Libri është për nga natyra e vet, botë e mbyllur; ku mund të humbasësh si në pyll ose të dergjesh si në qelinë e burgut. Në këtë kuptim, ai vjen e përftohet si skaji i kundërt, ose antiteza e Bibliotekës së Babelit të Borges-it, ose labirintit të pacak, të përfytyruar nga argjentinasi. 

Pafundësisë së titujve në bibliotekë, libri i vetëm i ofron pafundësinë e interpretimeve, ose një labirint të një lloji tjetër. 

Gjithsesi, të shumtë janë ata prej nesh, duke përfshirë tani vonë edhe dëfryesit e publikut, që kanë luajtur me idenë e “librit” për t’u marrë me vete në një ishull të pabanuar; ose më mirë të listës së 10 librave, 10 disqeve, 10 filmave etj., për t’u futur në bagazh, në rast internimi, dëbimi, ekzili në një pikë hartografike diku në mes të oqeanit. Ishulli, në këtë mes, vlen si metaforë për pafundësinë e të zgjedhurit; por mund të shënjojë edhe një botë të rralluar me vetëdije, si në rastin e besimtarit të devotshëm, që refuzon të lexojë gjë tjetër, veç Biblës. 

Tek “Novela e shahut”, Zweig-u na tregon për një viktimë të nazistëve, dr. B, burgosur madje lënë në izolim të plotë (vëreni lidhjen jo vetëm etimologjike mes fjalëve izolim dhe ishull, italisht isola), në shoqëri të vetme të një libri me lojëra shahu mes mjeshtërve. 

Duke përvetësuar, në formë të një ushtrimi mendor të detyruar, gjithçka në atë libër, dr. B bëhet shahist i hollë, por njëkohësisht çmendet; një lloj metafore, edhe kjo, nëse duam ta lexojmë ashtu, për persekutimin monomaniakal të kujt mëton dhe synon të shkëlqejë, duke përfunduar i burgosur i ambicies së vet. 

Gjithsesi, tashmë udhëtar në transoqeanikun që po e shpie drejt lirisë, Dr. B ka përfunduar në një projeksion ose ektoplazmë të atij libri të rastit, gjeni i brishtë që, para se të vetëshkatërrohet, e lë një gjurmë në qiell në trajtën e një flake verbuese prej meteori, teksa arrin të mposhtë një herë të vetme kampionin e botës, Mirko Czentovic. 

Dashur pa dashur, Zweig-u e vazhdon metaforën e mbylltësisë pa rrugëdalje, ose të burgut të pashmangshëm, duke zgjedhur që ta shtjellojë fundin e novelës së vet në anije, edhe kjo botë e mbyllur par excellence, ku sendet, ngjarjet dhe karakteret marrin përmasa të tjera, të jashtëzakonshme shpesh të mbingopura me kuptime. Si në të gjitha romanet ku rrëfimi themelohet mbi një udhëtim, vetë mjeti – në rastin tonë transatlantiku – shndërrohet në një skenë teatri të vetëmjaftueshme. 

Kur e kam lexuar për herë të parë “Novelën e shahut”, të Zweig-ut, kam qenë vetë i apasionuar pas lojës mbretërore, ndonjëherë deri në obsesion. Ende fëmijë, eksperiencën e Dr. B e përjetoja në mënyrë të turbullt, si mungesë informacioni ose varfëri librash dhe eksperiencash, të imponuar nga mbyllja autarkike dhe paranoide, e Shqipërisë së viteve 1970. Përndryshe, njëlloj si personazhi fatkeq i novelës, kisha në bibliotekën time një libër shahu të vetëm: një përmbledhje lojërash të Kampionatit të 17-të Sovjetik të shahut, të vitit 1949, në rusishte. 

Unë rusisht nuk dija, por mësova pak rrapa-shtrapa, aq sa për të kuptuar në vija të trasha komentet; i luajta lojërat në libër, me qindra, në skakierën time; edhe pasi i kisha luajtur, disa prej tyre, ato me komente dhe diagrame, i rilexoja për t’i shijuar sërish. Natyrisht, kjo s’më ndihmoi për t’u bërë gjeni i brishtë si personazhi i Zweig-ut, as më çoi në buzë të greminës; por megjithatë ishte një eksperiencë unike në llojin e vet, e imponuar nga varfëria; sepse përndryshe, një amator shahu, asnjë arsye nuk do të kishte për t’u përqendruar me kaq pasion te një event çfarëdo në radhën e pafund të kampionateve dhe turneve shahistike. 

