2 * fiq

fig_figo_higo_figue_ficus.jpg

Është e diel korriku dhe shezlongët janë plot me njerëz gjysëmlakuriq, që rrotullohen si qengja në hell. Xhaxhai që na sjell fiq Dukati nga oborri i vet nuk po duket; duhet t’i ketë shitur pa mbërritur akoma te ne. Them të kridhem njëherë, se në det ka më pak njerëz se në tokë dhe ai motorri i ujit, që vjen sistematikisht çdo gjysëm ore, bashkë me të fortin dhe kaçurrelësen përkatëse, sapo ka ikur. Dhe ashtu bëj. Kaloj kalamaqët dy vjeç, ata katër vjeç, tetat që s’dinë not, dhe Joni i bekuar s’më kërkon të shkoj shumë larg për të qenë vetëm dhe në ujë të pastër. Zhys kokën gjithë qejf dhe filloj të notoj përgjatë bregut. Një çast, hedh sytë nga çadra dhe dalloj një siluetë të fuqishme gruaje ulur pranë sime mëje. Them mos ka ardhur ndonjë teze a hallë a kushedi, e të ndërrojmë pak muhabet, se pas një jave bashkë, i kemi bërë remix disa herë gjithë çështjet familjare e s’na kanë ngelur dhe gjë për të lexuar. Dal nga uji gjithë qejf. Duke u afruar, dalloj një pirg me libra sipër shezlongut. Teta nuk është as hallë, as teze, por librare ambulante. Gëzoj, gjithësesi. Ndërkohë që thahem, teta i bën reklamë një libri shqiptar - i vetmi i repertorit - titulli i të cilit përmban fjalën “simfoni” dhe autori, sipas një mode të kohëve të fundit, quhet vetëm me emër dhe dy shkronja, ndoshta iniciale të mbiemrit dhe emrit të babait.

- Ta shoh pak?, i them.

Teta verifikon që jam tharë dhe më kalon librin. E hap diku nga mesi dhe filloj të lexoj një paragraf; në pesë radhë: një fjalë banale, dy gabime ortografike, tre fjalë frëngjisht të papërkthyera gjëkundi dhe katër presje, për të cilat paragrafi qan.

- Kshu nga stili s’u dukërka gjë, i them tetës.

- E, po je e vogël ti akoma, nuk e kupton, më thotë teta.

- Ku është e vogël ajo, ajo është tridhjetë vjeç. - i thotë ime më, që, dhe po ta zgjosh në mes të natës, është në gjendje të thotë moshën time ekzakte dhe interpretimin e saj social.

Unë pohoj përtej syzeve të diellit, pa e fshehur kënaqësinë që tetës i dukem e re, edhe pse kjo presupozon se jam aguridhe. Por teta ka ndërruar tashmë pikëpamje mbi pjekurinë time.

- Po shiko, se duhet ta lexosh të tërin, më thotë. Është shumë i talentuar; ka qenë komshi me Petro Markon.

Ndërkohë që teta ripërsërit informacionin në forma të ndryshme, unë kujtohem për një fqinj të Petro Markos që njoh, Çonen, arti i vetëm i të cilit qëndron te mbajtja paralelisht e disa të dashurave, njëra prej të cilave, zyrtare. Kthehem nga teta dhe dua t’i them “Po ndonjë komshi i Mitrush Kutelit nuk ju gjendet?”, por në vend të saj nxjerr një “ Sa lekë bën?”. Libri bën dyfishin e dozës familjare të fiqve. E blej. Teta fut në çantë librat e trashë dhe largohet. Unë filloj të lexoj komshiun e Petro Markos, duke u përpjekur me vetëtallje të gjej ndonjë gjurmë të këtij të fundit…

***

Në Tiranë, është një librari në rrugë të Elbasanit - “e Për7shme” quhet - mu në fillim të kthesës së parë pas Këndit të Lojrave. Aty gjeta jo vetëm shumë tituj interesantë autorësh shqiptarë e të huaj, por dhe një librar tejet të gjendur e që ka gjasa të ketë lexuar gjithë librarinë.

