Çfarë ndodh me tetëmbëdhjetëvjeçarët që këtë vit do të gjenden për herë të parë përpara kutive të votimit? Sa e njohin politikën e vendit të tyre? Çfarë kërkojnë dhe çfarë refuzojnë të marrin prej saj?

“Eh, të rinjtë e sotëm...!”, do të kishin thënë shumë prej nesh, duke iu dorëzuar etiketimit të thjeshtë e të përgjithshëm që iu bëhet atyre sot, e duke pritur më së shumti dezinformim, pasiguri dhe mungesë interesi. Por ja që gjenerata e Facebook-ut, nuk është aq apatike sa ç’mund ta kishit menduar. Ka nga ata që mezi presin të votojnë sepse kjo i bën të ndihen të rritur, të barabartë, zgjedhës, siç ka nga ata që do të shkojnë, por nuk e dinë ende se për kë do të votojnë, sepse nuk besojnë në të zgjedhurit. Ka nga ata që do t’i bashkohen bindjeve të familjes, siç ka të tjerë që do refuzojnë ta bëjnë këtë kompromis. Ka nga ata që besojnë tek e nesërmja, siç nuk mungojnë të shumtë ata që do të bojkotojnë, ose së paku, me ndërgjegje të plotë, do të bëjnë të pavlefshme votën e tyre. 

Enerikelda – një votë rebele nga matanë detit

“Quhem Enerikelda Bida, jam 20 vjeç dhe jetoj në Itali prej 16 vjetësh. Studioj Jurisprudencë në universitetin e Torinos dhe aktualisht jam në vitin e dytë. Pavarësisht të gjithave, 16 vitet e kaluara në emigrim nuk kanë mjaftuar për të më larguar nga atdheu im, Shqipëria. Unë kthehem aty gjithmonë e më shpesh. Aktualisht në Itali u zhvilluan zgjedhje shumë zhgënjyese, duhet thënë. Në këto ditë të vështira këtu nuk bëhet gjë tjetër veçse flitet për rezultatin e zgjedhjeve dhe për paqeverisjen e vendit. Sinqerisht, nuk do të uroja që kjo të ndodhte edhe në vendin tim pas ca kohe. 

Më 23 qershor, nëse gjithçka shkon mirë, do të jem në Shqipëri për të votuar. Nuk i njoh ende kandidatët, por ama e di se çfarë kërkoj nga politika. Nëse do të kisha tagrin, ajo që do t’i këshilloja politikës shqiptare është: Të pranonte këshilla inovacioni dhe të punonte për t’i përmbushur ato. Dhe kjo jo më tepër për të qenë konkurrues me vendet e tjera evropiane, por mbi të gjitha për popullin e saj. Populli zhvillohet, transformohet dhe duke u zhvilluar ka nevojë për risi, për të drejta të reja. Politika, ashtu siç unë e imagjinoj, nuk është të mundesh, por të kesh nderin të përfaqësosh interesat e popullit, ta përfaqësosh dhe ta mbrosh atë në formën më klasike, është kjo ligjësia e parlamentit. 

Thonë se për të kuptuar politikën e një vendi duhet të jesh brenda tij, të jetosh aty, dhe në fakt kjo është një teori plotësisht e arsyeshme. Parë nga jashtë, unë shoh një vend në zhvillim krahasuar me vitet ’90. Por ndoshta kjo nuk është për tu marrë në konsideratë si një tregues i dukshëm, sepse, ashtu siç është duke u vënë re së fundmi në kampin evropian, jo të gjitha vendet anëtare të tij ia kanë arritur të përmirësohen me kohën. Një shembull i qartë mund të jetë Greqia, por edhe Italia, ku unë jetoj. 

Në botën e sotme, ajo çka më irriton më shumë është të shoh të rinjtë si unë të mos luftojnë për të drejtat dhe idealet e tyre, të kenë frikë të dalin në çdo rrugë e në çdo shesh për të protestuar kundër asaj që nuk i duket e drejtë. Secili prej nesh ka një ide të ndryshme për frikën. Për mua, frikë do të thotë të humbas diçka që është fondamentale për ekzistencën time. Askush nuk mund t’i lejojë vetes, aq më pak një shtet apo organ publik, të na bëjë të humbasim diçka që është thelbësore për ekzistencën tonë. Ja pra përse nuk duhet pasur frikë ta bëjmë të dëgjohet zërin tonë, gjithmonë. 