Edhe unë, po të kisha pasur mundësi të shfletoja libra të tjerë shahu, nuk do t’i kisha kushtuar këtij vëllimi çfarëdo, të Kampionatit të 17-të Sovjetik të Shahut, më shumë se dy-tre javë, duke luajtur ndoshta lojërat më interesante; por jo duke iu kthyer e rikthyer, aq sa edhe sot e kësaj dite i mbaj mend disa prej lojërave (një fitore të Smislov-it kundër Bronstein-it, në një finale me torre dhe fil kundër një torreje; disa fitore të Geller-it, aso kohe debutant, me të zezat, në variante të mbrojtjes indiane të vjetër; një humbje katastrofale të kampionit të ardhshëm të botës Petrosian, atëherë ende çunak, kundër Kotov-it, për vetëm 13 lëvizje). Varfëria, pakësia, skamja informacionale, më dha mundësi për një lexim vertikal të librit, pasi kisha kryer punë me leximin horizontal. 

Thonë, për fëmijët, se këtyre u pëlqen të rilexojnë më shumë sesa të lexojnë; u kërkojnë prindërve t’ua rrëfejnë edhe një herë përrallën që e kanë dëgjuar, duke e parapëlqyer këtë ndaj një përralle të re. Të gjithë e ruajmë, nga fëmijëria, kujtimin e ndonjë libri që e kemi rilexuar aq herë, sa ta kemi shkatërruar deri edhe fizikisht, duke e bërë fije-fije. Dëshira ka luajtur rolin e vet këtu, por edhe mungesa e alternativës ka ndikuar. Vetëm ky kombinim mund të shpjegojë suksesin, e paimagjinueshëm gjetiu, të librave të tillë kult, si romanet fantashkencore të Jules Verne-it, sa kohë ishim ende adoleshentë, dhe më pas vepra si Tre shokë i Remarque-ut, Viti 93 i Hugo-it, Manastiri i Parmës, i Stendhal-it. Kanë qenë për ne libra burgu, njëlloj si përmbledhja me lojëra shahu për dr. B-në e Zweig-ut; madje aq herë u jemi kthyer, si besimtari librave të shenjta, sa në fund kemi përfunduar të përftuar prej tyre. 

Natyrisht, jo të gjitha obsesionet tona të asaj kohe lidheshin me objekte aq të respektueshme, sa romanet e mëdha frënge të shekullit XIX, ose të letërsisë së brezit të humbur, të fillimshekullit XX. 

Kam folur tashmë për kopjen e vetme bërë fije-fije të një edicioni të Gazzetta dello Sport, të dt. 21 tetor 1971, që ruaja në komodinën time; jo sepse kish ndodhur në atë datë ndonjë gjë historike për mua ose për botën, as sepse kisha dalë unë vetë në kopertinë, por vetëm ngaqë ajo ishte e vetmja kopje e asaj gazete që më kish rënë në duar, mua që e kaloja gjysmën e javës duke organizuar shënimet e mia për kampionatin italian të futbollit dhe aventurat e skuadrave italiane në Europë. 

Tani që i rikthehem atij gjesti, nuk mund të mos e interpretoj edhe si shembull dekontekstualizimi; sa kohë që unë e kisha nxjerrë atë gazetë nga përditshmëria, duke e trajtuar si të qëndrueshme në kohë çka ishte, me përkufizim, efemere; e destinuar për t’u zëvendësuar nga edicioni i së nesërmes. Dëshira ime për ta vendosur gazetën në dhomën kryesore të muzeut tim personal të kulturës tradhtonte një lloj pasioni arkeologjik, të kujt ka shtënë në dorë një objekt të një qytetërimi tjetër, të larguar në hapësirë dhe në kohë, mundësisht të një universi paralel ose të një planeti të panjohur. E trajtuar në këtë mënyrë, gazeta ndërmjetësonte, në mënyrë magjike, midis dy botëve: simes këtej, dhe asaj tjetrës, andej, nga ku vinin këngët e sirenave; ose ku ndodhnin, mirëfilli, të gjitha ato ngjarje që më vinin pastaj mua pikë-pikë, si informacion i përcjellë, kaotikisht dhe në mënyrë rastësore, nga një gardian burgu dashamirës, por i paparashikueshëm. 

Objekte të tilla si Gazzetta, që i nxirrte deti brigjeve tona, ruheshin privatisht, në errësira dhomash gjumi, sirtarësh, bibliotekash; objekte të investuara magjikisht, ngushëllonin thjesht me praninë e tyre. Askujt prej nesh nuk i shkonte mendja të analizonte, në atë kohë, përçudnimin komunikativ që përftohej gjatë kalimit nga efemerja në përjetësi. 

Veç Gazzetta-s, ruaja aso kohe në shtëpi edhe një numër të revistës italiane L’Europeo, të vitit 1969, të cilin nuk di kush na e kish sjellë për ta lexuar dhe e kish lënë aty. Revistën e mbaj mend sidomos për shkak të kopertinës aq dramatike: një foto e plotë e astronautit amerikan Buzz Aldrin, në truallin e Hënës, me siluetën e kapitenit të tij Armstrong dhe një fragment të modulit LEM të pasqyruar në vizorin prej qelqi të helmetës. 

