Sot dua të bëj një prezantim të shkurtër lidhur me të dhënat e disponueshme fiskale të qeverisë për vitin 2012. Besoj se mbi bazën e këtyre të dhënave, kemi mundësi të bëjmë një vlerësim të pakontestueshëm së paku për burimin.

Fakti është që të hyrat tatimore, sot janë më të ulëta se sa ato të vitit 2011. Por analiza më e hollësishme e këtyre të hyrave sipas taksave të ndryshme na jep mundësinë që të vlerësojmë çfarë ka ndodhur në të vërtetë me të ardhurat në këtë vend dhe cila është gjendja e ekonomisë reale. Këtë analizë vendosëm ta bëjmë duke u bazuar tek të hyrat nga taksat direkte, të hyrat nga tatim fitimi i korporatave, nga tatimi mbi të ardhurat personale të individëve dhe nga taksa e biznesit të vogël. Është e udhës që të mbajmë parasysh se jemi në kushtet që gjatë vitit 2012 nuk ka ndodhur asnjë ndryshim në regjimin tatimor përkatës. Ashtu si kundër jemi në kushtet kur mund të bëjmë një analizë krahasuese nga viti kur ka hyrë në fuqi taksa e sheshtë dhe deri në vitin 2012 kur disponojmë të dhënat fiskale të qeverisë. Kjo na mundëson që të shikojmë se çfarë ka ndodhur realisht me korporatat, me të ardhurat personale dhe me të ardhurat nga biznesi i vogël.

19.2.13-1

Ky është grafiku i parë, që ilustron të hyrat tatimore, të shtetit, nga tatim fitimi i korporatave. Në kolonat blu kemi të hyrat nominale, pra sa kanë fituar korporatat vit pas viti dhe e shikoni vetë që në vitin 2012 të hyrat e shtetit nga tatim fitimi i korporatave janë më të ulëtat; që do të thotë që fitimi i regjistruar i korporatave është më i ulëti në të gjitha vitet që ne marrim në analizë. Kurba e kuqe tregon ndërkohë raportin e të hyrave të shtetit nga tatim fitimi kundrejt GDP-së për të njëjtën periudhë. Që do të thotë se çfarë korporatat kanë përfituar nga “rritja ekonomike e vendit”, rritje ekonomike e presupozuar, do të thosha. Është fare e qartë që kurba është në rënie të vazhdueshme dhe këtu lind një pikëpyetje shumë therëse. Lind një pikëpyetje therëse përsa i përket administrimit, që do të thotë se pretendimi se futja e taksës së sheshtë e ka bërë transparent dhe më të efektshëm administrimin nuk qëndron dhe se një pjesë e ekonomisë është zhytur në informalitet, pra, i është shtuar pellgut të informalitetit, në rast se besojmë tek shifra e dhënë e rritjes ekonomike, ose çka ne jemi shumë të prirur që të besojmë, shifra e rritjes ekonomike është e manipuluar.

19.2.13-2

 

Vazhdojmë me individët. Këtu jemi tek tatimi mbi të ardhurat personale. Pra, taksa e sheshtë 10% që paguhet nga çdo njeri i punësuar dhe i regjistruar si i tillë në këtë vend, në sektorin publik, apo në sektorin privat. Kolona blu tregon se në pikëpamje të të hyrave të shtetit asgjë nuk ka ndryshuar. Jemi në ato kushte 2011-2012, ndërkohë që në kurbën e përfitimit të individëve dhe të familjeve nga rritja ekonomike kemi një rënie drastike. Që do të thotë që pavarësisht nga tatim fitimi i mbledhur në të hyrat që prezumon të njëjtin fitim për individët, fuqia ekonomike e çdo individi dhe e çdo familje është në rënie. Mos harrojmë që flasim për të njëjtin regjim tatimor. Kushtet janë të njëjta, është e njëjta taksë që paguhet në të gjitha këto vite, 10%.

19.2.13-3

 

Vazhdojmë tek e treta që është ende më dramatike. Ky është biznesi i vogël. Shikoni se ku është katandisur biznesi i vogël në vitin 2012 dhe se ku ka rënë e ardhura nga ato që biznesi i vogël jep për shtetin. Ndërkohë që kurba e përfitueshmërisë së biznesit të vogël nga rrija ekonomike, shikojeni se ku ka ngecur. Praktikisht, sot biznesi i vogël është në gjendje kolapsi. Ka dhe dy shifra shumë domethënëse, që janë dy shifra që flasin më shumë se çdo fjalim që mund të bëjmë për gjendjen ekonomike dhe për trendin e rritjes sipas qeverisë dhe të rënies sipas nesh. Kthehemi edhe njëherë tek korporatat. Kjo rënie e përkthyer në fitim dhe llogari e fitimit të korporatave tregon se në vitin 2012 korporatat, pra të gjitha kompanitë e biznesit të madh kanë fituar 280 milionë dollarë më pak, në raport me vitin 2011. Kthehemi tek biznesi i vogël, xhiroja e biznesit të vogël në vitin 2012 në raport me vitin 2011 është pakësuar, pra ka rënë me 285 milionë dollarë. Edhe rënia e fitimit të korporatave me 280 milionë edhe rënia e xhiros së biznesit të vogël me 285 milionë përbëjnë së bashku një shumë që peshon si një vlerë e munguar në arkën e shtetit nga tatim fitimi.

