Kush po e fiton garën e ethshme për të tërhequr sa më shumë para nga reklamat, në një kohë që bizneset reklamuese po ndiejnë tkurrje të aktivitetit për shkak të krizës? Si u nda torta në vitin 2010 mes televizioneve, gazetave, radiove, outdoor-it dhe internetit? Cilët janë reklamuesit më të mëdhenj në vend?

 

Një spot 30 sekonda në ndërprerjen e katërt publicitare të “Dancing With the Stars”, programit më të ri të “Vizion Plus”, që pritet të fillojë së shpejti, kushton 234,000 lekë (rreth 1670 euro)[1], sipas ofertës zyrtare. Ky është spoti më i shtrenjtë në vlerë, aktualisht në tregun televiziv. Në “Big Brother”, formati i suksesshëm televiziv që po transmetohet aktualisht në “Top Channel”, një ndërprerje publicitare po 30 sekonda është 225,000 lekë (1607 euro). Çmimet e këtyre dy shfaqjeve nga realiteti që po “hahen” kokë më kokë për koston e reklamimit janë disa herë më të shtrenjta në krahasim me disa vite më parë. Televizionet po guxojnë të konkurrojnë me çmime të larta, në një kohë që biznesi mendohet mirë përpara se të shpenzojë për publicitet, teksa të ardhurat dhe fitimet i janë tkurrur si rrjedhojë e krizës globale ekonomike.

Në fund të fundit, televizionet kanë investuar ndjeshëm për cilësinë e programeve të tyre, me blerjen e formateve të suksesshme televizive, duke arritur t’i imponojnë tregut çmime më të larta, edhe pse kjo do të thotë shpesh tërheqje të reklamuesve. “‘Big Brother’ ka një audiencë të paimagjinueshme”, pohojnë burime nga “Top Channel”. “Pas audiencës së lartë të arritur në edicionin e parë të ‘Dancing With the Stars’, presim që edhe sezoni i dytë të ketë vëmendje të madhe”, pohon Ana Kekezi, drejtoreshë marketingu pranë “Vizion Plus”, duke shtuar se shfaqjet nga realiteti po tërheqin interesin më të lartë për momentin, ndërsa vëmendja për emisionet politike ka rënë.

Në fakt, televizionet kryesore në vend (“Top Channel”, “Klan”, “Vizion Plus”) kanë arritur t’i rezistojnë rënies së të ardhurave nga reklamat, ndërsa gazetat kanë ndier më shumë shkurtimet e buxheteve të kompanive. Reklamimet outdoor kanë shënuar rritje, me bizneset që po e perceptojnë atë si një mjet me kosto më të lirë reklamimi për audiencën që kap. Por, ai që po kalon në një fazë të vërtetë lulëzimi është interneti...

 

Tregu i publicitetit në total, rreth 55 milionë euro

 

Matjet e sakta mungojnë, por “Monitor”, pas informacioneve të shumta që mblodhi nga agjencitë publicitare, televizionet (xhirot e deklaruara prej tyre), të dhënat për monitorimet e televizioneve nga “McMonitoring”, gazetat kryesore dhe kompanitë më të mëdha reklamuese, ka arritur të bëjë një vlerësim të tregut të publicitetit në vend dhe ndarjes të tij sipas llojit të mediave. Tregu në total vlerësohet të jetë rreth 55 milionë euro, ku rreth 65% e kësaj shume shkon për televizionet, më pas renditen reklamimet outdoor, me rreth 20-23% të totalit, të ndjekura nga radiot e media e shtypur, me përkatësisht rreth 5 dhe 5-7% dhe interneti që zë një peshë të vogël prej 1%, por që ka shënuar rritje të shpejtë.

 

Televizionet arrijnë të shmangin rënien

 

Buxheti i parë, që kompanitë tentojnë të shkurtojnë në kohë krize ekonomike, është ai i marketingut dhe i publicitetit. Televizionet rezulton se kanë arritur t’i rezistojnë kësaj tendence, duke u mbrojtur në njëfarë mase dhe nga rritja e tarifave të publicitetit. Sipas të dhënave nga agjencia monitoruese “McMonitoring” (shiko nënndarjen në faqet në vijim) megjithëse, krahasimisht me vitin 2009, koha reklamuese e kanaleve televizive në tërësi në vend është zvogëluar me 9%, vlerësohet se të ardhurat janë rritur me rreth 18%, si rezultat i aplikimit të tarifave më të larta.

