Aj lajk, aj lajk?
“Uin-uin” është titulli i një shkrimi tek gazeta Shqip, nga Kastriot Islami. Pa thonjëza. Pa rezervë. Kur e pashë për herë të parë, m’u duk si gabim rrjeti.
“Shumë najs, shumë najs…”, lexon motoja në reklamën e një pijeje energjike shqiptare. Dy herë, dy fjalë anglisht, të shkruara në shqip. Nuk mendoj se është rastësi, përkundrazi është një shenjë e kohës, e të ashtuquajturit zeitgeist. Por ndërsa marketingu i pijes Golden Eagle është i vetëdijshëm për përdorimin “bruto” të fjalëve anglisht, përdorimi i Islamit duket dembel dhe i pakujdesshëm. Përdorimi i fjalëve të huaja në gjuhën shqipe nuk është as çudi, as krim. Por në kontekste të caktuara, importimet stonojnë.
Shikoni fillimisht videon e reklamës për pijen Golden Eagle (fillimisht postuar tek Brisku):
Reklama nuk është mahnitëse. Ajo përfshin disa nga elementët më të zakonshëm të reklamave në tregun shqiptar: VIP-at (Etno Engjujt), veshjet dhe skenografinë në thonjëza “moderne”, lexo “amerikane”, tentativën për pak humor dhe patriotizmin. Muzika reflekton të njëjtin kombinim të perëndimores me shqiptaren, ku hip-hopi dhe muzika popullore shqiptare janë bërë një. Deri këtu asgjë nuk është jashtë standartit.
Por në fund, motoja “Shumë najs, shumë najs…” nuk është e thatë, nuk është thjesht një përkthim dembel. Para saj, një prej Etno-Engjujve thotë “ee, si thoni ju…shumë najs, shumë najs” që krijon një kontekst krejt tjetër, një kontekst ku evidentohet tensioni mes shqiptares dhe perëndimores. Nëpërmjet këtij evidentimi, motoja kthehet në një shaka më vete, bëhet vetë-kritikuese dhe vetë-reflektuese. E shkruar ashtu, shqip, “najs”, fjala tallet, në kuptimin e mirë të fjalës, me morinë e përdorimeve të fjalëve të huaja në shqip gjetkë. Në fakt, ajo që duhet vënë në dukje është se përdorimi i fjalës anglisht “nice”, shkruar shqip “najs”, mbart në vetvete një kuptim që nuk përcillet dot ndryshe, sepse “najs” përmban shqiptarizimin e perëndimores. (Reklama kështu është e vetëdijshme për tensionin shqiptare/perëndimore, prezent gjatë gjithë reklamës, por dhe në shoqërinë shqiptare në përgjithësi.)
“Uin-uin”-i i Islamit është ndryshe sepse shqiptarja zëvendësohet nga perëndimorja. Islami po shkruan një artikull serioz, në një gazetë serioze, për një çështje serioze. Përdorimi i shprehjes “uin, uin”, në kontekstin e shkrimit, ka të paktën dy synime: a) të demonstrojë burimin perëndimor të problematikës në fjalë (shkrimi flet për metodat e negociimit), b) të vërtetojë autoritetin e autorit në fushën e diskutimit. Argumenti kryesor i shkrimit është se amendamentet kushtetuese ishin negociata ku të gjitha palët e përfshira fituan si rezultat i kompromisit, e rrjedhimisht “uin, uin”. Jo rastësisht, Islami është një nga arkitektët e amendamentit.
Nuk mendoj se është e tepërt të interpretohet përdorimi i shprehjes “uin, uin” si një sprovë për të vërtetuar argumentin tangjencialisht, duke theksuar bazat perëndimore të tij dhe botshmërinë e autorit (paçka se injorohet fakti se ka disa grupe që nuk ndihen shumë “uin” këto ditë). Kështu negocion bota, kështu po bëjmë dhe ne. Rrjedhimisht, meqë kështu e quan bota këtë “teknikë”, kështu do e quajmë dhe ne. “Dhe rezultati ishte i standardeve evropiane, pse jo edhe negocimi,” shkruan Islami. (Ajo “pse jo”-ja tradhëton demagogjinë e Islamit.) Si shumëkush në opinionin publik shqiptar, Islami përmend standartet europiane si vërtetues të argumentit. Perëndimorja automatikisht zëvendëson çdo gjë tonën. Përfshi dhe gjuhën.
