin e municioneve të kalibrave nga 20-152 mm. Kjo ka ka ndikuar ndjeshëm në uljen e nivelit të sigurisë dhe rritjen e shkallës së rrezikut për pasoja të rënda në procesin e çmontimit të municioneve, si dhe në të gjithë rajonin ku po kryhej ky proçes.

1. Nga hetimet e deritanishme rezulton se me 01 shtator 2007, përfaqësuesi i SAC, i është drejtuar Ministrisë së Mbrojtjes me një kërkesë të dytë për vazhdimin e procesit të çmontimit të municioneve të kalibrave 20-152 mm. Duke analizuar këtë kërkesë, evidentohen disa momente që duhen patur parasysh në analizën e të dhënave, lidhur me përgjegjësinë e ish ministrit Mediu për episode te tjera të veprës penale të “Shpërdorimi i detyrës”.

Së pari, Southern Ammunition Company inc (SAC), në mënyrë të qartë evidenton se municionet për të cilat kërkon të vazhdojë projektin, nuk janë më të kalibrit të vogël.

Së dyti, SAC paraqet pretendimin se ajo është furnizuar nga Ministria e Mbrojtjes vetëm me rreth 50% të sasive të municioneve të kërkuara të kalibrit 7.62-14.5 mm, duke u shprehur se : “Sipas kontratës me MM (MEICO) investimi ynë kishte për qëllim çmontimin e jo më pak se 100 mln copë fishekeve 7.62mm,  20 mln copë fishekëve 12.7 mm dhe 20 mln copë fishekeve 14.5.mm”. Këtë mospërmbushje të detyrimit, ajo e paraqet si arsye për të mbështetur projektin për çmontimin e kalibrave më të mëdhenj.

Së treti, SAC pretendon se disponon makineri që në mënyrë mekanike zbërthejnë municionin në komponentët përbërës.

Se katërti,  SAC informon se procesi më i rrezikshëm dhe i kushtueshëm do të jetë nxjerrja e eksplozivëve të fuqishëm nga predhat, por se kjo kompani disponon teknologjinë për t’a realizuar këtë, në mënyrë të sigurtë dhe në kohë normale.
Kërkesa e SAC, bashkëlidhur Memo-s datë 06.09.2007, me subjekt “Mbi kërkesën për demontim municionesh”  e personit nën hetim, Ylli Pinari, nëpërmjet Sekretarit të Përgjithshëm të MM, i është dërguar për mendim ish Ministrit të Mbrojtjes z. Mediu. Z. Mediu, këtë praktikë, ja ka kaluar Shefit të Shtabit të Përgjithshëm me shënimin “Për veprim”. Ky shënim i ish Ministrit, në thelb ka pasqyruar vullnetin e tij për fillimin e një procedure të re, në përmbushje të interesave që parashtroheshin në kërkesën e SAC, ndonëse në përmbajtjen e kësaj kërkese evidenohen qartë tejkalimet e parashikuara në  vendimin e KM nr. 138, datë 14.03.2007 për sa i takon kalibrit të municineve që mund të jepeshin për cmontim.Ndërgjegjësimi i z. Mediu në lidhje me këtë kufizim të vendimit të KM, argumentohet jo vetëm me detyrimin e njohjes së akteve dhe faktin që ka qenë iniciues dhe mbrojtës i këtij akti nënligjor në qeveri por, edhe me faktin se ka qenë pikërisht kërkesa e parë e SAC për çmontimin e municioneve të kalibrit të vogël, ajo që u bë shkak për të miratuar gjithë aktet nënligjore për realizimin e procesit të çmontimit të municioneve të kalibrit të vogël.

Në vijim të analizës së elementëve të kësaj kërkese, ju paraqesim aktet nënligjore të tjera të miratuara nga ish Ministri i Mbrojtjes z. Mediu, në kundërshtim me ligjin dhe që përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës prej tij.

2. Me synim për të krijuar përfitime të padrejta në interes të kompanive private,të përfshira në këtë proces, ka  shmangur mbikqyrjen ushtarake të forcave të armatosura në procesin e çmontimit dhe çmilitarizimit të municioneve, duke miratuar urdhërin nr. 1800, datë 22.10.2007, me të cilin është normuar kalimi kapital i pronës, nr.126 , ku po zhvillohej procesi i çmontimit dhe çmilitarizimit (ish brigada e tankeve Gërdec), në administrim të ndërmarjes Meico,  e cila, e ka vënë atë në dispozicion të kompanisë SAC- ALBADEMIL pa qera, në kundërshtim me vendimin KM nr. 315, datë 24.04.2003  “Për dhënien me qera të pasurive, të ndërmarjeve, shoqërive dhe institucioneve shtetërore”. Gjithashtu, synimi se projekti i çmontimit dhe çmilitarizimit të municioneve nga kompania SAC do të zgjaste dhe se strukturat e ngritura në ish repartin e tankeve Gërdec -Vorë do të përdoreshin dhe për programe të tjera në këtë fushë, është evidentuar qartë në Memo-n me subjekt “Për kalimin kapital të pronës nr. 126, Gërdec, Vorë” të drejtuar ish Ministrit Mediu nga ish drejtori i Meico nëpërmjet Sekretarit të Përgjithshëm. Miratimi i urdhërit të mësipërm në kuadër të këtij konteksti, i ka paraprirë miratimit të të gjithë akteve nënligjore dhe procesit  vendimmarrës të ish ministrit, në përmbushje të kërkesës së SAC –ALBADEMIL datë 01.09.2007 , të sipërpërmendur.

