Vetëm anëtarët e regjistruar mund të komentojnë
Ndryshimi kryesor i versionit të ri të Peshkut është ky: komentimi në shkrimet e Peshkut do të kufizohet vetëm për anëtarët e regjistruar. Në muajt e fundit është rritur goxha sasia e komenteve tek Peshku, ama janë rritur dhe sherret, zënkat e abuzimet. Si rezultat, kemi vendosur të mos lejojmë më komente nga përdorues të paregjistruar.
Procesi i regjistrimit është i shpejtë dhe krejtësisht pa komplikime. Ju kërkojmë vetëm që të vërtetoni adresën tuaj email dhe të zgjidhni një emër. Klikoni këtu për të vajtur tek faqja e regjistrimit.
Shënim: Përdoruesit e regjistruar tek versioni i vjetër i Peshkut do të duhet të regjistrohen përsëri.
Ndiq temat që të interesojnë ty
Sistemi i ri i Peshkut është më i sofistikuar se ai i vjetri dhe një nga të mirat kryesore është se ju lejon të ndiqni me lehtësi temat që ju interesojnë ju. Çdo shkrim ka një buton të vogël që ju fton ta shtoni atë shkrim tek një listë tuajën që mund të kontrolloni më vonë.
Gjithashtu, për autorët, sistemi i ri ofron një mënyrë të thjeshtë për të ndjekur diskutimet në shkrimet që kanë postuar. Në faqen e profilit të secilit përdorues kemi vendosur një kutizë ku mund të shikoni aktivitetin e fundit në postimet e atij autori (përfshi dhe veten tuaj).
Vlerëso çdo shkrim me votën tënde
Një tjetër risi është votimi me yje për çdo shkrim të postuar tek Peshku. Në faqe të parë, postohen automatikisht shkrimet më të vlerësuara, dhe përbri shkrimet më të komentuara. Kështu, mendojmë se do të kemi një pamje më të qartë të shkrimeve më të mira të kohës.
Ndihmo në mirëmbajtjen e Peshkut
Përveç vlerësimit të shkrimeve, tani mund të na ndihmoni dhe në mirëmbajtjen e faqes, duke sinjalizuar komente të papërshtatshme. Sistemi i ri ju lejon ta bëni këtë dhe gjithashtu lejon komunikim të gjerë mes admnistratorëve dhe komentuesve për çështje të tilla. Ju ftojmë të na ndihmoni sa më shumë në mbajtjen e një ambienti të pëlqyeshëm në faqe.
Blogosfera, e përditësuar automatikisht
Një nga risitë më interesante të faqes së re, është importimi automatik i shkrimeve nga blogje të tjera. Kështu, arqipelagu i Peshkut është më i plotë dhe lehtëson shumë-zëshmërinë e faqes.
Të tjera
Ka dhe disa të reja të tjera që kanë të bëjnë me detajet. Këto po jua lëmë t'i zbuloni vetë.
Arkivi i Peshkut nuk do të vdesë
Arkivi i Peshkut nga fillimi deri tani, nuk do të importohet tek versioni i ri. Por, do të mbetet në rrjet dhe ne kemi bërë gati një faqe ku mund t'a kërkoni me detaj. Shikojeni tek adresa arkivi.peshkupauje.com
Ky nuk është fundi
Versioni i ri i Peshkut është në fakt fillimi i një faqeje të re që është më shumë komunitet se ç'ishte Peshku deri tani. Kemi në plan të shtojmë disa mirësi të tjera, por që do t'i bëjmë ngadalë ngadalë, me etapa. Kryesisht, shtesat do të kenë të bëjnë me mbështetjen dhe rritjen e komunitetit të faqes. Për këto, më shumë do ju themi më vonë, pasi të jetë stabilizuar pak ky version i ri.