Identifikohu



Regjistrohu

Fasule kokërmadhe

hell.jpg

Edison Ypi

Të gjithë fshatrat e Shqipërisë janë vende të shenjta ! Por ky është hata’ fare. Është, në të njëjtën kohë, edhe Xhami edhe Kishë, edhe minare edhe kumbanare, edhe altar edhe tyrbe, edhe kasolle edhe tempull, edhe i urtë edhe buçimtar. Ai fshat është një vend aq i mirë sa kush kërkon që gjynahet t’i falen, pa e zgjatur fare, duket patjetër të shkojë ta shohë.

Si gjith’ udhëtimet drejt vendeve të shenjta, edhe udhëtimi drejt atij fshati, ishte plot me dromca të shijshme. Dhe dromca më e madhe, kryedromca, ajo gjithëpërfshirësja apo mbarëkombëtarja, është një dhe e sigurt; Shqiptarët kurrsesi nuk preferojnë të qeverisen keq ! Ata duan, ose të qeverisen mirë, ose të mos qeverisen fare !

Tiranë - Korçë është një spektakël lëvizës vibrues aq mahnitës sa ta grin trurin.

Kafenetë anës rrugës janë plot me “Profesora”. Me ata mendimtarët lokalë që secili prej tyre ndryn brenda vetes një mijë herë më tepër idera se të tre bashkë; Rodeni, mendimtari i Rodenit, shkëmbi ku rri mendimtari i Rodenit. Janë ata shqiptarët që mbajnë mbi supe krejt hallet e globit. Mesoburra të ngrysur bukur, me sy të skuqur dyshues, pakëz pa rruar, veshja dosido, gota e rakisë përpara, ca copa të vogla mishi mbi një pjatë, ndonjë bisht qepe a hudhre të njomë, një kupac me gjizë a salcë kosi. Ata që flasin me zell të pa përmbajtur për gjithçka; Politikën, gjeopolitikën, diplomacinë, intrigat ndërkombëtare, ekonominë, krizat e monedhave, rrjedhat, tendencat, gjithçka - gjithçka. Njëri prej tyre, një përfaqësues i përsosur i këtij “profesorati”, fshatar denbabaden, duke theksuar se nuk e ka shpikur vet’ por e ka nga përvoja, thotë se, para të gjithash dhe mbi të gjitha, urren fshatarët ! S’ka më të poshtër ! thotë. Po të dhanë një litër vaj ulliri, ta dish mirë se mbi kurriz do t’i kesh gjith’ jetën. Dhe nis e numëron shembuj ! Tjetrin “Profesor” fort të squt, nja tridhjetë kilometra më tutje, kur e pyet se ç’punë bën, ta pret atypëraty; Merrem me trafiqe, kontrabanda, droga, prostituta.

Diku dikush me bishtin e fshesës rrotullon një hell mbi prush. Në hell shkuar një dash.

Mes Librazhdit dhe Quksit, rresht njëri pas tjetrit, disa auditorë në natyrë. Në njërin prej këtyre auditorëve universitarë ruralë shqiptarë, brenda një kioske të mbështjellë me celofana për të mos hyrë era, disa “Profesora” kokë më kokë. Thotë pronari; Të kam parë në Media ! Lëre median se më ka ardh në fyt - i them. Më skuq ca mëlçi, pak salc kosi, thekmë pak bukë, dhe sillmë një birrë. I Vë shpejt e shpejt mëlçitë mbi tigan, tiganin mbi gazaqe. Mirpo ndërkohë që mëlçitë skuqen dhe përgatit bukën dhe salcën, duke u rrotulluar me pahir nëpër ngushticën e kioskës, një t’i rënë me këmbë nga pas gazaqes. Përpjetë mëlçitë ! Pastaj të gjitha mbi trullin e zhveshur të kioskës. Obobo ç’bëra ! thotë ! Hiç gjë s’bëre - i them. Mblidhi mëlçitë se do t’i ha me gjith’ dhe’ se dhe Shqipërie është. Se dhe’ kam ngrënë në Diktaturë, dhe baltë po ha tani në Demokraci ! Qesh njëri nga profesorat. Qeshu “Profesor” qeshu se mishi ësht’ i yti dheu është i imi. Dhe i hëngra mëlçitë të tëra me gjith’ dhera. Për t’i kapërcyer më ndihmoi birra. Dhe ika.

