Armiqtë tanë, zezakët tanë

Për të gjithë ish-jugosllavët, dhe sidomos për serbët, shqiptarët e Kosovës ishin dikur “zezakët tanë”. Sot, ata portretizohen si armiqtë e betuar të Serbisë - një mit që përdoret paturpësisht nga politikanë nacionalistë, edhe gjatë negociatave që po zhvillohen tashmë për statusin e Kosovës. Nëse dikush në Europën Perëndimore do pyesë se si ndodhi ky transformim, unë po ju përgjigjem, se e kam parë e dëgjuar sesi ndodhi kjo gjë në vendin tim.

Ish-Jugosllavia ishte një shtet me diversitet etnik dhe kulturor. Marshalli Tito e quante këtë diversitetin e “melting pot”it jugosllav. Në realitet nuk ishte asnjëherë aq i këndshëm. Pas vdekjes së Titos, diversiteti i vendit u instrumentalizua në mënyrë tragjike; populli u nda në bazë të etnive dhe kulturave në grupe që ekonomikisht i përkisnin një hierarkie, nga më të begatët deri tek më të varfrit. Kështu, Jugosllavia pas Titos u bë një shtet vertikal Europian.

Në majë të vertikales ishte Sllovenia, republika më e përparuar ekonomikisht. Duke zbritur drejt jugut vinte Kroacia, Bosnje-Hercegovina dhe Serbia në qendër dhe Mali i Zi e Maqedonia në jug fare, zona që ishin kronikisht “të dobëta”. “Sa më në jug, aq më keq” (”Sto juznije to tuznije”) thoshte një proverb popullor, që reflektonte shkallën që ndërtoi racizmi origjinal jugosllav. Kështu, sllovenët shikonin me përcmim fshatarët kroatë; kroatët e transferonin urrejtjen tek serbët, të cilët bënin të tyren dhe kënaqeshin duke u tallur me maqedonët dhe malazezët. Boshnjakët, nga ana tjetër, vuanin përcmimin e të gjithë të tjerëve në kurriz të tyre.

Por në fund fare të shkallës ishin shqiptarët që jetonin në provincën jugore të Kosovës. Gjuhën nuk e kishin sllave. Ishin më të varfër se ne të tjerët. Kulturën e kishin të cuditshme. Dhe përballë llojeve të ndryshme të sllavëve të jugut, grupi etnik më jugor i shqiptarëve u dënua të luajë rolin e të përjashtuarve absolutë.

Ne jugosllavët mendimet për shqiptarët i bazonim pothuajse gjithmonë në klishe ofensive. Zakonisht ata i quanim me përcmim “Siptar” apo “shiptarë”. Kur nuk i urrenim haptazi, thjesht mendonim se ata nuk e meritonin as të urreheshin. Edhe në rastin më të mirë nuk patëm kurrë një dialog mes “nesh” dhe “atyre”.

Për ne, kosovarët ishin thjesht njerëz primitivë, e shumta e shumta, kllounë zbavitës. Ata ishin zezakët tanë. Por, ashtu sic jugosllavët e kohës së Titos nuk e vunë re ekzistencën e shqiptarëve, ashtu edhe sot, racizmi kulturor i atëhershëm duket i padëmshëm përballë dhunës e masakrave që Serbët iu shkaktuan shqiptarëve të Kosovës në fund të shekullit të shkuar.

Urrejtja ndaj shqiptarëve u rrit sidomos gjatë viteve kur nacionalizmi pati rritje në secilën republikë të ish-Jugosllavisë, dhe mori përmasa tiranike me ardhjen në pushtet të Slobodan Milloshevicit. Gjatë viteve 90, politikanët dhe media filluan ta përdorin hapur termin “shiptar” në mënyrë derogative, një përcaktim që nxiti paranojën publike ndaj shqiptarëve. Gjithmonë e më shumë njerëzit filluan të flisnin për shqiptarët a thua se e vetmja arsye e ekzistencës së tyre ishtë për të na sulmuar neve sërbëve.