Përdorime të ngjashme të termave të huaj nuk janë të rralla në tregun tiranas të ideve. (Mëkati i vetëm i Islamit ishte shkrimi i artikullit tre ditë pasi Brisku postoi videon e mësipërme.) Të paktë janë ata që flasin apo shkruajnë me kujdes, duke përdorur fjalë të huaja rrallë ose vetëm atëhere kur nuk ka fjalë shqipe të përshtatshme. Importimi “bruto” është standarti. Prandaj dhe motoja e Golden Eagle është domethënëse. E kush e mendonte se do të gjente kritikë shoqërore në një reklamë për pije energjike?
——————————————
Uin-Uin
Kastriot Islami
gazeta Shqip
Negocimi me shumatore zero…
Ekzistojnë disa mënyra negocimi për të arritur një marrëveshje. Ka raste kur dikush nuk dëshiron të merret me kundërshtarin dhe nuk i intereson dëshira e tij e mirë për mirëkuptim, për rrjedhojë ai luan “lojë të fortë” me synimin për të fituar gjithçka në një “ndeshje” bashkëveprimi apo negociatë, ndërkohë që kundërshtari natyrisht nuk ka rrugë tjetër veçse të humbasë gjithçka. E njëjta strategji mund të parashikohet e parapërgatitet edhe nga kundërshtari. Shumë njerëz, jo rrallëherë, përgatiten për beteja të tilla “konfliktuale” ku dikush fiton gjithçka dhe tjetri humb gjithçka. Kjo quhet në literaturë “lojë me shumatore zero”, sepse shuma e “fitores” së njërit me “humbjen” e tjetrit del e barabartë me zero, për faktin se “fitorja” është madhësi me shenjë pozitive dhe “humbja” me shenjë negative, por të dyja në masë të barabartë në një bashkëveprim simetrik. Konflikti është karakteristika e këtij lloj bashkëveprimi dhe destabiliteti karakteristika e rezultatit të tyre. Shqipëria në tranzicionin e saj është karakterizuar përgjithësisht nga ky lloj bashkëveprimi. Është hera e parë që ndodh ndryshe me negocimet e përdorura për ndryshimin e sistemit zgjedhor përmes ndryshimit kushtetues…
Negocimi me rezultat uin-uin…
Por në shumë nga negocimet bashkëkohore ndodh ndryshe, sidomos në sistemet demokratike. Bëhet fjalë për negocimet me “shumë jo zero” bile të njohura në literaturë “negocimet uin-uin (në anglisht shkruhet win-win)” që në shqip përkthehet “negocim fitore-fitore”. Uin/Uin (fitore/fitore) është një nga gjashtë filozofitë e bashkëveprimit njerëzor: i) fitore/fitore, sipas këtij opsioni çdo person mund të synojë një përfitim reciprok në një bashkëveprim njerëzor e parimor; ii) fitore/humbje, sipas këtij opsioni “nëse unë fitoj, ti humb”, kjo është tipike për lidershipin autoritar i cili mendon së nëse të dy fitojnë, të dy humbin; iii) humbje/fitore, sipas këtij opsioni individi synon me prioritet forcimin e popullaritetit përballë pranimit të humbjes; iv) humbje/humbje, ky është një opsion tipik për personat që janë të obseduar nga ndjenja e humbjes së tjetrit; kjo është filozofia e konfliktit dhe e luftës apo e personave dependent, të cilët mendojnë se nëse askush nuk fiton nuk është keq; v) fitore- dhe vetëm fitore, ky është opsion tipik për personat që janë të vendosur të marrin gjithçka për vete pavarësisht nevojave të të tjerëve; dhe vi) fitore-fitore ose jo marrëveshje, që do të thotë se nëse nuk gjendet një zgjidhje me përfitim reciprok midis palëve, atëherë palët merren vesh që të mos merren vesh; kjo është një qasje realiste vetëm në fillim të negocimit, ndërkohë që në një marrëdhënie afatgjatë kur marrëveshja është e detyrueshme, ky opsion nuk mund të jetë një opsion.
