Një kavanoz me gogla, ose një tegëll me klikera

Sikur të isha edhe një herë i vogël, që të mund të luaja me gogla në lagjen time. Dhe kur të fitoja t’i fus “plaçkat e luftës” për t’i ruajtur brenda një kavanozi të madh. Aty, me çdo tundje të kavanozit, goglat do të përziheshin mes veti derisa të humbisnin krejtësisht. Por natyrisht, kjo do të ishte e pamundur duke qenë kaq larg nga shtëpia.

Sikur të isha në Prizren kur tre shokët e mi vendosën ta hapnin atë kafenenë. Vetëm e vetëm që të shthesha me turmën e mysafirëve gjatë hapjes solemne në përpjekjet e mia për të “vjedhur” ndonjë meze të vogël prej tabakës së kamarierit. Imagjinimi i shijës së një cope djathi me një ulli përmbi asnjëherë nuk shijoi më mirë sesa ngrënja e mezeve të bajata mes shoqërisë.

Sikur të isha aty kur Babi kishte nevojë për ta ri-instaluar kompjuterin e tij. Vetëm e vetëm që të kisha mundësinë t’ja kopjoja gjithë ato fotografitë që i ka të inçizuara në folderin “Lulet”. Disi, ai gjithmonë gjenë poza të reja për lulet e njejta në xhunglën e kopshtit tonë të vogël.

Sikur të isha aty kur i duhesha më së shumti shokut tim, derisa kalonte nëpër ato kohëra të vështira. Vetëm e vetëm që të flisnim si burra, dhe t’i ndanim brengat dhe problemet, dhe ndoshta të shkëmbenim ndonjë shaka për ta lehtësuar dhembjen.

Sikur të isha aty kur Mami vendosi t’i lëvizi mobiljet në banesën tonë në Prishtinë. Vetëm e vetëm që të shpëtoja ndonjë memento nga fëmirija: sikur për shembull atë tavolinën e bardhë të cilën e kisha gdhendur me “shrafciger” (kaçavidë) një dite kur s’më rrinte bytha në një vend.

Sikur të isha aty për t’a uruar shokun tim dentist kur për herë të parë me sukses nxori dhëmbin e pacijentit. Vetëm e vetëm për ta ngacmuar për paparashikueshmërinë që një qyrran që mezi i lidhtte tojat e këpucëve të përfundojë si ekspert në një profesion që kërkon aq shumë shkathtësi.

Sikur të isha aty kur shegat dhe mandarinat piqen në kopshin e gjyshes në Tivarë. Vetëm e vetëm që të gjithë “fëmijët” edhe njëherë të bëheshim bashk për t’i ngrënë frutat, ndërsa lëngu i kuq të na kullojë nga duart duke lënë shenja të përhershme në bluzat tona të bardha.

Sikur të isha aty kur kusheriu im e fitoi rrypin e radhës në klubin e tij të karates. Vetëm e vetëm që t’ja pëlcisja një flakareshë pas kokës duke e pyetur: “Ku t’kan hup stilat e karates?”, pas së cilës ai do të më ndiqte nëpër xhunglën e dendur të portokajve.

Dëshiroj sikur të isha aty për shumë gjëra. Por ja që nuk isha. Jeta vazhdon pa mua; unë dëgjoj për gjërat që ndodhin, dhe i regjistroj ato në mendjen time. Tani madje pyes veten nëse krejt këto gjëra kanë ndodhur me të vërtetë? Kam filluar t’i ngatërroj faktet me imagjinatën time. Kam munguar aq gjatë, saqë ngadale jam duke e humbur kapësen që i mban së bashku të gjitha këto ngjarje të fragmentuara.

Kam frikë se në njerën prej ditëve, ndërsa jam duke ecur rrugës, këmba do të më rrëshqasë nga një lëvore e bananës, dhe ndërsa jam në ajër, do t’i lëshoj këto kujtime nga shtringimi. Ndërsa unë do të bie me shpinë në tokë, kavanozi im me gogla do të thehet dhe derdhet nëpër rrugë.

Të shpërndara në të gjitha drejtimet, disa nga goglat do të shtypen nga kerret e shpejta, ndërsa tjerat do të bien nëpër vrimat e kanalizimeve aty afër. Disa prej tyre do të ikin aq larg, saqë do të jenë të humbura përgjithmonë.

 

Shënim: Ky tregim është shkruar fillimisht për, dhe publikuar në Kosovo 2.0

3 Komente

Forward to the past, very nice vertet smiley

Gjithashtu do te dilte nje film i bukur me metrazh te shkurter.

do ti qe na lezetojne kaq shume keto metrazhet e tua te shkurtra sa s`po na bejne me pershtypje dhe `cenet` ortografike? smiley

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).