3.Në përmbushje të interesave për përfitime të padrejta nga  kompanitë private, ish Ministri i Mbrojtjes, z. Mediu, nuk ka  kërkuar të bëhej një studim i plotë i analizës së kostos për njësi, të municioneve të kalibrave 20 - 152 mm,  ç’ka ishte e domosdoshme për të verifikuar dhe vlerësuar leverdinë ekonomike të këtij procesi me municionet e kalibrave te përmendur më sipër. Ky mosveprim i ish ministrit, i kryer në mospërmbushje të rregullt të detyrës, evidentohet dhe nga fakti se në përgjigje të kërkesës së parë të SAC –ALBADEMIL, është proceduar duke u bërë analiza e kostos për njësi e municineve të kalibrave të vegjël 7.62 - 14.5 mm. Ky veprim është kryer para se të fillonte procesi i miratimit të akteve nënligjore për realizimin e çmontimit dhe çmilitarizimit të municioneve për këto kalibra.

Fakti, se gjatë realizimit të procesit të çmontimit të municioneve të  kalibrave 20-152 mm, shoqëria ALBADEMIL ka përfshirë si nënkontraktor Uzinën e Gramshit për demontimin e një kategori “shtimjesh” 100 mm dhe se nga kjo marrëveshje,  të dy subjektet  kane dalë me fitim, provon dyshimin e arsyeshëm se veprimet e ish ministrit në interes të përfitimeve të padrejta nga kompanitë SAC - ALBADEMIL,  kanë dëmtuar interesat ekonomike të ndërmarjeve shtetërore ushtarake, të cilat kishin standartet e nevojshme për të garantuar sigurinë në realizimin e procesit të çmontimit.

4.Këto fakte, përbejnë të dhëna për të dyshuar se urdhri nr. 2044, datë 07.12.2007 “Për kalim municioni ndërmarjes MEICO”, është vazhdim i asaj që ka qenë paracaktuar dhe që lidhej me shitjen e municioneve kompanive SAC-ALBADEMIL.

Në vijim të sa më sipër,  si dhe në analizë të urdhërimeve të miratuara nga ish Ministri i Mbrojtjes z.Mediu ne kete urdhër, evidentohen dukshëm shkelje të vendimit KM nr.138, datë 14.03.2007,  si dhe akteve nënligjore të tjera si më poshtë:

4.1 Pika 1 e këtij urdhëri, në të cilën parashikohet kalimi i  sasive dhe llojeve të  municioneve të kalibrave 20-152 mm sipas aneksit “A” bashkëlidhur, ndërmarjes MEICO, bie në kundërshtim me pikën IV/1 të VKM nr.138, datë 14.03.2007, në të cilën parashikohet se Ministria e Mbrojtjes mund të realizojë shitjen me qëllim çmontimi dhe çmilitarizimi të municioneve stoqe të vjetëruara të kalibrave të vegjël.

4.2 Në pikën 6 të këtij urdhëri, është parashikuar që kostoja e transportit të likujdohet nga ndërmarja MEICO. Ky parashikim, sikurse kemi argumentuar më lart bie ndesh me llogjikën ekonomike të llogaritjes së kostos dhe mbulimit të shpenzimeve. Me këtë detyrim është ngarkuar përsëri shteti dhe jo kompanitë private. Ky urdhërim përbën te dhënë për dyshime të bazuara se z. Mediu ka dëmtuar interesat ekonomike të shtetit dhe ka sjellë përfitime të padrejta për kompaninë SAC-ALBADEMIL.

4.3 Në pikën 7, ka urdhëruar që procesi i çmontimit dhe çmilitarizimit të kryhet në ish brigadën e tankeve të kaluar në administrim të MEICO-s, në rajonin e Gërdecit, Vorë - Tirane .

Ky urdhërim është bërë në vijim të urdhrit nr.550, datë 25.04.2007 dhe përmban të njëjtët elementë kundërligjshmërie me aktet nënligjore si më poshtë:

Së pari, është përligjur ushtrimi i aktivtetit të çmontimit dhe çmilitarizimit të municioneve pa u bërë liçensimi i shoqërive, në shkelje të nenit 3, të  Rregullores së Ministrit të Mbrojtjes nr.9603, datë 18.09.2003 “Për përpilimin dhe lëshimin e dokumentacioneve për veprimtarinë e eksport-importit të materialeve ushtarke”,

Së dyti,  është përligjur ushtrimi i aktivtetit të çmontimit dhe çmilitarizimit të municioneve, pa u bërë liçensimi i vendit ku do të kryhej ky proces, në kundërshtim me  nenin 3, pika 1, paragrafi i tretë, i rregullores së Ministrit të Mbrojtjes nr. 9603, datë 18.09.2003, si dhe në kundërshtim me Urdhërin e Ministrit të Mbrojtjes nr. 326, datë 11.05.2000 “Për kryerjen e liçensimit të depove të municionit sipas standarteve të NATO”, siç është parashtruar me hollësi më sipër në këtë kërkesë.