Një nga legjendat që vërdallisej gjatë pushtetit të Milloshevicit ishte kjo: “Njëherë e një kohë kishte më pak shqiptarë se serbë në Kosovë. Me kalimin e viteve (si pasojë e një mrekullie të pashpjeguar kurrë!) shqiptarët erdhë në Kosovën nga Shqipëria dhe u vendosën këtu, në tokën tonë.” Në sytë tanë, ata kishin cilësi kafshërore, përfshi këtu vendosmërinë e bletëve dhe aftësitë riprodhuese të lepujve. Aftësia e tyre për t’u shumuar na dhanë drithërima tmerri.

Në të njejtën kohë, s’mund të ishe serb krenar po nuk pate zhvilluar dhe predikuar urrejtjen tënde për “shiptarët”. E kështu propaganda mediatike e epokës Sllobo i bëri shqiptarët armiqtë historikë të serbëve, aq shumë, sa pa këta armiq ekzistenca e vetë serbëve do ishte praktikisht e pamendueshme. Cfare do ishte Batman pa Joker-in? Kështu, dhe shqiptarët nuk ishin më kllounë zbavitës, po ata u transformuan në djaj të tmerrshëm, të pandalshëm në misionin e tyre për të na marrë territorin historik të fushës së Kosovës, “djepin e kulturës sonë”, që na përkiste si e drejtë historike!

I vendosur për të zgjidhur inatin me shqiptarët një herë e përgjithmonë, Milloshevici bëri gati një plan fantastik. Policia dhe ushtria serbe, të ndihmuar nga media, do të lejoheshin të diskriminonin e turpëronin shqiptarët pa teklif. Shqiptarët mund të hiqeshin nga puna e arrestoheshin, atyre mund t’ju merrej prona e t’ju shkatërrohej fshati. Në mënyrë krejt të papërgjegjshme, presidenti ia nisi me dhunë dhe shkatërrim nga Kosova, dhe e përhapi këtë në gjithë territorin jugosllav. Pas Dejtonit, pati një pushim të vogël, por në 1999-ën, ai u kthye përsëri aty ku filloi gjithshka, në Kosovë.

Por Kosova caktoi dhe fundin e Milloshevicit pas 13 vjetësh pushtet. Kur NATO bombardoi Serbinë në fund të Marsit të 1999-ës, shteti serb humbi kontrollin e provincës kosovare. Mijëra serbë dhe romë u larguan nga Kosova dhe shpresa, sado e vogël, se shqiptarë e serbë mund të jetonin bashkë në një të ardhmë të afërt mori fund.

Loja e Milloshevicit nga ana tjetër përfundoi me një epilog në gjukatën e krimeve të luftës në Hagë. Ama, edhe atëhere, Milloshevici arriti të shpëtonte nga përgjegjësia, duke vdekur pas një ataku në zemër. Duke i ikur drejtësisë, ai na la ne serbëve me rëndesën e fajit. Nëse e pranojmë apo jo, ne qytetarët e Serbisë kemi në kurriz peshën e fajit dhe turpit.

Para disa vjetësh, media serbe raportoi vazhdimisht mbi një traktor frigoriferik nga i cili ishin depozituar në liqenin Perucac gra, pleq dhe fëmijë të vrarë. Kufoma gjysëm të degraduara dolën në ekranet tona ndërsa po nxirreshin nga uji të shoqëruara nga rrëfimi i shoferit që ishte udhëzuar të transportonte të vdekurit nga Kosova për të fshehur krimin. Një reportazh tregontë një njeri që po lahej tek liqeni ndërsa trupat e vdekur po nxirreshin prej ujit. Kur reporteri e pyeti nëse ky fakt e bezdiste, njeriu i thjeshtë tundi kokën e duke buzëqeshur tha: “Të them të drejtën, nuk i besoj të gjitha këto,”. Një sekondë më pas, u hodh përsëri në ujë.

Ti mund të mendosh se ai njeri ishte i cmendur. Por, e kundërta është e vërtetë. Reagimi i tij është krejtësisht i kuptueshëm. Qytetarët serbë kanë pësuar një dhjetëvjecar shpëlarje truri nga politikanë e media bashkë, një dekadë që na tregon sesi gënjeshtrat e vazhdueshme mund t’i bëjnë njerëzit që t’i besojnë gënjeshtrat që kanë shpikur vetë. Njeriu që po lahej thjesht përdori aftësinë që kishte 10 vjet që po e mësonte.