Në rrëzë të Qafës së Thanës, pa pompa, vetëm me tuba, me ujin që del nga mali, dhjetëra fëmijë lajnë makina. Duke pritur makinat, për t’i joshur shoferat, tubat i fiksojnë poshtë në tokë në mënyrë të tillë që uji të dali me vrull lart, poetikisht; “Porsi malli i trimit që buçet përpjetë”. I pa parë në fytyrë të Dheut ky Panair Shurrash që rreh të lagi Qiellin. Po tjetri panair, ai; “Porsi malli i vashës që djeg më të fshehtë” ku është, ku bëhet, ku fshihet ?! Në Itali ?!

Anës Liqerit peshkatarët kanë nisur një modë të re; Dalin në mes të rrugës krahëhapur duke mbajtur ndër duar çengela dhe grepa nën të cilët varur përpëliten ngjala të gjalla ! Me në gojë grepa, ngjalat e gjalla përdridhen si femra të pabesa.

Nga Lini në Korçë ka shumë biçikleta. Biçikletave u vënë mbi timon pasqyrëza që shohin nga pas ! Pse ?! Si pse ?! Sepse nuk duan tu iki pa parë asnjë nga mrekullirat.

Vila të reja pafund ! Disa nga vilat të lënë pa mënt. Ç’ne ky kulm nordik mbi këtë verandë ekuatoriale ?! Ç’jan’ kto dritare kullash epesh legjendare mbi kto mure moderne ?! Po kjo avlli’ me mur aq të lartë sa fsheh gjysmën e vilës ?!

Pak kilometra në dalje të Korçës drejt Bilishtit, atje ku në të djathtë rrëzë malit ke fshatin Plasë, në të majtë drejt fushës kthen një rrugë e asfaltuar. S’ka absolutisht asnjë rëndësi nëse të duket e pabesueshme; Sapo e shkel atë rrugë kur sapo ke hyrë në atë kthesë, thith një ajër tjetër, merr frymë ndryshe ! Ësht’ thjesht’ fakt dhe pik’ ! As dy kilometra pas kthesës, ndodhet ajo, ajo Tyrbja, ai Altari, fshati Kreshpanj.

Një këtu një aty, banorët, se nëpunësat, shefat, funksionarët, ata s’i pyes kurrë, se ata gënjejnë, ja ç’më thanë për…faltoren;

Shtëpi 68. Banorë 320. Traktora bujqësorë 1 në 2 shtëpi. Rreth 50 autovetura. Motoçikleta dhe biçikleta pa numërim.

- Sa tokë ka ky fshat ?

- 840 hektarë. Por fshati merr edhe 600 hektarë të tjerë me qira nga fshatrat përreth. Ua marrim kryesisht “brunëve” prej të cilëve ne në fshat nuk kemi asnjë. Por jo vetëm atyre. Edhe “brunëve të bardhë”, dembelave dua të them, prej të cilëve në fshat gjithashtu nuk kemi asnjë.

- Si ia dilni t’i kultivoni gjith’ këto sipërfaqe ?!

- Ka përparuar kapitalizmi këtej nga ne. Për të punuar tokat marrim krahë pune me qira. Në fshat kemi gjithsej 120 krahë pune. 180 të tjerë i marrim me qira.

- Po mir’ mo, a s’më thua, çfarë mbillni në tërë këto toka ?!

- Fasule !

- !!!!!!!

- Fasule të thashë ! Fasule kokërrmadhe. Prodhojmë 250 ton fasule kokërrmadhe në vit. Se, që thua ti, fshati ynë është vendi më i mirë në tërë botën ku fasulja kokërrmadhe bëhet më e shijshme, më e madhe, më e bukur, më e pastër, më e shëndetshme se kudo tjetër. Nuk di si ta spjegoj. Besoj klima në përgjithësi, erërat, temperaturat, ujërat, kripërat, janë që e favorizojnë. Një fshat më tutje, edhe atje bëhet fasulja, por jo si këtu. Nejse, këto i spjegojnë profesorat…

- Cilët mo ?! ?! Ah po, mu kujtua diçka, më fal që të ndala, vazhdo-vazhdo.

- …Në nuk merremi me spjegime. Me spjegime merren profesorat. Ne punojmë. Fasulen kokërrmadhe e shesim të gjithën jashtë. Vjen vet’ greku e merr. Çmimin e vendos shoqata.

- Cila shoqatë ?!

- Shoqata e Fasules Kokërrmadhe.

- Ç’thua more ?!

- Po pra. Ore di Shqip ti ?! Shoqatën e kemi themeluar ne. Gjith’ fshati janë anëtarë të shoqatës.

- Ka zyrë shoqata ?

