Bathorja e Europës
Xha Xhai
Peizazhe të fjalës
Sipas një studimi kontinental të kryer tani së fundi nga GfK Austria (vetëm këtë nyjë arrita të gjej sot për studimin në fjalë; në një kohë që të dhëna më të vjetra mund të gjenden këtu), Shqipëria zë vendin e fundit në Europë për përdorim të Internetit, me vetëm 1% të popullsisë në moshë të rritur, të lidhur në linjë. Që kjo shifër është jashtëzakonisht e ulët, e vërteton edhe fakti që, përveç Maqedonisë me 5%, të gjitha vendet e tjera të Europës kanë përqindje përdorimi dyshifrore, duke filluar nga Turqia me 14%, Bosnjë-Hercegovina me 21%, Mali i Zi me 32%, Serbia me 37%, Greqia me 46% e kështu me radhë, deri te Islanda, ku pothuajse 90% e popullsisë së rritur e shfletojnë Internetin rregullisht.
Natyrisht, përdorimi i Internetit nuk ka shumë kuptim të matet drejtpërdrejt; meqë për të hyrë online të duhet kompjuteri, një linjë telefonike tokësore, pak elektricitet dhe mundësisht njohja e një gjuhe të huaj. Një ide më të saktë për depërtimin e Internetit në Shqipëri do ta jepte raporti midis numrit të kompjuterëve në përdorim personal dhe numrit të llogarive në Internet; sidomos po të korrigjohej kjo vlerë edhe me përdorshmërinë reale të telefonisë tokësore. Vetëm ashtu do të kuptohej se shkalla e lidhjes së Shqipërisë online ka të bëjë drejtpërdrejt me infrastrukturën, jo me indiferencën e publikut; sidomos në kushtet kur njerëzit stepen për të blerë një PC jo vetëm ngaqë nuk kanë linja telefoni tokësore, por edhe ngaqë nuk kanë drita. Në këto rrethana, përdorimi i Internetit do të kufizohej edhe më, në një shtresë të privilegjiuar të popullsisë, e cila zotëron kompjutera portativë (laptops), të cilët mund të përdoren me bateri.
Sipas një studimi tjetër, të pak kohëve më parë (shtator 2007), në krejt Shqipërinë ekzistojnë vetëm 300 lidhje të tipit broadband; edhe pse ma merr mendja se numri i lidhjeve të tilla do të jetë shtuar së fundi, meqë këto ofrohen tani nga një numër i madh kompanish private. Për fat të keq, edhe në rastin e shërbimit broadband, lidhshmëria përcaktohet, tek e fundit, nga linjat telefonike tokësore; në një kohë që lidhjet nëpërmjet sinjalit telefonik celular mbeten shumë të kushtueshme edhe në Perëndim.
Më në fund, është e vështirë, besoj, të kuantifikohet numri i përdoruesve në Shqipëri që futen në linjë nëpërmjet Internet Café-ve.
Përvoja e vendeve të zhvilluara në Perëndim, dëshmon se futja e lirë dhe private në Internet sjell ndryshime dramatike në qarkullimin e informacionit, duke konkurruar jo vetëm mediat e shkruara, por edhe vetë televizionin. Në Shqipëri, ku kanalet televizive kombëtare dhe lokale praktikisht e kanë monopolizuar sferën e informacionit publik, zgjerimi i përdorimit të Internetit mund të kërcënojë pikërisht atë shtresë monopolistësh të informacionit të cilët janë krijuar nga gërshetimi i interesave politike dhe ekonomike, që lidhet me mediat sunduese ekzistuese.
Vështirë të thuash nëse elitat politike në Shqipëri kanë interes për ta masivizuar përdorimin e Internetit atje, nëpërmjet mbulimit të së paku qyteteve kryesore me sinjal wireless, ose duke subvencionuar shërbimin broadband e duke investuar në infrastrukturën telefonike dhe të fibrave optike; sidomos kur kjo nuk është vënë si kusht për t’u pranuar në NATO. Gjasat janë që aksesi në Internet, edhe për shumë kohë akoma, do të mbetet privilegj madje katalizator i një aristokracie virtuale, e cila do ta përdorë monopolin ndaj Internetit si mjet për të konsoliduar kontrollin e vet ndaj informacionit.
