Të vegjlit, sendet e imta, gjërat e vogla, të çmuara apo krejt pa vlerë, ato që herë na i kap dhe herë nuk na i zë fare syri, kanë dhuntinë, thuajse mistike, të të shfaqurit kudo, kurdo dhe vazhdimisht. Tanimë nuk ka më shpëtim. Jemi të rrethuar prej tyre. I krijojmë, i fabrikojmë, i shesim, i blejmë, i shkëmbejmë, i prishim, i zhdukim dhe sillemi ndaj tyre siç sillet një zot i shpallur. Por e vërteta e kësaj marrëdhënieje është ndryshe. Ne jemi të skllavëruar prej kësaj bote të vogël ngjarjesh dhe sendesh. Dhe duhet ta pranojmë se ajo ushtron ndikim të madh mbi ne:na identifikon, na emërton dhe tek e fundit edhe na kanos. Në mënyrë paradoksale ne, krijuesit e tyre, zotërit e tyre, ne autorët e punëve dhe veprave të mëdha, jemi të ndëshkuar me fat njerëzor - zhdukemi nga kjo botë. Ndërkohë, me to ndodh siç e përshkruan J. L. Borges në poezinë "Sendet". Nëse e mbaj mend mirë jo si fjalë, por si përfytyrim, ai thotë se sendet e vogla sillen shpërfillës ndaj nesh, na shërbejnë si të qenë skllevër gojëkyçur, janë fshehtësisht të mistershëm, hakmerren duke rrojtur më gjatë se ne, pa e ditur fare se ne vetë kemi ikur me kohë nga kjo botë. 

Prej shekujsh në mendësinë njerëzore ka zënë vend parapëlqimi i hapur ndaj gjithçkaje që është e vogël."Të voglën" si koncept e ndeshim thuajse përherë të veshur me petka heroike dhe me fuqi të mbinatyrshme. Kudo: në përralla, në frazeologji, në këngë, në epikë, në mitologjitë lokale e më gjerë, në librat e shenjtë, në liturgjitë e praktikantëve, në literaturën vendase apo në atë të përkthyer, ne e gjejmë veten të rrethuar përherë nga ca "gishto", ca "kacamisër", ca "qerosë", nga lule të vogla e të bukura me cilësi mrekullibërëse. 

Ngado që të sillemi, shembujt e shkruar apo të përcjellë në mënyrë orale, na vënë përballë një "Princ i vogël" - më të mençurin dhe më frymëzuesin e gjithë princërve të qenë dhe imagjinarë. Epika dhe baladat na ngulisin në kujtesë pamjen e më të voglës prej tri nuseve dhe më të voglin mes tri vëllezërve në legjendën e murimit, apo më të voglin vëlla te Doruntina e Konstandinit (që sikur të mos i mjaftonte të qënit më i vogli mes 12 vëllezërve, i shtohet edhe diminuitivi "i vogëlith". Madje edhe njaj trim mbi trima Gjergj Elez Ali, që edhe me nëntë plagë në shtat i del për zot vendit duke u përballur me bajlozin e zi të detit, ngulmon të thotë apo atë që Noli e shpall si bindje përmes vargut "se i vogli shtrin viganin/ dhe i shtypuri tiranin". 

Larg këtyre modelimeve profane në përkrahje të së voglës nuk mbeten as shkrimet e shenjta. Në funksion të mistifikimit të së voglës janë vënë simbolika të fuqishme ku gjejmë Davidin e vogël, teksa shtrin përdhe duke e goditur me një send gjithashtu të vogël Goliathit. Nga gjithë krijesat që Noe mori me vete në arkën e tij, Bibla shpall si model referencial krijesat minore: bletën, thneglat, hardhucën, karkalecat. Prej tyre, dhe jo prej të fuqishmëve, duhet të mësojë dhe të marrë shembull njeriu. Dhe si për ta shndërruar në etalon parapëlqimin ndaj të voglave, në etalon apostulli Lukë nuk lë shteg për rrugë të mesme kur shkruan: "Kush është besnik në të voglat, është besnik edhe në të mëdhatë; dhe kush është i padrejtë në të vogla, i padrejtë është edhe në të mëdhatë". 