Mohimi është një nga cilësiat e reja serbe. Eshtë kaq e re, saqë nuk kemi fjalë tonën për këtë, por na duhet të përdorim fjalën angleze, “denial”. Ky mohim themelor, kjo ftohtësi përballë dhimbjes njerëzore, kjo paaftësi për të treguar të paktën një keqardhje rudimentare për tjetrin, tregon se ne si shoqëri jemi në “no man’s land”. Nganjëherë duket sikur nuk deshëm t’i largoheshim rrumpallës të së kaluarës. Ceshtja e statusit të Kosovës, dhe po aq e rëndësishme, ajo e marrëdhënieve tona me shqiptarët e Kosovës, janë dy cështjet më decizive të kohës, që mund të përdoren si matëse të pjekurisë tonë politike. Arsyet pse ne nuk kemi aftësinë për t’i përballur ato në mënyrë konstruktive janë më të thella.

Shoqëria e sotme serbe është e lodhur nga politika, nga luftërat e humbura, nga varfëria kronike dhe nga ndjenjat se ne si serbë duhet të ndihemi ose viktimat ose fajtorët. Shoqëria serbe sot ka frikë nga ndryshimi dhe eviton përgjegjësitë.

E thënë ndryshe, ngjarjet e kohëve të fundit kanë siguruar se opinioni ynë për shqiptarët e Kosovës nuk do ndryshojë për dhjetra vjet. Përcmimit tradicional i është shtuar tani dhe revolta e të humburit, e cila bashkë me vetë-mëshirën mbështet idenë mistike se ne kemi të drejtë automatikisht. Në rrethe të caktuara, humbja e paevitueshme e Kosovës shihet si dicka apokaliptike. Jo para shumë kohësh Beogradi ishte plot me postera që deklaronin “Nuk ka Serbi pa Kosovë!” Ama, kushdo që e thotë këtë është duke gënjyer, dhe shumë prej nesh e dinë këtë sepse mbi të gjitha, po bëhet gjithnjë e më evidente se statusi i Kosovës është dicka margjinale përsa i përket jetës së përditshme të një qytetari serb. Shumë qytetarë serbë, e sidomos të rinjtë, të zhgënjyer nga të gjitha krahët kanë vendosur të mos besojnë më në asgjë, tamam si ai njeriu i thjeshtë që po lahej tek liqeni.

Po c’mund të presësh nga një brez që është rritur mes luftës e shkatërrimit, ushqyer me politika të hapura urrejtjeje, e mohuar vizat për të parë vende dhe kultura të tjera? Fatkeqësisht, s’mund të presësh shumë. Të rinjtë tanë kanë filluar të urrejnë përsëri, shpesh me kënaqësi të madhe. Sondazhe gjimnazistësh të bëjnë të të ngrihen qimet e kokës - dhe përputhen me impresionet e krijuara në jetën e përditshme. Mbi 30 për qind e nxënësve në fillore mendojnë se ata “nuk duhet të bëhen shokë me shqiptarët, e as t’i vizitojnë.” Pothuajse 1/3 e të rinjve mendojnë se kinezët - i vetmi grup relativisht i madh i të huajve në Serbi - duhet të mos kenë leje rezidence, edhe nëse ata nuk e kanë shkelur ligjin. Një në tre adoleshentë meshkuj, dhe një në dy adoleshente femra i shohin më përcmim homoseksualët dhe të infektuarit me HIV.

Të shikosh sesi shoqëria bashkëkohore serbe ka arritur të deformojë mendimet dhe emocionet e të rinjve, të bën të dridhesh. Mbase zgjidhja është të presim e të jemi të duruesh. Mbase mund thjesht të shpresojmë se një brez i ri do rritet në rrethana më paqësore, e më të shëndetshme. Mbase e vetmja gjë që na mbetet të besojmë është se nipërit e mbesat tona do jenë fëmijët tanë të vërtetë.