Së treti, ricaktimi në këtë urdhër, i Gërdecit si vend për kryerjen e procesit, është bërë duke e konsideruar procesin e çmontimit dhe çmilitarizimit të municioneve të kalibrave 20-152 mm, si një proces vazhdues të çmontimit të municineve të kalibrave të vegjël 7.62-14.5 mm ndonëse, siç kemi shpjeguar, nuk u kërkua dhe nuk u krye asnjë lloj liçensimi për sigurinë dhe për të garantuar shmangien e ngjarjeve të jashtëzakonshme gjatë këtij proçesi .

4.4 Në pikën 7, ka urdhëruar ndërmarjen MEICO, të vërë në dispozicion të procesit ambjentet në administrim të saj… në rajonin e Gërdecit, pa përcaktuar raportin ekonomik të kësaj marrëdhënieje, ç’ka ka sjellë në fakt vënien në dispozicion pa qera, kompanisë SAC- AlBADEMIL, të të gjithë ambjenteve, në administrim të ndërmarjes MEICO, duke vepruar në shkelje të vendimit të KM nr. 315, datë 24. 04. 2003 “Për dhënien me qera të pasurive, të ndërmarjeve , shoqërive dhe institucioneve shtetërore”.

4.5 Në pikën 8, ka urdhëruar që ndërmarja MEICO, përgjigjet për zbatimin nga kontraktori të proceseve dhe standarteve të sigurisë, të masave të mbrojtjes nga zjarri dhe sigurisë së jetës e shëndetit të personelit të punësuar në zbatim të projektit gjatë procesit te çmontimit dhe çmilitarizimit të municioneve, si dhe mbikëqyr në kushte të rrepta vëzhgimi dhe sigurie këtë proces. Ky urdhërim bie në kundërshtim flagrant me pikën IV/4 të vendimit të KM nr.138, datë 14. 3. 2007, në të cilën parashikohet se “procesi i çmilitarizimit dhe çmontimit, të kryhet nën mbikëqyrjan dhe sigurinë ushtarke të reparteve të forcave të armatosura….
.
4.6 Në pikën 9, ka urdhëruar që ruajtja e rajonit të Gërdecit dhe depove të municionit të bëhet nga Komanda e Forcës së Bashkuar dhe Ndërmarja MEICO. Gjithahtu, ky urdhërim, bie në kundershtim me pikën IV/4 të vendimit të KM nr.138, datë 14. 03. 2007, në të cilin parashikohet se mbikëqyrja e sigurisë së procesit të çmontimit dhe çmilitarizimit, të kryhet nga FA, duke regjistruar lëvizjen dhe sasinë e municioneve të dorëzuara dhe të atyre të çmontuara, si dhe produktet e tyre pas çmontimit dhe çmilitarizimit.

4.7 Në pikën 10, është parashikuar që Sekretari i Pergjithshem të lëshojë lejet e eksportit për materialet e përftuara nga procesi i çmonitmit. Ky urdhërim bie në kundërshtim me nenin 3 të Rregullores së Ministrit të Mbrojtjes nr.9603, datë 18. 09. 2003 “Për përpilimin dhe lëshimin e dokumentacioneve për veprimtarinë e eksport-importit të materialeve ushtarke”. Kjo, sepse, ish Ministri i Mbrojtjes z. Mediu ka urdhëruar Sekretarin e Përgjithshëm të MM të lëshojë leje eksporti te materialeve ushtarake, për një subjekt të paliçensuar.

Në mbështetje të ketij urdhëri, në datë 28. 12. 2007, është lidhur kontrata nr.2 midis ndërmarjes MEICO dhe kompanisë SAC-ALBADEMIL, me një vlerë totale prej 583.326 US Dollar dhe ka filluar procesi i çmontim dhe çmilitarizimit të municioneve të kalibrave 20-152 mm.

I gjithë ky proces çmontimi dhe çmilitarizimi të municioneve të kalibrave 7.62 - 14.5 mm dhe 20 -152 mm, në sasinë rreth 18.000 ton, i urdhëruar nga ish Ministri i Mbrojtjes z. Fatmir Mediu, sikurse Ju kemi parashtruar hollësisht më sipër në këtë kërkesë, është kryer në shkelje të akteve ligjore e nënligjore në fuqi, duke shpërfillur standartet e domosdoshme të sigurisë dhe respektimin e rregullave në kryerjen e këtij procesi çmontimi dhe çmilitarizimi, si dhe duke mos garantuar shmangien e ngjarjeve të jashtëzakonshme që mund të vinin nga ky proces me rrezikshmeri të theksuar për jetën dhe shëndetin e punonjësve të përfshirë në proces, si dhe për jetën, shëndetin dhe pasurinë e të gjithë banorëve dhe bizneseve në rajonin e Komunës Gërdec, e më gjerë.