Sot kushdo mund ta verifikojë lehtë vartësinë e shtypit shqiptar nga Interneti, që shprehet në përqindjen e habitshme të materialeve të marra hua poshtë e lart online, të cilat i jepen lexuesit të përkthyera; ndonjëherë duke shpërfillur krejt të drejtat e autorit. Interneti shërben edhe si truall plaçkitjesh për pedagogët e universitetit dhe studentët, të cilët e shfrytëzojnë si oaz të plagjiaturës, ose junk yard për karakatinat e temave shkencore, disertacioneve dhe kumtesave përkatëse. Ende duket të mbizotërojë prirja për ta përdorur këtë teknologji jo për shkëmbim informacioni, por më tepër si armë për beteja private ose të karrierës.
Në vitet 1970-1980, thuhej se familjet e udhëheqësve kryesorë të shtetit e merrnin sinjalin e RAI-t italian me kabllo në shtëpitë e tyre; për elitat e një shkalle më të ulët, ripetitori i Dajtit siguronte së paku lajmet dhe ndeshjet e futbollit; përndryshe, monopoli i nomenklaturave mbi informacionin që i lejohej publikut ishte tërësor. Kontrolli i informacionit ushtrohej edhe ndaj librave, revistave dhe gazetave të huaja, përdorimi i të cilave kufizohej brenda një elite të besuar. Sot, përkundrazi, i njëjti tundim për të kontrolluar realizohet jo drejtpërdrejt e në mënyrë policore rregullatore ose burokratike, por duke e lënë publikun në errësirë infrastrukturore. Mileti i ka veturat për t’u zhvendosur fizikisht, por mendja ka mbetur në kafaz.
Natyrisht, mediat shqiptare janë të lira të përcjellin ç’të duan e si të duan dhe konkurrenca është e tillë, që të sigurojë mbulim me sinjal të krejt spektrit informativ; çështja e informacionit, në Shqipëri, ka të bëjë më tepër me besueshmërinë e këtyre mediave dhe manipulimin e tyre prej grupeve të interesave. Hapja e vendit ndaj Internetit, nëpërmjet investimit në infrastrukturë, do t’u lejojë së paku brezave të rinj t’i qasen realitetit në mënyrë më kritike, duke iu shmangur hierarkive dhe piramidave të informacionit.
Këtu është e nevojshme të punohet në dy drejtime njëkohësisht: teknologjik dhe edukativ. Nëse brenda Shqipërisë hendeku midis elitave informacionale dhe vulgut televiziv vjen duke u thelluar, i njëjti hendek do të projektohet edhe në raportet midis Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Europës. Interneti vërtet varet nga teknologjia dhe infrastrukturat ekzistuese, por po shndërrohet tashmë edhe në një mënyrë themelore për të përftuar dhe riprodhuar komunitetet: kulturore, etnike, shkencore, profesionale, ekonomike, financiare. Në një kohë që elitat politike dhe kulturore në Tiranë tallen me bathorsit, nuk po duan ta vënë re se, nën sundimin e tyre, Shqipëria po konsolidohet përditë e më tepër në rolin e Bathores së Europës.


18 Prill 2008 @ 5:54 pm
ec mer mo, se mire qe na shkun leket broadband, por ngelem edhe pa gjume.

Ishim ma rahat pa internet ne shpi
Flijshim gjume, ose bojshim dashni te pakten
18 Prill 2008 @ 8:56 pm
mund te flasim pa fund per te metat e shqiperise dhe per propaganden e qeverise ne kuader te fushates shqiperia ne epoken e internetit. Po nuk jam fare dakort me shifrat e permendura ne menyre abuzive ne shkrimin me lart: cili studim, i bere nga kush, mbi baza te cfare?????
se te shkruash: sipas nje studimi te bere ne kohet e fundit, nuk besoj se je me i besueshem.