Qëllimi i këtyre negocimeve është gjetja e një zgjidhjeje të pranueshme nga të dy (ose më shumë palët) palët, duke i lënë përgjithësisht palët të ndihen se kanë fituar, pasi negociatat kanë përfunduar dhe vendimi është marrë. Në praktikat e negocimit modern, midis partnerësh bashkëveprues e bashkëpunues, gjithnjë e më shumë po fiton terren suksesi i bazuar në rezultatin e arritur ku pothuajse (dhe pse jo edhe të gjithë) të gjithë palët fitojnë. Rezultatet e negocimit uin-uin duke arritur përfshirje mjaftueshmërisht maksimale garantojnë stabilitet në vijim, sidomos në fazën e implementimit të marrëveshjes së arritur përmes këtij tipi të negocimit. Aq më tepër një tip i tillë negocimi është i këshillueshëm për përcaktimin e sistemit zgjedhor, për të cilin kërkohet legjitimitet maksimal politik e përfaqësim të shtetasve…
Ndryshimi kushtetues i sistemit zgjedhor - negocim me rezultat uin-uin
I gjithë negocimi për paketën e ndryshimeve kushtetuese të lidhura me sistemin zgjedhor ishte shumëpërmasor dhe me shumë parametra. Ndërkohë që edhe rezultati është shumëplanësh. Ishte një negocim transparent midis aktorëve politikë. Ishte një bashkëveprim/konsultim me ekspertizën më të mirë vendase e të huaj. Ishte një bashkëveprim/informim me publikun dhe shtetasit. Ishte një bashkëveprim gjerësisht i mediatizuar. Ishte një bashkëveprim për herë të parë pa praninë e moderatorëve perëndimorë. Ishte një negocim me ownership (pronësi) të lartë shqiptar. Dhe rezultati ishte i standardeve evropiane, pse jo edhe negocimi. Ishte një proces gjithëpërfshirës me rezultat të cilin në Kuvend e votuan pro rreth 87 për qind e deputetëve dhe vetëm 17 deputetë ose 12 për qind e votuan kundër. Mund të thuhet pa asnjë dyshim se në themel ishte një negocim modern me koncept e rezultat uin-uin, ku “fitorja” ishte pothuajse shumëplanëshe dhe përmes së cilës një shumicë mjaftueshmërisht e konsiderueshme aktorësh ndihet “fituese”. Për të qenë realist, duhet pranuar se për shkak të prezencës së kundërshtarëve (gjë që duket normale, sidomos në kontekstin shqiptar) mund të ketë aktorë apo vëzhgues që e konsiderojnë këtë negocim si jo perfekt, po ashtu edhe rezultatin. Kjo është e kuptueshme dhe ndoshta e pritshme, përderisa bëhet fjalë për një reformë që heq një deformim të konsiderueshëm dhe prek interesa të ndërtuara gjatë një periudhe me shumë defekte. Sidoqoftë, besoj se ishte negocimi më i mirë i deritanishëm, rezultati me gjithëprezencën më të lartë të termit uin=fitore. Ishte një negocim e rezultat i përshëndetur masivisht nga partnerët evropianë e ndërkombëtarë. Kam përshtypjen gjithashtu, se përgjithësisht publiku gjithashtu ndihet maksimalisht e masivisht i “fituar”. Bile për sa i përket sistemit zgjedhor, me kalimin e kohës shikohet që edhe “zhurma minoritare” po shuhet dhe “zhurmuesit politikë” kanë filluar të ndihen të “fituar”. Uin-Uin po “fiton”…


6 Maj 2008 @ 9:39 am
Penar,

Vijme prape tek mrekullite qe gjen te shkruara neper Shqiperi, ne media, ne faqe zyrtare, ne vende publike (sic kane qene edhe te dokumentuara me foto ketu te peshku)
Te preferuarat e mia ngelen:
-welkome to Lac siti
-This days of mother Teresa
-you have right
-shitet (s’ka ngelur vizitor pa me pyetur perse shumica e shqiptareve ngjisin ne makinat e tyre (kryesisht te vjetra) deklarata te tilla qe e emertojne makinen “shit-et”)
uin-uin.
