TIRANË- Partia Socialiste ka denoncuar sërish sot shtimin e pasurisë së ministrave dhe familjes kryeministrore në vitin e krizës për shqiptarët.
Zëdhënësja e PS-së, Armela Imeraj gjatë një deklarate për mediat ka theksuar se janë disa ministra, funksionarë të lartë dhe familjarë të anëtarëve të kabinetit të Sali Berishës, që vetëm gjatë vitit të fundit kanë shtuar disa herë pasurinë e tyre.
"Ndërkohë që për shqiptarët viti i fundit ka qenë viti i varfërimit, për Dritan Priftin ka qenë viti ku pasuria e tij është shtuar me 1,8 milion euro. Çfarë është ky ministër që brenda 1 viti e shton pasurinë në mënyrë të pakuptueshme, ndërkohë që shqiptarët të cilëve ai duhet tu shërbente janë varfëruar dhe përballen me rritje të paimagjinueshme çmimesh"- tha ajo.
Sipas saj, këta njerëz as nuk marrin mundimin të paguajnë detyrimet e taksave shtetit që ata vetë drejtojnë, ndërkohë që ky është vetëm 1 ndër rastet flagrante të njerëzve të afërt me Sali Berishën që duhet të japin llogari para organeve të drejtësisë dhe përpara gjithë shqiptarëve për abuzimin që kryejnë çdo ditë me detyrën.
_____________________
Deklaratat e pasurisë, ja kush janë milionerët e rinj të Kuvendit të Shqipërisë
TIRANË- Apartamente, biznese, depozita dhe llogari bankare, janë disa nga pasuritë që kanë deklaruar deputetët e Kuvendit të Shqipërisë. Një pjesë e mirë e tyre kanë bërë rishtazi deklarimin duke pasqyruar pasuri të konsiderueshme. Biznese miliona euro si dhe pasuritë e tjera të paluajtshme përbëjnë barthamën e pasurisë së deputetëve shqiptarë. "Shekulli" vijon sot me publikimin e pasurisë së disa prej anëtarëve të Kuvendit të Shqipërisë.
Dashamir Tahiri
Me të marrë mandatin e deputetit në vjeshtën e vitit të shkuar, Tahiri ka bërë deklarimin fillestar të pasurisë ashtu siç e përcakton ligji. Referuar formularit të firmosur nga vetë ai, Tahiri mund të konsiderohet një ndër deputetët më të kamur të parlamentit shqiptar. Në emër të tij janë të regjistruara rreth 7 milionë dollarë si dhe 10.7 milionë lekë depozita në disa banka tregtare në vend si dhe likuiditete të tjera. Në emër të dy kompanive në të cilat ai ka aksione rezultojnë edhe 33 milionë lekë të tjera depozita. Pasuri të paluajtshme, Tahiri ka një vilë private në Vlorë më vlerë 25 milionë lekë, 4 mijë metra katrorë tokë me vlerë 4 milionë lekë, një ndërtesë 600 metër katror me vlerë totale prej 42 milionë lekë, si dhe 25 apartamente të cilat janë në proces shitje. Po ashtu, në emër të tij rezultojnë edhe një serë dyqanesh me sipërfaqe 2 mijë metra katrorë të cilat gjithashtu janë në proces shitje. Deputeti Tahiri është pronar edhe i dy autoveturave me vlerë totale prej 168 mijë euro. Nga aktiviteti i një hoteli në Vlorë nga viti 1992 deri në 2000 ai ka përfituar edhe 10 milionë lekë të ardhura të tjera. deri në tre mujorin e parë të këtij viti, Tahiri ka përfituar edhe 61 milionë lekë nga aktiviteti i kompanive të tij private. Pjesë e deklaratës së Tahirit është edhe paga si deputet i Kuvendit të Shqipërisë prej 300 mijë lekësh.
Paulin Sterkaj
Deputeti Sterkaj e ka nisur vitin duke blerë një autoveturë me vlerë 800 mijë lekë për djalin. Në emër të tij, janë edhe disa llogari bankare me vlerë, 12.601 lekë, 22 mijë dollarë dhe 38 mijë euro. Gjatë vitit të shkuar, Sterkaj ka pakësuar disa nga llogaritë e tij duke investuar rreth 9 milionë lekë dhe 90 mijë euro në kompaninë e tij private. Nga një tjetër investim, ai rezulton të ketë përfituar rreth 120 mijë euro. Sterkaj ka deklaruar edhe pagën e tij prej 1.4 milionë lekë si deputet i Kuvendit të Shqipërisë, të ardhura nga një aktivitet privat i së shoqes prej 1.8 milionë lekë si dhe të ardhura prej 12 mijë euro nga qiradhënia e një ambienti biznesi. Pjesë e deklaratës së tij janë edhe pagesat prej shkollimin e fëmijëve me vlerë 5400 euro.
