2.200 pjesëtarët e EULEX-it po zbarkojnë në Kosovë për ditë nga pak. Policë, prokurorë e gjykatës jo vetëm evropianë, po vendosen në Prishtinë, aty ku ka më së paku nevojë për ta. Vendosjen në veri të Kosovës, praktikisht e kanë spostuar për vitin e ardhshëm.
Thjesht, strukturat e Serbisë nuk po i lejojnë të instalohen edhe atje. Sa më gjatë që nuk do të mund të vendoset në veri, aq më e madhe do të shpërfaqet varshmëria e EULEX-it nga miratimi i strukturave të Serbisë.
Në momentin kur Serbia do të pajtohet që EULEX-i të shkojë në veri, ai do të jetë aq i dobët përkundruall Serbisë, saqë ndaj strukturave të saj nuk do të mund të sillet aspak ndryshe prej UNMIK-ut. Asisoj, edhe EULEX-i gjithsesi do ta fitojë Gerard Gallucci-n e vet.
Operimi i EULEX-it në Kosovë do të jetë në fushën e policisë, gjyqësisë, shërbimit korrektues, doganave dhe kontrollit të kufirit. Po ashtu, EULEX-i do të ketë pushtet ekzekutiv korrektues edhe mbi institucionet e Kosovës së pavarur, mirëpo jo edhe mbi strukturat e Serbisë, të cilat vetëm sa u forcuan pas shpalljes së pavarësisë.
Meqë EULEX-i do të veprojë pa u shtrirë paraprakisht në tërë territorin e Kosovës, kjo do të thotë se ai faktikisht do t’i kontribuojë ndarjes së Kosovës. Veriu i Kosovës do të vazhdojë të jetë streha më e sigurt në Ballkan për kriminelët e luftës.
Jo vetëm që EULEX-i i kufizuar territorialisht do ta zbatojë selektivisht ligjin, por ai, në të vërtetë, nuk do të jetë mision i sundimit të ligjit, por i sunduesve të ligjit. EULEX-i do t’i përgjigjet BE-së, por edhe UNMIK-ut nën sqetullën e të cilit hyri. Brenda institucioneve të Kosovës nuk ekziston kurrfarë organi a mekanizmi mbikëqyrës për vendimet politike të marra nga EULEX-i.
Të gjithë pjesëtarët e EULEX-it, bashkë me anëtarët e familjeve të tyre, si organizatë, individë dhe pronë, do të jenë imunë nga ndjekja penale në Kosovë. Ata do të kenë imunitet nga ligji i Kosovës, të cilin do ta aplikojnë mbi ne vendasit. Ata do të jenë mbi ligjin e ne përfundi tij: sundimi i ligjit është eufemizëm për sundimin e tyre. Në këtë situatë, ligji nuk i barazon njerëzit, por i ndan ata.
Një gazetar britanik më rrëfeu që i kishte pyetur tre zyrtarë të ndryshëm të EULEX-it pse ata duhet të kenë imunitet nga ndjekja penale në Kosovë. Nga të tre kishte marrë saktësisht të njëjtën përgjigje në kushte anonimiteti: shtetet që kontribuojnë në EULEX, nuk i dërgojnë nënshtetasit e tyre në Kosovë pa i pajisur ata paraprakisht me imunitet nga ligji në Kosovë.
Vetëm vendet dërguese mund të ndërmarrin veprime ligjore kundër stafit ndërkombëtar të EULEX-it, që kryen shkelje kriminale ose shkelje të të drejtave të njeriut në Kosovë. Pra, shtetet e ndryshme i vaksinojnë nënshtetasit e tyre pjesëtarë të EULEX-it para se t’i dërgojnë ata në Kosovë. Kjo vaksinë i bën ata imunë nga ligji.