Nga Vladimir Arsenijevic, i cili lindi në Pula, Kroaci, në vitin 1965. Romanet e tij kanë fituar disa cmime e janë përkthyer në disa gjuhë të botës. Ai jeton në Beograd.

Marrë nga Sign and Sight

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

30 Komente

  1. Selfmaderadio thotë:

    2 November 2007 @ 10:15 am

    Penar,

    ky artikull i ben respekt Peshkut. Por, edhe ty qe e ke perkthyer. Faleminderit.

    Ky artikull jo vetem na jep nje pamje te asaj qe ndodh ne Serbi por na tregon se cuditerisht kemi edhe probleme te ngjashme. Gje qe ne te vertete eshte shume e frikshme. Sepse, shoqeri te tilla qe gati kane humbur shpresen jane shoqeri te hapura ndaj marrezive kolektive. Jane te hapura ndaj marrezise tjeter te radhes.

    Une mendoj qe kjo eshte nje teme shume e rendesishme per t’u diskutuar sepse duke u diskutuar na ndihmon te kuptojme perse disa gjera jane ashtu si jane, na ndihmon te shohim se si mund te zhvillohen gjerat ne te ardhmen; na ndihmon te kuptojme se perse ndodhin marrezite dhe se sa afer tyre jemi. Na ndihmon te kuptojme edhe se si dukemi ne vete; na ndihmon te krijojme nje lloj distance nga vetja.

  2. Leon thotë:

    2 November 2007 @ 10:22 am

    Analize e perkryer…
    “Një reportazh tregontë një njeri që po lahej tek liqeni ndërsa trupat e vdekur po nxirreshin prej ujit. Kur reporteri e pyeti nëse ky fakt e bezdiste, njeriu i thjeshtë tundi kokën e duke buzëqeshur tha: “Të them të drejtën, nuk i besoj të gjitha këto,”. Një sekondë më pas, u hodh përsëri në ujë.”
    Sa e vertet dhe sa tragjike…

  3. Annisel thotë:

    2 November 2007 @ 10:27 am

    Artikull interesant dhe kuptimplote.

  4. berti thotë:

    2 November 2007 @ 11:02 am

    Aq e vertete eshte sa edhe mua nuk me besohet se mund te ekzistoje nje serb me te tilla ide ne koke dhe aq me teper i ben publike.

  5. Selfmaderadio thotë:

    2 November 2007 @ 11:06 am

    Berti, ka edhe te tjere si ky. Por, marrezia kolektive duket sikur ua merr zerin dhe rolin e protagonistit ketyre njerezve qe akoma nuk jane cmendur.

  6. berti thotë:

    2 November 2007 @ 11:07 am

    Analiza e Vladimir Arsenijevic thjesht eshte e perkryer. Penar vleresimi te takon patjeter edhe ty.

  7. artan thotë:

    2 November 2007 @ 12:47 pm

    Vladimir Arsenijevic ,ne kete shkrim nuk ben gje tjeter vecse verteton ,se kush jane serbet dhe politikane e tyre,nje komb nacionalist me shenja te theksuara te cmendurise.,te urrejtjes as pak te drejta per kombet fqinje,serbeve u ka mbetur sahati ne betejen e Fushe Kosoves ne vitet 1389 .Dhe jetojne me endrat e perandoirive dhe dinastive serbeve te shekullit 11,12….por kohet kane ndryshuar,dhe kete serbet nuk duan ta besojne

  8. sui thotë:

    2 November 2007 @ 12:49 pm

    Pershkrimi me i spikatur:

    “….Në sytë tanë, ata kishin cilësi kafshërore, përfshi këtu vendosmërinë e bletëve dhe aftësitë riprodhuese të lepujve.”

    Rrofsh per artikullin penar.

  9. artan thotë:

    2 November 2007 @ 3:47 pm

    200 vjet me perpara, nuk kishte as edhe nje nocion ,per nacionalizmin Serb,ai lindi vetem pas dobsimit te dy perandorive qe administruan Ballkanin,Tuqit dhe Austro-Hungarezet.
    Cmenduria serbe mbahet vetem,me “krenearine” dhe “dinastine e mbretereve dhe patriarkanave ” te kohes se mesjetes.