6 Maj 2008 @ 9:50 am
shum triste, shum triste… aber, you got the point.
6 Maj 2008 @ 12:02 pm
Duket qe Kastrioti nuk e ka lexuar mallkimin e Gjergj Fishtes!!!!!
6 Maj 2008 @ 12:31 pm
—
Ket do ta shohim Kaço, se ky artikull yt pervec nje debati gjuhesor nuk po “nref” ndonje gje tjeter… pastaj meqe uin-uin-i yt qenka kaq i sigurt pse nuk je lodhur pakez me teper per te na treguar se ne cfare mase qenkeshim te uin-ur nga ky negocim !!!
Nejse, problemi eshte qe disa njerez jane aq fodulle sa kujtojne se uin-in gjithmone, por kujdes se mund te kthehet ne uin-luz dhe pastaj cfare do te na shkruash…
6 Maj 2008 @ 1:13 pm
Nuk eshte kuptuar thelbi i shkrimit te Kac Islamit.
E gjitha qe kerkon te thote Kaci eshte : Bile për sa i përket sistemit zgjedhor, me kalimin e kohës shikohet që edhe “zhurma minoritare” po shuhet dhe “zhurmuesit politikë” kanë filluar të ndihen të “fituar”.
Pra thelbi fillon dhe mbaron tek fakti qe Kaci po ben nje mbrojtje personale ndaj sulmeve qe ju bene.
Analizat qe bene partite e vogla dhe kryesisht te LSI dolen te gabuara e kjo e ben Kacin jo fajtor , perkundrazi si ideator te ndryshimit per mire . Ketu fillon dhe mbaron ai.
Levizja e gabuar e Rames qe pranoi ndryshimet e tjera te kushtetutes dhe kundershtia qe mori ne opinion e qe rezultoi me e madhe se sa ai e priste , e sjell LSI ne nje pozicion te favorshem per ditet qe vijne.
Sistemi zgjedhor godet te ashtuquajturen Levizja Nano. Tani qe LSI mendon qe keto vota nuk i shkojne as Nanos as Rames, ku mendoni ju se shkojne keto vota ?
Ketu nisin e behen llogarite qe Rama si rob i trashe i kupton me shume vonese.
Nga ky sistem zgjedhor mbijeton vetem LSI nga partite e vogla dhe rrjedhja e votave nga PS nuk shkon vetem se ne favor te LSI.
Ketu fillon dhe mbaron shkrimi dhe Kaci po kerkon ta thote me ze te larte kete pune.
Tani per ta bere dhe me te qarte kete pune mjafton qe te shikoni Gazeten Shqip se si reagojne dy nga aktivistet e G99 per kete ceshtje :
Loja “win-win” larg syve te publikut nga Muc Nano
si dhe
Win-win apo win-twin
Andrea Stefani
Pra, tani me shume vonese e kuptuan sesi ja futen vetes, po gjithe lezet ama duke mos e hapur gojen atehere kur duhej.
Kaq e thjeshte eshte kjo kaq.
Poliitika nuk behet me emra por me mbeshtetje.
Ne nje bisede qe beri Mejdani ne nje studio i shtroi kete pyetje atyre qe iniciun ndryshimet :
Kush eshte perfitimi i PS qe beri keto ndryshime ?
