BB-Qeverisë: Shpezimet abuzive, rrezik për financat

Julian Llupo
Shekulli
Mungesa në planifikim dhe buxhetin disavjeçar të investimeve, rrit rrezikun e shpërdorimit të investimeve

Mënyrat si financohet qeveria dhe si shpenzon fondet e veta, mbartin rreziqe për gjendjen fiskale të Shqipërisë

Normat e finalizimit, si për projektet e financuara brenda vendit, ashtu edhe për ato të financuara nga donatorët, janë të ulëta, niveli i planifikimit dhe monitorimit nuk është ai i duhuri, shpenzimet korrente të projekteve të investimeve nuk planifikohen si duhet në buxhet dhe aspektet fiduciare, e në veçanti prokurimet, janë të dobëta.

Tiranë -Sipas një raporti të Bankës Botërore, që është prezantuar dje në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, madhësia e sektorit publik shqiptar në përgjithësi është e përshtatshme, por eficienca e shpenzimeve publike ka nevojë të përmirësohet. Raporti i titulluar Ristrukturimi i Shpenzimeve Publike për të siguruar një Zhvillim Ekonomik të Qëndrueshëm: Rishikimi i Shpenzimeve Publike dhe Institucionale, tregon se mënyrat si financohet qeveria dhe si shpenzon fondet e veta, mbartin rreziqe për gjendjen fiskale të Shqipërisë. Shpenzimet publike të Shqipërisë në vitin 2006 ishin 31 për qind e PBB-së, ku afërsisht 6 për qind e PBB-së është shpenzuar në investime kapitale.

Sipas Alia Moubayed, ekonomiste për Shqipërinë dhe autorja kryesore e raportit: “Shqipërisë i duhet të ristrukturojë shpenzimet publike, të ulë borxhin publik dhe të thellojë reformat sektoriale që lidhen me rritjen e produktivitetit dhe qëndrueshmërisë së kapitalit publik, në mënyrë që të rrisë eficiencën e përdorimit të burimeve publike dhe përmirësojë kontributin e tyre në rritjen ekonomike dhe uljen e varfërisë”. Në raport sugjerohet një strategji për maksimizimin e ndikimit të politikës fiskale mbi rritjen ekonomike përmes ristrukturimit të shpenzimeve dhe të ardhurave. Raporti ofron këto rekomandime kryesore:

***

Ndryshimi i kombinimit të përbërësve të shpenzimeve publike, është i nevojshëm për të nxitur perspektivën e zhvillimit ekonomik. Lehtësimi i barrës së pagesave të interesit do të kërkojë një ulje të vazhdueshme të nivelit të përgjithshëm të borxhit, duke zgjatur maturimin e borxhit të brendshëm dhe duke kërkuar financime afatgjata të huaja (zyrtare dhe private). Gjithashtu sugjerohet rritje e shpenzimeve operative dhe të mirëmbajtjes, në mënyrë që të ruhet gjendja e investimeve kapitale në kushte të mira dhe që të realizohen mirëmbajtjet e prapambetura në sektorin e transportit dhe ujit. Pagat duhet të mbahen nën kontroll dhe të menaxhohen brenda një kuadri gjithëpërfshirës të reformës së shërbimit civil, duke ulur gradualisht subvencionet e mbetura, kryesisht në sektorin e ujit dhe hekurudhave. Mbajtja e shpenzimeve kapitale në nivelet aktuale është veprimi i duhur, ndërkohë që ato duhet t’i nënshtrohen një vlerësimi rigoroz dhe procedurave përzgjedhëse të projekteve të investimeve publike.

Nga ana tjetër, në raport theksohet se rishpërndarja e shpenzimeve ndërmjet sektorëve të ndryshëm do të ndihmojë kanalizimin e fondeve nga shpenzimet për shërbime të përgjithshme publike, drejt sektorëve që nxisin rritjen, siç është arsimi. Shpenzimet në infrastrukturë, shëndetësi dhe mbrojtje sociale, nuk duhet të rriten pa u ndërmarrë më parë reformat për përmirësimin e eficiencës dhe zvogëlimin e humbjeve. Rregullimi i shpenzimeve brenda sektorëve duhet t’iu përgjigjet ndryshimeve demografike dhe kërkesave për përmirësimin e cilësisë së shërbimeve. Shpenzimet shtesë për arsimin duhet të shkojnë për arsimin e mesëm, për t’iu përgjigjur kështu rritjes së frekuentimit në këtë nivel. Në sektorin e shëndetësisë, kalimi i shpenzimeve nga sektorët e mbifinancuar spitalor dhe farmaceutik, drejt shërbimeve parandaluese dhe shëndetit publik, mund të ulte ndjeshëm barrën e sëmundjeve jo të transmetueshme dhe kostove që lidhen me trajtimin e tyre. Për më tepër, profili i ri (në moshë) demografik dhe i punësimit në Shqipëri, bën të nevojshëm një reformë në sistemin e pensioneve, ndihmës sociale dhe sigurimeve, si dhe përshtatjes përkatëse të shpenzimeve.