Shperfillja e standarteve  te sigurise dhe zbatimit të rregullave gjate këtij procesi, veç të tjerave, është rrjedhojë e urdhërimeve të kundërligjshme të ish Ministrit të Mbrojtjes z. Mediu, duke shmangur FA nga garantimi i sigurisë së këtij procesi, që në përzgjedhjen e vendit që do të kryhej procesi dhe deri në shmangien e tyre nga mbikëqyrja e sigurisë ushtarake. I gjithë ky proces i parregullt administrativ, i urdhëruar nga ish Ministri i Mbrojtjes z. Mediu ka mundësuar ndërmarjen MEICO dhe kompanitë SAC-ALBADEMIL, të realizojnë procesin e çmontimit dhe çmilitarizimit në një situatë kaotike, pa vendosur dhe zbatuar asnjë rregull standart sigurie në administrimin dhe ruajtjen e municioneve, në procesin teknik të çmontimit dhe çmilitarizimit, si dhe në procesin e administrimit të produkteve të dala nga ky proces.

Shoqëritë SAC-ALBADEMIL sh.p.k,  gjatë aktivitetit të  çmontimit dhe çmilitarizimit, nuk kanë disponuar rregullore të sigurimit teknik për aktivitetin në tërësi dhe për proceset teknike të punës në veçanti.

Në ish repartin ushtarak Gërdec, janë përqëndruar sasi të mëdha të municioneve të paçmontuara, që vinin nga repartet ushtarake. Gjithashtu, janë përqëndruar sasi të mëdha të produkteve të çmontimit si: barut, predha, djegore dhe kapsolla. Hetimet kanë provuar se në shumë raste nuk janë zbatuar rregullat që kanë të bëjnë me ruajtjen e objektit, me magazinimin e nënprodukteve, me mbrojtjen nga zjarri, sigurinë e jetës dhe shëndetit të personelit të punësuar në këtë projekt, etj.

Mungesa e rregulloreve të sigurimit teknik ka mundësuar:  punësimin e personave pa kritere profesionale në këtë fushë, mosparashikimin e  procesve të punës dhe garantimin e sigurisë së tyre, mostrajnimin e punonjesve për kryerjen e  këtyre proceseve dhe mosrespektimin e rregullave të sigurisë etj. Shkelje flagrante në këtë proces është  punësimi i fëmijëve të mitur.

Organizimi i punës në këto procese, bëhej duke përqëndruar një numër të madh punëtorësh në një sipërfaqe të vogël pune, ç’ka ka cënuar kushtet e sigurimit teknik dhe kontrollin mbi procesin e çmontimit. Në proceset e punës janë përdour mjete të papërshtashme në aspektin teknik, si dhe është lejuar kryerja e veprimeve që kanë mundësuar premisa për ngjarje të jashtëzakonshme.

Baruti ruhej në kontenierë të zakonshëm transporti dhe në ndërtesa të pa përshtashme, jashtë çdo kriteri teknik. Në momentin e shpërthimit në vendin e depozitimit të barutit kanë qenë mbi 700 ton barut, të vendosur në 41 kontenierë  dhe në dy ndërtesa dhe në afërsi të tyre janë depozituar djegoret e predhave, të gjitha në shkelje të standarteve të sigurisë.

Hetimet e deritanishme na çojnë në konkluzionin se shkeljet e lartpermendura të akteve ligjore dhe nënligjore, shkelja e rregullave të sigurimit teknik në procesin e magazinimit të municionit, në procesin e çmontimit dhe administrimit të produkteve të dala nga ky proces, kanë  sjellë shkaktimin e zjarrit të pasuar me shperthimet masive, duke shkaktuar pasoja tejet te renda, të sipër përmendura.

Të nderuar deputetë!

Procesi administrativ për përgatitjen dhe miratimin e akteve nënligjore të iniciuara dhe të miratuar nga ish Ministri i Mbrojtjes z. Mediu, është realizuar ndërkohë që z. Mediu, në korrik të vitit 2006, ka ndërmarrë inisiativën ligjore për miratimin e projekt-ligjit “Për kontrollin shtetëror të veprimtarisë së eksport-importit të mallrave ushtarak, mallrave dhe teknologjive me përdorim të dyfishte”, i cili synonte të rregullonte, sipas standarteve të BE, veprimtarinë e kontrollit shtetëror mbi eksportin, importin… dhe veprimtaritë ndërmjetëse për mallrat ushtarake dhe mallrat e teknologjitë me përdorim të dyfishtë, ku përfshihet dhe shërbimi i çmilitarizimit, …. si dhe për zbatimin e masave që synojnë parandalimin e përdorimt të këtyre mallrave nga terroristë dhe grupe të tjera për qëllime kriminale. Në procesin e ushtrimit të inisiativës ligjore nga ish Ministri i Mbrojtjes z. Mediu, ky projekt-ligj, me datë 07. 08. 2006, i është dërguar për mendim ministrive përkatëse. Në vijim, me datë 29. 12. 2006, ndërkohë që kishte vënë në lëvizje për zbatim ofertën e parë të SAC, ka dërguar për shqyrtim e miratim këtë projekt-ligj, në Këshillin e Ministrave. Pas kthimit të këtij projekt-ligji me vërejtet përkatëse, në datë 06. 02. 2007, ka ridërguar projekt-ligjin në Këshillin e Ministrave për shqyrtim e miratim. Projekt-ligji me vendimin nr. 115, datë 17. 02. 2007 është miratuar nga Keshilli i Ministrave dhe është dërguar për shqyrtim në Kuvendin i Shqiperisë, duke u kthyer në ligjin nr.9707 date 5.4.2007. Po në datë 17. 02. 2007, Këshilli i Ministrave ka shqyrtuar dhe kthyer si të pa bazuar projekt-vendimin e KM të inicuar nga ish Ministri i Mbrojtjes z. Mediu “Për procedurën e çmontimit, çmilitarizimit dhe tjetërsimit të një sasie municionesh të Forcave të Armatosura (FA), të dala nga armatimi e përdorimi me shoqërinë amerikane SAC”, të sipër përmendur.