Përtej shembujve të mësipërm ekzistonte edhe mënyra pragmatike e të vepruarit. Ky pragmatizëm na bën me dije se duke qenë në kontakt të vazhdueshëm me "të voglat", njeriu përshtatet, i bindet pushtetit të tyre. Për t'i përshkruar ato njeriu zgjedh fjalë jo të mprehta, i vesh me një tis pafajësie dhe çaktivizon pritshmëritë ndaj tyre, duke besuar se e keqja nuk mund të vijë prej së voglës, se kjo botë të voglash dhe vogëlsish nuk është në gjendje të bëjë dëm dhe keq. Ndërkohë, kjo shfaqje dhe mënyrë të sjelluri ndaj gjithçkaje që është e vogël, duket se ka shpënë në harresë faktin se kjo botë e vogël është njëkohësisht edhe një botë hakmarrëse - sidomos kur e shpërfill dhe e harron se është. 

E gjithë kjo ekspoze morale, ambalazhuar mirë e bukur edhe me stilistikë, ngulmon prej shekujsh të na ushqej me besimin se e vogla ngadhnjen mbi të madhen. Prej kësaj ka ardhur me sa duket edhe adhurimi ynë ndaj së voglës. Por kemi hyrë në një fazë tjetër të mitologjisë. Ndaj "së voglës" është krijuar një farë ideolatrie, nënshtrimi, që e ka barazuar konceptin e së voglës me konceptin e "së drejtës" dhe të "së mirës". 

Kthehim tek vetja. Si shumë të tjerë, edhe unë, jam rritur duke dëgjuar nga dyburimet tona morale (familja dhe shkolla) këto gjëra: E para se "jam i vogël" - (unë, si person). E dyta se ishim të vegjël - (ne si shtet).Pas kësaj bota e vogëlsirave, bota e vogël dhe bota e të qenit i vogël, më shfaqeshin, më rrethonin dhe ndikonin që jeta ime dhe e bashkëmoshatarëve të mi të modelohej si dëshirë për pranuar fatin e të qenit i tillë, për të mos u rritur, për të mos u zhvilluar, për të mos u shfaqur. Prej kësaj njohjeje dhe pranim të fatit, lindte një vetëdije më pas krijoi edhe vargonj sinonimikë, mes duket se shoqëria jonë ka ngecur edhe sot: vend i vogël, gjuhë e vogël, kulturë e vogël, popull i vogël, kombi i vogël, letërsi e vogël, flamur i kuq (me një shqiponjë të vogël në mes), shkrimtar i vogël, njeri i vogël. 

Për ta zbutur disi dhembjen e shpirtrave, që mezi e pranonin fatin gjeografik dhe numerik të të qënit "i vogël", këtij fati dikur ne iu kundërvumë duke rritur (ndonse në mënyrë absurde) peshën specifike të rolit qëi ishte caktuar në histori një vendi si ne dhe një individi udhëheqës si yni. Përmes shpikjes së një realiteti mitiko-ideologjik, ngushëllimi ynë i vetëm u bënë realiteti gjuhësor, kryesisht antonimet. Ndërkohë,lehtësimi do të vinte prej një lidhëze të thjeshtë: lidhëzës kundërshtuese "por". Ishim me të vërtetë një vend i vogël (por krenar), gjuhë e vogël (por e lashtë), letërsi e vogël (por premtuese), kulturë e vogël (por antike), njeri i vogël e me duar të vogla (por me vepra të mëdha), shtet i izoluar (por fanar). 

Kjo mënyrë të sjelluri ka mbërritur e aktualizuar gjer më sot. Sa herë që punët nuk shkonin dhe nuk shkojnë mirë, sa herë që sfidat bëheshin dhe bëhen të forta dhe sa herë që sprovat që duhet t'i kalojmë vetë ua lëmë barrë pasardhësve, zërat mbi të qënit "i vogël" dhe "të vegjël" artikulohen më fort. Gati-gati duket sikur fakti i të qenit i vogël na kënaq, na rehaton, na nanuris dhe thuajse na çliron nga përgjegjësia që duhet të kemi ndaj vetes dhe shoqërisë. 

Fshehja e frikës pas togjeve "jam i vogël", "jemi të vegjël", shoqëruar në të thënë me një kënaqësi të fshehtë, gati mazokiste, afron përjetimin e një gjendjeje të zgjatur infantile, të një forme perpetuum të adoleshencës së shoqërisë. Kjo botë jona, shfaqur kinse si e vogël, struk në gji frikëra më të rënda se guximi për t'i dhënë vetes urdhrin të rritet, të ndryshojë, të kapërcejë fatin nëse është fat, për ta pranuar gjendjen e të qenit i vogël, por jo si faj apo ndëshkim. 