Po te flasim ne kete nivel, mund t’ju thoja se kam qene disa here qofte ne bosnje e qofte ne serbi, e njoh mire realitetin atje dhe kam konstatuar te kunderten! Te pakten ne serbi tashme eshte fare e qarte se te rinjte e perdorin fare pak internetin dhe udhetojne jashte vendit te tyre disa here me pak ne krahasim me vendet e rajonit!!!! E njejta gje eshte dhe ne Bosnje
18 Prill 2008 @ 8:57 pm
jam dakort qe maqedonia eshte shume me mire se ne
18 Prill 2008 @ 9:07 pm
Klajdevour, siç thuhet edhe në linkun në shkrim, studimin e ka bërë GfK Austria, dhe hartën e gjen në këtë adresë.
18 Prill 2008 @ 9:20 pm
Klajdevour, unë nuk thom… unë nuk thom… unë nuk thom… pentium 4
19 Prill 2008 @ 4:43 am
Po te shkoni ne faqen zyrtare te Bankes Boterore te gjitha shifrat e mesiperme rezultojne jo reale.
http://devdata.worldbank.org/ict/alb_ict.pdf
Shihni tek telekomunikacionet dhe ne vitin 2005, 19% e popullsise jane perdorues te internetit. Ma mer mendja qe qe ne 2005 vetem permiresim te rrjetit duhet te kete pasur.
Nejse, thashe vetem te veme nje fakt qe ka te pakten ka nje gram kredibiliteti, se nje e dy ngelem duke lexuar statistika te tipit “une mendoj qe 1% e shqiptareve kane akses”, apo ndonje shkrim pacavuresh si e balkanwebit apo shekullit qe per te mbushur faqet e gazetes gazetaret shpikin cdo lloj statistike.
19 Prill 2008 @ 5:31 am
“Unë them” - diferencat statistikore varen edhe nga kriteret që përdorin studimet e ndryshme. Se Banka Botërore ka nxjerrë atje disa shifra të vitit 2005, kjo s’do të thotë që të dhënat e GfK Austria janë të gabuara. Shifrat janë nxjerrë nga kompanitë përkatëse, të njohura e të botuara zyrtarisht madje në vetë faqen e kompanisë GfK online, prandaj atë insinuatën se në shkrimin tim unë po spekuloj duke përdorur të dhëna që s’kanë as edhe një gram kredibiliteti merre mbrapsht të lutem. Po ta kesh seriozisht, pastaj, shko e hidhe GfK-në në gjyq në Strasburg, për shtrembërim të realitetit, se mbase fiton dhe ia rrit edhe më shumë imazhin atdheut, duke u dhënë edhe një goditje vdekjeprurëse të gjithë atyre që nuk na e duan të mirën. Ai 1% që ka nxjerrë sondazhi i austriakëve për depërtimin e Internetit në Shqipëri mund të ketë vlerë relative në vetvete, por vlerë absolute po ta krahasosh me përqindjen e përdorimit për vende të tjera në të njëjtin sondazh. Shko shihe vetë hartën me të dhënat, të cilën nuk e kam vizatuar unë, as portieri i pallatit tim. Me një klik të vetëm mund t’i kishe kursyer akuzat që nxore nga goja. Pavarësisht nga kriteri që ka përdorur GfK Austria, e ka përdorur në mënyrë uniforme për të gjitha vendet, dhe në sondazhin e saj prapambetja e Shqipërisë është evidente. Apo të kenë gënjyer austriakët, që pastaj të shkruaj unë në blog me shpresë se do t’u hedh hi syve lexuesve ekzigjentë si zotrote?
19 Prill 2008 @ 6:41 am
E morrem vesht qe “ti thua,” por ai lexon ato cfare na sjedh ketu. Ajo shifra joshese 19% nuk i perket Shqiperise, por Euro-Azise. Shqiperia penetrimin e Internetit me 2005, simbas kesaj flete, e ka 6%.
Sidoqofte, Shqiperia “kercen” cuditerisht nga 0.1% me 2000 ne 6% me 2005. Dhe kjo rritje 60 here duket shume e cuditeshme, kur penetrimi i telefonise vete shkon nga 5% (2000) ne 8.8% (2005), pra s’ka ndonje hop ne telekomunikacione. Si rrjedhoje kjo rritje 60 here
mban ca ere, qe nuk e mbulon dot as emri i WB.Megjithate, duke qene se shkoj shpesh ne Shqiperi, si dhe per ca specifika te tjera, nuk kam shume nevoje per keto statistika per te ditur ne cfare derexheje eshte Interneti ne Shqiperi.
