Login



Register

Financat shqiptaro-italiane, në një libër

Botimi ne Londer

Financat shqiptaro-italiane, në një libër

Nga Londra
Muhamed Veliu

Historia dhe marrëdhëniet financiare të Shqipërisë dhe Italisë gjatë periudhës së fashizmit, pas një kohe të gjatë studimore janë botuar në një libër nga një bankier italian. Autor i tij është dr. Alessandro Roselli, drejtor i Bankës Kombëtare Italiane për degën e Londrës. Libri “Shqipëria dhe Italia”, botuar nga “I.B. Tauris”, është promovuar në Parlamentin britanik. Ishte hera e dytë që ky tempull i demokracisë botërore hap dyert për të promovuar një vepër dedikuar Shqipërisë. Libri ekzaminon thellë dhe gjerë marrëdhëniet e turbulluara financiaro-ekonomike mes dy vendeve në shekullin XX, duke hedhur dritë rreth fashizmit italian dhe se çfarë fshihej pas investimeve italiane të kohës në vendin tonë. Kërkimet e Rosellit, të publikuara në libër, tregojnë strategjinë italiane kundrejt Shqipërisë, e cila kishte të bënte me penetrimin e saj, duke ndërhyrë maksimalisht në jetën politike.

Autori sjell edhe zhvillimet në anën tjetër të Adriatikut, kur në pushtet ishte Mbreti Zog. Sipas tij, politikat e Zogut ishin të vështira për të gjetur një balancë mes konfliktit të interesit dhe fuqive të huaja. “Të prezantuar si një trofe të fashizmit, politikat e jashtme dhe përvoja italiane me Shqipërinë në këtë periudhë mund të cilësohet si dështim i madh ekonomik”, shkruan Roselli. Libri është cilësuar si një kontribut i rëndësishëm për të njohur nga afër dhe më mirë historinë e të dyja vendet. Promovimi i këtij libri në ambientet e Parlamentit britanik u organizua nga klubi londinez i Lëvizjes “Mjaft”, në bashkëpunim me deputetin John Grogan nga grupi gjithëpartiak parlamentar Britani-Shqipëri dhe me shtëpinë botuese “I.B. Tauris”. “Jam i lumtur t‘ju uroj mirëseardhjen në këtë promovim libri, ku shikoj se krahas politikanëve kanë ardhur bankierë, avokatë, akademikë dhe dashamirës të librit”, tha ai. Ndërsa ambasadori i Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar, Kastriot Robo, u shpreh se “publikimi i këtij libri është një shërbim i mirë për të promovuar marrëdhëniet e ngushta mes Italisë dhe Shqipërisë. Punën e dr. Rosellit për të shkruar këtë libër do ta cilësoja si një punim artistik, pasi ai është shkruar nga një bankier, por mbi të gjitha, nga një mik i Shqipërisë”.

“Për ne si ‘Mjaft London Club‘, rëndësia e këtij aktiviteti nuk qëndron vetëm tek analiza historike që sjell libri, por edhe te promovimi real i çdo elementi historik, që ka të bëjë me Shqipërinë. Nuk ka vend më prestigjioz se ambientet e Parlamentit britanik, një ikonë e demokracisë për të promovuar Shqipërinë dhe çdo gjë që ka të bëjë me të. Për ne, ky ishte qëllimi kryesor i organizimit të këtij aktiviteti”, u shpreh Ralf Gjoni, drejtues i klubit londinez të kësaj lëvizjeje. Ndërsa Kastriot Frashëri, drejtor i Institutit të Çështjeve Kombëtare e cilësoi librin si një përpjekje serioze, jo vetëm për të njohur një realitet, por më shumë se anët e errëta të një periudhe tragjike, atë të regjimit të kaluar fashist. Pas promovimit të librit, duke folur për “Shqip”, dr. Roselli tregon se fillimisht këtë libër e ka botuar në vitin 1986 dhe se varianti i botuar në 2007-ën është një ripunim i librit të parë, duke i shtuar një kapitull të ri. “E kam rishkruar librin, duke i bashkangjitur atij historinë e floririt shqiptar të Bankës Kombëtare Shqiptare pas luftës. Është një histori e gjatë, që mori fund vetëm në vitin 1997. Kam bërë shumë kërkime në Londër për të kompletuar librin”, tregon autori i librit, duke folur me një anglishte tërësisht me theks italian.

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

Komentet janë mbyllur.

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.