Sipas të dhënave nga “McMonitoring” (shiko nënndarjen në faqet në vijim), tregu i televizioneve, i llogaritur nga monitorimi i numrit të spoteve televizive shumëzuar me tarifat zyrtare, që ofrojnë televizionet, arrin në 80 milionë euro. Aktorët e tregut pohojnë se realisht shuma është më e vogël, për shkak të skontove të mëdha që aplikojnë televizionet (që janë të konsiderueshme sidomos nga “TV Klan” e më pas “Vizion Plus”, ndërsa “Top Channel” u qëndron më besnike tarifave zyrtare). Në tërësi skontot nga tarifat zyrtare luhaten në 30-50%, ka raste edhe më shumë. Matja reale e tregut vështirësohet edhe për shkak të marrëdhënieve të këmbimit barter që ekzistojnë mes televizioneve e bizneseve, apo produkteve e shërbimeve që reklamohen nga kompani brenda të njëjtit grup (si p.sh. “Digitalb” e “Supersport” me “Top Channel” e televizione të tjera ku ka marrëveshje këmbimi, apo produktet që marketohen nga pronarët e televizioneve, si në rastin e “Ora News”, me produktet e “Yldon”, apo “Koha TV”).

Aktorët e tregut pohojnë se të ardhurat e televizioneve nga publiciteti realisht llogariten në rreth 35 milionë euro, ku rreth 30 milionë euro është xhiro e tre televizioneve kryesore “Top Channel”, “Tv Klan” dhe “Vizion Plus” (pjesa më e madhe shkon për “Top Channel” dhe “Klan”) dhe shuma e mbetur ndahet mes televizioneve të tjera të vogla, kryesisht TVSH, “News 24” dhe “Ora News”, me dy televizionet e lajmeve që vlerësohet të kenë ecuri të mirë porsa i përket të ardhurave nga publiciteti.

Aktorët e televizioneve kryesore pohojnë se kriza ka çuar në një administrim më të mirë nga ana e kompanive të shpenzimeve për publicitet, duke bërë që kostoja për një mijë vetë (kosto që të kushton për të arritur një mijë vetë) të ketë qenë më e mira e mundshme. Teksa reklamuesit janë përpjekur të bëjnë një shpërndarje më të mirë të buxhetit, aktorët e tregut pohojnë se ka pasur një largim të tyre nga televizionet e vogla.

Sipas të dhënave nga “McMonitoring”, gati gjysma e shpenzimeve totale për reklamë në televizion gjatë vitit 2010, është transmetim reklamash në fushën e telekomunikacionit, pijeve, shërbimeve publike (telefoni fikse, interneti, universiteti) dhe bankave (shih në vijim raportin e plotë të “McMonitoring”).

 

Treg i vogël mesazhesh

 

Televizionet përpiqen të nxisin dërgimin e mesazheve nga individët për zgjedhjen e këngëtarit apo këngës së preferuar në gara të ndryshme muzikore, banorit që duhet të qëndrojë apo largohet nga shtëpia e “Big Brother”, personazhit publik që duhet të vazhdojë garën e vallëzimit, mesazhe për të shfaqur preferencën për argumentet në diskutim në “E Diela Shqiptare” e kështu me radhë. Por burimet nga televizionet pohojnë se ky është një treg mjaft i vogël, për shkak se SMS-të janë të shtrenjta, duke bërë të hezitojnë edhe teleshikuesit më të vëmendshëm.

 

Edhe dy televizione të reja

 

Përqendrimi i tregut të publicitetit në televizione dhe tarifat relativisht të larta të reklamimit po tërheqin interesin për zhvillimin e televizioneve të tjera të tipit gjeneralist. Alsat, një televizion fillimisht i konceptuar rajonal dhe i përqendruar në dhënien e lajmeve tashmë ka ndërruar tërësisht emrin dhe formatin. I shndërruar në AS (Albanian Screen), ku lajmet nuk janë pjesa kryesore e formatit, ai synon të konkurrojë me televizionet kryesore në vend.

Channel One është televizioni tjetër, që synonte po këtë treg (në pronësi të aksionarit të Ora News), por projekti ka mbetur pezull nga vendimi i Këshillit Kombëtar Të Radio Televizionit për t’i hequr licencën, pasi nuk ekziston një subjekt televiziv “Channel One”, i licencuar nga KKRT.

 

Programet më të ndjekura televizive

 

Gara për audiencë është ashpërsuar. Formate të ngjashme televizive që përplasen në të njëjtin orar, shfaqje nga realiteti apo muzikore, emisione të pafund politike, emisione mëngjesi, programe të pasdites, telenovela, shfaqjet e gjata të të dielave synojnë të rrëmbejnë vëmendjen e audiencës në çdo orë të ditës.

Matja e saktë dhe në kohë reale e audiencës vijon të mbetet problem, sidomos në vendosjen e çmimeve në varësi të kostos për audiencë dhe nga ana tjetër vështirëson zgjedhjet e kompanive për programet televizive, ku ata duan të reklamojnë. Televizionet vetë përpiqen të bëjnë sondazhe përmes telefonit, apo në momente të caktuara bëhen matje të audiencës përmes ditareve. Tregu nuk po arrin të gjejë rrugën e duhur për t’i hapur rrugën investimit në teknologjinë e matjes së audiencës në mënyrë të drejtpërdrejtë (real time).

Aktorët e televizioneve pohojnë se çmimet vendosen në bazë të kostos së realizimit të programit, pagesës për marrjen e licencës (kur është program i blerë) apo orarit kur transmetohet.