***

Ngushtimi i pabarazive rajonale duhet të bazohet kryesisht në rishikimin e marrëveshjeve ekzistuese financiare. Kjo duhet bërë nëpërmjet: futjes së kritereve objektive për akordimin e fondeve për pushtetin vendor dhe ofruesve të shërbimeve, lidhjes së këtyre kritereve me varfërinë apo nevojat e rritjes ekonomike, kalimit nga akordimet për shpenzime korrente bazuar tek inputi, drejt akordimeve të bazuara tek rezultatet, nevojat lokale dhe prirjes së përdorimit të burimeve; dhe vendosjes së rregullave mbështetur tek performanca për akordimin e shpenzimeve kapitale.

Një nga kërkesat e raportit ishte edhe dhënia e një roli më të madh sektorit privat, në financimin dhe ofrimin e disa shërbimeve të caktuara. Kjo do të zgjeronte jo vetëm burimet aktuale të përgjithshme, por do të rriste edhe efikasitetin teknik dhe do të përmirësonte rezultatet. Pakësimi i fondeve koncensionale për Shqipërinë, duhet të nxisë pjesëmarrjen e sektorit privat. Fillimisht, kjo kërkon krijimin e kuadrit të shëndoshë ligjor dhe institucional për partneritetin publik-privat, në mënyrë që të shmangen rreziqet fiskale për buxhetin e shtetit. Vendi gjithashtu duhet të rrisë tarifat për të mbuluar kostot në infrastrukturë dhe arsimin e lartë, duke forcuar njëkohësisht sistemet ekzistuese të sigurimeve shoqërore që mbrojnë të varfrit. Në aspektin e të ardhurave rekomandohet një zbutje e taksave e të ardhurave nga puna, në mënyrë që të nxitet më tej krijimi i vendeve formale të punës, gjë që kontribuon në formalizmin gradual të ekonomisë shqiptare.

***

Duke vlerësuar progresin e kohëve të fundit në reformat buxhetore dhe duke mbajtur parasysh nevojat për financimin e investimeve publike, Banka Botërore paralajmëron se fondet e shtetit mund të shkojnë dëm, nëse procesi i buxhetimit nuk përmirësohet më tej. Normat e finalizimit, si për projektet e financuara brenda vendit, ashtu edhe për ato të financuara nga donatorët janë të ulëta, niveli i planifikimit dhe monitorimit nuk është ai i duhuri, shpenzimet korrente të projekteve të investimeve nuk planifikohen si duhet në buxhet, dhe aspektet fiduciare, e në veçanti prokurimet, janë të dobëta. Pa përmirësimin e kapaciteteve për planifikim dhe buxhetim disavjeçar të investimeve kapitale dhe pa një lidhje më të mirë midis shpenzimeve korrente me ato kapitale, rreziku i shpërdorimit të investimeve publike të nxituara politikisht mbetet i madh. “Krijimi i një kuadri të vetëm strategjik për prioritetet kombëtare dhe caktimin e politikave sektoriale, është një hap i lëvdueshëm, thotë Nadir Mohammed, Shef i Zyrës së Bankës Botërore për Shqipërinë. Megjithatë, ky kuadër duhet të marrë parasysh kufizimet e fondeve publike, si dhe të sigurojë që projektet e financuara nga sektori publik dhe ato të zbatuara në partneritet me sektorin privat, të regjistrohen në buxhet, duke përfshirë jo vetëm kostot e drejtpërdrejta, por edhe dhe ato të nënkuptuara që rrjedhin më pas”.

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

1 Koment

  1. Pjer Thomas thotë:

    16 March 2007 @ 11:05 pm

    Një nga kërkesat e raportit ishte edhe dhënia e një roli më të madh sektorit privat, në financimin dhe ofrimin e disa shërbimeve të caktuara…….
    Nuk e di a e kupton Bisha dhe qeveria e tij kete. A bashkpunon ai me biznesin vendas apo e ka abandonuar. Qeverite kendej nganjehere pranojne dhe konsulence private nga specialiste te ndryshem per çeshtje kardinale, kurse ne Shqiperi, torrollakeve qe drejtojne aty , ju pelqen mendja e tyre, pikerisht se jane torrollake. Sot sapo lexova nje artikull (gjithmon lexoj mbi makroekonomine nga kalibrat boterore qe i afrohen dhe kalibrit tim) mbi rritjen e sasise bruto se aksioneve si preference e shum firmave , ne krahasim me rritjen e vleres se aksioneve , dhe pse preferohet nga disa firma kjo metode. Per kete fenomen , une kam folur para disa vitesh, por ndigjojne kakat, Nanot dhe Berihajt, qe me vjen ti dhjes mbi koke, se bashku me ato ekipet e tyre te paaftesise.

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.

  • Po shikoni nje artikull ne faqen e arkivit te Peshkut pa Uje. Per te pare faqen aktive, shkoni tek peshkupauje.com