Dilema e identitetit kosovar
Abit Hoxha
telegrafi.com
Ditëve te fundit jemi dëshmitar i shumë debateve rreth identitetit kombëtar në Kosovë apo si po thuhet në media- identitetit kosovar. Ka shumë për tu hulumtuar dhe shkruar në këtë temë por paraprakisht duhet ditur disa parime bazë të cilat duhet të na shërbejnë neve që shkruajmë për këto fenomene nëpër mediat kosovare.
Duhet ditur se identiteti kosovar si identitet kombëtar nuk ekziston përderisa nuk ka komb kosovar. Kjo vjen sepse nuk mund të ketë identitet kombëtar pa patur komb.
Edhe pse ‘kosovarët’ kanë qëllime politike të njëjta si bashkësi, nuk ka komb kosovar sepse nuk ka diçka të veçantë që e bën të veçantë ‘kosovarin kombëtar’. Abetarja është pothuajse e njëjta në të gjitha trojet shqiptare dhe socializimi i individëve bëhet si në Tiranë, Prishtinë, Shkup apo vende tjera.
Historia është një ndër elementet më të rëndësishme të krijimit të identiteteve. E pikërisht është historian në rastin e identitetit kombëtar shqiptar që e mbanë identitetin unik.
Si kosovari apo tetovari, ashtu edhe malësori apo sarandjoti, mësojnë për Skënderbeun, Nënë Terezën, Naimin etj. Historia është e dyta në radhë për nga rëndësia e krijimit të identitetit kombëtar pas etnisë.
Gjeneza etnike e shqiptarëve është e njëjtë. Ose të paktën në kujtesën kolektive të gjithë kanë prejardhje nga fiset e njëjta regjionale. Etnia është bërthama kryesore e identitetit kombëtar shqiptar.
Gjuha gjithashtu përbën faktorin po aq të rëndësishëm sa edhe historia edhe gjeneza. Formula e Pagëzimit ka qenë si dokumenti i parë i shkruar në shqip si për myslimanët edhe krishterët shqiptar dhe është pjesë e identitetit kombëtar historik.
Gjuha mediale moderne është e njëjta sikurse në Tiranë, Prishtinë, Shkup dhe vende tjera. Prandaj ka vetëm një gjuhë shqipe standarde dhe kemi zhargone regjionale si çdo kund nëpër botë.
Vetë fakti i interesimit të zhvillimeve politike, ekonomike dhe shoqërore në Shqipëri dhe Kosovë nga palët e njëjta, tregon unitetin në identitetin kombëtar. Si mundet që një vëlla të jetë Shqiptar e tjetri Kosovar? Kjo është çështje deklarative por edhe si të tjerët të shohin.
Edhe pse koha moderne e shteteve kombëtare po mbaron dhe një kohë e integrimeve ndërkombëtare po fillon identiteti kombëtar nuk mund të krijohet në rrethana të tilla. Ndikimi i globalizmit dhe çështjeve tej-kombëtare janë të pashmangshme në krijimin e një identitetit të ri kombëtar, prandaj është pothuajse e pamundur.
Shpesh harrojmë se çka mësojnë nxënësit në klasën e parë fillore dhe cilat janë elementet e socializimit të tyre me jetën shoqërore në Kosovë, Shqipëri apo vende tjera. Janë figurat kombëtare shqiptare që mësohen si ndeshjet e para me çështjet nacionale në jetën e fëmijëve. Parimet bazë për identitetin kombëtar dhe përgjigja më e mirë ekziston në librat e klasës së parë.

9 April 2008 @ 9:31 pm
Bravo Abit-
Shqiptari eshte vellau i hebreut ne tradicionin e ekzistences… E quajne si te duan ai/ajo mbetet ind gjenetik, kulturor dhe civilizues me besim ne Zotin dhe vetveten perkunder tentimeve dhe shterngesave te cilat vetem sa e perforecojne identitetin e tij/saj dhe e perjetesojne ate duke bere Shqiperine natyrale toke te shenjte dhe shqiptarine forcen e vetme te ciles ai/ajo i perkulet paralel me drejtesine dhe fuqine hyjnore te Zotit.
10 April 2008 @ 11:25 am
Delirium, komplet.
10 April 2008 @ 5:09 pm
Pse te duket kjo delirium ty? Mua me ngjan me shume ne fakt i mbeshtetur nga zhvillimet historike…