Nga matjet indirekte të agjencive publicitare rezulton se lajmet janë më të ndjekura në “Top Channel”, i ndjekur nga “Vizion Plus”. Të dielën pasdite audienca ndahet mes e “Diell” në “Top Channel” dhe “E Diela Shqiptare” në “Klan”, ku herë rezulton një program më i ndjekur e herë tjetri. “Fiks Fare” mbetet një emision me audiencë të qëndrueshme.

Nga dy formatet, që po shfaqen kohët e fundit, “100 Milionë” në “Top Channel” dhe “Milioneri” në Klan, ndonëse shfaqen në dy ditë të ndryshme, duket se vëmendje më të madhe ka marrë Adi Krasta me “100 Milionë”. Me audiencë mjaft të lartë janë dhe ndeshjet sportive të futbollit dhe Formula 1.

“Këngët e Shekullit” i “Klan” ishte programi më i preferuar i së shtunës, deri në momentin që nisja e shfaqjes nga realiteti “Big Brother” mori një pjesë të konsiderueshme të audiencës, sidomos te të rinjtë. “Portokalli” vijon të mbetet më i preferuari të dielën në mbrëmje, ndërsa me audiencë në rritje ka ardhur dhe programi konkurrent në “Vizion Plus”, “Apartamenti 2XL”.

Ekspertët e televizioneve pohojnë se shpesh në përzgjedhjen e orareve apo programeve për të reklamuar nga kompanitë nuk ka një përputhje mes tregut të synuar, të cilit i drejtohet produkti, dhe audiencës që ndjek atë program të caktuar. Shpesh mund të shihen reklama, që i dedikohen një tregu të synuar të ri dhe me të ardhura të larta në një program, që ndiqet nga të moshuar apo individë me të ardhura të ulëta. Audienca që shpenzon konsiderohet ajo nga rreth 20 deri-diku te rreth 50 vjeç, që është dhe mjaft kërkuese e selektive për ndjekjen e programeve. Sidomos audienca e pasdites vlerësohet që i përket kryesisht kategorisë me të ardhura të ulëta. Një target më selektiv, me të ardhura të larta dhe që shpenzon, vlerësohet se ndjek programet e mbrëmjes (pas orës 21:00) por dhe emisionet e orëve të vona (pas orës 22:00 apo 23:00)

 

Reklamat u largohen gazetave

 

Media e shtypur është ajo që ka ndier më shumë tkurrjen e buxheteve të kompanive për reklama. Burime nga gazetat kryesore në vend pohojnë për “Monitor” se reklamat në sasi kanë rënë ndjeshëm me rreth 25-30% vitin e kaluar. Gazetat nga ana e tyre janë munduar ta kompensojnë këtë rënie përmes rritjes së çmimeve, çka ka bërë që reduktimi në të ardhura të ketë rezultuar në 10-15%.

Janë “zhdukur” nga tregu i shtypur bizneset e vogla reklamuese, po ashtu dhe bankat ulën buxhetet për këtë kategori mediatike dhe të vetmet që po reklamojnë në mënyrë të qëndrueshme janë kompanitë celulare.

Largimi i kompanive nga shtypi i shkruar pranohet dhe nga agjencitë publicitare. Numri i lartë i titujve në treg, cilësia jo shumë e lartë e gazetave dhe sidomos konkurrenca në lajme që u bëhet nga televizionet, por dhe nga interneti, po largojnë gradualisht dhe reklamuesit, të cilët e panë shtypin e shkruar një nga mediat ku mund të shkurtonin buxhetet e tyre. Më të qëndrueshme, sipas burimeve nga agjencitë publicitare, kanë qenë reklamat në revista.

Gazetat, sipas vlerësimeve të agjencive publicitare, sot marrin rreth 5-7% të totalit të shpenzimeve për reklama, nga rreth 10% që ishte kjo peshë tre vjet më parë. Në vlerë, gazetat në total marrin rreth 3-3.5 milionë euro.

Në krahasim me vendet e tjera të rajonit, shtypi i shkruar zë një peshë shumë të vogël të tregut të reklamave. Ngërçi i medias së shtypur është ndier më shumë në vitin 2010, me mbylljen e disa gazetave si “Albania”, “Korrieri” dhe “Ballkan” (kjo e fundit për t’u hapur sërish). Teksa pjesa më e madhe e gazetave sidomos në vitet 2000 u hapën nga sipërmarrës me biznese të mëdha, maturimi i këtyre bizneseve, tregu i vogël i të ardhurave nga reklamat në këtë segment dhe rënia e shitjeve për shkak të interesit më të pakët të lexuesve, duket se do të çojnë gradualisht në një seleksionim të gazetave në vend.

Dhjetë reklamuesit më të mëdhenj në shtypin e shkruar në vend, sipas të dhënave nga agjencitë publicitare për vitin 2010 kanë qenë: AMC, “Eagle Mobile”, “Vodafone”, reklamat për edukimin, “Digitalb”, QTU, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, “Tring Communication”, “Sigal”, OSSH (sot CEZ), me një vlerë totale prej gati 3 milionë euro. Kompanitë celulare zënë 60% të kësaj shume.