    Si edhe me Vaso Cubrilovicin,teoricieni i nacionalizmit te semur serb .

  10. Pjer Thomas thotë:

    2 November 2007 @ 3:56 pm

    Artikull interesant qe mendoj se eshte shkruar nga nje serb me mend ne koke, apo i pakompleksuar. Eshte e çuditeshme se serbet ne pergjithesi , shohin dhe propagandojne vetem anet e keqia te shqiptarve dhe jo anet e mira, biles shtojne/rendojne dhe ca me shume me ekzaxhirime theniet e tyre kundrejt nesh. Ky artikull eshte nje hap civilizues i asaj pakice bashkohore qe jetojne ne ish Jugosllavi.

  11. Qafir Arnaut thotë:

    2 November 2007 @ 4:29 pm

    Me sa kam pare une 50% e Serbeve mendojne si ky. Ai popull paraqet ‘a clear and present danger’ per ekzistencen e Siptari

    Para disa vjetësh, media serbe raportoi vazhdimisht mbi një traktor frigoriferik nga i cili ishin depozituar në liqenin Perucac gra, pleq dhe fëmijë të vrarë. Kufoma gjysëm të degraduara dolën në ekranet tona ndërsa po nxirreshin nga uji të shoqëruara nga rrëfimi i shoferit që ishte udhëzuar të transportonte të vdekurit nga Kosova për të fshehur krimin. Një reportazh tregontë një njeri që po lahej tek liqeni ndërsa trupat e vdekur po nxirreshin prej ujit. Kur reporteri e pyeti nëse ky fakt e bezdiste, njeriu i thjeshtë tundi kokën e duke buzëqeshur tha: “Të them të drejtën, nuk i besoj të gjitha këto,”. Një sekondë më pas, u hodh përsëri në ujë.

  12. Qafir Arnaut thotë:

    2 November 2007 @ 4:32 pm

    Selfmaderadio: a ka mundesi te zgjerohesh me tej ne kete ide duke patur parasysh postimin qe bera me siper?

    cuditerisht kemi edhe probleme te ngjashme

  13. lulian kodra thotë:

    2 November 2007 @ 4:36 pm

    Hallall! Por meraku qe kam une, ky artikull eshte shkruar ne anglisht dhe botuar per jashte Serbise, apo ne serbisht dhe botuar brenda. Se po nuk qe e dyta, nuk ka edhe aq shume vlere.

  14. Qafir Arnaut thotë:

    2 November 2007 @ 4:40 pm

    O Lulian Kodra…po TV kombetar i Serbise tregoi njerez me uniforma ushtarake te Serbise (jo vullnetare pra) duke ekzekutuar nga afer civile boshnjake, dhe vetem gjysma e audiences ende kujton se video eshte fallcifikuar. Serbia ka boll botime te tilla…beleive me…nuk pijne uje.

    Hallall! Por meraku qe kam une, ky artikull eshte shkruar ne anglisht dhe botuar per jashte Serbise, apo ne serbisht dhe botuar brenda. Se po nuk qe e dyta, nuk ka edhe aq shume vlere

  15. Selfmaderadio thotë:

    2 November 2007 @ 4:43 pm

    1. Shoqëria e sotme serbe është e lodhur nga politika, … nga varfëria kronike dhe nga ndjenjat se ne si serbë duhet të ndihemi ose viktimat ose fajtorët. Shoqëria serbe sot ka frikë nga ndryshimi dhe eviton përgjegjësitë.

    2. Po c’mund të presësh nga një brez që është rritur mes luftës e shkatërrimit, ushqyer me politika të hapura urrejtjeje, e mohuar vizat për të parë vende dhe kultura të tjera?

