Filmi dokumentar "Askund Kosovë" (Nowhere Kosovo) i Silvana Santamarias, fitues i çmimit Max Ophüls 2010, rrëfen historinë rrëqethëse të një egjiptiani 28-vjeçar, që kthehet nga Gjermania në Kosovë.
Me të parë makinën e plehrave banorët e kolonisë Albiraj pranë Gjakovës i vërsulen asaj për të zënë vend para portës së pasme. Disa gjejnë një shkallë sa për të vënë këmbën e një cep ku të mund të mbahen derisa makina të ndalet para pirgut të plehrave dhe të zbrazë me shpërfillje gjithë kutitë e plastikës, shishet e qumështit, gazeta të vjetra, rreckat e papërdorshme, ushqimet e prishura.
Pikërisht aty e takoi Silvana Santamaria personazhin kryesor të filmit të saj, Haki Rech Krasniqin: "Ai na pa që ishim nga Gjermania dhe na foli vetë: Shikoni se ku më kanë kthyer!" - kujton Santamaria në intervistë me Deutsche Wellen. "Më vonë vendosa të tregoj historinë e tij, sepse m'u duk krejtësisht absurde."
Absurde, sepse egjiptiani 28-vjeçar ishte vetëm 11 vjeç kur u largua nga Kosova për të jetuar si refugjat në Gjermani, dhe sepse kur e kthyen ai ishte i martuar me një gjermane, me të cilën kishte dy fëmijë. Haki Krasniqi kishte qenë më parë në burg dhe hynte në grupin e të para-dënuarve.
Ngushëllim tek droga
Krasniqi ishte nën 18 vjeç kur hyri për herë të parë në burg, pasi mori përsipër një krim që kishte bërë i ati. Pas pak i vdes edhe e ëma. Kur del nga burgu martohet me një gjermane, Silvën, me të cilën bën dy fëmijë, por dënohet sërish dhe dëbohet nga Gjermania. Komunikimi i vetëm me djemtë e tij është celulari: Nëpërmjet telefonit ai mëson se si njëri prej tyre ka filluar të ecë, ndërsa tjetri do të operohet në kokë, sepse ka një cist.
"Ka kaluar tashmë një vit e gjysmë dhe unë nuk njoh fëmijët e mi. Në vend që unë të punoj për ta, t'u bëj ndonjë dhuratë, t'u blej ndonjë biçikletë, janë ata që më dërgojnë mua para", rrëfen ai i trishtuar para kamerës.
Është një nga momentet e rralla kur ai derdh lot për fatin e tij pa rrugëdalje dhe kur me një fjali të vetme rrëfen shkakun dhe pasojën e këtij fati: "Po, unë marr drogë. Unë kam humbur rrugën, nuk di se nga të shkoj", thotë ai në një gjermanishte të përzier mes dialektit të zonës së Zarës (Saarland) dhe theksit të imigrantit të rritur rrugëve në Gjermani.
Papunësi dhe diskriminim
Papunësia është fati i gati gjysmës së popullsisë në Kosovë, por për banorët e kolonisë Alibraj, që janë egjiptianë, ajo është gati e sigurt. Sepse shumica shqiptare e popullsisë së Gjakovës i diskriminon, para së gjithash policia, një makinë e së cilës herë pas here shfaqet në rrugicë dhe rreh ndonjërin nga djemtë e lagjes ose e merr me vete. "Para lufte s'ka qenë kështu", thotë një grua. "Vijnë e na rrahin, na thonë, prano që ke vjedhë. Ne s'kena vjedhë, po na rrahin se jena magjupë", ankohet një djalë i ri. "Dalin me shku me punue në bërllok, gjejnë hekra, llastra, si t'i shohin milicia, i keni vjedhë, thonë", shton një grua. Me gjithë diskriminimin e përditshëm, të rinjtë e kolonisë Albiraj e tregojnë me krenari se si kanë luftuar krah UÇK-së në luftë dhe u shkëlqejnë sytë kur këndojnë këngët kosovare.
"Askund. Kosovë" është një film plot kontradikta e absurditete, por i rrëfyer me qetësi dhe objektivitet. Santamaria rrallë i shtron pyetje bashkëbiseduesve të saj, ajo i lë të flasin me të, me vete, me njëri-tjetrin, i lë të këndojnë, ose të luajnë. Ata qeshin sot për sot, kujtojnë me nostalgji dhe dhimbje të kaluarën, dhe ngrenë supet kur mendojnë për të ardhmen. Mes rrëfimeve të tyre Santamaria gjen kohë për pamje poetike, të realizuara nga kameramani Willi Boehm. Rrënqethëse bëhen ato sidomos në kombinim me kolonën zanore, për të cilën ka dhënë kontributin e saj edhe këngëtarja shqiptare me banim në Zvicër, Elina Duni. Jo më kot filmi u nderua me çmimin dinjitoz Max Ophüls 2010, si njëri nga dy dokumentarët më të mirë të festivalit në Saarbruecken.
Kthimi i detyruar i refugjatëve - një problem i Gjermanisë
Filmi u vjen si me porosi aktivistëve për të drejtat e njeriut, që çdo ditë protestojnë kundër kthimit të detyrueshëm të 14.000 ish-refugjatëve nga Kosova, shumë prej të cilëve janë të rinj që janë rritur në Gjermani, si Haki Rech-Krasniqi. "Problemi i tij është një problem i Gjermanisë, dhe duhet të zgjidhet në Gjermani e jo të zhvendoset në një vend tjetër", thotë Santamaria.
Nuk është hera e parë që dokumentaristja 32-vjeçare italo-gjermane trajton çështjen e refugjatëve kosovarë. Edhe në filmin e saj të mëparshëm: "Me statusin e të toleruarit" (Status geduldet) ajo ka portretizuar një familje romësh nga Kosova që jeton në Gjermani. Lidhja e Santamarias me Kosovën nuk përfundon me kaq. Ajo tani është duke përgatitur një film artistik bazuar në historinë e Haki Rech-Krasniqit.
Po ç'e lidh Santamarian kaq shumë me Kosovën? Një pyetje, së cilës as ajo vetë nuk di t'i përgjigjet menjëherë: "Më pyesin shumë shpesh se përse po bëj kaq shumë filma për Kosovën. Ndoshta nga që është në jug të Evropës, si Italia, prej nga vjen im atë, dhe ndoshta gjej një ngjashmëri në mentalitet", thotë 32-vjeçarja e buzëqeshur.
Autore: Anila Shuka
Redaktoi: Eliana Xhani
2 KomenteTrego/Fshih të gjitha përgjigjet ndaj komenteve
http://www.kosovokosova-derfilm.de/trailer.html
http://www.silvanasantamaria.de/
S'e mora vesh ate punen e "egjiptianit" - ishte perkthimi gabim, apo eshte provuar me se fundi shkencerisht se magjypet (jevgjit) qe jetojne ne Kosove e Shqiperi kane ardhur nga Egjipti?