 

Outdoor, tregu në rritje

 

Outdoor vlerësohet të ketë tërhequr vëmendjen e shumë reklamuesve, si një media që perceptohet se ka një kosto të lirë për audiencën që kap. Kompanitë e telefonisë celulare dhe ato fikse e të internetit kanë qenë pothuajse gjatë gjithë vitit të pranishme nëpër qytete apo rrugë ndërqytetëse, duke reklamuar emrin apo produktet e tyre në ‘city light’ e ‘billboard’. Një formë reklamimi kjo që është përdorur dhe nga bankat e produktet ushqimore. Agjencitë publicitare pohojnë se mund të ketë një ulje të kostos së reklamimeve, nëse ashtu siç pritet do të ketë ulje të taksave nga ana e pushtetit lokal. Të dhënat për këtë treg vijojnë të mbeten të pakta.

 

Interneti, “dashuria” e re e reklamuesve

 

Interneti mund të konsiderohet si një mjet komunikimi, që po kalon një fazë lulëzimi. Rritja e shpejtë e penetrimit të tij dhe e kohës, që një pjesë e konsiderueshme e tregut të synuar, sidomos të rinjve, kalojnë ulur para kompjuterit duke naviguar në internet, ka zgjuar interesin e kompanive reklamuese.

Këtë interes e pohojnë burime nga “Top Channel”, ku kjo faqe renditet më e klikuara nga portalet shqiptare, (e gjashta në total). Kjo faqe ka deri në 130 mijë klikime në ditë, ku 40% janë nga jashtë Shqipërisë.

Vilma Mesareja, drejtoreshë marketingu e “News 24” dhe “Balkan Web”, tregon se të ardhurat nga reklamat në faqen e “Balkan Web” për vitin 2010 arritën në rreth 250 mijë euro, me një rritje prej 25% me bazë vjetore, duke ndjekur shtimin e interesit për të naviguar në këtë faqe uebi. “Vetëm më 21 janar kemi pasur 3000 klikime në sekondë në linkun që të çonte në news on line”. Kompanitë që reklamojnë në këtë faqe, sipas saj, pohojnë se kanë pasur efekt të ndjeshëm e të matshëm nga reklamat në ueb. Nga një kërkim i fundit në “alexa.com”, “Balkan Web” renditet faqja e shtatë më e klikuar në vend dhe e dyta në Shqipëri. “Balkan Web” dhe “Top Channel” konkurrojnë kokë më kokë, ku herë del njëra faqe si më e klikuar e herë tjetra.

Portali i informacionit “ikub.al” ka pasur një rritje të ndjeshme të klikimeve gjatë muajit të fundit, duke u renditur në faqen e tretë shqiptare (të nëntën në total). Drejtuesi i saj, Romeo Sherko, pohon se ka një trend të kompanive për të shkuar drejt reklamave në internet. “Muajt e fundit, bizneset që duan të reklamojnë po na kontaktojnë direkt, gjë që nuk kishte ndodhur më parë”, pohon ai. Sipas tij bizneset sa vijnë e po ndërgjegjësohen më shumë për avantazhet e reklamimit në internet dhe duan të jenë sa më të shikueshëm edhe “on line”.

Agjencitë e marketingut vlerësojnë se reklamat përmes internetit kanë arritur në 1% të totalit të shpenzimeve për reklamim në vitin 2010, peshë e krahasueshme me vendet e rajonit, por shumë më e vogël se në vendet e zhvilluara, ku ajo shkon në mbi 10%. Vlerësohet se shpenzimet për reklama “on line” të kenë arritur në rreth 550 mijë euro në vit, ku “Balkan Web” dhe “Top Channel” marrin më shumë se gjysmën e këtyre të ardhurave. Tregu do të ishte edhe më i lartë, vlerësojnë ekspertët e televizioneve, në rast se në Shqipëri do të ishin zhvilluar shitjet “on line”, një shërbim pothuajse jo ekzistent në Shqipëri për momentin. Shitjet “on line” do të gjeneronin sidomos interesin e kompanive të retail (pakicës) për të qenë të pranishme në faqet më të klikuara në Shqipëri.

Tendenca për të reklamuar “on line” është shoqëruar dhe me rritjen e çmimeve. Një reklamë në faqen e “Top Channel” në kokën e të gjitha faqeve (banneri është i dukshëm në çdo faqe të websitit, në krye të saj, sipër të gjithë përmbajtjes) kushton 6200 euro në muaj, sipas ofertës zyrtare. Çmimi më i lirë është ai prej 500 eurosh në muaj që pozicionohet në fotot e ditës.

Sipas ofertave zyrtare nga “Balkan Web”, një faqe e plotë në momentin e klikimit në “Balkanweb” kushton 6000 euro në muaj. Reklama më e lirë është Banner me link në faqen e parë të “Balkanweb” (200px me 80 px), që kushton 1000 euro në muajKëto çmime janë disafish më të shtrenjta në krahasim me disa vjet më parë.