Veçse skaji i të qenit i vogël jo domosdoshmërisht përputhet me skajin e të qenit edhe njeri i vogël, shoqëri e vogël, shpirtra të vegjël dhe pa qëllime, pa premtime, pa pretendime dhe pa atë dobinë sociale, që e bënte dyshues Migjenin nëse diku rreh zemra e një kombi "që ndërton diçka të re". 

Koncepti i të qenit i vogël në këtë rast ngatërrohet kinse me konceptin vetëndëshkues të të ndjerit i liliputian. Atëherë kuptojmë se frika jonë e vërtetë nuk ka pasur dhe nuk ka të bëjë aspak me të qenurit i vogël, por me frikën e të ndjerit i parëndësishëm, i papërfillshëm, i pavlerë,dhe jo vetëm atëherë kur bota jonë ishte e mbyllur, por edhe sot kur kufijtë e botës kanë fituar dimensione të tjera reale dhe virtuale. 

E, në mos qoftë jeta, mbi të cilën mekanizmi i harresës luan po atë rol prej shpëtimtari që luan edhe kujtesa, është letërsia ajo që ka vënë një lupë zmadhuese mbi botën e vogël dhe mbi botën e vogëlsive. Po ç'ka dalë prej saj?Cili ka shpëtuar kokën, i ka dhënë zgjidhje andrrallave të jetës apo ka mundur të ndryshojë diçka në fatin e tij falë letërsisë? 

Askush. Asgjë. Letërsia ka dhënë aq sa letërsia mund të japë. Na ka paralajmëruar. Ka ofruar shembuj ku "e keqja" që vjen sidomos prej nënvleftësimit të së voglës mund të shndërrohet në një të keqe të madhe. Kështu nga ndodhur me minjtë tek "Murtaja" e A. Camus, tek vdekja e varrëmihësit tek "Gjenerali i ushtrisë së vdekur" i Ismail Kadaresë, tek vdekja nga "kafshimi i unazës" tek "Gjurma e gjakut tënd në dëborë" i Marquez-it, tek personi i Efiàltesit, shtrëmboja i shpërfillur, që ndikoi aq shumë në fundin tragjik të betejës së Termopileve, tek e vogla shami e Desdemonës së Shakespeare-s, tek njerëzit e vegjël të Gogolit, apo tek fati i Gregor Samsës që u shndërrua në insekt. 

Por sa i flasin botës sonë, botës së teknologjive mikro dhe nano, shembuj e mësipërm lidhur me të voglën? A kanë mundur këto botë në dikojnë dhe ta ndryshojnë natyrën e botës dhe të qenies sonë? A i kanë modeluar sendet e vogla edhe jetët tona, për të ato bërë më të pavarur, më të vegjël, më të mbyllur, më të vetëmjaftueshëm? 

Në anën sociale po. Mikrobota e krijuar dhe e prodhuar nga ne ka mundur të na ndryshojë. Madje herë-herë ajo ia ka dalë ta bëjë në mos më të mirë, më të lehtë jetën tonë. Por kjo vetëm në aspektin teknologjik. Në aspektin human, sidomos në përthyerjen që realiteti ynë i bën vetëdijës së të qenit i vogël, pranohet gati si një fat dhe përjetohet si fatalitet. Nënvetëdija vazhdon të riprodhojë variacione të asaj që unë e kam dëgjuar që fëmijë, kur më këshillohej se nuk duhet ta harroja (nëse dëshiroja të çaja dhe të bëj përpara në jetë) a. "isha i vogël… - unë" b. "ishim të vegjël... - ne".Kapërcimi i këtij kompleksi nuk është as si kapërcimi i një vahu lumor as si kapërcim ylberi frazeologjik. 

Po kush mund ta iluminojë besimin tonë, kush mund të na udhëzojë drejt një mënyrë të re sjelljeje ndaj vetes dhe botës? Nëse nuk i kemi gjetur ende referencat te vetja,nëse nuk kemi ende traktate morale apo ligjërime premtuese se si do të mundemi ta kapërcejmë këtë kompleks, le t'i referohemi sërish për ndihmë letërsisë. Teksa i këndonte një vendi që po linte pas ndjesinë ishullor dhe në periferi të botës, Walt Whitmaniu drejtua të gjitha vendeve se, duke u kujtuar se: " Qytet i madh është qyteti që ka burrat dhe gratë më të mëdhenj. / Edhe një fshat me kasolle mund të bëhet qyteti më i madh i botës ".

Milosao

4 Komente

O Fiqo, po ti nuk di te numerosh? Vetem nje, thote.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).