Fidel Ylli
Në emër të deputetit Ylli figurojnë një serë apartamentesh, ambiente banimi dhe biznesi, llogarish bankare si dhe autoveturash. Ylli është pronar i tre apartamenteve të banimit në Tiranë me sipërfaqe totale prej 385 metrash katrorë, dy garazheve po në kryeqytet me sipërfaqe totale prej 64 metra katrorë si dhe apartament në Durrës me sipërfaqe 27 metër katrorë. Po ashtu, në emër të tij janë të deklaruar edhe 400 metër katror truall në Tiranë me vlerë 705 mijë lekë. Ai është pronar edhe i tre autoveturave me vlerë totale rreth 115 mijë dollarë. Ky është deklarimi fillestar i deputetit Ylli pas zgjedhjes së tij. Si pasuri të luajtshme, ai ka deklaruar disa llogari bankare në monedha të ndryshme. Në emër të tij janë, llogari bankare me vlerë 100 mijë euro, llogari me vlerë 10 mijë dollarë, llogari 50 mijë euro, llogari 150 mijë dollarë, llogari 2.6 milionë lekë, si dhe disa llogari të tjera më shuma të vogla. Gjatë vitit të shkuar, Ylli ka blerë edhe pjesën tjetër të aksioneve të një lokali të njohur në Tiranë duke u bërë pronari i vetëm i tij me vlerë 731 milionë lekë. Gjatë kësaj kohë, ky biznes ka gjeneruar edhe 13 milionë lekë të ardhura nga aktiviteti i tij. Rreth 11 milionë lekë të tjera, Ylli i ka përfituar nga një tjetër aktivitet i ngjashëm. Më parë Ylli ka qenë aksioner i një banke tregtare në vend, të cilat i ka shitur kundrejt një vlere prej 108 milionë lekësh.
Strazimiri blen dhe shet tre makina
Deputeti i Tiranës ka shitur dhe ka blerë tre makina gjatë vitit të shkuar. Fillimisht ka shitur një autoveturë me vlerë 4000 euro. Kësaj shume i ka shtuar edhe 300 euro dhe ka blerë një tjetër autoveturë të të njëjtit tip. Gjithashtu, Strazimiri ka blerë edhe një tjetër makinë por kësaj radhe ka preferuar ta sjellë nga Gjermania kundrejt një shume prej 16 mijë lekësh. Madje, në deklarimin e tij rezulton edhe një shtëpi e blerë që në kohën e komunizimit me vlerë 5000 lekë. Nga paga si deputet ai ka përfituar rreth 666 mijë lekë, ndërsa në funksionin e zëvendës ministrit të Brendshëm 1 milion lekë.
Eduard Halimi, 6 mijë euro për arredimin e zyrës
Halimi e ka nisur vitin duke blerë një autoveturë me vlerë 22 mijë euro nga kursimet e tij. Për të rregulluar zyrën, Halimi ka shpenzuar edhe 6 mijë euro të tjera ndërsa ka përfunduar së shlyeri edhe një kredi. Nga qiraja e zyrës ka marrë rreth 25 mijë euro të ardhura, ndërsa nga të gjitha detyrat shtetërore ka përfituar edhe 2.4 milionë lekë. Ndërkohë, nga puna si avokat i Përgjithshëm i Shtetit deri në shtator 2009, Eduard Halimi ka përfituar edhe 1.2 milionë lekë. Halimi është pronari i një zyre në një qendër biznesi në Tiranë nga qiraja e se cilës përfiton 25 mijë euro në muaj.