Motori i kërkimit “Google” dhe rrjeti i ndërveprimit social “Facebook” mbeten dy faqet më të klikuara edhe në Shqipëri. Në renditjen e 20 faqeve më të klikuara po shtohen gjithnjë e më shumë emra shqiptare. Portali “Shekulli on line” është rritur ndjeshëm në renditje, po ashtu dhe “Shqipëria.com”.

 

Depërtimi në rritje

 

Penetrimi i internetit është rritur ndjeshëm në vend gjatë vitit të fundit. Sipas raportit të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) për vitin 2010, numri i përdoruesve shkon deri në 110 mijë familje, ku afërsisht 13.7 për qind e familjeve shqiptare e kanë si shërbim. Po ashtu vlerësohen se janë edhe mbi 10 mijë pajtimtarë në fushën e biznesit. Numri i linjave të internetit për 100 banorë është 3.7 për qind, krahasuar me 2.5 për qind që ishte në vitin 2009. Një treg potencial për reklamuesit janë dhe ata që e kontrollojnë internetin nga celulari i tyre. Po sipas të dhënave të AKEP, gjithsej 1 milionë e 200 mijë përdorues të celularit e shikojnë internetin nga aparati i tyre mobil. Rritja e shpejtë erdhi falë teknologjive të reja të ofruara nga shoqëritë, si dhe nga nevoja që kanë individët për të pasur sa më afër dhe shpejt, në interes të punës. AKEP vë re se tregu i përdorimit të internetit dhe i kartave modem për kompjuterë ka pësuar rritje të ndjeshme. Vlerësohet që me hyrjen e shërbimit 3G, përdorimi i internetit përmes celularit dhe kartave modem do të pësojë rritje edhe më të madhe.

 

RENDITJA Faqet më të klikuara të internetit në Shqipëri

 

1 Google

2 Facebook

3 <span>YouTube </span>

4. Yahoo!

5 Windows Live

6 Top Channel

7 BalkanWeb

8 Wikipedia

9 <span>www.ikub.al - Portali kryesor i informacionit për shqiptarët</span>

10 Agjencia e Lajmeve NOA

11 Blogger.com 

12 Telegrafi.com

13 MSN

14 Shekulli On-Line

15 LiveScore

16 Gazetastart.com

17 Shqiperia.com

18 Twitter

19 LinkedIn

20 Lajmifundit

 

Reklamuesit më të mëdhenj

 

Kompanitë celulare (“Vodafone”, AMC dhe “Eagle”) kanë vijuar të jenë reklamuesit më të mëdhenj në mediat shqiptare edhe gjatë vitit 2010. Së bashku vlerësohet të kenë shpenzuar rreth 17 milionë euro në total, ku rreth 60-70% e kësaj shume ka shkuar për televizionet, 10-15% për outdoor dhe pjesa tjetër në median e shkruar, revista, radio dhe internet. Këtë vit në treg ka hyrë dhe operatori i katërt “Plus”, që ka filluar një fushatë agresive reklamash të përqendruar në televizion dhe median e shtypur.

Grupi i dytë i rëndësishëm në tregun e publicitetit janë produktet ushqimore (përfshirë pijet) dhe ato të konsumit të përditshëm, të përqendruara në reklamat televizive. Peshën kryesore e mbajnë “Coca-Cola”, produktet e “Procter & Gamble”, “Elka”, “Agna Group”, “Marketing & Distribution”. Rritje të buxheteve për publicitet kanë pasur dhe produktet e sallamit, ku krahas EHW kanë hyrë dhe aktorë të tjerë. Së bashku me aktorët e tjerë të pijeve, ushqimeve e produkteve të higjienës vlerësohen të kenë shpenzuar mbi 12 milionë euro, kryesisht në televizion. Një rritje të ndjeshme në reklamimet në televizion ka pasur grupi ëmbëlsira & snaks, sipas “McMonitoring”.

Bankat, që po rrisnin me shpejtësi buxhetet e tyre deri në vitin 2008, duke u kthyer në grupin e dytë reklamues më të madh pas telekomunikacioneve, reduktuan shumat e marketingut në 2009-n, duke reaguar me shpejtësi ndaj rënies së fitimeve, rrjedhojë e prekjes së sistemit nga kriza. Sipas të dhënave për shpenzimet e marketingut, deklaruar në bilancet përkatëse, buxhetet e bankave kryesore në vend, në total janë reduktuar me mbi 10%  në 2009-n (shiko tabelën). Burime nga agjencitë publicitare pohojnë se në vitin 2010, bankat e kanë marrë disi veten, por kanë ikur ato kohë kur një bankë ishte gjatë gjithë vitit e pranishme në media. Tashmë fushatat e tyre janë sezonale. Në total vlerësohet që bankat shpenzuan rreth 9 milionë euro gjatë vitit 2010.

