Biznesi amerikan i kërkon Bodes shfuqizimin e nenit të gjobave
Silvana Sinaj
Albania
Edhe pas propozimit të fundit të Ministrisë së Financave për ndryshime, përmirësime dhe rregullime të ligjit “Për procedurat Tatimore”, biznesi ka këmbëngulur për heqjen e nenit të gjobave. Në një diskutim të hapur mes ministrit të Financave dhe biznesit për projektligjin “Për procedurat tatimore” ka ndodhur dhe përplasja e parë për Paketën Fiskale 2008. Floreta Luli Faber, drejtore e Dhomës Amerikane të Tregtisë, në lidhje me nenin e gjobave tha: “Është shumë i rëndësishëm një rregullim i Nenit 138, i cili ka lidhje me Ligjin e Gjobave, pasi është tepër e rëndësishme që biznesit t’i lihet e drejta e apelimit duke lënë ndërkohë një garanci bankare ose forma të tjera garancie karshi autoriteteve tatimore”. Biznesit, sipas Faberit, “nuk mund t’i kërkohet të paguajë 15 për qind të gjobës përpara se të shkojë për apelim”. Ndërsa ministri i Financave, Ridvan Bode, ka theksuar se projekti është bazuar në praktikat më të mira të vendeve anëtare të BE-së dhe është i hapur për ndryshime të tjera në këtë frymë. “Mendoj që diskutimi juaj do të përbëjë një kontribut të ri për të përmirësuar më tej ligjin. Ne jemi të hapur për gjithçka, për sugjerimet, vërejtjet dhe propozimet tuaja, por duke mbajtur parasysh se për ne është tepër i rëndësishëm respektimi i disa standardeve dhe mendoj se dhe ju dhe ne kemi të njëjtin qëllim: t’i përafrohemi standardeve më të mira dhe të heqim dorë nga shpikjet tërësisht personale apo të momentit për interesa të çastit për t’u bazuar në standardet më të mira të vendeve të tjera”, – tha ministri Bode.
Gjykata Administrative
Ndërsa lidhur me nenin ku përcaktohet shkrirja e Komisionit të Apelimit dhe zëvendësimi me Gjykatën Administrative, Faber tha: “Është shumë e rëndësishme që qeveria ka vendosur hapjen e Gjykatës Administrative. Është shumë e rëndësishme që Komisioni i Apelimit në Ministrinë e Financave të funksinojë si i tillë deri në momentin kur do të fillojë nga funksioni Gjykata Administrative”. Faber ka shpjeguar: “Komisioni i Apelimit në ministri duhet të ekzistojë për të mos krijuar një vakuum deri në hapin tjetër të hapjes së gjykatës”.
Kasat regjistruese
Biznesi anëtar i Dhomës Amerikane të Tregtisë ka kërkuar që “të vendoset liberalizimi i blerjes së kasave elektronike në mënyrë që biznesi të ketë asistencën e nevojshme për blerjen ose servisin e makinës në raste kur ka defekte”. Në lidhje me këtë është kërkuar që të përfshihet në ligj që biznesi nuk mund të punojë në rast se prishet kasa regjistruerse deri në momentin që ajo rregullhet, por për këtë është e nevojshme që paraprakisht të bëhet liberalizimi i shitjes së këtyre kasave dhe jo të mbeten monopol i një firme. Ligji i ri, sipas Faberit, “duhet të ketë të trupëzuar më mirë të gjitha direktivat e OECD në lidhje me përcaktimin më të qartë të ligjit për procedurat tatimore që kanë të bëjnë me marrëdhëniet me taksapaguesit, aksesin që taksapaguesit duhet të kenë me autoritetet, natyrën e shërbimit më shumë se sa thjesht mbledhjen e taksave”. Dhoma Amerikane dhe bizneset e saj kanë qenë grupi i parë me të cilin ministri i Financave dhe ekspertët e USAID-it kanë hapur diskutimin. Dhoma Amerikane mendon se pas dhjetë vjetësh të zbatimit të ligjit për procedurat tatimore do të ishte më mirë të kishim një Kod të Procedurave Tatimore sesa një ligj të procedurave tatimore. Projekti do të diskutohet edhe në pesë takimet e tjera që pritet të mbyllen më 11 tetor. Pas kësaj, ekspertët do të reflektojnë komentet dhe ndryshimet e propozuara për të kaluar më vonë në miratimin në Kuvend të projektligjit të ri “Për procedurat tatimore”.
22 Shtator 2007


Shkruaj një koment (login)