Uldedaj shet biznesin 15 mln lekë
Gjatë vitit të shkuar, Uldedaj ka shitur të gjithë pjesën e tij të aksioneve në një kompani private nga të cilat ka përfituar 15 milionë lekë. Të ardhurat nga paga si Kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë kanë qënë në vlerën e 2 milionë lekëve, ndërsa të ardhurat nga paga si deputet dhe pjesëmarrjet në Komisionet Parlamentare, 400 mijë lekë. Nga paga e bashkëshortes në Ministrinë e Financave janë përfituar rreth 710 mijë lekë. Në emër të tij janë edhe dy kredi me vlerë totale prej 48 mijë eurosh me afat të gjatë. Rreth 276 mijë lekë, Uldedaj i ka përfituar si dieta nga Kuvendi i Shqipërisë.
Shehu me katër llogari bankare, Gashi troje dhe apartamente
TIRANË- Deputeti Demokrat Tritan Shehu ka disa llogari bankare me vlerë 185 mijë euro, ndërsa përfiton 35 mijë euro në vit nga një aktivitet privat. Hazir Gashi është pronar i disa parcelave toke bujqësore dhe trojeve në Durrës. Krahas tokës dhe trojeve, në emër të deputetit Gashi ekzistojnë edhe disa apartamente. Janë katër apartamente me vlerë rreth 400 mijë euro si dhe disa zyra me vlerë totale prej 194 mijë euro. Tom Doshi ka shtrirë aktivitetin jashtë kufijve të vendit duke blerë shtëpi dhe ambient biznesi në Australi. Nga shitja e një aktiviteti privat ka përfituar 4.1 milionë euro, ndërsa ka blerë një pikë të furnizimit me karburant 67 milionë lekë.
Hazir Gashi
Në emër të deputetit socialist të qarkut të Durrësit ekzistojnë një numër i konsiderueshëm pronash të luajtshme dhe të paluajtshme si tokë, apartamente, makina si dhe një kompani ndërtimi. Janë disa parcela toke në Durrës me sipërfaqe rreth 26 mijë metra katrorë për të cilat nuk është deklaruar vlera. Ndërkohë, ekzistojnë edhe rreth 7 mijë metra katrore tokë arë me vlerë 32 mijë euro, tokë arë me vlerë 25 mijë euro e shkëmbyer me një apartament, tokë arë me sipërfaqe 673 metër katror me vlerë 200 mijë lekë, tokë me sipërfaqe 1300 metër katror me vlerë 5 milionë lekë. Në emër të kompanisë së ndërtimit ekzistojnë sipërfaqe të konsiderueshme trualli. Janë rreth 800 metra katrore truall me vlerë 2 milionë lekë si dhe një sipërfaqe prej 445 metër katror të cilën e përdorin banorët e pallateve. Krahas tokës dhe trojeve, në emër të deputetit Gashi ekzistojnë edhe disa apartamente, kryesisht në Durrës. Janë katër apartamente me vlerë rreth 400 mijë euro si dhe disa zyra me vlerë totale prej 194 mijë euro.
Tritan Shehu
Vitin 2009 deputeti Shehu e ka mbyllur duke qenë pronar i disa llogarive bankare. Në emër të tij ekzistojnë katër llogari bankare të cilat kanë një vlerë totale prej reth 185 mijë euro. gjatë vitit të shkuar, Shehu së bashku më të shoqen kanë përfituar rreth 3 milionë lekë nga pagat. Ndërkohë, nga një aktivitet privat Shehu ka përfituar edhe 35 mijë euro të tjera të ardhura. Pjesë e deklaratës së Sheut janë edhe të ardhurat e fëmijëve të cilët duket se kanë një aktivitet të kënaqshëm financiar. Ndërkohë, deri në vitin 2013, Shehu duhet të shlyejë edhe një kredi, e cila deri më tani është në nivelin e 13 mijë eurove.
Tom Doshi
Nga shitja e një aktiviteti privat, vitin e shkuar Doshi ka përfituar rreth 4.1 milionë euro, ndërsa më pas ka blerë aksione në një tjetër kompani me vlerë 7.5 milionë lekë. Në deklaratë figuron edhe blerja e një shtëpie banimi dhe një ndërtese në Australi me vlerë totale prej 1.3 milionë dollarë australian. Deklarimi i Doshit vijon me likuidimin e një tjetër kompanie private me vlerë 61 milionë lekë. Ai gjithashtu ka shitur një pikë karburanti me vlerë 25 milionë lekë dhe ka blerë një tjetër të tillë me vlerë 67 milionë lekë. pjesë e deklaratës së tij është edhe paga si deputet me vlerë 1.3 milionë lekë si dhe ajo e bashkëshortës me vlerë 5 milionë lekë. Nga paga e tij si administrator i kësaj kompanie Doshi ka përfituar edhe 3.6 milionë lekë.