Në këtë situatë është e kot të diskutojmë nëse jemi apo s’jemi në  një periudhë rënieje, madje rrënimi të vazhdueshëm të ekonomisë reale. Koncepti i krizës dhe koncepti i recesionit si koncepte që përdoren sot në botën e zhvilluar, janë shumë relative për ekonominë shqiptare. Kjo është më shumë sesa një krizë ciklike, ky është më shumë sesa një recesion që vjen si pasojë e një krize ciklike. Kjo është pasqyra e shterimit të një modeli ekonomik zhvillimi, që sigurisht, përkon edhe me dallgët e një krize ekonomike që është më e gjerë sesa territori i Shqipërisë. Në këto kushte unë dëshiroj që të përsëris se minimalisht është e domosdoshme që të ndërmerret ai hap që ne kemi kaq kohë që e themi, t’i hiqet taksa biznesit të vogël, sepse çdo muaj që kalon përkon me një rrënim që për shumë biznese të vogla, që janë praktikisht mjedise familjare vetëpunësimi, të jetë një rrënim i pakthyeshëm.

E, nëse llogarisim rënien e xhiros me 285 milionw dollarë në një vit tek biznesi i vogël, kombinuar me rritjen e borxheve apo të numrit të njerëzve në librat e veresies në dyqanet e ushqimoreve, që shkojnë rreth 150 milionw euro, jemi në kushtet kur ekonomia reale është në një gropë thithëse që e tërheq gjithmonë e më poshtë. Pa llogaritur këtu pjesën tjetër shumë të rëndë të ekonomisë informale, të ekonomisë së kriminalizuar, të ekonomisë së tërhequr në labirintin e evazionit fiskal dhe të ekonomisë së mbërthyer nga kthetrat e një korrupsioni që po heq gjithmonë e më shumë të ardhura nga xhepat e publikut dhe po shton zonën gri dhe zonën e zezë të ekonomisë.

Në fund fare konkluzioni është;

Jemi në kushtet kur të dyja opsionet janë më shumë sesa alarmante për ekonominë sot dhe për çka na pret nesër, në rast se nuk ndërhyhet menjëherë. Ose opsioni që ekonomia po informalizohet siç e thashë për shkak të kriminalizimit të saj dhe të një korrupsioni që është tërësisht i kontrolluar përmes shtetit të kapur ose shifrat e rritjes ekonomike aq sa janë edhe ato janë të manipuluara dhe nuk përkojnë me realitetin. Ose të dyja bashkë, pak njëra dhe pak tjetra, që bëjnë një gjë shumë të madhe si problem që është përpara nesh për t’u zgjidhur. E rëndësishme është që duhet ndërhyrë sa më parë. Ndërhyrja e parë themelore është ndërhyrja që duhet të bëjë çdo qytetar, qoftë konsumator, qoftë i vetëpunësuar në një biznes të vogël, qoftë pronar i një kompanie, qoftë një rrogëtar i shtetit me votën e vet për të frenuar këtë rrënim të mëtejshëm teposhtë në ekonominë e kthyer në një gropë thithëse për të gjithë. E pastaj duhet të vazhdojë falë ndërhyrjes me votë të të gjithë qytetarëve në 23 qershor një operacion jashtëzakonisht kompleks për të riçliruar energjitë e bllokuara të ekonomisë në kushtet e mungesës së konkurrencës, në kushtet e kriminalizimit të ekonomisë, në kushtet e korrupsionit dhe të një bashkëpunimi kriminal mes një grupi në pushtet dhe një grupi në ekonomi. Një sinergji e cila nuk mund të prodhojë për vendin asgjë tjetër përveçse të tilla pamje të një rrënimi që ka tendencë vetëm të vazhdojë në qoftë se kjo sinergji nuk shpërbëhet në 23 qershor.

3 Komente

He mo he, mo na bej sikur do te te votojne robt prej programit. Do votojne qe te heqesh salen, se e dine qe kur te vish do i besh gjerat si te vijne. Nga ata qe ndjek programe je ti.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).