Revista kish edhe një tjetër artikull të jashtëzakonshëm – një kronikë të gjatë, me shkrim të imtë faqe pas faqeje, të vrasjes makabër të aktores amerikane Sharon Tate, atëbotë e martuar me regjisorin Roman Polansky. Kur e vranë, Tate ishte shtatzënë, në muajin e nëntë; nëse nuk po më luan ndonjë rreng kujtesa, mbaj mend të kem parë në revistë një foto të saj bardhezi në profil, gjysmëlakuriqe, me barkun e fryrë. 

Artikulli më la përshtypje të jashtëzakonshme; do të ketë qenë hera e parë që lexoja, në hollësi, për një vrasje të tillë kaq tronditëse; mediat në Tiranë nuk flisnin kurrë për vrasje, ndërsa në letërsi, teatër dhe filma personazhet vriteshin vetëm për arsye politike. Në atë fund vere, për ngjarjen do të kenë shkruar të gjitha mediat dhe artikulli i L’Europeo-s do të ketë qenë vetëm një zë në mes të korit, një përpjekje, ndoshta edhe rutinë, për të mos mbetur pas konkurrencës; askush nuk do ta kish parashikuar efektin e dekontekstualizimit, që përjetoja unë. 

Në fillim të viteve 1970, lexuesi shqiptar, sa u përkiste revistave, mund të zgjidhte mes Yllit dhe Shqiptares së re; ku artikujt ishin të shkurtër dhe të mërzitshëm; fund e krye propagandistikë. Shkenca dhe jeta do të dilte pak më vonë; me cilësi më të lartë se simotrat, ajo do të kufizohej vetvetiu nga tematika, pa folur për diktatin politik nga lart. Gjithsesi, ai numër i vetëm i L’Europeo-s që më kish rënë mua në dorë kishte më shumë informacion dhe material leximi se një vit i tërë me dymbëdhjetë numra të revistës Ylli. Pa folur pastaj për cilësinë e informacionit. Pa folur edhe për magjinë e atij informacioni, magnetizmin, joshjen e parezistueshme. 

Dyzet vjet më pas, zbarkimi amerikan në Hënë dhe vrasja e Sharon Tate mbeten ngjarje të shënuara në kalendarin e viteve 1960, të cilat ia ndërruan faqen botës mbarë. Çfarë e kujtonim, atëherë, si prelud ose uverturë të eksplorimit të hapësirës nga njeriu, do të rezultonte, në fakt, epilog i një orvatjeje ambicioze për ta nxjerrë njeriun nga “burgu” i planetit Tokë; meqë pas përfundimit të programit Apollo bota iu kthye stacioneve orbitale dhe i shndërroi fluturimet jashtëtokësore në udhëtime kamionësh me mallra. Edhe për krimin e vrasjes së Sharon Tate është thënë se, simbolikisht, i dha fund dekadës më emocionuese të shekullit dhe utopisë hippy-iane, në aleancë me lëvizjet e 1968-ës dhe shpresën e një çlirimi nëpërmjet dashurisë pa kufi, muzikës, drogës dhe shkallmimit të etikës borgjeze të familjes dhe të autoritetit. 

Që nga të gjithë numrat e revistës L’Europeo, do të përfundonte në shtëpinë time pikërisht ky, që ia bënte kronikën, në një farë mënyre, dy epilogut të viteve 1960 dhe të ëndrrave që i përcollën ato vite, do të ketë qenë kryesisht koincidencë; por edhe nga ato ngjarje që jungianët i cilësojnë si pasoja të sinkronicitetit. Unë kisha qenë tepër fëmijë për t’i kuptuar tamam ato vite; deri edhe muzikën e Beatles-ve e pata kapur në fund fare, kur këngë të tilla si Let It Be, Get Back dhe Come Together u ngjitën në krye të Hit Parade-it italian. Kisha qenë tepër fëmijë për t’i shijuar, edhe pse rinia do të më konsumohej, më pas, në përpjekje për t’i rijetuar eksperiencat që nuk kishin qenë të miat, duke u përballur, ndër të tjera, edhe me idiotësinë e autoritarizmit kulturor të regjimit në Tiranë. 

(Në 2009, kur gjatë një vizite në Tiranë përfundova i intervistuar nga M. Nano në Déjà Vu, pyetjes se kur pikërisht do të kisha zgjedhur të lindja, iu përgjigja, pa u menduar shumë, se do të më kish pëlqyer të vija në botë menjëherë pas Luftës II Botërore; një përgjigje që, në fakt, më habiti më pas edhe pse nuk e kuptova menjëherë pse. Kisha në mend rilindjen materiale dhe shpirtërore të Perëndimit, pas Luftës; sensin e optimizmit dhe të krijimit, por edhe ambiciet intelektuale, teknologjike dhe artistike të atij brezi; doja, sidomos, të jetoja si protagonist vitet 1960; vetëm se kisha harruar se unë, shqiptari, njëlloj do të kisha mbetur jashtë të gjitha këtyre aventurave dhe se nuk do të kisha asnjë shans që të përjetoja, bie fjala, Woodstock-un; me mendje, i isha përgjigjur si të isha një perëndimor që, për një arsye fare rastësore, e kisha kaluar rininë time në burg...) 