Pavarësisht të ardhurave të mëdha, në emër të tij rezultone dhe dy kredi goxha të majme. Janë rreth 1.7 milionë euro të cilat Doshi do të duhet të shlyejë në vitet në vazhdim.
Dashamir Peza deklaron bagëtitë dhe ullinjtë
Deputeti socialist rezulton pronar i disa pasurive të paluajtshme si: Shtëpi banimi 600 metër katror; shtëpi banimi 121 metër katror; truall 130 metër katror, apartament 100 metër katror; truall 9600 metër katror të kthyer me vendim të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronës. Po ashtu ai është pronar edhe i dy automjeteve me vlerë totale 79 mijë euro të marra me kredi si dhe ka paguar 165 mijë euro për blerjen e një ambienti biznesi në një qendër tregtare në Tiranë. Në emër të tij janë edhe katër depozita me vlera të ndryshme; 64 mijë euro; 130 mijë euro (burimi, shitja e një prone); 65 mijë euro (përsëri nga shitja e pronës) dhe 950 mijë lekë.
Në emër të tij dhe të familjarëve figurojnë gjashtë kredi të marra në banka të ndryshme në vend. Kështu, fillimisht ai ka marrë një kredi 3.9 milionë lekë, më pas 60 mijë euro, tjetër kredi 238 mijë euro, kredi 115 mijë euro. Ndërkohë, për të rikonstruktuar banesën e tij në Pezë, deputeti ka marrë edhe 2.7 milionë lekë të tjera kredi, ndërsa rreth 700 mijë lekë janë marrë në emër të vajzës së tij.
Peza ka deklaruar bagëtitë dhe disa rrënje arra dhe ullinj me vlerë totale prej 1 milion lekë. Nga paga e tij si administrator i një kompanie private dhe e bashkëshortes, Peza ka përfituar rreth 2.2 milionë lekë, ndërsa nga interesat e depozitave 5 mijë euro.
Nano shet apartamentin 140 mijë euro
Nano e ka përfunduar vitin 2009 si pronar edhe i disa llogarive të tjera bankare. Nga shitja e një apartamenti ai ka përfituar rreth 140 mijë euro, ndërsa një tjetër llogari bankare që mban emrin e tij është në vlerën e 25 mijë eurove. Kjo është deklarata e fundit e tij, në të cilën pasqyrohet aktiviteti financiar që është kryer gjatë vitit 2009. Nga paga si deputet Nano ka përfituar rreth 980 mijë lekë, ndërsa nga Sigurimet Shoqërore ka marrë edhe 172 mijë lekë. Ka përfituar edhe 896 euro interesat e depozitave të tij bankare.
Ndërkohë, bashkëshortja e tij ka shtuar të ardhurat me 87 mijë euro gjatë vitit të shkuar. Dividendi për vitin 2009 ka qenë në vlerën e 12 milionë lekëve.
________________
Pasuria e familjes Berisha, Shkëlzeni fiton 200 mijë euro nga pronat
TIRANË- Kriza ekonomike që ka përfshirë Shqipërinë dhe të gjithë botën duket se po ndikon shumë në familjen e kryeministrit shqiptar, Sali Berisha. Bashkëshortja e tij, Liria, ka dalë në pension dhe tashmë merret vetëm me fondacionin e saj por në deklarimin zyrtar të pasurisë nuk shënohet asgjë për këtë fondacion. Liri Berisha shënohet si pensioniste ndërsa llogaritë e shumta bankare të familjes Berisha lëvizin me shifra minimale. Nga ana tjetër, dy fëmijët, Argita dhe Shkëlzeni kanë pasur një vit të mirë financiar pasi punët u kanë ecur në mënyrë pothuajse perfekte. "Shekulli" publikon sot ekstraktin e deklarimit zyrtar të pasurisë të plotësuar nga vetë Sali Berisha dhe familja e tij, Liria, Argita e Shkëlzeni.