Në këtë mënyrë, ligji na shfaqet si sëmundje e rrezikshme vetëm për ne vendasit, jo edhe për ndërkombëtarët e EULEX-it, të cilët do të jenë të mbrojtur nga ai dhe do të mund të na kërcënojnë neve me të. Qytetarët e Kosovës nuk kanë këso imuniteti në shtetet prej nga vijnë njerëzit e EULEX-it, e madje as vetë këta të EULEX-it në vendet e tyre nuk gëzojnë kurrfarë imuniteti nga ligjet atje.
Mbase, kjo është shtysa për zyrtarët e EULEX-it që të vijnë në Kosovë: këtu janë ashtu siç s’mund të jenë bile as nëpër vendet e tyre; këtu, në shtetin e Kosovës, ligjërisht janë të mbrojtur nga ajo që në shtetet prej nga vijnë do të paraqiste shkelje të ligjit.
Njeriu imunizohet nga diçka e huaj dhe e keqe, nga diçka që do ta rrezikonte dhe dëmtonte. A thua çka e kanë ndërmend të bëjnë njerëzit e EULEX-it që e shohin të rrezikshme ndjekjen penale në Kosovë për veten e tyre, e të cilën do ta përdorin kundër nesh? Sido që të jetë, Kosova me EULEX-in nuk është vend më i sigurt, por më i rrezikuar.
Edhe 2.200 njerëz po vijnë në Kosovë me imunitet nga ligji. Shto këtu edhe anëtarët e familjeve të tyre, dhe situata nuk është aspak e mirë. Nëse ndonjëri prej tyre të shtyp me makinë në rrugë a të qëllon me armë në protestë, nuk ke shpresë se ai do të përgjigjet para drejtësisë. Pikërisht për këtë arsye, pra për shkak të paprekshmërisë së tyre ligjore, ata do të munden shumë kollaj që të bëjnë shkelje të rënda.
Ombudspersoni dhe Paneli Këshilldhënës për të Drejtat e Njeriut kanë të drejtën për të hetuar shkeljet e të drejtave të njeriut nga UNMIK-u, ndonëse përfundimet rekomanduese nuk përbëjnë detyrime për PSSP-në. Te EULEX-i do të jetë edhe më keq se kaq: Ombudspersoni dhe as ky Paneli s’do të kenë kurrfarë të drejte për hetimin e kurrfarë shkeljeve të EULEX-it apo personelit të tij.
EULEX-i do të ketë shumë forca të sigurisë mirëpo siguria, e cila fillon me sigurinë e forcave të sigurisë (nga ligji) është veçse rrezik për qytetarët. Me kësofarë sigurie, sigurisht se kemi nevojë për mbrojtje nga siguria. Qytetarët e Kosovës kanë nevojë për një tjetër vaksinë, ndoshta për kundërvaksinë, e cila u jep imunitet nga imuniteti i zyrtarëve të EULEX-it. Nëse duhet të më sigurojnë njerëz që janë mbi ligjin, atëherë unë dua të jem i pasigurt. Le të mos më sigurojnë. Më i sigurt do të ndihem.
2 KomenteTrego/Fshih të gjitha përgjigjet ndaj komenteve
Spo me besohet se si po shkojne punet ne Kosove. Sigurisht qe kjo i ndodh kur nje populli i dhurohet liria nga faktore te jashtem. E them kete pa i mohuar aspak punen dhe luften e UCKse per sa i perket pavarsise se Kosoves. Por prap te gjithe duhet te jemi koshient se faktori decisiv per pavarsine e Kosoves ishte ai i jashtem dhe se UCK me gjith luften heroike nuk do te mundte te realizonte ato objektiva ushtarake qe realizoi NATO.
Jo per tu treguar pesimist por e ardhmja e Kosoves duket jo e pelqyeshme!!!
Po hë mër Ron, më trego ti mu cili popull e paska fitu pavarsin vetëm me forcat e veta? Mund të fillosh prej popujve të Ballkanit! Me numëro qoft edhe një popull të vetëm për të cilin faktori i jashtëm nuk ka qenë faktor "deciziv" në lirinë dhe pavarsinë e atij populli. Jam tuj pritë ....