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

58 Komente

  1. avocados thotë:

    7 September 2008 @ 11:40 pm

    … shkruar shume bukur, dhe humori, ah ky humori yt sa i kendshem…

    ———
    Kshu nga stili s’u dukërka gjë, i them tetës.

    - E, po je e vogël ti akoma, nuk e kupton, më thotë teta.

    - Ku është e vogël ajo, ajo është tridhjetë vjeç. - i thotë ime më, që, dhe po ta zgjosh në mes të natës, është në gjendje të thotë moshën time ekzakte dhe interpretimin e saj social.

    Unë pohoj përtej syzeve të diellit, pa e fshehur kënaqësinë që tetës i dukem e re, edhe pse kjo presupozon se jam aguridhe. —————————————-

    Fotoja me fiq prej ketu me duket shume mizore :(
    Pastaj problemi qe ngre ne shkrim, pothuajse eshte thinjur tani, akull. There’s no hope….

  2. J. thotë:

    8 September 2008 @ 12:00 am

    - Po shiko, se duhet ta lexosh të tërin, më thotë. Është shumë i talentuar; ka qenë komshi me Petro Markon.

    Sheh fiku fikun dhe fiqet.
    Avocados ke të drejtë, Aklli është shumë humoristifiqe. :D

  3. Cheney thotë:

    8 September 2008 @ 12:12 am

    Kjo teta, bashke me bashkshortin xhaxhin, me shiten me force ate librin 4 evrosh qe flet per rrapin e Palases.. mbase do ta lexoj veres tjeter..
    Fiqte ama ishin pjek goxha mire gjat gjith bregut..

  4. sol-nox thotë:

    8 September 2008 @ 12:13 am

    shume i bukur akullnaje. me pelqen gjuha jote

    …dhe katër presje, për të cilat paragrafi qan…

    qejfi i plazhit te qenka kthyer ne kreativitet…
    dhe ai librari kam pershtypjen se ka lexuar me shume se c’ka ne librari

  5. censura thotë:

    8 September 2008 @ 12:35 am

    Është shumë i talentuar; ka qenë komshi me Petro Markon

    Ha ha, ku te ka vajtur mendja :-)

  6. ThoughtPolice thotë:

    8 September 2008 @ 1:02 am

    Pak kritike modeste. Nje krijim teper i vaket, nuk te ngjall asnje interes. Pjesa e pare ka dicka vlera me pershkrimet qe ben, pas dialogut dhe poshte eshte dicka e stisur keq.

    Akullnaje, te jesh buze Jonit dhe te frymezohesh per te hedhur ne leter vetem kaq gje pa vlere, sinqerisht qe nuk mund te pranohet! Edhe nje nxenes ne 8 (9) vjecare po te kishte ndonje hartim me teme plazhin dhe librat do ta shkruante dicka me terheqese dhe do te pershkruante te pakten natyren e bukur, qe atje ku ke qene ti nuk mungon.

  7. blete thotë:

    8 September 2008 @ 1:04 am

    o akllo pse na merr ne qafe me fiq dhe me Jon dhe me librari?
    bile dhe me librashitese ambulante.

  8. ThoughtPolice thotë:

    8 September 2008 @ 1:08 am

    Blete, lexojme sa te shytjme oret e sherbimit… :)

  9. ThoughtPolice thotë:

    8 September 2008 @ 1:11 am

    shtyjme*

  10. blete thotë:

    8 September 2008 @ 1:19 am

    hallall, po mos na e shkri akullin se nuk eshte ajo problemi i letersise shqipe. a po te kesh qene komshi me petro markon, ndryshon puna…

  11. Perparim Hysi thotë:

    8 September 2008 @ 1:24 am

    Prape pa fryme,sado”qe s’jam komshi me Petro Markon?!…”.

  12. Dori thotë:

    8 September 2008 @ 1:34 am

    Teta me vete: “Komplimentat e moshës do më nxjerrin pushimet në Turqi” :)

  13. lostrashitesi ambulant thotë:

    8 September 2008 @ 1:38 am

    Bukinistja, e modhe fare, perhap njefare demokracie dhe progresi intellektual te mbeshtetur ke sistemi quasi-nepotik i komshillikut.