Ky ligj, pas dekretimit, me datë 24.4.2007 është dërguar nga Këshilli i Ministrave në Ministrine e Mbrojtjes për zbatim. Ligji ka hyre në fuqi me 01.06.2007 dhe në nenin 39 të tij, ngarkon Këshillin e Ministrave që, brënda gjashtë muajve të hyrjes në fuqi, të nxjerrë aktin nënligjor për krijimin e Autoritetit Shtetëror të Eksporteve, si dhe të përgatise dhe miratojë aktet e tjera nënligjore.

E përmendëm këtë ligj, pasi në përmbajtjen e tij, ai rregullon veç te tjerash dhe  në përqasje me standartet e BE, dhe veprimtaritë që lidhen me liçensimin e veprimtarive në fushën e çmilitarizimit dhe eksportimit të produkteve të tij, si dhe të kontrollit e mbikqyrjes së tyre. Analiza e fakteve te mësipërme evidenton se ish Ministri i Mbrojtjes z. Mediu, ka ndërmarë procesin administrativ të nxjerrjes së akteve nënligjore në përmbushje të kërkesave të kompanisë SAC- ALBADEMIL, pa marrë në konsiderat zbatimin e këtij ligji dhe të standarteve të parashikuara në këtë ligj.

Këto fakte, përbëjnë të dhëna për dyshime të bazuara në prova se i gjithë procesi vendimmarrës i ish Ministrit të Mbrojtjes  z. Fatmir Mediu në favor të kompanisë SAC-ALBADEMIL, ka qenë një proces i parregulltë, me synim shmangien e standarteve të BE, që normohen në Ligjin nr.9707 datë 05.04.2007, për të realizuar përfitime të padrejta për këto kompani private.

Të nderuar deputetë!

Të gjitha sa u parashtruan më lart, krijojnë bazën e mjaftueshme ligjore për të ushtruar ndjekje penale ndaj deputetit Fatmir Mediu. Për këto arsye, në mbështetje të nenin 73, pika 2 të Kushtetutës dhe të nenit 288 të Kodit të Procedurës Penale, kërkojmë dhënien e autorizimit për proceduar penalisht ndaj z. Fatmir Mediu, deputet i Kuvendit të Shqipërisë.

PROKURORI I PËRGJITHSHËM  INA RAMA

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

18 Komente »

  1. Koth thotë:

    26 Prill 2008 @ 12:09 pm

    Dhe cer ?

  2. Lefti thotë:

    26 Prill 2008 @ 7:22 pm

    Ku jane xhanem ata qe deri para disa ditesh thoshin se Prokuroria po flinte gjume ?

    Ku jane ata qe deri pak muaj me pare qanin SOLLAKUN, duke thene se Prokuroria kishte rene ne “dore te Berishes” ?

    Ku jane ata, qe thoshin se Prokuria do perdorej kunder Opozites per gjueti Shtrigash ?

    Ku jane ata qe thoshin dhe thone se ne Shqiperi s’ka vullnet per te luftuar korrupsionin, sepse edhe kur “kapen” disa, kapen “peshqit e vegjel” ?

    Fakti se Zv/Ministra jane ne Burg sot e kesaj dite, dhe se Ministra te rendesishem siç ishte Mediu jane ne prag te flete-arrestit, tregojne se qeveria nuk po mbron te akuzuarit (sepse eshte pro heqjes se imunitetit), por tregon mbi te gjitha, se Organi i Akuzes po ç’lirohet dita dites nga kthetrat e politikes. Ky eshte nje avancim i madh, sepse lufta kunder korrupsionit duhe te jete e gjithaneshme, pa dallime politike, pa favorizime partiake, qeverisese apo opozitare : kush abuzon, dhe nese ka prova te qendrueshme, atehere te pergjigjet personalisht per aktet e tij, kushdo qofte ky : a nuk eshte ne parim, ligji i barabarte per te gjithe ?

    Kjo eshte nje gje e madhe per historine e Shqiperise, qe me siguri nuk do mungoje pa u vene re nga parteneret tane nderkombetare qe monitorojne luften kunder korrupsionit qe drejton qeveria dhe organi i akuzes.

  3. Cironka thotë:

    26 Prill 2008 @ 7:24 pm

    Fatmir Mediu nuk eshte peshk, eshte cironke.

    Sali Berisha eshte peshku i madh.