Ne ka nje numer te vetem qe tregon gjendjen dhe me shume drejtimin ku po shkon nje vend, ai eshte penetrimi i Internetit. Kete te vertete, ceverite me eksperte me mastera e phdira, e dine shume mire, por nuk thjesht nuk i plas.
Ne shkrimin qe po komentojme thuhet se elitat e mbajne me qellim kete nivel te ulet te Internetit. Kjo mua me duke nje lartesim i pamerituar i ketyre elitave, me nder me thene. Kjo sepse, po te ishte ashtu, te pakten do te thoshte se edhitat po mendokerkan per te ardhmen, ne menyre djallezore, por po sidoqofte mendokerkan. Por, realiteti eshte shume me i hidhur. Bandat e hajduteve qe jane alternuar ne pushtet duan te nxjerrin maksimumin nga lopa SOT. Neser qameti u befte! Megjithse qameti s'po pret, po behet qe sot.
Kjo puna e Internetit ne shqiperi eshte shembulli klasik i demit te korrupsionit. Dhe ky dem eshte kolateral, por kolosal.
Albtelekomi do te ishte zgjidhja ideale per Internetin ne Shqiperi. Se pari ata kane gati rrjetin lokal dhe mund ta zgjeronin ate. Ata kane gjithashtu lidhje me kapacitete shume te larta (fibra optike) me rrjetet nderkombetare. Mirpo ka shume vjet qe klanet Nano-Berisha e sorrollop, ne menyre sistematike e kriminale, kane punuar per t'ia ulur vleren Albtelekomit, qe si perfundim shkoi per lesh, me shitjen skandal. Dhe humbja me e madhe nuk eshte financiare, pra cmimi qesharak, qe nuk mbulon as godinat e Albelekomit, apo perqindjet qe kane shkuar ne llogarite zviceriane perkatese. Katastrofen ne kete proces, e pesoi telefonia, fixe dhe celulare, si dhe Interneti, pra e sotmja dhe e ardhmja e vendit.
19 Prill 2008 @ 12:45 pm
Pavarsisht nga statistikat qe mendoj se jane aty plus-minus, gjendja e internetit paraqitet e dobet ne Shqiperi. Jane nje sere faktoresh qe nuk e favorizojne shperndarjen e saj aty, faktore qe u permenden si ne artikull ashtu dhe nga Rob-terneti. Nga aq sa pashe une aty, pronaret e kafe-internetit ankoheshin per firmat qe u mundesonin lidhjen me internet. Shumica e njerzeve aty, ne fakt e kishin te pamundur te paguanin kompiutrin dhe pagesen mujore te lidhjes me internet. Te pakten pagesa mujore te ulej ca, ose te ishte me fleksibel ne çmimet e dites, nates , paradites.
19 Prill 2008 @ 1:19 pm
Mos harroni qe nuk kane llogaritur nje gje shume te rendesishme dhe shume e perhapur ne Shqiperi:
INTERNET CAFFE’
Pastaj tani qe Saliu ka shpallur nismen: “Shqiperia ne moshen e internetit” dhe tani qe Microsofti do beje gjithe ato investime ne Shqiperi, keni per ta pa sa shume do rritet numri i shqiptareve qe do lidhen me internetin:)
19 Prill 2008 @ 1:40 pm
ne momentin qe do kete nje kontrat telefoniko-kompjuterike me leverdi pse jo dhe shqiptaret mund te kene perqindje te larte
upss harrova dritat
19 Prill 2008 @ 2:01 pm
Perse na duket e cuditshme qe ka nje perhapje te ulet te Internetit ne Shqiperi? A nuk thone dhjetera statistika te tjera qe Europa eshte vendi me i varfer ne Shqiperi? Perhapja e Internetit eshte ne perpjestim te drejte me fuqine blerese te popullates. Nje popull ku nje pjese e madhe jeton nen ose fare prane nivelit te varferise, nuk mundet te jete ne avangarde te perdorimit te teknollogjise. Aq me teper qe Interneti kerkon investime te trefishta: infrastrukturen, blerjen e kompjuterit, faturen e permuajshme te abonimit. Si mund te justifikoje shteti shqiptar investimet ne infrastrukture, nese ai nuk eshte ende ne gjendje te siguroje mbulimin 100% me 24h drita dhe uje?