Universitetet private, sidomos në prag të fillimit të sezonit arsimor, janë mjaft agresive në reklamim. Sipas të dhënave nga “McMonitoring”, grupi shërbime publike dhe tregtare (ku përfshihen telefonia fikse, e internetit si dhe universitetet) ka pasur rritje të ndjeshme të buxheteve për televizionet, duke arritur në rreth 5 milionë euro, ndërsa 240 mijë euro vlerësohet të jenë shpenzuar për reklamimet e universiteteve në median e shkruar.

Qeveria ka qenë e pranishme në media me fushatat ndërgjegjësuese, në pritje të liberalizimit të vizave, apo për të reklamuar arritje të ndryshme të qeverisë. Sipas të dhënave nga monitorimet e televizioneve, rreth 70% e buxhetit shtetëror ka shkuar në “TV Klan”, rreth 10% në “Top Channel”. Të llogaritura me tarifat zyrtare nga “McMonitoring”, shuma e shpenzuar nga institucionet shtetërore dhe shoqëria civile në televizione llogaritet në rreth 3 milionë euro, por duke i skontuar me 40%, luhatet në rreth 2 milionë euro.

Të ulëta mbeten shpenzimet për reklama nga kompanitë farmaceutike. Edhe publiciteti për automobila e makina është i ulët, sidomos në krahasim me vendet e tjera të rajonit, madje shpenzimet në këtë kategori për reklamat në televizione janë ulur gjatë 2010-s, sipas “McMonitoring”.

Pas lulëzimit të qendrave tregtare (COIN, “Citypark”), supermarketeve (“Merkator”) e qendrave të tipit bëje vetë (“Practicer” dhe “Megatek”) pritej që tregu i reklamimit të merrte hov të ndjeshëm. Pavarësisht se ato ishin të pranishme gjatë vitit 2010, aktorët e tregut vlerësojnë se shpenzimet e tyre për publicitet nuk ishin aq të larta sa priteshin. Në përpjekje për të shpenzuar buxhetet në mënyrë më eficiente, ato u përqendruan kryesisht në marketingun direkt, përmes shpërndarjes së materialeve publicitare, në formën e fletëpalosjeve apo broshurave, në dyert e shtëpive të individëve.

 

Reklamat nga Kosova, pse mungojnë

 

Nëse ka një fushë ku Shqipëria dhe Kosova janë pothuajse një treg është ajo e muzikës, kulturës dhe sidomos përfshirjes së aktorëve nga të dy trevat në programet televizive. Lajmet nga Kosova nuk mungojnë në edicionet e kanaleve kryesore shqiptare, sidomos “Top Channel” dhe “Klan”. Këngëtaret nga Kosova janë pjesëmarrës aktivë në garat muzikore dhe me videoklipe në kanalet muzikore dhe mjaft të preferuar nga audienca shqiptare. Programi “E diell” në “Top Channel” i kushton një hapësirë të veçantë “fqinjëve të lumtur”. Audienca kosovare për televizionet shqiptare vlerësohet mjaft e lartë.

Por reklamat nga Kosova në kanalet shqiptare janë pothuajse inekzistente, përveçse në rastet kur reklamohen kandidatët e partive kosovare në periudhë fushatash elektorale. Ekspertët e televizionit pohojnë se mungesa e reklamave lidhet me faktin se dy vendet nuk kanë një treg të përbashkët ekonomik. Në shumë raste, kompanitë që reklamojnë në Shqipëri marrin “bonus” dhe audiencën kosovare apo dhe atë të të gjitha trevave shqipfolëse, që llogaritet në mbi 5 milionë banorë. Porsa kohë që produktet shqiptare nuk po arrijnë të penetrojnë në Kosovë dhe anasjelltas, duket se dhe tregu i reklamave do të vazhdojë të jetë i ndarë. Nuk ka të dhëna të sakta për tregun publicitetit në Kosovë, por vlerësimet flasin për një shumë mjaft të ulët, në rreth 10 milionë euro.

 

21 janari step edhe reklamuesit

 

Ngjarjet e 21 janarit nuk kanë lënë pa prekur psikologjikisht dhe tregun e publicitetit në vend. Vilma Mesareja, drejtore marketingu e “News 24” pohon se pas 21 janarit kishte një prerje si me thikë të buxheteve për reklama nga bizneset. Në të njëjtën linjë janë dhe drejtues të agjencive publicitare të mëdha në vend, të cilët pranojnë një stepje të kompanive për të reklamuar, që u reflektua në tkurrje të shumave që ata kishin parashikuar për të shpenzuar për të reklamuar produktet e tyre apo imazhin e korporatës.