Nuk më duket fare e tepërt nëse kërkoj të shoh në parlament hera-herës përfaqësues tanët, të rinj që iu jepet mundësia të shprehin vullnetin tonë, ne kemi shumë për të thënë. Pastaj, një tjetër gjë që vë re, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në plot vende të tjera, është numri i ulët i grave përfaqësuese në parlament. Një dëshirë e madhe e imja është të shoh një parlament apo edhe një qeveri, të paktën 40% të përbërë nga femrat. 

Vitin që shkoi bëra kërkesën për tu bërë qytetare italiane. Tërësisht për qëllime punësimi, duke qenë se pas studimeve do të doja të punoja në zyrat e policisë dhe nënshtetësia është një element esencial për të fituar këtë vend pune. Nëse nuk do ta kalojë konkursin, do të më pëlqente të bëhesha një avokate eksperte në fushën e mbrojtjes së emigracionit. Nëse do më pyesnit a do të kthehesha një ditë përfundimisht në Shqipëri, mund të them se po. Madje nuk e fsheh aspak dëshirën për të formuar edhe një parti politike në të ardhmen dhe të hyj në parlamentin shqiptar

Klea – E kam një votë, po kujt t’ia jap...

“Jam 18 vjeç, quhem Klea Dhima, studioj në vitin e parë për Filozofi në Universitetin e Tiranës dhe në 23 qershor shkoj për herë të parë të votoj. Dua ta them që në fillim. Më pëlqen vërtet shumë kjo gjë. Jo thjesht për ritualin e të shkuarit drejt një kutie votimi dhe njëfarë krenarie të brendshme që të thotë se tanimë je e rritur dhe vetëvendosëse, por mbi të gjitha, sepse do mund të shprehem edhe me votë për atë që mendoj. Unë i kam ndjekur me interes të dy proceset e fundit zgjedhore, ashtu si edhe e gjithë familja ime. Ndoshta edhe për faktin se kjo përfshihej në interesat e mia për studimet më vonë. Ka qenë kështu gjithmonë tek ne, jo thjesht një punë për tu bërë ditën e votimit, po ka pasur brenda gjithë emocionin e ditëve që pasonin me numërimin e votave dhe nxjerrjen e rezultatit. 

Unë nuk kam pasur asnjëherë bindjet klishe të tipit: jam e majtë apo e djathtë. Sigurisht, jam për demokracinë, në kuptimin e plotë të këtij koncepti qeverisës, modelit klasik dhe të suksesshëm të saj. E megjithatë, mendoj se ne nuk jemi ende gati për këtë, për fajin tonë, për fajin e atyre që zgjedhim të na përfaqësojnë... Nuk duhet më të zgjedhim të heshtim e të pranojmë të qëndrojmë në vend numëro. Sepse ndryshe duhet të pranojmë se ne i meritojmë liderët politikë që kemi zgjedhur të na udhëheqin në tërë këto vite. Demokracia lind tek individi, mendoj unë. Ndaj për të pasur një vend demokratik, duhet pasur së pari një mendje demokratike. 

Ja, këto ide i kam të qarta, ashtu siç kam të qartë modelin ideal të politikanit që do të doja të përfaqësonte mua dhe qytetin tim Fierin në parlament. Por ama, edhe pse këtë vit do të shkoj të votoj por herë të parë, nuk e di ende se për kë do të votoj. Nëse do e kisha vendosur, do t’ua thosha, besomëni. Deri sa ta vendos, po ju tregoj më mirë modelin që do të doja: Do të zgjidhja një kandidat që në platformën e tij elektorale do të shpaloste ide të qarta dhe projekte konkrete për ndryshimin e gjendjes në arsim dhe në shëndetësi në qytetin tim. Këto për mua janë primaret, sepse lidhen drejtpërdrejt me jetën dhe mirëqenien e saj. 