Te flasesh pastaj per mbulimin wireles, eshte nje utopi e vertete. Lexoni ju lutem kete artikull te NYT, per te pare qe dhe qytete te pasura amerikane, nuk jane ne gjendje ta perballojne koston e wireless-it (http://www.nytimes.com/2008/03/22/us/22wireless.html)
Ajo cka duhet t’i kerkojme qeverise shqiptare dhe bashkive eshte:
1) biblioteka te pajisura me Internet, me cmime minimale ose falas per studentet dhe pensionistet.
2) Internet ne te gjitha shkollat dhe universitetet.
Dhe pastaj duhet dhe te pyesim veten: perse shqiptaret preferojne te blejne makina luksoze, te bejne pushime jashte shtetit, te zbukurohen me varese e byzylyke floriri, ne vend qe te investojne per kulturen dhe informacionin? Sa eshte shitja e librave ne Shqiperi dhe numri i te anetaresuarve neper biblioteka? Po numri i abonenteve te Digital-it? Le t’i shikojme gjerat ashtu sic jane. Nuk eshte faji i elitave, apo i ndonje skenari djallezor te politikaneve. Shqiptaret kane zgjedhur te informohen ne menyra te tjera, nese na pelqen ne apo jo. Ose, nje pjese ka zgjedhur t’i mbylle syte para cdo informimi, dhe do thjesht te argetohet. Dhe ca te tjere, nuk kane asnje zgjidhje, por duan vetem te mbijetojne.
19 Prill 2008 @ 2:02 pm
ooops.
Shqiperia eshte vendi me i varfer ne Europe.
19 Prill 2008 @ 2:53 pm
po mire meqenese Shqiperia qenka e varver, dhe qe nuk ia leverdis njerezve te paguajne per kopjuterat. Pse nuk paguan shteti Shqiptar dhe te bleje nja 5000-8000 kompjutera dhe ti vendosi falas me lidhje interneti neper librari, ose qendra interneti, ne te gjithe qytetet dhe fshatrat me popullsi te madhe???
Ketu ne angli e ke falas internetin ne keto lloj qendrash dhe neper librari
19 Prill 2008 @ 3:03 pm
e paditur thotë: 19 Prill 2008 @ 2:01 pm -> Sa eshte shitja e librave ne Shqiperi dhe numri i te anetaresuarve neper biblioteka?
Sa per dijeni kur isha veres (per pushime) ne Tirane, kisha disa libra dhe atikujsh per per te punuar ne nje project shkolle …shkova tek biblioteka ne qender te Tiranes te lexoj/shkruaj. Roja me thote nqs une nuk jam banor i tiranes dhe nqs nuk jam anetar ‘Mua nuk me lejohej qe te ulem aty dhe te lexoj librat e mi’. Tani llogarite vete se sa te ndihmojne ne Shqiperi per te edukuar veten, ose popullsine ne pergjthesi
19 Prill 2008 @ 4:04 pm
Kete koment dje e kisha adresuar gabim.
Shikoni çuna ça kam gjet una;ne memedhe qeveria e moshes se internetit per te luftuar korrupsionin ka hap on line tenderimet publike. Pra me internetin nuk ke si korruptohesh,softwareve te tij nuk ka ça me u ba administrata e Salihit qe ka bisedue me Bill Gates.
Por me duket nuk eshte tamam keshtu.Qe te shfrytezosh faqen e internetit duhet me u regjistrue,normal asnje nuk ka kundershtim,por lejen per ta shfrytezuar kete faqe do ta marresh pasi
“Llogarite do te aktivizohen, pasi te miratohen nga Agjencia e Prokurimit Publik”
*Llogarite _eshte fjala mundesine per te loguar qe te shikosh faqen,te marresh informacion.