Tani që e rimendoj rolin që luajti L’Europeo, kushedi sa herë e rilexuar, në formimin tim intelektual, nuk mund të mos ta përfytyroj si një fraktal të Perëndimit (ose monadë, siç i kanë thënë dikur), e cila përmbante në vetvete kopje pak a shumë të sakta të gjithçkaje kishte ndodhur, ndodhte, do të ndodhte përtej; një model në shkallë, të një bote që, përndryshe nuk do ta kisha arritur dot. 

A mjafton një libër i vetëm, për t’u marrë me vete në ishullin e pabanuar? A e mishëron dot një objekt i vetëm qytetërimin që e ka përftuar? 

Të rrethuar siç jemi nga produkte të destinuara për konsum të çastit, riciklim dhe jashtëqitje, në mënyrë që mekanizmi i tregut të vijojë të funksionojë, madje i vajosur mirë, nuk kemi kohë as mundësi të ndalojmë rrjedhën e mbresave dhe të imazheve, për të reflektuar një çast se çfarë po ndodh; sikurse nuk kemi kohë të lexojmë të njëjtën gazetë ose të shohim të njëjtin serial televiziv dy herë. 

Nëse është kështu, eksperienca në Shqipërinë e dikurshme, pothuajse krejt të mbyllur ndaj botës, përfaqëson diçka unike, të papërsëritshme, të vyer edhe për të sotmen. 

Kur fola më lart për dekontekstualizim, më erdhën parasysh ato kanoçe të Coca-Cola-s, që shumë familje shqiptare, në Tiranë dhe në provincë, në qytet dhe në fshat, i përdornin si objekte zbukuruese, duke i ekspozuar në bufetë. Më pas kemi qeshur me këtë fetishizim të sendeve të destinuara për konsum të çastit; tek e fundit, në Perëndim, një kanoçe e tillë modeste mund të konotojë, ndër të tjera, kapitalizëm, konsumerizëm dhe riciklim, por kurrsesi vlerë për t’u ruajtur, ose për t’u thesarizuar. 

Megjithatë, ne që i siguronim sende të tilla rastësisht – një kanoçe pije freskuese, një paketë Marlboro, një çakmak BIC, një paketë çamçakëzi me spearmint, një livre de poche, një sapun Camay me gjithë ambalazhin përkatës, një deodorant spërkatës Rexona... – kishim në dispozicion gjithë kohën e Perëndisë, për t’i soditur jo si mbetje, ftesa për riciklim, mveshje materiale të dobisë dhe të nevojës; por si produkte të një design-i të menduar mirë e të frymëzuar; dhe, veçanërisht, si produkte të bukura. 

Kush mund ta kundërshtojë sot vallë këtë lloj përjetimi? Të gjithë e dimë sa shumë mund dhe ekspertizë shkon për design-in e një objekti të thjeshtë konsumi – të një shisheje uji mineral ose një kutie sardelesh ose një qeseje me oriz; konkurrenca në tregun e konsumit të gjerë është e tillë, që edhe diferenca më e vogël në përjetim mund të përkthehet në miliona dollarë fitime. Korporatat shpenzojnë shuma marramendëse për të gjetur lakoren e përsosur, ngjyrën më intriguese, konsistencën e përshtatshme në prekje. Objektet me të cilat japim e marrim përditë u flasin shqisave tona paprerë, përpiqen t’i ngashënjejnë, t’i mahnitin me format, elegancën ose – le ta themi fundja – me bukurinë e tyre të sipërfaqes, përtej çdo konsiderate utilitare ose vlere përdorimi. Që ne, konsumatorët, e ndiejmë këtë bukuri vetëm në nivelin subliminal, kur nuk ia vëmë dot emrin shtysës që na bën të zgjedhim këtë mall kundrejt këtij tjetrit me të njëjtin çmim, kjo tregon vetëm sa na janë mpirë përjetimet, nga mbingarkesa informacionale, që i detyrohet, tek e fundit, konkurrencës. 

Një tjetër mënyrë për t’iu qasur kësaj bukurie, të mishëruar në format shqisore të sendeve, është duke i zhvendosur këto në kohë. Mallrave të djeshme të gjithë ua admirojmë design-in: telefonave të zinj prej bakeliti me disk rrotullues, televizorëve me kasë prej druri të rimesuar, radiove me sy të gjelbër dhe altoparlantët të mbuluar me pëlhurë, automjeteve vintage dhe triçiklave, librave me gravura shtypur në Europën baroke, mandolinave renaissance, ilustrimeve në revistat e 1800-ës. Kur i nxjerrim këto sende nga konteksti që i përftoi dhe i mbajti gjallë dikur thjesht duke ua vlerësuar punën që bënin, kur i çlirojmë nga nevoja e ngutshme për të qenë funksionalë me çdo kusht, kemi rast t’i soditim të çinteresuar, në format e tyre të vetvetishme, dhe t’ua shijojmë hijeshinë duke komunikuar, virtualisht, me artistët ndonjëherë të paemër, që i design-uan. 