Ervini – Sikur të bojkotonin të gjithë si unë...!

Quhem Ervin Bezhani, jam 21 vjeç dhe studioj për juridik. Votoj për herë të parë dhe më 23 qershor do shkoj të djeg votën time, duke e destinuar atë të pavlefshme. Nuk më vjen turp ta them këtë, më vjen thjesht keq, siç ndoshta edhe familjes sime do t’i vinte keq po të më dëgjonte kështu, sepse ata, ndryshe nga unë, besojnë gjithmonë se “këtë herë ndoshta do jetë më mirë”. 

Që kur unë kam qenë fëmijë, po njësoj e mbaj mend qytetin tim, Elbasanin, me po atë rrëmujë e varfëri, me po ato rrugë të shkatërruara dhe njerëz që hallet veç iu shtohen. Sikur gjërat të kishin shkuar siç duhej, ndoshta nuk do isha detyruar të largohesha drejt Tiranës, por do kisha qëndruar pranë familjes. Bashkëmoshatarët e mi aty bëjnë të njëjtën jetë që bëjnë të gjyshërit. E gdhijnë e e ngrysin pa motiv ditën, për të mos folur për mundësitë e punësimit dhe të integrimit. 

Sado absurd të duket gjykimi im, ju garantoj se ka shumë që përpëliten rreth këtij absurditeti. Ndoshta kjo nuk është forma e duhur e të protestuarit ndaj një qeverisje e politike që nuk bën për mua, por derisa të bëhemi shumë për të zgjedhur një tjetër formë proteste, unë po vazhdoj të bojkotoj kështu. Madje-madje, nuk do më vinte aspak keq sikur atë ditë të mos votonte askush. Ose të votonin vetëm të kënaqurit, që praktikisht duhet të jenë të pakonsiderueshëm krahasimisht me të kënaqurit. 

Si duhet të jetë kandidati që unë do të votoja? Së pari duhet të ishte një njeri i ri, me ide të reja dhe jo ndonjë gjysh i mykur. Të ketë një CV të pasur arsimore, një eksperiencë dhe një kulturë të gjerë, e jo ndonjë nga ata që bashkëkohësit e vet i dinë gjithë “të palarat” e mëparshme dhe ia qesëndisin nga pas. Do preferoja të ishte brenda mundësive një vendas, sepse kështu ndoshta do të kishte më shumë iniciativë për t’i thirrur ndërgjegjes për të bërë diçka për qytetin e tij. Ai që duhet të na përfaqësonte në parlament duhet të ketë një program shumë konkret për premtimet e veta lidhur me qytetin dhe duhet t’i mbaj ato, edhe me shpirt ndër dhëmbë, duhet të luftojë për t’i përmbushur ato premtime, duhet t’i vijë turp nga gënjeshtra dhe jo të mburret me të. 

Artikulli i plote: Java

6 Komente

Quhem Ervin Bezhani, jam 21 vjeç dhe studioj për juridik. Votoj për herë të parë dhe më 23 qershor do shkoj të djeg votën time, duke e destinuar atë të pavlefshme

Ahhhh me vjen keq Ervin por nuk do kete me vote te pavlefshme! smiley

Ndaj beje zemren gur edhe voto per dike. Nuk cohet vota dem asnjehere!

Klea :" E kam nje vote por kujt tja jap "

Pune qe rregullohet e dashur ,ne jemi e Ardhmja , PerPara smiley

votoni ndryshimin perpara te berishes se jeni mrregull, do jetoni si stergjysherit lol

Nuk kane faj 18+ partite aty jane bere si ai shkopi i rene ne balte  ku  ske ku ta kapesh.

Ervini – Sikur të bojkotonin të gjithë si unë...!

Gjenerata 18+ jane kalamajte e maskarenjve qe jane ne pushtet ose duan te vine ne pushtet.

Ose i kane berel Like ne Facebook malokut nga Vucidoli, ose Edvin Palloshit...

Ca shprese te kesh nga frutat e koqeve 18 vjecare...

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).