    3. Shumë qytetarë serbë, e sidomos të rinjtë, të zhgënjyer nga të gjitha krahët kanë vendosur të mos besojnë më në asgjë,

    4. Një në tre adoleshentë meshkuj, dhe një në dy adoleshente femra i shohin më përcmim homoseksualët dhe të infektuarit me HIV. (ketu dyshoj qe ne i kemi shifrat me te larta)

  16. artan thotë:

    2 November 2007 @ 4:53 pm

    artikulli eshte perkthyer nga origjinali, ne anglisht nga Melanie Newto
    .. dhe eshte paraqitur ne Die Zeit ,nje gazete e perjavshme Gjermane, me 20 shtator 2007

  17. WASU thotë:

    2 November 2007 @ 4:56 pm

    Faleminderit per artikullin, nuk eshte asnjehere e tepert te denoncosh aspekte te tilla rrenqethese te jetes shoqerore. Urrejtja dhe injoranca shkojne krah per krah, ne fjalor duhet ti kishin klasifikuar si sinonime. E kam te veshtire te konceptoj si dikush mund te percmoje apo urreje duke u bazuar ne ndryshim idesh, kombesie, ngjyre…Duke lexuar artikullin, me keqardhje me shkon ndermend se edhe shumica e shqiptareve reagojne ne te njeten menyre, i vetmi ndryshim eshte se ne jemi andej nga fundi i listes se percmimit, ndaj nuk na bie shpesh te gjejme dike qe e konsiderojme si “me poshte”. Nqs ju duket se po ekzagjeroj, thjesht mendoni cili eshte reagimi i shqiptareve ndaj zezakeve, homoseksualeve, romeve, deri aty edhe ndaj njerezve te te njejtit komb po tjeter krahine? Nuk jane te shumte ata qe arrijne ta konceptojne faktin se te qenurit krenar per prejardhjen tende nuk barazohet me te qenurit fodull.

  18. losttext thotë:

    2 November 2007 @ 8:20 pm

    “Hallall! Por meraku qe kam une, ky artikull eshte shkruar ne anglisht dhe botuar per jashte Serbise, apo ne serbisht dhe botuar brenda. Se po nuk qe e dyta, nuk ka edhe aq shume vlere.”

    Lulian, artikulli eshte botuar se pari ne gjermanisht ke Die Zeit. Linkun e Sign and Sight e pata sjelle para ca ditesh ke tema “(Pa)varesia qe (nuk) negociohet”. Me vjen mire qe Penari e solli vecmas; pavaresisht se artikulli nuk eshte botuar ne serbisht e per serbet, ka vlere per ate qe meton te sjelle. Autori jeton ne Beograd dhe jam i sigurte qe ka edhe te tjere qe e mendojne si ai.

  19. Qafir Arnaut thotë:

    2 November 2007 @ 10:31 pm

    Sigurisht qe ka njerez te balancuar ne Beograd. Me shume se gjysma e serbeve eshte e balancuar. Halli eshte qe ne nje ‘demokraci’ si Serbia zeri i te balancuarve nuk degjohet.

    lexo kete lajm te bukur nga agjencia e pavarur e lajmeve (serbe) b92
    http://www.b92.net/eng/news/politics-article.php?yyyy=2007&mm=11&dd=02&nav_id=45046

  20. Qafir Arnaut thotë:

    2 November 2007 @ 10:33 pm

    Selfmaderadio, me beso, nuk kemi as gjysmen e problemeve qe ka shoqeria Serbe(dmth as gjysmen e ketyre qe numeron ti me poshte)

    1. Shoqëria e sotme serbe është e lodhur nga politika, … nga varfëria kronike dhe nga ndjenjat se ne si serbë duhet të ndihemi ose viktimat ose fajtorët. Shoqëria serbe sot ka frikë nga ndryshimi dhe eviton përgjegjësitë.

    2. Po c’mund të presësh nga një brez që është rritur mes luftës e shkatërrimit, ushqyer me politika të hapura urrejtjeje, e mohuar vizat për të parë vende dhe kultura të tjera?