Ta bëjmë tani me faj zonjën e shtëpisë tiranase, në vitet 1980, që shihej sy më sy me të bukurën, kur ia fshinte pluhurin kanoçes së ekspozuar të Coca-Cola-s në bufe, apo kur dilte shëtitje në bulevard, me një qese plastike të supermarketit Carrefour në krah? Jo, ose të paktën, jo menjëherë. Mjaft të kujtojmë trajektoren e artit avant-garde gjatë shekullit të 20-të, ose largimin gjithnjë e më sistematik nga paraqitja e së bukurës në telajo ose në 3D; dyshimi në rritje, në mos neveria, përbuzja, urrejtja e shprehur e artistit për çdo orvatje për kompromis me këtë të bukur, frika obsesive ndaj kitsch-it (derisa u bë ajo vetë, në fakt, mishërim kitsch-i); mania për t’i pështyrë kanonit në fytyrë dhe mania tjetër, pak më pas, për ta rindërtuar të njëjtin kanon, por ironikisht, me komplekse faji të pashlyeshme; estetika e përçudnuar nga pesha e njohjes, ose dyshimi se tashmë gjithçka është thënë, pikturuar, sendërgjuar dhe se nuk ka mbetur veç ironia, ose alibia e citatit. Prandaj edhe nuk e qortojmë dot adhurimin e cilindrit prej alumini, të lyer me bojëra vezulluese; pse po ta qortonim, do të na duhej pastaj edhe të merrnim në pyetje ndrojtjen e këtyre të tjerëve, ndaj bukurisë së vetvetishme, jashtë çdo citimi dhe alibie; tek e fundit, nuk ka nevojë të jesh Andy Warhol, për t’u tërhequr nga një kanoçe e thjeshtë e supës Campbell, as të kesh njohur gjëkundi Jeff Koons, për t’u magjepsur, si insekti, nga ngjyra e kulluar, pothuaj ujore në kthjelltësinë e vet, e një kristali opaleshent në Muzeun e Historisë Natyrore. 

Nuk u kërkon dot shtëpiakeve shqiptare dhe adoleshentëve e kohës të njohin e të përvetësojnë arsyet e zhvendosjes së estetikës së bukurisë nga arti i lartë në design dhe në aplikim, gjatë shekullit të 20-të. Dorën e shkathët të vizatuesit sot vështirë se mund ta admirosh në galeritë Whitney dhe Guggenheim, teksa e gjen rëndom në stripat vizatimorë dhe në design; vizionet e një madhështie të tillë që të zënë frymën e kanë braktisur pikturën prej kohësh, për t’u strehuar në kinema, në filmat vizatimorë dhe në videolojërat; deri edhe konceptualitetin e një Magritte sot mund ta ndeshësh më parë në reklamën televizive, sesa në mendjen e autorit ambicioz të video-instalacioneve; muzika e filmit është shpesh më e pasur me patos dhe ide sesa muzika serioze moderne, të cilën shpesh e dëgjojnë dot vetëm ata që e kanë krijuar dhe rivalët e tyre; një grup i vetëm pop, Beatles, me pjesëtarë tepër të talentuar por gjithsesi muzikalisht gjysmë-analfabetë, bënë më shumë për t’ia hapur horizontet përjetuese publikut, sesa breza me radhë kompozitorësh të diplomuar në konservatorët; arkitektura në kërkim spastik të së resë vjetrohet më shpejt se ç’i vjen radha një ndërtese baroke në Romë ose në Pragë për restaurim të fasadës. 

Marrë nga Milosao

16 Komente

Eshte shume interesant ky insistimi i Vehbiut per te perjetuar ngjyren e kulluar, artin hyjnor, transhendentalen, etj - do jete ndonje semundje profesionale, tip "ekspertit te gjuhes i shkon gjuha atje ku gjuha nuk shkon dot." Po lexoja nje review te nje permbledhjeje esesh mbi teorine e perjetimit (affect theory). Ne kete permbledhje, u vika ne dukje me te madhe, ngjyra e kuqe e asaj anijes suedeze me refugjate afgane qe nuk u pranua ne portet e Australise. U shpelaka goja po ne kete permbledhje se nuk ishte e kuqja e kulluar e anijes arsyeja pse refugjatet nuk u pranuan, por kjo nuk mbetet vecse shpelarje goje, pasi ne fund te fundit, perjetimet nuk e njohin arsyen (ato jane thjesht fakte) dhe ajo anije nuk ishte vecse nje send i kuq qe e kishte nxjerre deti. Ka dicka nga supersticioni kadareian i "vitit te mbrapshte" kjo insistence mbi ngjyren e kulluar, ku ngjarjet historike lexohen krahe per krahe me kometen qe shfaqet ne qiell - me qe ra llafi edhe tek sinkroniteti. Personalisht, me duket i sakte "dekontekstualizimi" si element i nevojes per te perjetuar objektin pertej matricave gjuhesore. Ajo qe nuk me duket e sakte eshte "endorsement" i ketij dekontekstualizimi per hir te nje estetike te kulluar, apo me keq, per hir te nje politike kinse subversive qe kalon me se pari neper dekontekstualizimin estetik. Pasi ne rradhe te pare, krijohet arti i reklamave (qe nuk di lavderohet apo kritikohet ketu nga Vehbiu) ku ne vend te imitimit te procesit artistik, imitohet perjetimi. Dhe ne rradhe te dyte e me keq, i hapet rruga perjetimit te politikes si spektakel, ku eventi i vertete, e reja, ndryshimi, revolucioni, perjetohet si tubim festiv, dhe e kunderta, apatia, mosveprimi, justifikohet fale alarmit qe ngjall nje send i kuq qe nxirrte deti.