Sali dhe Liri Berisha
Fakti që bashkëshortja e kryeministrit ka dalë në pension duket si një zhvillim jo fort i vogël për familjen Berisha. Mjekja Liri Berisha ka hapur një llogari ku merr pensionin dhe gjatë një viti aty janë grumbulluar 304.461 lekë të reja. Siç e kemi vënë në dukje edhe vitet e shkuara, çifti kryeministror zotëron edhe tetë llogari të tjera bankare në banka dhe valuta të ndryshme. Gjatë këtij viti këto llogari kanë pasur vetëm lëvizje shumë minimale. Kështu, lëvizja më e madhe finaciare e kryer nga familja Berisha është shtimi me 20.215 lekë të reja e një llogarie bankare. Llogaria e dytë është pakësuar me 1800 lekë; llogaria e tretë është shtuar me 0.96 lekë. Pothuajse në këto shifra lëvizin të gjitha uljet dhe ngritjet e llogarive bankare të kryeministrit. Të dhënat zyrtare të publikuara nga kryeministri tregojnë për një aktivitet financiar shumë të ulët. Lëvizja më e madhe financiare e kryer prej tij ka rezultuar me pakësimin e 889 eurove nga një llogari bankare në valutë. Këto shifra tregojnë se famija e kryeministrit ndodhet në krizë ose kryeministri po shpenzon të gjitha paratë që merr dhe nuk ka mundësi të kursejë. Burimet zyrtare financiare të familjes së kryeministrit janë: të ardhura nga para e shpërblime në shumën 2.200.486 lekë në vit; të ardhura nga dietat jashtë vendit 3.040 euro dhe 1.600 dollarë si dhe pensioni i Liri Berishës.
Shkëlzen Berisha
Por kur vjen puna tek Shkëlzen Berisha, shifrat marrin vlera të tjera. Ndryshe nga i ati, Shkëlzeni arrin të kursejë shuma të konsiderueshme parash dhe nga dita në ditë po kupton se është një biznesmen shumë i mirë në fushën e tregtisë së pronave. Në deklarimin e tij të pasurisë, Shkëlzen Berisha ka shënuar se llogaritë e tij janë rritur me 473.550 lekë të reja; 308.599 euro dhe 11.360 korona suedeze. Nga ana tjetër, djali i kryeministrit ka blerë një makinë të përdorur në shumën e 18 mijë eurove. Për sa i takon burimit të të ardhurave, djali i kryeministrit shënon në deklarimin e tij zyrtar se nga aktiviteti i tij në fushën e pasurive të paluajtshme ka fituar 200 mijë euro ndërsa nga konsulencat juridike ka fituar rreth 800 mijë lekë të reja.
Argita Berisha Malltezi
Vajza e kryeministrit këtë vit i ka dhënë fund studios së saj të avokatisë. Studioja ishte bërë e njohur për të gjithë shqiptarët pasi ishte konsulentja e të gjitha investimeve të dyshimta duke nisur nga çështjet e Damir Fazlliç por tashmë kjo studio nuk ekziston më. Në ditën e mbylljes ajo kishte gjendje 419543.54 lekë. Edhe pse ka mbyllur studion ku merrta nga 250 deri në 300 euro për orë, paratë e Argita Malltezit sa vijnë dhe shtohen. Ajo disponon tetë llogari bankare ku më e madhja është shtuar me 1.708.602 lekë të reja. Llogaritë e tjera janë shtuar me 10.849 euro; 4.120 euro; 4.599 euro; 6.683 euro; 5.045 euro etj. Një tjetër shtesë në pasurinë e zonjës Malltezi është edhe veranda me një sipërfaqe 59 m2. Kjo verandë ndodhet në shtëpinë ku banon Argita Malltezi, në të njëjtin pallat me Sali Berishën, dhe ka kushtuar 70 mijë euro, të cilat janë paguar në prill 2010. Për sa i përket të ardhurave, Argita Malltezi është paguar 993.800 lekë të reja si pedagoge në Fakultetin e Drejtësisë dhe 5550 euro për tre muaj punë në një shkollë private. Si një pronare pasurish të paluajtshme që është, Argita Malltezi ka marrë 15.120 euro nga qiratë e banesave.