 

Shqipëria, ende me tarifat më të lira në rajon

 

Inflacioni në mediat shqiptare, sipas “McMonitoring” ka qenë mesatarisht 15-20% në vit që nga 2005-a, me çmimet e reklamave që janë mjaft ndjeshëm më të larta aktualisht në krahasim me disa vite më parë. Por, përsëri Shqipëria vijon të mbetet më e lira në rajon (përveç Kosovës). Në Maqedoni, p.sh., spoti më i shtrenjtë është në “TV A1” pas njoftimit të titujve të lajmeve ku një sekondë kushton 260 euro (7800 euro një spot). I dyti më i shtrenjtë është në një telenovelë 150 euro/sek (4500 euro/30 sek), dhe më pas vijnë disa shfaqje me çmimin e 100 euro/sek (3000 euro/30 sek). Sipas burimeve nga agjencitë maqedonase, në fakt, skontot që ofrojnë televizionet maqedonase nga tarifat zyrtare janë shumë më të larta se në Shqipëri dhe arrijnë deri në 80% (nga 30-50% në televizionet shqiptare). Gjithsesi, Shqipëria vijon të mbetet tregu më i lirë në rajon porsa i përket spoteve.

Më poshtë jepen të dhëna lidhur me tregun total të publicitetit në vende të ndryshme të rajonit, sipas të dhënave të mbledhura nga agjencitë vendase të publicitetit. Në përgjithësi rezulton se tregu i publicitetit në Shqipëri i ka rezistuar më mirë krizës në raport me vendet e tjera. Por vendi vazhdon të ketë nivelin më të ulët të të ardhurave nga reklamat për frymë në rajon, në rreth 10-15 euro, nga 18-100 euro në vendet e tjera të rajonit, ku rekordin e mban Kroacia.

 

Maqedonia

Tregu real i publicitetit vlerësohet në rreth 40 milionë euro, gjysma e të cilit shkon për televizionet.

 

Serbi

Shpenzimet totale në vitin 2010 vlerësohen 160 milionë euro. Reklamimi “on line” është i vetmi që po rritet në mënyrë domethënëse dhe pritet të vijojë rritjen dhe në 2011-n. Në total të ardhurat kanë rënë me rreth 20% me bazë vjetore.

 

Bosnjë

Gjatë recesionit u vu re tendenca për të transferuar më shumë buxhet në mediat jo televizive, pasi ishte më lirë se në TV, ndërsa kishte një rënie të shpenzimeve në total. Në vitin 2011 disa stacione kryesore reduktuan çmimet me 25%, që pritet të sjellë më shumë të ardhura p

ër TV-të. 2010-a shënoi përmirësim të eficencës së investimit në treg.

 

Bullgaria

Tregu total llogaritet të ketë zbritur në 150 milionë euro. Tregu shënoi një reduktim me bazë vjetore prej 15-20% gjatë dy viteve rresht 2009 dhe 2010, si rrjedhojë e recesionit. Televizionet reaguan duke ulur çmimet me 25-28%, sipas të dhënave nga Shoqata e Agjencive Bullgare të Reklamimit. E vemja që shënoi rritje ishte reklama “on line”.

 

Greqia

Shuma reale që shpenzohet për publicitet nuk është e disponueshme, por vlerësohet në rreth 1 miliard euro. Tregu “on line” nuk matet, por pesha e tij është afër 1%. Ka pasur një kalim të reklamave nga televizioni në print për shkak të kostos më të lirë.

 

[1] Kursi 1 euro = 140 lekë

 

27 Komente

Shume interesante. Faleminderit qe e sollet ketu.

Nje artikull shume i mire,por eshte e pakuptimte te thuhet se mbas 21 janarit u stepen buxhetet per reklama!

Shume shkirm i mire. Dicka e sakte ne fushen qe percakton  te shkruaj autoria. Jo si keto tjeret , qe nisen ne nje drejtim e perfundojne ne nje tjeter .

 

Respekte per autoren.

 Po publiciteti i peshkut sa eshte ?  smiley

Shume artikull interesant, me ne fund nje gazetar qe sjell fakte e shifra, jo gojore ndonje ane politike.

Me beri pershtypje kjo

Televizionet vetë përpiqen të bëjnë sondazhe përmes telefonit, apo në momente të caktuara bëhen matje të audiencës përmes ditareve. Tregu nuk po arrin të gjejë rrugën e duhur për t’i hapur rrugën investimit në teknologjinë e matjes së audiencës në mënyrë të drejtpërdrejtë (real time).

qe do te thote se akoma s'kemi nje perllogaritje te sakte.

Vetem 13.7% e familjeve kane internet ne shtepi., me i ulti krahasuar dhe me vendet e rajonit dhe me i larti per nga tarifa mujore e internetit..po e kalojme ylberin ...edhe pak..

 Artikull ineresant.Jam kuroz te di,mungesen e ineresit per reklama ne shtypine shkruar,eshte vetem ne Shqiperi?

Jo, eshte nje problem qe egziston ne shume vende.

Aq saqe prej vitesh flitet per nje projektligj evropian sipas se cilit, firmat qe investojne ne reklama duhet te destinojne me duket 25% te shumes totale ne mediat e shtypura, ne menyre qe te garantojne mbijetesen e ketyre. Por s'ka asgje konkrete per momentin. 

E di si eshte kjo? Eshte si me fol per efektet e krizes financiare boterore ne nje vend si Shqiperia qe eshte ne nje gjendje te vazhdueshme krize.