  4. B…LI thotë:

    26 Prill 2008 @ 7:54 pm

    Lefti mos shiko se cfare po fillone Prokurorja e Berishes por Shiko se cfare do te bitisi?
    Si cdo gje qe ka bitisur Berisha ate do te beje dhe kjo, do ta shkruaje historine jo shume ndryshe nga ajo qe ka shkruar ”KOMUNISTI”i 17-te viteve te fundit Sali Berisha

  5. Qafir Arnaut Shkruaji mesazh privat thotë:

    26 Prill 2008 @ 8:56 pm

    Lefto, shko futi i dor muhalebi plako

  6. toko thotë:

    26 Prill 2008 @ 9:19 pm

    Lefti
    Jam ne dileme cila nga keto dy pasazhe te filmit tim te preferuar i shkojne kesaj situate. Si njohes i mire i politikes se Beirshes te lutem me ndihmo te zgjedhe :)
    1. Hyman Roth ( Berisha): There was this kid I grew up with; he was younger than me. Sorta looked up to me, you know. We did our first work together, worked our way out of the street. Things were good, we made the most of it. During Prohibition, we ran molasses into Canada… made a fortune, your father, too. As much as anyone, I loved him and trusted him. Later on he had an idea to build a city out of a desert stop-over for GI’s on the way to the West Coast. That kid’s name was Moe Greene,( Mejdiu) and the city he invented was Las Vegas. This was a great man, a man of vision and guts. And there isn’t even a plaque, or a signpost or a statue of him in that town! Someone put a bullet through his eye. No one knows who gave the order. When I heard it, I wasn’t angry; I knew Moe, I knew he was head-strong, talking loud, saying stupid things. So when he turned up dead, I let it go. And I said to myself, this is the business we’ve chosen; I didn’t ask who gave the order, because it had nothing to do with business!
    ————————–
    Apo
    —————
    2 PENTANGELI ( Mejdiu)
    Look the FBI guys promised me a deal. So I made up a lot of stuff about MICHAEL Corleone ’cause that’s what they wanted — but it was all lies — uh — everything. And I kept saying — MICHAEL Corleone did this and MICHAEL Corleone did that — .uh — so I said yea sure, why not.

    –…….
    HAGEN (Ina Rama) (very gently)The Roman Empire… when a plot against the Emperor failed, the plotters were always given a chance to let their families keep their fortunes.
    PENTANGELI Yeah, but only the rich guys. The little guys got knocked off. If they got arrested and executed, all their estate went to the Emperor.
    If they just went home and killed themselves, up front, nothing happened.
    HAGEN Yeah, that was a good break. A nice deal.

    Pentangeli looks at Hagen; he understands.

    PENTANGELI They went home and sat in a hot bath and opened their veins, and bled to death. Sometimes they gave a little party before they did it.
    HAGEN Don’t worry about anything, Frankie Five-Angels.
    PENTANGELI Thanks, Tom. Thanks.
    ….
    Pentangeli lying in a tub of water. His stomach shows above
    it. His wrists are cut and covered with blood. The bath water has a purplish tone.

  7. Lefti thotë:

    26 Prill 2008 @ 10:15 pm

    Lefti mos shiko se cfare po fillone Prokurorja e Berishes por Shiko se cfare do te bitisi ?

    Por a nuk duhet qe gjerat te “nisin” njehere or mik, qe te kete ndonje shprese qe ato te “bitisen” ?!

    Shqetesimi i Opozitareve, ishte se gjerat s’po nisnin per Peshqit e medhnj… tani qe ato nisen realisht, ju thoni : “durim, dale te bitisen”

    Ne rregull, por ama pranoni se edhe nisja e ketyre “gjerave” ne nje vend si Shqiperia ku per 8 vjet rresht (97-05) ku nuk u arrestua as nje polic rrugor apo nje doganier i thjeshte, nisja e ketyre hetimeve ndaj pushtetareve te larte (madje, shume te larte) eshte nje risi dhe nje avancim i konsiderueshem !

    Tragjedia kane ndohdur edhe ne kohen e Socialisteve, por a me thote ndonje prej jush, se kujt deputeti apo ministri, ju hoq imuniteti ? Kush pushtetar i larte socialist u arrestua ?

    Asnje !

    Kush u denua penalisht per ngjarjen e gomones ne 2004 ? Nano ? Min Brendeshme L. Rama ? Asnjeri prej tyre, biles as ushtaraket e Vlores apo Shefat e Rendit …

    Opo me thjsht akoma : kujt deputeti socialist ju hoq imuniteti ne periudhen ‘97-’05 ? Personalisht s’me kujtohet asnje prej tyre …

    A do te thote kjo se atehere s’ka pasur korrupsion dhe se tani qe po arrestohet e burgosen drejtore drejtorish, ZV/Ministra, Ministra etj, paska me teper ?

    Absolutisht jo ! Korrupsion ka pasur, ka dhe do te kete ! Ndryshimi i “vogel” eshte ne 1997-2005 nuk u arrestuan as 5 nepunes shteteror (per 8 vjet -REKORD), ndersa gjate periudhes 2005-2007 jana arrestuar e çuar para drejtesise mbi 300 nepunes shteteror (punonjes se administrates, police, doganiere, mesues, pedagoge, jurist, mjek etj). Ndryshimi i “vogel” eshte se atehere vidhej me thase, me kamione, me magazina doganore, kurse tani vidhet me qese. Ndryshimi i “vogel” eshte se atehere nuk i hynte gjemb asnjkujt qe ishte i lidhur me partine, kurse tani pjesa derrmuese e atyre qe jane pas hekurave apo perballe hetuesve, jane shumica te emeruar gjate viteve te fundit …

    Ndryshimi i “vogel” eshte se atehere vidhej shume e ndeshkoheshin pak ose aspak, kurse tani vidhet shume here me pak dhe po denohet i madh e i vogel : Ja pse jemi te kenaqur sot, sepse po bejme hapa perpara ne smbrapsjen e fenomenit te korrupsionit, rryshfetit dhe bakshishit, sepse nese nje njeri ordiner shef ne TV se ne Shqiperi paska dhe ministra, deputete, zv/ministra, kryetare partish, te cilet kane qene konsideruar si te “Pa-Prekshem”, e qe sot po perballen me Drejtesine; edhe ai njeri “ordiner” nepunes civil, i administrates shteterore apo lokale, do te ndihet shume here me ne veshtiresi per te kompromentuar apo per t’u kompormentuar.

