Dializa, gjak në tuba të skaduar
Gazeta Shqip
Kërkohet ngritja e një reparti të dializës në Fier. Të sëmurët, peticion ministrit të Shëndetësisë
Dializa, gjak në tuba të skaduar
Isuf Ferko: Infermierët më thanë se nuk ka mjete të tjera
Të gjithë të sëmurët me veshka në Fier, Lushnjë, Mallakastër, të cilët duhet t‘i nënshtrohen mjekimit të quajtur dializë, i drejtohen kryeqytetit për një ndërhyrje të tillë mjekësore. Edhe pse është vendosur që për të sëmurët me veshka, që kryejnë ndërhyrjen e dializës, të përdoret si transportues për ta një automjet tip furgon, pacientët e Fierit jo vetëm që e kanë braktisur atë, por deklarojnë se “kjo është një formë që shteti përdor për të na eliminuar”. Nga ana tjetër, një nga pacientët denoncon tubat e skaduar dhe recetat false. Isuf Ferko është 60 vjeç dhe prej dy vjetësh vuan prej sëmundjes së Glomerul Nefrit. Përveç kësaj, ai thotë se i jepet gjaku përmes tubave të skaduar. “Afati i tyre ka një muaj që ka ikur dhe kur pyeta infermieret lidhur me këtë që zbulova, më thanë se nuk ka të tjerë, gëzoju faktin që babai po bën dializën”, thotë i biri i Isufit.
Për sa i përket transportit, që është një shqetësim për gjithë të sëmurët, ata shprehen se i kanë bërë një kërkesë ministrit të Shëndetësisë, ku kërkojnë të marrin trajtim në qytetin e tyre. “Ne kemi kërkuar që zona e Qarkut të Fierit të ketë ambient të tillë ku të mund të kryhet dializa”, thonë pacientët. Në Tiranë është e pamundur të vesh apo dhe të vish me furgon, pasi pas dializës ne jemi pothuaj të vdekur dhe nuk mund të përballojmë këto kilometra të tërë rruge”, tha për “Shqip” Adivie Ymeri, një paciente nga fshati Kashisht i Komunës Frakull të Fierit. Drejtori i spitalit të Fierit bën të ditur se mungojnë ambiente e përshtatshme për ndërtimin e një reparti për kryerjen e dializës. Sipas tij, të gjitha kushtet e tjera Fieri është gati t‘i përmbushë.
Sipas statistikave të dala nga drejtoria e spitalit të Qarkut Fier, del se 100 të sëmurë me veshka, për disa herë në javë i drejtohen spitalit Nr.1 te reparti i sëmundjeve të brendshme në Tiranë. Ndërsa vetëm Fieri ka afro 20 të tillë, ai i Lushnjës mban vendin e parë me të sëmurë me veshka dhe në vend të tretë janë periferitë e Mallakastrës, që dërgojnë drejt Tiranës afro 17 të sëmurë.

Komentet janë mbyllur.
Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.