Ne Shqiperi zeje se nuk egziston fare tregu i shtypit te shkruar sepse piksepari mungojne terminalet e shitjes. Si mund te shesesh nje produkt kur nuk egziston "dyqani" per ta shitur?

Shtoji pastaj faktin qe shtypi i shkruar ne Shqiperi ka bere nje vetevrasje me kohe, qe kur ra ne doren e biznesmeneve te ndryshem qe e perdoren ate (krejt pa dorashka) ne funksion te interesave personale ekonomike si edhe si pasoje e tradhetise nga ana e gazetareve te misionit te tyre.

Shtypi shqiptar pra nuk funksionon sipas nje logjike te ekonomise se tregut.

Me se e sakte. Por ky nuk eshte problem shqiptar, ky eshte problem boteror qe ne Shqiperi eshte me ekstrem.

Eshte e kote te flasim per pavarsi te medias : eshte nje gje qe nuk egziston!

Nje gazete mund te jete e pavarur ne disa aspekte : psh, nje gazete politike nuk eshte e varur ne seksionin muzikor, ku shkruan pak a shume ça te doje. Nje reviste muzikore eshte shume e varur per sa i perkete muzikes, por mund te jete e pavarur ne fushen e letersise.

Per tu informuar vertet duhet te bejme nje lexim te kryqezuar. Nejse.

Qeveria ka qenë e pranishme në media me fushatat ndërgjegjësuese, në pritje të liberalizimit të vizave, apo për të reklamuar arritje të ndryshme të qeverisë. Sipas të dhënave nga monitorimet e televizioneve, rreth 70% e buxhetit shtetëror ka shkuar në “TV Klan”, rreth 10% në “Top Channel”.

ky tv klan-i besoj se do e kete shikueshmerine diku te 70%-shi

 Interesante, por koefiçenti i besushmerise, per mua eshte tek 60-70%, pasi nuk ka akoma matje audience, dhe shifra formale ne reklamat e kompanive......

rreth 70% e buxhetit shtetëror ka shkuar në “TV Klan”, rreth 10% në “Top Channel”.

 

Klani duhet t'a ndrroj emrin ne TV Berisha.

Firefox + Adblock Plus

 

"Abonohesh" tek listat e gatshme dhe JO ME REKLAMA NE MONITOR.

 

 

 Sa fitojne ne muaj Tv Klan ose Top Channel nga reklamat? 

 Rreth 2-3 milion Euro/Muaj te dy se bashku. Mos harro qe behet fjale per xhiron (revenue) dhe jo fitimet neto.

Sikur s'del kjo xhiro per te perballuar shpenzimet e te dy ketyre televizioneve apo e kam gabim?

 Nuk e di. Nga artikulli e mora numrin. Pastaj edhe mund te mjaftoje se nuk jane pak.

 Shkrim vertet interesant dhe profesional. 

Faleminderit!

 Shkrimi shume interesant, por ndoshta ata qe marketojne duhet te fillojne te perdorin menyra te tjera e jo vetem TV qe pervecse eshte shume i shjtrenjte ndonjehere behet edhe shume ofensiv per prospects. 

Ndoshta Top Channel nuk pranon te promovoje arritjet e qeverise e per kete arsye ka marre 10 % te buxhetit. 

 Me pelqen evidentimi ne shkrim se tregu eshte pezulluar pas Demostrates se 21 Janarit, sigurisht qe ngjarje te tilla sjellin vetem destabilitet ekonomik e jo vetem tek reklamat por tek te gjitha bizneset. E investitoret ikin me vrap e prit kur do rikthehen perseri. 

Shpresoj te mos shoh me lajme me titullin "Kthehet dhuna ne rruget e Shqiperise" 

 

 artikulli ishte interesant, biles sot po mendoja (duke lexuar gazeten ) se pse ne Shqiperi ka shum pak informacion per reklamat dhe aktivitetet e tjera, dhe po i thoja vehtes se duhen urgjentisht te pregatiteshin disa belegers/brokers qe te ndiqnin ter asetet dhe xhiron e disa aktiviteteve te pashtruara/te padisiplinuara akoma. 

Nga artikulli mesuam se leku ka rene, xhiroja gjithashtu, si dhe fuqia blerse. 

E vertet, por duhet te maresh parasysh qe reklama si mjet per te marketuar po bie ne te gjithe boten, jo vetem nga kriza, por nga fakti qe eshte ide e viteve 50-60 qe kur eshte krijuar televizori. 

 

 E drejte. Vetem 18% e reklamave ne TV sot sjellin ROI pozitiv. Po tashme ndodh shume rralle qe te mbahen shpresat vetem te TV per te hedhur ne treg nje produkt apo sherbim. Nga ana tjeter, fushatat publicitare multidimensionale, sidomos ato qe perfshijne si nje nga elementet social networks ne strategjine e tyre dhe qe orientojne dhe menaxhojne sic duhet eksperiencen dhe feedback te perdoruesit, vazhdojne te bejne kerdine smiley

Reklama eshte ide e viteve 50-60? Po perpara TV nuk paska patur reklama? Radio pa reklama paska qene, apo gazetat?

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).