- Jo, nuk kemi zyrë. Kemi bord drejtues me 7 anëtarë. Nuk na duhet zyra. Bordi mblidhet dhe vendos më këmbë në arë. E kemi regjistruar shoqatën dhe aq. Madje nuk kemi as vulë. E pse na duhet vula ?! Që të na humbi dhe të na qeshin vulëhumbur pastaj ?! Ne vetëm punojmë o babam. Nga 12 në 80 vjeç këtu punojnë të gjithë. Ja, siç e sheh, në fshat nuk kemi fare gjëra qefi, kafenera, bilardora e të tjera. Qefi ynë më i madh është puna. Dhe fitojmë. E di sa ?! Nga 10 deri në 25 në vit për familje. E di çfarë ?! Mijë dollarë. Po punojmë shumë ama. Dhe, që ta lash llafnë në mes, greku e përpunon fasulen tonë kokërrmadhe. E zjen dhe e mbyll në kanaçe llamarine. Pastaj e shet në gjithë botën. Në Gjermani kryesisht. Ato fasulet me kanaçe që i kullufisin një në tre vakte ata emigrantët tanë të babëzitur lart e posht nëpër botë, megjithse ata nuk e dinë, fasulet e Kreshpanjit janë. Edhe diçka. E di sa mall eksporton në një vit ky fshati ynë ?! 1 milionë dollarë mall në vit ! Domethënë më tepër se Librazhdi po e po, por më duket më tepër edhe se Elbasani ! Fshati ynë është i vogël, por fasulen e bën të madhe. Ju andej nga Tirana keni të mëdha pordhët e fasuleve tona. Ne këtej të mëdha kemi fasulet e pordhëve tuaja. Hajt ta ndërtojmë kapitalizmin së bashku; Ne me fasule, ju me pordhë.

Kthehem.

Plasa s’pipëtin. Ka hequr dorë, është penduar, nuk loz më “Yç me Tre”. E ka bërë me turp Kreshpanji i fasuleve Plasën e Yç-it.

Natë. Kioskat mbyllur. Profesorat flenë. Në ëndrra shohin Shqipëri me në krye trima. Kur të zgjohen do shohin se nuk janë, as krye, as trima, as burra, por kurva.

Panorama

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

23 Komente »

  1. Koth thotë:

    16 Prill 2008 @ 11:34 am

    E mer Yp Ja keshtu je me i kapshem e me i amel !

    …Kur të zgjohen do shohin se nuk janë, as krye, as trima, as burra, por kurva…

    Hallall !

  2. GerrQIa thotë:

    16 Prill 2008 @ 11:43 am

    Ti ka kthjellu jeta rurale trute mer Yp, edhe ajri i paster e i fresket, edhe melcite ne bark.
    Ja kesaj i them une “shif e shkruj”
    M’shijoi !

  3. Koth thotë:

    16 Prill 2008 @ 11:58 am

    HE se harrova !

    Ore Edison ke vajt deri Kreshpan dhe nuk e mesove qi i thone fasule pllaqi more !?!

  4. Anonim thotë:

    16 Prill 2008 @ 12:07 pm

    shume argetues. bukur.

    Aman se ai vendi yne plot me profesora eshte. Edhe interneti.

  5. Perparim Hysi thotë:

    16 Prill 2008 @ 12:33 pm

    Nje shkrim i bukur,i goditur dhe,ndoshta-ndoshta,nje nga prurjet me me buke.Merite ka “dollibashi”(aliaz z.Ypi!),por edhe”nuni”qe e solli tek “peshku pa uje”.

  6. emigrant Shkruaji mesazh privat thotë:

    16 Prill 2008 @ 12:42 pm

    E mer Koth, a te pata thene?

    Kafenetë anës rrugës janë plot me “Profesora”… Janë ata shqiptarët që mbajnë mbi supe krejt hallet e globit. Mesoburra të ngrysur bukur, me sy të skuqur dyshues, pakëz pa rruar, veshja dosido, gota e rakisë përpara, ca copa të vogla mishi mbi një pjatë, ndonjë bisht qepe a hudhre të njomë, një kupac me gjizë a salcë kosi. Ata që flasin me zell të pa përmbajtur për gjithçka; Politikën, gjeopolitikën, diplomacinë, intrigat ndërkombëtare, ekonominë, krizat e monedhave, rrjedhat, tendencat, gjithçka - gjithçka.

    eh, c’na gjeti thuj… ;) :D :D :P

  7. anonim thotë:

    16 Prill 2008 @ 12:49 pm

    e mer emigrant, rroft demokracia thuj, se llogaritar ne nonji KTL do ishim e s’do na binte n’men me shkrujt as proz as poezi e jo me pas me bo politik,gjeopolitikan,diplomat, etj, etj,…. :D