    3. Shumë qytetarë serbë, e sidomos të rinjtë, të zhgënjyer nga të gjitha krahët kanë vendosur të mos besojnë më në asgjë,

    4. Një në tre adoleshentë meshkuj, dhe një në dy adoleshente femra i shohin më përcmim homoseksualët dhe të infektuarit me HIV. (ketu dyshoj qe ne i kemi shifrat me te larta)

  21. artan thotë:

    3 November 2007 @ 12:17 am

    Nje reporter serb i Parlamentit Europian Jelko Kacin,i deklaroi nje gazete Austriake dje, qe serbia duhet te pranoje pavarsine e Kosoves,dhe se serbia e ka humb kosoven qe prej vitit 1999.Ai mendon se Serbia mund te behet nje promotor i Ballkanit si Gjermania per Europen,duke aluduar keshtu lenien e Kosoves se pavarur dhe fillimin e nje faqe te re te historise se ballkanit.nje mendim per tu admiruar,por i veshtire per tu perkrahur,pasi Serbia eshte ende nje vend i pademokratizuar dhe shume konservator..

    http://www.b92.net/eng/news/politics-article.php?yyyy=2007&mm=11&dd=01&nav_id=45027

  22. artan thotë:

    3 November 2007 @ 12:19 am

    Qafir,
    Ishte interesant ai linku qe dhe ..

  23. Qafir Arnaut thotë:

    3 November 2007 @ 12:27 am

    Me forta: Zdravko Tolimir dore e djathe e Mladic i akuzuar nga Gjykata e Hages qenka arrestuar ne Maj. Serbia deklaroi se ishte arrestuar ne kufi me Bosnjen, ndersa vete Tolimir tha qe e kane arrestuar ne Belgrad. Serbet i mbajne keta rob rezerve ne Belgrad. Te mos permendim pastaj qe 1/3 e parlamentit jane naziste te Partise Radikale…e pastaj Selfmaderadio me thote mu qe problemet e Shqiperise jane te ngjashme!!!

  24. jakova thotë:

    3 November 2007 @ 1:23 am

    artan thotë:
    Nje reporter serb i Parlamentit Europian Jelko Kacin
    ___________________________________________
    Jelko Kacin eshte deputet ne Parlamentin Europian nga Sllovenia!

  25. jakova thotë:

    3 November 2007 @ 2:11 am

    Per ne qe nje pjese te jetes e kaluam ne ish-Jugosllavi,ky tekst edhe nuk ka ndonje vlere.Percmimi ishte nje sport nacional ne te gjitha pjeset e ish -Jugosllavise duke perfshire ketu edhe Kosoven.Une nuk njoh ndonje kosovar qe serbit i thote serb ne vend se “maxhup-shka”.
    Racizmi eshte bere pjese perberese e Ballkanit ne pergjithesi.

  26. artan thotë:

    3 November 2007 @ 11:17 am

    Jakova,eshte e drejte Jelko Kacin,qeka deputet Slloven ne Parlamentin Europian,i paskem honger Identitetin, te me fali Zotnia,sidoqofte ka bere nje deklarate te drejte..

  27. odin m. thotë:

    3 November 2007 @ 7:36 pm

    termi perbuzes “siptar” ne jugosllavi eshte huazuar nga anglishtja “sheep” me domethenien “bari”, por dy te tretat e perdorin pa ja ditur kuptimin e vertete thjeshte sikur thone me perbuzje “neger”,”zezak”.

  28. artan thotë:

    4 November 2007 @ 1:31 am

    Une nuk e besoj te jete keshtu, mendoj se serbet nuk e shqiptojne mire”shq”,po qe ashtu edhe ne mund te bejme krahasimin se fjala”serb” vjen nga fjala “serpent” qe do te thote gjarper, keto jane interpretime fjalesh ..

  29. jakova thotë:

    4 November 2007 @ 2:52 pm

    Termi “shiptari” perdorej ekskluzivisht per te bere diferencimin e kosovareve prej shqipetareve nga Shqiperia,dmth kryekeput kishte qellime politike.Termi perbuzez per shqipetaret ishte “arnaut” dhe vazhdon edhe sot e kesaj dite ,ashtu siq eshte “kaurr” per shkijet psh.

  30. jakova thotë:

    4 November 2007 @ 3:28 pm

    Harrova te theksoj se ky termi “zezaket” eshte nje term i ri te cilin nuk e kisha degjuar me pare,dhe me siguri duhet te ishte nje kunderpergjigje e shtypit kosovar i cili enklavat serbe i quan “rezervate indianesh”.

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.

  • Po shikoni nje artikull ne faqen e arkivit te Peshkut pa Uje. Per te pare faqen aktive, shkoni tek peshkupauje.com