Pra edhe ketu nepunesi e ka lene nje gozhde qe te jesh i varur nga kontakti me te……me gjithese une nuk jam specialist.Hudhni nje sy:
http://www.app.gov.al/ep/Registration.aspx
Eshte e nevojshme dhe e domosdoshme qe “OK” te mos jete “elektronik”?
Une nuk e kuptoj se ç’duhet nderhyrja e nepunsit te Saliut per te dhene “OK”? C’mund te beje me shume nepunesi se software!?
Konfrontimi i te dhenave?
Pra administrata prap e ka zhvleftesue edhe internetin si mundesi per te parandaluar korrupsionin
19 Prill 2008 @ 4:21 pm
Beli,
dhe ti je dakord me mua qe Qeveria duhet te pajise bibliotekat me salla kompjuterash (ose te hape te tjera te tilla).
Sa per futjen ne biblioteke, me cfare lexoj une tek faqja e bibliotekes:
, anetaresimi eshte falas, dhe dokumentat qe nevojiten ti duhet t’i kesh.
Per me teper, ne Tirane ka disa te ashtequajtura Kafe-Art, te cilat kane dhoma leximi, rafte plot me libra e fjalore, dhe jane te pajisura qofte me tavolina, qofte me kolltuke. Nje e tille eshte p.sh afer Lanes, ne rrugen qe te con tek Policia.
19 Prill 2008 @ 8:19 pm
Robi, kërcim të duket 1% në vit rritje?? E kam thënë dhe më parë që po të mbulojnë vetëm Tiranën (dhe ndoshta Durrësin) me lidhje pa tela (wireless) mund ta çojnë Shqipërinë në 30% të mbuluar me Internet brenda vitit.
19 Prill 2008 @ 10:30 pm
Rritja 2-3 here ne vit, mua me duket kercim, per delikatese, dhe rrene thene troc.
Nuk po ve njeri ne dyshim se cfare MUND te benet. Po cfare eshte, e do te behet. Ashtu me “if”, s’mbeti halle pa u bo xhaje, si dhe Shqiperia kopesht me lule.
20 Prill 2008 @ 3:34 am
Po duroni t’bohemi me kompjutera me pentium III ..pastaj vjen edhe interneti. ..me rradhe ju lutem!
http://www.youtube.com/watch?v=3eUcKMlhVe0
20 Prill 2008 @ 5:30 pm
Shqiperia padyshim ka numrin nga me te ultit ne europe per perdorimin e internetit.Por nga ana tjeter gati gjysma e rinise shqipetare banon jashte shqiperise dhe nje pjese e madhe e tyre perdorin internetin rregullisht.Gjithashtu me sa pashe une ne shqiperi gjate beharit mund te them se ishin me shume se 1% qe perdornin internetin,por kjo ne qytete,per sa i perket fshatrave nuk e di.
20 Prill 2008 @ 11:42 pm
Nuk e di nga eshte marre informacione, por ne zonat urbane, mos ja thuaj njeriu qe vetem nje perqind perdore internet. Numri eshte shume me i larte. gjithashtu, nje ndryshim i madhe midis shqiperise dhe vendeve te tjera eshte qe akoma ne Shqiperi interneti eshte mbajtur si dicka per te rinje, kurse ne shume vende te tjera, si ne Amerike, perdoret nga me te rrinjte tek me te moshuarit.
21 Prill 2008 @ 3:22 pm
Shifra 1% sic eshte thene me siper eshte komplet e gubuar…
Sipas International Telecomunications Union (agjenci e UN)…depertimi i internetit eshte 15.3% per 2007en…kur ne 2000 ishte 0.1%. I njejti burim e jep Serbine me 13.9%, Malin e Zi me 7.9%, Ukrainen me 12.7%, Maqedonia me 19.1%…Greqine me 33.5% (por ishte vetem 9% ne 2000) etj etj.
Pra sido qe te jet…Shqiperia nuk eshte ne vend te fundit ne Evrope…aspak…dhe rritja eshte nga me te medhat ne Evrope (ne mos me e madhja).
Internet Cafe kuptohet japin kontributin me te madh ne kte rritje…po e njejta gjendje eshte po ashtu edhe ne vendet e tjera te Ballkanit.