Analize me vezhgime interesante.

Fetishizimi sendeve te konsumit (nje kanoce coca cola, nje reviste apo nje cakmak) ne shoqerine e mbyllur vinte jo nga dekontekstualizimi objekteve por nga dekontekstualizimi subjektit sodites. Indianet e amerikes shkembyen flori me pasqyra te dhuruar nga europianet pikerisht sepse ishin  te dekontekstualizuar nga shoqeria qe pasqyrat i shikont si sende te zakonshme perdorimi.

Kurse  "shift" nga estetika e bukurise te artit te larte  ne design-un e sendeve te konsumit, nuk eshte dekadence, edhe pse moderniteti ushqen relativizmin e vlerave. Vete njeriu eshte qenie estetike,ndryshe nga kafsha. Nuk di ndonje xhirafe te mrekullohet nga nje perendim dielli ne savane.Nga ana tjeter kjo eshte pasoje e shoqerise se tregut  dhe daljes se artit nga kulla e fildishte. Konsumi eshte feja e njeriut modern. Ashtu si krishterimi ka shtene ne pune artin, pikturen , muziken,  per ta ngacmuar sa me shume perjetimin e besimtarit ne takimin me Zotin Jezus, ashtu dhe tregu estetizon mallrat per te joshur konsumatorin. 

 

E lexova me shume kenaqesi.

Drejt Fin .Ne mbeshtetje tates une e hoqa ate me Shume ...E di qe do thuash e drejta e kujtedo  qe lexon , po e them me plot gojen e lexova me kenaqesi  . Perse ? 

Askujt prej nesh nuk i shkonte mendja të analizonte, në atë kohë, përçudnimin komunikativ që përftohej gjatë kalimit nga efemerja në përjetësi..... Megjithse nuk zene ndonje vend ne Linje , por ndermjetse e lidhese te mendimit si krahasim , te shtyjne te mendosh se mendimi ka mbetur "rob " i....Fleteve te librit te shahut .

Shkeputja qofte dhe formalisht prej ketyre rreshtave  si  CEITNOTE ne shah ... e perafrojne kenaqesine tek shume kenaqesia ! Shpesh nderfutja e ketyre paragrafeve  jane tamam si konkluza Juaj per ....konsum ose vaisje pa lidhje qe te funksionoje Derstila smiley  Ne se ke pase fara ke dite te seleksionosh qe ne ate KOHE . Dhe qe anoj nga JU ,  ndryshe nga ndonje plotesim  tjeter ne mbeshtetje tuajes ... ..po bie nje krahasim nga fusha e muzikes . Edhe Rep eshte i kohes por vetem Eminem njihet si kengetor dhe e perfaqeson si Muzike . Te tjeret njihen si repere ose shahiste . Keto te kosumit mund ti krahasosh shume mire me Tallavane !

Hem, sa te nderlikuar e ke bere o idris. Kater here e lexova!

smiley

ja nje rast tipik i HUMBJES se kumtit pas zhguajve qe te thyer, marrin me vete edhe THELBIN. U zhduk... MATERIA, thua me ngazellim. Jo, pergjigjet logjika e celikte qe prej materializmit dhe empiriokriticizmit, u zhduk kufiri i NJOHJES se materies. Pervec meritave me te cilat jemi mesuar tashme, si pasuria e rralle ne leksisk - askush ne peshk nuk mbush dot te atilla kepuce sa te na sjelle dhurata te tilla si psh "Derstila", nje element i shkelqyer stilistik qe perafron idene e mullinjve me ere, per te cilet Ziko jo rralle pyet me ironi therese qe shkon deri ne sarkazem: po uji nga u vjen ketyre - pra vec sa me lart, me lejo te mundohem te jap pervetimin tim te komentit.

E lexova me shume kenaqesi. <<-- ketu citohesh ti.