Meta-Kryemadhi, vetëm paga zyrtare
Zv/kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta, është një nga politikanët që pothuajse nuk ka pasur aktivitet financiar gjatë vitit 2009. Në deklarimin e tij zyrtar të pasurisë janë shënuar vetëm të ardhurat nga paga ndërsa në atë të të shoqes janë shtuar rreth 200 mijë lekë të reja. Kështu Meta ka shënuar se të ardhurat e familjes së tij kanë qenë paga si deputet dhe zv/kryeministër, e cila për një vit kap shumën e 1.237.317 lekëve të reja. Kësaj page i shtohen edhe të ardhurat nga pjesëmarrja në komisionet e Kuvendit që janë në shumën 662.874 lekë të reja. Ndërkohë, Monika Kryemadhi kanë qenë anëtare e Këshillit Bashkiak Tiranë në shumën e 314.077 lekë të reja dhe të ardhurat 158.773 lekë të reja për dy muaj punë si sekretare organizative e LSI-së në periudhën nëntor dhjetor 2009
Rama, vetëm paga dhe kredia e shtëpisë
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, është një ndër politikanët me aktivitetin më të pakët financiar gjatë vitit 2009. Në deklaratën e tij zyrtare është shënuar se gjatë këtij viti atij i janë pakësuar dy llogaritë bankare në shumën 30.900 lekë të reja dhe 1.859 euro. Të ardhurat vjetore të kreut të PS-së janë paga prej 1.678.364 lekë të reja dhe një pagesë prej 9 mijë lekësh për mbledhjet e KRRT. Gjatë vitit të kaluar, kryesocialisti dhe kreu i Bashkisë së Tiranës ka preferuar të mos kryejë as lejen vjetore. Për këtë arsye ai është paguar me 90.409 lekë të reja. Në deklarimin e tij të pasurisë është shënuar edhe kredia e vjetër që ka marrë ai për shtëpinë. Sipas deklarimit zyrtar, Edi Rama ka për të paguar edhe 1.034.553 lekë të rej për kredinë e shtëpisë.
Topalli, zyrtarja më e paguar në Shqipëri
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, është zyrtarja më e paguar në Shqipëri dhe për këtë arsye edhe kursimet e saj zyrtare janë më të lartat. Në deklaratën e pasurisë, Topalli ka shënuar se llogaria e saj bankare është shtuar me 1.682.703 lekë të reja. Ndërkohë, kursimet e tjera që ka së bashku me bashkëshortin i mban në shtëpi dhe janë 1.400.000 lekë të reja CASH. Të ardhurat e saj personale janë 3.114.910 lekë të reja nga paga dhe shpërblimet si kryetare e Kuvendit. Por Topalli ka përfituar edhe një shpërblim prej 1.600.000 lekësh të reja si familje e përndjekur. Në listën e shpenzimeve është shkolla e vajzës së saj Margerita në Strasburg. Për Margeritën, Topalli paguan 800 mijë lekë të reja në vit. Nga ana e saj Margerita ka nisur të bëhet një biznesmene e re dhe sapo ka blerë një sipërfaqe toke prej 750 metrash katrorë në Velipojë. Kjo tokë ka kushtuar vetëm një milion lekë.
Par ai që realisht luan paratë në familjen Topalli është Ndoci, bashkëshorti i Jozefinës. Në depozitën e tij në një bankë ndodhen 107.647 lekë të reja. Në një tjetër depozitë janë shtuar vetëm interesat dhe gjendja është 278.908 lekë të reja. Një Listë e gjatë e llogarive shënon 10.667 dollarë; 5.831 euro; 268.450 lekë të reja; 2.879 dollarë; 5.430 euro; 179.319 lekë të reja dhe 91.909 lekë të reja. Ndoc Topalli ka sqaruar edhe çështjen e një prone të vjetër, në të cilën ai zotëron 385 m2 sipërfaqe banimi dhe ambiente të tjera. Të ardhurat e tij janë 13 mijë euro nga qiratë dhe 640.000 lekë nga puna si noter.
Presidenti Topi ndërton shtëpinë e re në Shkozë
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, është duke ndërtuar një shtëpi të re në Shkozë të Tiranës. Sipas deklarimit zyrtar të pasurisë, banesa do të jetë dy kate mbi tokë dhe një nën tokë, secili kat ka sipërfaqe prej 288 m2. Banesa pritet që të ndërtohet për katër vjet dhe deri më tani për të janë shpenzuar 3.5 milionë lekë të reja. Njëra llogari e presidentit Topi është shtuar me 11.658 lekë të reja ndërsa një tjetër është pakësuar me 608.411 lekë të reja. Edhe gjendja e parave në shtëpi është pakësuar me një milion lekë të reja. Të ardhurat e familjes presidenciale janë paga dhe shpërblime të presidentit në shumën 2.483.564 lekë të reja, të ardhurat nga paga e bashkëshortes 904.598 lekë të reja dhe të ardhurat nga paga e vajzës, Nada, prej 229.526 lekësh të reja. Për vajzën Nada, Presidenti ka shpenzuar edhe dy mijë euro si pagesë për shkollën e saj. Një tjetër pagesë e presidentit Topi është edhe ajo e një kredie të vjetër për strehim. Gjatë një viti janë paguar 57.600 lekë dhe kanë mbetur për tu paguar edhe një milion lekë.