  8. t_red Shkruaji mesazh privat thotë:

    16 Prill 2008 @ 12:52 pm

    “…Duke pritur makinat, për t’i joshur shoferat, tubat i fiksojnë poshtë në tokë në mënyrë të tillë që uji të dali me vrull lart, poetikisht; “Porsi malli i trimit që buçet përpjetë”. I pa parë në fytyrë të Dheut ky Panair Shurrash që rreh të lagi Qiellin. Po tjetri panair, ai; “Porsi malli i vashës që djeg më të fshehtë” ku është, ku bëhet, ku fshihet ?! Në Itali ?!”

    Pervers dhe pike! D.m.th. me pervers eshte mendimi sesa fakti! S’duroi nje here Ypi pa na kujtuar ku i pikon catia.

    Me mire te kishte shkruar vetem paragrafin e fundit. Do kishte kyrsyer te korrat!

  9. ados thotë:

    16 Prill 2008 @ 1:11 pm

    ju leshoni pordhat nga fasulet tona, ne bejme fasule per pordhet tuaja.. E forte kjo :)

  10. Koth thotë:

    16 Prill 2008 @ 1:13 pm

    Po mer Cim !

    Se vallai kur e mberthe ka i cik patetizmi te ben mo e lexosh ma . Funja funja, ky eshte stili i vertete :
    Hajt ta ndërtojmë kapitalizmin së bashku; Ne me fasule, ju me pordhë.

    Vallai mire e ka !

  11. anonymus thotë:

    16 Prill 2008 @ 2:20 pm

    Aaahhhh!
    Me kenaqi Ypi! :)
    Kur shkruan keshtu shtruar dhe thjeshte pa mroklla mllefi, eshte flori fare. E lexoj me nje fryme!
    Porsi malli i trimit qe bucet perpjete?! :):)
    I nolte, i nolte eshte!
    Nje pyetje kam une megjithate! Eshte “mall” si ne “me merr malli”, apo “mall” si “gje”?
    Figura punon ne te dyja rastet, gjithsesi! Usta eshte, kur do, ky Ypi! :)

  12. Idris thotë:

    16 Prill 2008 @ 4:13 pm

    Koth!
    Pllaqi i thone atje ku i exportojne :) :) :).
    Edhe Ypi e di kete …po kesaj rradhe i ka lon presht nga mrapa……ka bere nje udhetim FANTASTIK LETRAR me “kembe ne toke” .Per te miren e
    tij por ndoshta me shume per te miren TONE ai hera heres vendos TE MOS LAJTHISE . Keshtu ai mbetet i YNI!!!!!! Si ne kete rast.
    Ypi u kthye!

  13. Amazona Shkruaji mesazh privat thotë:

    16 Prill 2008 @ 5:21 pm

    Anës Liqerit peshkatarët kanë nisur një modë të re; Dalin në mes të rrugës krahëhapur duke mbajtur ndër duar çengela dhe grepa nën të cilët varur përpëliten ngjala të gjalla ! Me në gojë grepa, ngjalat e gjalla përdridhen si femra të pabesa.

    Bukur!

  14. lulian kodra thotë:

    16 Prill 2008 @ 6:06 pm

    T Red, me duket se nuk i pikon dhe aq shume Ypit catia vete se sa ty catia Ypit. Pse te djeg ty me xhane, tha. Mua ajo mu duk nje nga pjeset me te bukura. Di kush ku eshte vazhdimi i atyre vargjeve?

  15. gre_wireless Shkruaji mesazh privat thotë:

    16 Prill 2008 @ 8:35 pm

    as Ypi nuk e ka idene se per cfare eshte ky shkrim dhe cfare ka dashur te thoshte autori. Ja ka fut kot te dale ku te dale, po nuk doli gje duket si filozofik ::)))

    psh… kjo fjalia : “Ata duan, ose të qeverisen mirë, ose të mos qeverisen fare !“, per mua eshte shume e thelle. Dmth eshte e thelle si fjali dhe mund t’ia vleje ta lexosh po jo se kishte lidhje me shkrimin ::))

    pastaj kete te fundit e kishte me te futme me duket: “Hajt ta ndërtojmë kapitalizmin së bashku; Ne me fasule, ju me pordhë.” … me duket se e kishte per ata “profesorat” qe shkruajne nga Tirana (po te perdorim terminoligjine e shkrimit).

