Brezi im
Brezi im kulaç që s’erdhi kurrë
majà e lodhme,
vende vende rrëmbyer prej zjarrit
si femrën që do përgjysmë
një trim gangster djalë fshati,
Brezi im vajzë që s’erdhi kurrë,
garanci televizore, siguri bashkëshortore,
trishtim dysheku rrahur verës,
kopan dhe burr’ i çmeritur
rrahin pambuk gruaje,
pambuk gruaje, o llaftar i tështitur,
çorape që s’shkojnë me qëllim,
kërcinj të djegur mëhallash,
e film porn titulli me pëshpërimë
prej marlon brandoje nofullpërtuar,
e gjalpë që hyn në fletë bakllavaje dhe flegra ulkonje me fletë,
gjizë nga kjo tokë e lashtë,
gize dysheku me kashtë,
se “e ruaje atë yndyrë të paktë”, lëkura tharë, kolagjen i tradhtuar
tek radhë e bulmetit komplot tempullarësh,
s’kaa, s’kee, porta trojane dhe hungareze
me gurë, këmbëmatur saktë, me këmbë, me sistem englez,
Një sihariq që s’erdhi kurrë, një myzhde e ftohtë, brezi im
sekt adidas dhe camay,
flamuj të shëmtuar prej mureve të turpshëm që dot s’i mbuloi
si një shpatull fëmije nën xhamin me “plasë
interesante”,
korruptuar nga suvatë e lindjes dhe sevdatë qe s’ndodhnin më
pas orës’ folklorit me zysha shpjeguese decibelesh debile
që hanin edhe më suva të rà fitoresh
me hardhuckat rimuese nëpër mure
marsh i pandalshëm pellgjishtesh pellazge dhe gropash suvashë,
Brezi im me hekura të parrahur në dritare
ku rriheshin njerëz, vula nën sy dhe vendime të vjetra valiu,
Vajzë që s’erdhi kurrë,
organi i saj apo jorgani i tij
i harrimit shpinëkthyer? Brezi im
mosklithma njëzëri aty ku duhet, pambuku merr hakën
natën vonë,
një garzë ku gjaku murrmet ngadalë
mbërthyer me plumb paramande…

12 Komente
se mos vetem brezi yt...
rrofsh !
Disa breza mund të gjenë veten. Bukur!
PS : po ndryshoje atë foton tek bllogu
Me pelqeu shume!
Mos vdekte kurre brezi juj.
ooo,kjo eshte e hidhur,zeher.Edhe kete na e the,kulaç i paardhur.Bisturi ne dore te kirurgut te zot kjo poezi.Operon i sigurte...
Brezi juaj ka care himenin e epokave.Keni dal nga jashte brenda...Ehhh.Sa njerez do donin te ishin ne ate vend
.
"mbërthyer me plumb paramandë" - si lë kusur detajeve
Jam dakort me autorin; brez nasty!
Brezi YT! Brezi NJERIUT TE RI!!!
Ju jeni prodhimet autentike, "DOCG" (Di Origine Controllata e Garantita).
Freaking Experiment!
Nuk arrij ta kuptoj se si e keni formuar individualitetin ju njerez.
Ne rastin ME TE MIRE, ju jeni thjesht nje konglomerat KEQKUPTIMESH.
Ndryshe eshte puna me hebrenjte. E vertete qe u persekutuan, por dreqi e mori, NUK ISHIN PJELLA TE KAMPIT.
JU JENI PJELLA TE KAMPIT!
Si arritet me zhvillu ndonjelloj individualiteti ne nje kontekst te tille?!
Mua me duket e pamundur racionalisht, edhe pse faktet tregojne ndryshe.
Nuk e di ç'brezi i takon(besoj rrotull 30) mendoj se ke jo vetëm paragjykime shabllon që të pengojnë drejtgjykimin por dhe viktimë e "diktatura or tie.."(shprehja e kopjuar ). çifutët fanatikë dhe sot janë pjella të kampit dhe e shohin veten gjithmonë si viktima.Shqipria mund të ishte kamp por si ndalonte dot individët të dilnin nga kampi(mendimi është abstrakt )biles ata veçoheshin më shumë ndën vete shto dhe kohën për ndryshim "që na dha djali" idividualitet spikasin dhe më shumë. Shiko sot një brez i tërë ndëgjon një këngë ose shumshumë dy lloje këngësh,një boshllëk e një apati e pakrahasuar.Pse? Sepse mungon ideali për arritjen e një qëllimi shoqëror të përbashkët që mund tê bëj të mundur daljen dhe veçimin e individualiteteve të dallueshme. Qëllimi i përbashkët për mirqenje individuale është mjaft individualist për të qenë ideal shoqëror që lind individualitete; pushtohet shpejt nga mendësia e pasurimit material sa më të shpejt e sa më të lehtë (mendësia e hajdutit).Nuk është kaq e thjeshtë e përgjithsuese 100%por ësht kështu që nga kreu i shtetit e deri tek qytetari i fundit e ndryshimi është i madh shumë i madh.
po prizren,per mua nga ky brez ka xhevahire,biles fshikja lehtaz e atyre viteve me ben te ndihem fatlume.
tjeter zhvillim intelekti ka pasur ,te tjera batuta,tjeter humor,çdo gje bio...