Basha, ministri që nuk luan asnjë llogari bankare
Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, duhet të ketë ndonjë inat të vjetër me bankat pasi përgjatë vitit 2009 ai nuk ka pasur asnjë lëvizje në llogaritë bankare. Në deklarimin zyrtar të pasurisë Basha ka shënuar vetëm pagën si ministër, 1.639.212 lekë të reja. Bashkëshortja e tij ka fituar nga puna në Holandë vetëm 11.389 lekë. Kjo është faqja e vetme e deklarimit të pasurisë të Lulzim Bashës.
Partia Socialiste ka reaguar pas deklaratëve të pasurive të zyrtarëve të lartë e familjes Berisha duke kërkuar llogari për milionat e mbledhura. Në emër të PS-së, Sajmir Tahiri ka kërkuar që të bëhen publik e të merren masa ndaj të gjithë atyre qeveritarëve që janë identifikuar nga Shërbimi Informativ Shtetëror si të lidhur me mafien, krimin e organizuar dhe shërbimet sekrete të huaja.
Po ashtu PS, sipas tij, kërkon menjëherë detajimin e plotë dhe sqarimin shterues të deklaratave të pasurisë për të gjithë ata, të lidhur ose jo me kryeministrin, që në këtë vit krize kanë fituar miliona euro.
9 KomenteTrego/Fshih të gjitha përgjigjet ndaj komenteve
lajm i frikshem..
Ju bèfshin ilaçe ishalla!!!--- perla tè gjuhès shqipe!!
Po sa taksa kane paguar gjate viteve si nuk pyet njeri xhanem? Ka ndonje takse ne Shqiperi per pronaret e tokave dhe apartamenteve? Me gjithe keta milionere do ishte mbushur buxheti i shtetit nga taksat e tyre.
Ky goje shtemberi Prifti i ka bere ilace ca nga ato pasurite qe vuri me Nanon duke u kuruar per kancer.... hajt se do e filloje terapine tjeter me rreze se shpejti.... pleh i ndyre.....
Paskan ik per lesh robt. S'u bo pershtypje qe ministri handikapat i qeverise boni ne nje vit 2milion euro. Madje gezohen kur ua zhysin, mahniten mrekullohen. Do perfundojne shpejt si deputetet e pd qe cohen ne kembe dhe thone po/jo meqe votimi i fshehte ne parlament eshte hequr se si tha mark marku eshte me burrerore te votosh hapur dhe jo msheftas, eshte me transparente keshtu. Kane per ti vene te gjithe ne rresht dhe gjimnastik pastaj qe ne pik t'mengjesit.
Jo keq per borgjezet e rinj komunisto spiun,ose per komunistet borgjez.
po per ish pronaret a kane menduar ti japin ndonje lemoshe ose ti hedhin ndonje kacidhe,ky eshte kapitalizmi Berishian,ku pabreksin injorant e bene milioner pa punuar dhe ate qe ka pasur miliona e bene qe ti bjere ne gjunje dhe ti lutet per pronat e tij pabrekseve injorant.me te vertete po me mbushet mendja qe njerezit e ndershem jane specie qe jane te destinuar te zhduken pak nga pak dhe nuk do ti rezistojne ketyre perbindeshave qe po gllaberojne cdo gje me nje fryme(ose po e pijne me ex)
Eh... ca ka per t'u cuditur ketu?!
Nuk kemi nje klase politike, por te pakten kemi nje klase biznesmenesh!
Eshte gjysma e te keqes.
Shikojeni goten gjysem plot o njerez negative!
2 milion euro nuk i fitoi GM vitin qe kaloi, ndersa ai trushkulmi i deklaro si pa gjo te keqe. Se marr vesh, pse bohen kto deklarime njiher, apo per ti fut dashnine kalamojve per politiken.