  16. anonymus thotë:

    16 Prill 2008 @ 10:16 pm

    gre…
    E di Ypi qe c’ke me te se c’thote! :)
    Kjo puna e pordhes se madhe dhe punes se vogel me kete ane dhe fasules se madhe (punes) pa pordhe fare eshte esenca e ketij shkrimi o ‘lla :) Lechite, lechite dhe nje here tjeterze.:)
    Fshati ynë është i vogël, por fasulen e bën të madhe. Ju andej nga Tirana keni të mëdha pordhët e fasuleve tona. Ne këtej të mëdha kemi fasulet e pordhëve tuaja. Hajt ta ndërtojmë kapitalizmin së bashku; Ne me fasule, ju me pordhë.

  17. Zana Shkruaji mesazh privat thotë:

    16 Prill 2008 @ 10:36 pm

    Mbasi ka eksperimentuar media e pak sa politike(sa me u cik)me duket se kjo eshte lloji a gjinia qe i shkon me per shtat Ypit.Udhetime ,pershtypje ,çudira.Nuk eshte e para here qe prek temen e punes e adhurimin per njerezit jo profesore.Sereno e shume bukur.

  18. Asterion thotë:

    17 Prill 2008 @ 2:04 am

    Si edhe herë të tjera, autori i afrohet rekordit të vet në përdorimin e pikëçuditëses: plot 46 herë, në një shkrim prej rreth 1460 fjalësh, çka ia siguron praktikisht një vend në historinë formale të stileve letrare të shqipes. Një risi e shkrimit është edhe shenja e kombinuar ?!, e cila rezulton e përdorur 19 herë. Ndoshta ka ardhur koha për reforma rrënjësore të rregullave të pikësimit të shqipes, për t’i shpëtuar tekstet nga ky inflacion, tha.

  19. emigrant Shkruaji mesazh privat thotë:

    17 Prill 2008 @ 3:07 am

    Ajo zgjidhja e ketij tipit ne foto (by the way, foton e gjej madheshtore) eshte si shpikje Edisoni. Kam marre pjese nje here ne nje pjekie mishi ne hell, dhe u pervelum ngaqe helli qelloi i shkurter (ose dashi ishte i gjate ;) ).

    Kembekryq ne nje selishte,
    ja marr kenges pleqerishte…

    Blend, ti e solle ket foto?

    Ky nuk duket si tip “profesori”, anyway… :D

  20. Peshku Fluturues thotë:

    17 Prill 2008 @ 3:20 am

    “helli qelloi i shkurter (ose dashi ishte i gjate ”

    Emigrant. Me 10 gazit dhe meriton vleresimin 1

  21. gre_wireless Shkruaji mesazh privat thotë:

    17 Prill 2008 @ 3:54 am

    anonymus,

    ta them une e ka me te futme punen e pordhes ::)) mund te te duket si interesante, po thjesht se i le gjerat ne ajer dhe i fut ca pikecuditese ne fund ::))

    deri tek fundi me “profesore” ironizon ata qe ulen ne kafenera gjate rruges (jashte Tiranes) dhe ben dallimin me keta qe punojne dhe kane marre toke dhe njerez edhe nga fshatrat e tjera te punojne. Deri ketu ne rregull (megjithese ai paragrafi per bicikletat ishte pa lidhje), pastaj ne fund fare thote qe ne Tirane njerezit jane me pordhe, jane profesora dhe nuk jane trima, por kurva…. (anonymus me bera ta lexoj dy here dhe kaq kapa ::)))

    megjithate, ky hyn tek shkrimet e lexueshme te Ypit. (per mua shkrimet e Ypit jane borderline “acarim nervash”). me pak pune shkrimi mund te rregullohet, po Ypi nuk ka ate qellim keshtu qe e leme fare…

  22. Pjer Thomas thotë:

    17 Prill 2008 @ 7:16 pm

    :-) Shprehjet e popullit jane te forta, te frymezojne :-)

  23. Eni thotë:

    18 Prill 2008 @ 12:49 pm

    Shkrime te ketij niveli mund te beje edhe ai fshatari qe autori i referohet ne kete artikull!! (me falni, por nuk di sa ta emertoj kete stil letrar. Mbase nuk e kam inteligjencen e duhur)

Burim RSS për komentet · TrackBack URI

Shkruaj një koment (login)


Peshku ruan të drejtën të fshijë ose zbehë komentin që po dërgoni, sidomos nëse:
1) komenti fyen autorin, komentuesit e tjerë apo persona publikë
2) komenti është jashtë teme
3) komenti është shumë i gjatë
Nuk kemi qejf të censurojmë askënd, por ama diskutimet në faqe duam t'i mbajmë civile dhe të sjellshme.