  8. Qafir Arnaut Shkruaji mesazh privat thotë:

    26 Prill 2008 @ 10:31 pm

    Muhalebia lefti muhalebia te ben mire

    Ndryshimi i “vogel” eshte se atehere vidhej shume e ndeshkoheshin pak ose aspak, kurse tani vidhet shume here me pak

  9. Lefti thotë:

    26 Prill 2008 @ 10:46 pm

    ore, tani qe Rama e hengri lugen e çorbes se Berishes, na lejo teperdorim edhe ne terminologjine e Edvinit ne botekuptimin tone !

    Nese ai thote : “vjedh, vjedh, por edhe punoj” - une e pranoj se keta vjedhin, por shume here me pak se ata te “paret” e sistemit korruptiv :)

  10. Bregdetari Shkruaji mesazh privat thotë:

    26 Prill 2008 @ 10:53 pm

    o Lefti, po ja fut kodra mbas bregut!!!!!!! Sipas Vjetarit Statistikor te Ministrise se Drejtesise ne 2007 prokuroria per pese vjete kishte proceduar 900 zyrtare (e cuditshme apo jo??? vete ministria e Rusmajlit pranon statistikat e sollakut!!!!) Keshtu besoj se nuk ke ankesa nga zoti Rusmajliqe pranon qe njefare pune qeka bere ateher.
    Pro dua te kujtoj edhe ca gjera te tjera. Ne 2003 dhe 2004 jaen bere dy gjyqe ku jane denuar zv/ministri i brendshem dhe 2 zyrater te tjere larte te policise se shtetit per skanidalin e pashaportave dhe gjyqi tjeter per denimin e zv/guvernatorin e bankese se shtetit per skandalin e prodhimit te kartemonedhave.
    Edhe ato zv/ministra qe ti thua jane ne burg sot jane arrestuar kur kryeprokuror ishte Sollaku.
    Kjo nuk do te thote se Ina Raam nuk ka bere nje pune te lavderueshme. Peronalisht e cmoj. Nese vazhdon keshtu e ka hak edhe nje mandat tjeter (sipas ndryshimeve te reja ne Kushtetute).
    Mgjt dua tju njoftoj te gjithe ju peshkatareve per nje element qe nuk e dini. Ne rast se kjo ceshtje do te shkoje per gjykim, Z.Mediu (qe eshte deputet) do te gjykohet drejtepersedrejti nga Gjykata e Larte (Kolegji Penal). Tani, ne fund te majit dhe fillim te prillit (ne mos gaboj, pro siguro tani shpjet do te ndodhe) i mbaron mandati Kryetarit te Gjykates se Larte dhe 2 gjyqtareve te tjere te kesaj Gjykate. Mendoni se ne emerimine Gjyqtareve te rinj, qe do te gjykojne kete ceshtje, nuk do te kete nderhyrje nga mazhoranca aktuale?

  11. Qafir Arnaut Shkruaji mesazh privat thotë:

    27 Prill 2008 @ 12:35 am

    ou paske statistika ti aty ne maje te katunit te BE-ut? Apo vazhdon kendon si ‘gjeli i beut maje plehut’..

    sus aty!

    une e pranoj se keta vjedhin, por shume here me pak

  12. Lefti thotë:

    27 Prill 2008 @ 12:06 pm

    Bregdetar, krahasimet e mia ne lidhje me Sollakun ishin ne faktin se ikja e tij u quajt si tragjike nga Opozita Shqiptare, si nje uzurpim i Berishes, si nje dorevenie mbi organin e akuzes, si nje kthim ne ‘96 etj etj …

    Faktet tregojne se asnje nga ato spekullime nuk dolen te verteta (deri tani) : Prokuroren Ina Rama e emeroi Bamir Topi, jo Sali Berisha : njerezit po e kuptojne tani dita dites se Topi nuk eshte nen hyqmin e Sales, perderisa ka nje grup te konsiderueshem deputetesh qe e mbeshtesin …

    Ina Rama s’po merret me lufte shtrigash, siç druante opozita.

    Ina Rama s’po behet e nje-aneshme, as po influencohet nga politika per çeshtje politike, as po i zvarrit hetimet, as po i mbyll dosjet siç i KOPSISTE aq bukur Sollaku (sidomos per Angjelin dhe Tosken — 2 here ju çua dosja nga Olldashi, 2 here e mbylli Sollaku !)

    Deri tani kjo zonje po e realizon tamam detyren, dhe eshte si Nata me Diten me punen e Sollakut, si ne metoden e punes, dhe ne komunikim me mediat dhe politiken.

    Nese organi i akuzes eshte OK, lufta kunder korrupsionit behet reale dhe efikase.