Sot llogarite flasin jo ne favor te PS-se Rames.
Kjo levizje e tij per te forcu rolin e tij ne krye te PS, sulmi pa precedent i sejmeneve te tij ndaj Metes dhe LSI-se, hipokrizia e pashembullt ne raport me kontribuesit ne PS, berja e burrit te shtetit ne rastin e tragjedise se Gerdecit, dorezimi pa kushte ne perplasjen me mazhorancen e cojne PS ne rrezikun e humbjes si parti e pare e krahut te opozites.
6 Maj 2008 @ 3:16 pm
Hmm, dje titujt kishin uin-uin, sot win-win. Interesting…
6 Maj 2008 @ 4:07 pm
mos kane Zhakun e Kopirajt si keshilltare?
6 Maj 2008 @ 4:54 pm
Kam patur nje fare respekti per Islamin, por me kete titull duket sikur ka rrjedhur nga trute. I eshte dukur titull bombastik. Sa per faktin se cili fiton e cili humbet per Kacin pak rendesi ka. Hidhet prape tek Meta ai.
6 Maj 2008 @ 5:37 pm
Koth o rob i mire. Si gjithe te tjeret ke dhe ti fiksimet e tua. Te siguroj une qe s’ka shqiptar qe s’ka ndonje interes te drejteperdrejte te votoje per meten. Harron valle qe ka qene kryeminister dhe e dime te gjithe qe leket i vidhte me thes per te mos then per skraparllinjt qe mbine brenda dites nga cdo ane. Une s’kam asgje kunder skraparllinjve po e them vetem per te treguar qe s’eshte ndryshe nga te tjeret dhe qe tashti qe hiqet si nona e virgjer e jezu krishtit se beson njeri.
6 Maj 2008 @ 6:19 pm
E the Geri se plase !

Shume katolike dushesh !
7 Maj 2008 @ 5:06 pm
Shume interesante e ke kete Penar, dhe Kaci pergjigjet ‘tit for tat’…
7 Maj 2008 @ 5:23 pm
Mos u fusni ne siklet, Kaci nuk ka rrjedhur fare.
Prof. Dr. eshte projektuesi i dushkut, sic eshte dhe i sistemit spanjoll me nuanca norvegjeze. Mjeshtri di se c’ben. Dmth se pari garanton 1000% kolltukun e tij ne parlament, me tej, pse jo dhe ndonje ministri, po qe se ka nei privatizim me dhjame per te bere.
7 Maj 2008 @ 5:34 pm
Po pra, po, Blend, e pashe sot. Shume shume i cuditshem ai titulli. Keta sikur kane ne plan qe te mos i lexoje njeri fare pervec njeri-tjetrit. “Tit for tat” asiston “Win-Win”, ca do te thote kjo, une s’e di. As ne anglisht, as ne shqip. As, madje, edhe ne shqipglisht.
Dhe artikujt e Kacit lodhen kot me rreshta te tera per te perkthyer fjale e koncepte qe ekzistojne ne shqip, si “sy me sy” apo ideja qe ne nje bote ideale, te gjitha palet e nje kompromisi mund te perfitojne prej tij (”win-win”). Kot me kot, e quan dhe kete fundit “filozofi”.
S’e ka gabim Koth kur thote qe keto jane terheqje vemendjesh, larg nga gjona te tjera qe kane rendesi. Ky debati mes ketyre te treve (Islami, M. Nano, Stefani) sidomos eshte krejtesisht pa dobi. (Une po pres e shpresoj qe te mos perfshihen dhe te tjere… si Lubonja, p.sh.).
7 Maj 2008 @ 8:55 pm
fragment nga “Kryeveper”, Edison Ypi, Gazeta Panorama, 06.05.08
Te pakten Edisoni e ka bere per te tipizuar inorancen e personazhit (shoqerueses se politikanit), ndersa xhaxhi Kaçi e ka per te tipizuar injorancen e tij