Drejt Fin .Ne mbeshtetje tates une e hoqa ate me Shume ...E di qe do thuash e drejta e kujtedo  qe lexon , po e them me plot gojen e lexova me kenaqesi  . Perse ?  <<-- ketu behesh me dije qe shkrimi lexohej me kenaqesi, por jo me shume, cka te paralejmeron per nje konflikt jo antagonist. Shtoj qe konflikte te tilla une kam jo rralle me Zikon, dhe ne pergjithesi mesoj si ai qe ia shkulin veshin lehte per gabimet.

Askujt prej nesh nuk i shkonte mendja të analizonte, në atë kohë, përçudnimin komunikativ që përftohej gjatë kalimit nga efemerja në përjetësi..... Megjithse nuk zene ndonje vend ne Linje , por ndermjetse e lidhese te mendimit si krahasim , te shtyjne te mendosh se mendimi ka mbetur "rob " i....Fleteve te librit te shahut . <<-- rrefen mbi paaftesine e perceptuar te autorit per t'u ngritur mbi rafshin e materies qe perpunon, ne nje lartesi soditese e vezhguese e kontempluese per te arritur pastaj te kaloje ne hulumtim te vertete dhe persiatje, cka kerkon dhe reduktim te permases anesore ne favor te lartesise metabolizuese.

Shkeputja qofte dhe formalisht prej ketyre rreshtave  si  CEITNOTE ne shah ... e perafrojne kenaqesine tek shume kenaqesia ! Shpesh nderfutja e ketyre paragrafeve  jane tamam si konkluza Juaj per ....konsum ose vaisje pa lidhje qe te funksionoje Derstila smiley  <<-- qortim per levdaten tende e cila nuk ka asgje shpjeguese, prej mekanizmi, prej shkaku e pasoje, e si rjedhoje krahasohet jo me ingranazhe levizese, por per lubrifikant,

Ne se ke pase fara ke dite te seleksionosh qe ne ate KOHE . <<-- hidhet ideja qe ne monizem, perkunder besimit te perhapur qe mund te gjeje vetem gazeta zeri i popullit te bera te tejdukshme nga vaji i konservave te sardeleve Ernest Telman, mund te gjeje, pasi ai qe kerkon, gjen dhe ka GJETUR. Nuk eshte aq te mungesa e materies, por tek "farat" e atij qe kerkon.

Dhe qe anoj nga JU ,  ndryshe nga ndonje plotesim  tjeter ne mbeshtetje tuajes ... ..po bie nje krahasim nga fusha e muzikes . <<-- Nuk po sjell shembuj te tjere ne lidhje me temen, thote. Po sjell nje shembull krahasues nga fusha e muzikes.

Edhe Rep eshte i kohes por vetem Eminem njihet si kengetor dhe e perfaqeson si Muzike . Te tjeret njihen si repere ose shahiste . Keto te kosumit mund ti krahasosh shume mire me Tallavane ! <<-- kerkohet me xhentilese prej teje qe kritiken, mqse aftesine per ta bere e ke, ta besh perkatesisht sipas aftesise, dhe jo ashtu kot.

pra ne teresi eshte nje qortim me pambuk dhe uje trendafili - mundesite i ke, thote, mos bej gjera per te shkuar radhen.

E shikon se sa me ndryshe shihet e gjitha tani? Stili eshte njeriu. Dhe Ziko eshte nder njerezit me te nderlikuar qe komentojne ne kete blog.

eh... ajo perralla me berberin dhe Eruditin nga Lefqenia ka nje vazhdim ... kur Qerosi pa se libri nuk kishte asnje germe, pervec numrit 1234, atehere filloi ta shkruaj vete... te mbush faqet e librit me te tilla rrefime... Vehbiu eshte nga te paktet intelektuale qe lexon per publikun shqiptar ... e shkruan me nje stil shembullor po per publikun shqiptar... ky eshte perfitimi qe kemi ne nga pena qe shkruajne jashte atdheut... te pandotura nga sofizmat boshe dhe sterhollimet leshtjerrese te shtypit shqiptar apo te blusherave etj te socializuara me stilin kryekeput te drunjte te socrealizmit ... perbrendesuar nga mesueset e letersise se asaj kohe qe e mendonin se njeriu eshte si lopa ... po te haje tagji te tille letersie ... tjeter letersi do te shtrydhe nga gjinjte... 

ja nje shembull: Recension i nje libri: http://www.mapo.al/2012/03/26/atentat-at... .. s'merret vesh nese po flet per librin apo per Avniun... dhe nga Amerika tjetra... zysh letersi me siguri...stil per oIdrisa etj..  "Avniu e dinte shumë mirë se këtu nuk luhej fati i atdheut për një rrip e dy metra tokë, për një vijë uji apo për ngritjen e një gardhi, por aty fuqitë e huaja dhe shtetet fqinje po luanin me fatet e Shqipërisë, të cilat u mbështetën fuqishëm nga Esat Pashë Toptani, veglën e shitur te vendet fqinje dhe kërkonin me insistim ricopëtimin e saj dhe gllabërimin e tokave shqiptare. Në fakt, atdhetari i shquar Avni Rustemi zgjodhi të merrte rrezikun mbi vete në emër të mizores e tragjikes, të këmbënguljes e heroikes, në emër të atdheut, patriotizmit dhe krenarisë shqiptare, në emër të jetës e jo të vdekjes, në emër të zjarrmisë e mllefit ndaj atyre që guxonin të bënin pazare – duke shitur Shkodrën, në emër të tokave shqiptare dhe po ashtu në emër të ballafaqimit të motiveve, e shtynë të bënte një nga aktet më madhore të atdhedashurisë, drejt triumfit përfundimtar: ekzekutimin në mes të Parisit të njërit prej tradhtarëve më të mëdhenj të kombit shqiptar – Esat Pashë Toptanin!" 