  13. Pjer Thomas thotë:

    27 Prill 2008 @ 1:11 pm

    Lefti;….dhe eshte si Nata me Diten me punen e Sollakut, si ne metoden e punes, dhe ne komunikim me mediat dhe politiken….

    Do Zoti eshte keshtu, te shohim, uroj.

  14. Zonja nga Qyteti thotë:

    27 Prill 2008 @ 2:36 pm

    Aha ia gjetem dhe Gerdecit nje “koke turku”.. ooh çu rehatum tani..

  15. gene Shkruaji mesazh privat thotë:

    28 Prill 2008 @ 1:16 am

    …”Nderkohe qe Prokuroria e Pergjithshme, per te gjetur te dhenat per kundervajtje, shpresoj se nuk do te hase asnje nderhyrje politike te asnje lloji. Me tej shpresoj qe procedurat gjyqesore te jene rigoroze dhe qe cfaredo vendimesh qe mund te jepen nga gjykatat shqiptare, ato te jene ne perputhje me krimet, pavaresisht statusit apo lidhjeve politike te krimineleve“, - tha Uithers ne seminarin “Per teknikat e hetimit financiar”, aktivitet i perbashket midis Ambasades Amerikane dhe Prokurorise se Pergjithshme, ku merrte pjese edhe kryeprokurorja Ina Rama.

    Hetime te plota

    Ambasadori amerikan deklaroi gjithashtu se hetimet per zbardhjen e tragjedise se Gerdecit duhet te jene te plota dhe te paanshme dhe te mos frenohen, pavaresisht cdo emri te rendesishem qe mund te rezultoje i implikuar. “Sot, perpara drejtesise shqiptare ndodhet nje hetim shume i rendesishem mbi tragjedine e Gerdecit. Une dua te shpreh mbeshtetjen time te plote per nje hetim teresor, te gjithanshem dhe te paanshem per shperthimin e Gerdecit. Ky hetim duhet te arrije kudo ku cojne te dhenat, pavaresisht se ne c?drejtim apo se kush eshte i perfshire. Vetem kjo do te rivendose besimin publik ne institucionet shqiptare te drejtesise”, - tha Uithers.

    Inkurajim per Ina Ramen

    Gjate fjales se tij ne seminarin “Per teknikat e hetimit financiar”, ambasadori i SHBA-ve inkurajoi kryeprokuroren Ina Rama ne angazhimin e saj per te zbardhur te verteten e tragjedise se Gerdecit. Uithers tha gjithashtu se Rama do te kete mbeshtetjen e Shteteve te Bashkuara per te kryer me sukses hetimet dhe ketu iu referua 6 agjenteve te FBI-se, te cilet do te ndihmojne ne hetimet per Gerdecin. “Une besoj qe jemi te gjithe me shume fat qe kete hetim e drejton prokurorja e Pergjithshme Ina Rama. Zonja prokurore e Pergjithshme, une kam besim te plote ne udheheqjen dhe drejtimin tuaj per kete hetim. Ne pergjigje te kerkeses suaj, gjashte agjente te hetimit penal federal nga SHBA-te, agjencia “TF, te cilet jane specialiste ne hetimet per shperthimet, mberriten dje per te ndihmuar prokuroret dhe oficeret e policise te ekipit hetimor per Gerdecin”, - tha numri 1 i Ambasades Amerikane ne Tirane…

    http://www.gazeta-albania.net/news.php?id=3433

  16. gene Shkruaji mesazh privat thotë:

    28 Prill 2008 @ 1:25 am

    Po në datë 17. 02. 2007, Këshilli i Ministrave ka shqyrtuar dhe kthyer si të pa bazuar projekt-vendimin e KM të inicuar nga ish Ministri i Mbrojtjes z. Mediu “Për procedurën e çmontimit, çmilitarizimit dhe tjetërsimit të një sasie municionesh të Forcave të Armatosura (FA), të dala nga armatimi e përdorimi me shoqërinë amerikane SAC”, të sipër përmendur.

    Pse e ka kthyer me konkretisht? Mos ishte gje sekret shteteror edhe protokolli i kesaj mbledhjes?

  17. gene Shkruaji mesazh privat thotë:

    28 Prill 2008 @ 1:35 am

    Kur ministri te sjell nje projektvendim te paligjshem o krye.ar, nuk te shkon mendja ta marresh menjane e ta pyesesh ‘’si eshte puna o fatmir?”

    Jo per gje o krye.ar po per kete paguhesh!

    Po kur te thone se ka DICKA qe mund te plase “ANDEJ”, nuk di te besh 1 1

  18. Leon thotë:

    28 Prill 2008 @ 1:08 pm

    Sa eshte basti ne Tirane per nje aleance te Republikaneve dhe LSI-s???
    Kshu te ndodhe kur vesh kostume Armani, qe vijne era barut Gerdeci!!!

Burim RSS për komentet · TrackBack URI

Shkruaj një koment (login)


Peshku ruan të drejtën të fshijë ose zbehë komentin që po dërgoni, sidomos nëse:
1) komenti fyen autorin, komentuesit e tjerë apo persona publikë
2) komenti është jashtë teme
3) komenti është shumë i gjatë
Nuk kemi qejf të censurojmë askënd, por ama diskutimet në faqe duam t'i mbajmë civile dhe të sjellshme.