 

Aaaaa! Kujdes! Manastiri i Parma-s ju lutem! 

Pse s'thoni Ju qe paska ardhe Bulua i Ri ..Mejtimtar si zakonisht .Kur duhet thekson rrolin e tingellimes O , kur nuk i vjen nevoja hidhet nga Historia . Njeh emra . Ben konkluza . Bn kritike . Sheh Thelle , vetullharkuar , sy zgurdulluar , me pak e shume habiti , me dijeni nga derstilat , me furke e boshte ...dhe neper kembe mace qe luajne me lemshet e tij . Njeh hunjte e Drunjte kryekeput te Realsocit.... te perbrendesuar e te xhveshur nga lekura qe i mbeshtjell ... e i flak ato me perbuzje .Pffffff edhe mesuese letersije !

madheshtor e kryelarte / mejtimtar plot fjal e zgjuarsi  / keshtu na erdhi dhe kete rradhe / Filosofi Bulkth bujar si gjithnji ...

Bulooooooo ne se me lexon , me fal , po me duket se do te duhet te tradhetoj .Fryn ere e RE !

E mos vdekshi o admin. Cfare gjeje keni PESHKUAR !!!!!!!!!!!!!!

s'e di, shume e gjate. e gjeta veten duke lexuar vertikalisht nga mesi e poshte. ajo qe eshte interesante, dhe gje e mire, eshte sa shume ndryshon stili i vehbiut nga nje shkrim te tjetri.

Shumë gjetje interesante në këtë analizë. Novela e Shahut e Cvajgut është një prej novelave të tij më pak brutale. Cvajgu është shkrimtar brutal në vetëvete, por tek kjo novelë ka arritur të përcjellë një rrëfim me dy faza interesante. Faza e parë e novelës rrëfen kohën kur Dr. B. e mëson shahun. Është interesante mendoj unë, që shahun ai e kishte zgjedhur si një mënyrë për të mos u cmendur, dhe pse më pas i njëjti personazh, në një rrethanë të ndryshme, cmendet vetëm prej shahut. (kjo është një prej inkoherencave kryesore të novelës). Por, fillimisht, një ish i burgosur, që kalonte ditë të tëra në një dhomë të mbyllur (me një kënd shikimi tejet të kufizuar) arriti t’i shpëtojë cmendurisë duke u derdhur në lojën e shahut, të cilën e luante, duke pasur përballë një kundërshtar imagjinar. Figurat e shahut i krijonte nga tuli i bukës që i jepnin për të ngrënë. Mua më ka magjepsur fillimisht një figurë shahu e krijuar nga një tul buke. Kam menduar që tek një lojë shahu, janë shumë të rëndësishme figurat, (ato duhet të jenë të skalitura) dhe sigurisht skemat. Por, një figurë shahu e tultë është një figurë jo e skalitur si duhet. Pra, njëfarësoj, duhet ta riskalitësh vazhdimisht. Një skemë që skalitet nga brumi i bukës. Më pas, mund ta braktisësh brumin tërësisht. Unë e kam gjetur këtë fragment të novelës jashtëzakonisht interesant. Nuk më ka interesuar fare më pas se cfarë ndodh me protagonistin. Ai kishte fituar që në castin që kishte skalitur nga tuli i bukës figurat e shahut. Një dredhi e jashtëzakonshme. Ushqimi që përdoret për mbijetesën e mendjes (jo të trupit). Ky është mesazhi më inspirues i novelës. Pra, një skemë e mendjes që ka nevojë për ushqimin (ideja ka nevojë për brumin). Idealja për materialen. Ose ndër-shkëmbimi i roleve. Materialja që i shërben ideales. Mund të them, që loja e shahut ka fituar pikë të jashtëzakonshme me këtë novelë. Në këtë kuptim, mendoj se gjithcka materiale, kur vihet në shërbim të ideales (përfshirë sendet që nxjerr deti) është një mesazh njerëzor i jashtëzakonshëm.

Ai shty porten e rende dhe pa hedhur dy hapa, ra perdhe nga nje bresheri plumbash. Porta ishte ndertuar prej druri lisi te rende .dhe ketu vazhdon pershkrimi hollesishem i protes, viti ndertimit, lenda e lisit dhe pylli nga ishte marre.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).