    Simas ksaj i bje qe vlera matese e nje botimi te varet teresisht nga kush ka qene/eshte/do jete komshiu/a yt. Ka po ashtu nje lloj segregacioni kulturor ne kete mes, sepse shperndarja gjithnje i perngjet mireqenies e stadit, te parfumuar ose jo, te komshiut ne fjale. E per sa kohe qe komshiu nuk e ka fituar qekur famen e trumpetuar nga bukinistet shetites, edhe komshinjte e komshinjve jane te denuar te struken neper obskurantizma pak te denja per perjetesimin ne leter, pervecse metodave te prakticitetit.

    Oj najakll, mke knoq. :D

  14. avocados thotë:

    8 September 2008 @ 1:51 am

    Po kjo gjendja me poshte si shpjegohet? Si shpjegohet qe njerez si kjo teta, “kopetente te marum” ta mbyllin gojen dhe te lejne pa fjale ne goje, pavaresisht sa mastera e diploma ke:

    Kthehem nga teta dhe dua t’i them “Po ndonjë komshi i Mitrush Kutelit nuk ju gjendet?”, por në vend të saj nxjerr një “ Sa lekë bën?”.

    e kam seriozisht ket pyetje, kjo asht nji nga “brengat” ma te medha te jetes sime :)

  15. losttext thotë:

    8 September 2008 @ 1:57 am

    edhe desha te shtonj
    thuhet e dielë korriku, dhe jo e diel korriku, kapish? ;)
    ulu n`ven - 4!

  16. enka thotë:

    8 September 2008 @ 9:07 am

    Akull me terhoqi menyra komike qe ke zgjedhur per te fshehur ato fakte qe ne te vertete na sembojne keqazi.
    zgjedhje e mire ajo e krahasimit te çmimit te librit dhe fiqve;)

  17. Artian thotë:

    8 September 2008 @ 9:54 am

    Teta nuk është as hallë, as teze, por librare ambulante

    I njejti rast pak a shume edhe me mua.

    ….”teta” qe shiste libra, mburrej se me kete “zanat” kishte cuar ne shkolle te larte dhe dy femijet e saj.

    “Mere -me tha-eshte liber i mrekullueshem i Fatos Lubonjes-kam edhe numrin e telefonit,po deshe te bisedosh me Fatosin,eshte i talentuar.
    -Jo ska gje i thashe-nderkohe qe shfletoja librin
    -Ja edhe kete librin tjeter,i kam shitur te gjitha kopjet,eshte shume i bukur,vetem ky me ka ngelur ,autor i mire.
    -Sa e forte qe paske qene-te shesesh libra ne mes te vapes!!-i foli shoqja ime.
    -C`fare te bejme,nxjerrim buken e gojes-buzeqeshi gruaja ,zgerdhishem.
    -Me kete “zanat”-kam cuar dy femije ne shkolle te larte,nje cune e kam per specializim ne Itali.
    -He mo ti do ta blesh ate liber apo jo,se e le grune e botes ne kemb-me foli shoqja.
    -Ja se ulem ketu une,e shoh se burri jot eshte i zgjuar, duket,di te zgjedh se c`fare libri,i njoh njerzit qe blejne ,duken.-i futi nje furce,”teta” e dy fiqeve.

  18. emigrant thotë:

    8 September 2008 @ 12:59 pm

    Mora e-mail prej Çones, ene po thojte qe tani ka von men dhe po lexo disa libra paralel… :P :P

  19. akvll thotë:

    8 September 2008 @ 1:11 pm

    ju falemnderit peshq e peshkatarë për komentet dhe admin për foton domethënëse.:)

    censura, batutën nuk e shpika unë, atë e gjeta në mes…të radhimës. teta është reale, dhe libri po ashtu.:)

    lostrashitës, gjej gabimin: “[…]e s’na kanë ngelur dhe gjë për të lexuar.” :) fjalori i wordit tim e kish e diel, dhe ky i mozillës ashtu më thotë, po ka munsi që e kanë gabim. ka shumë munsi që e kanë gabim.

    avocados, brenga jote âsht edhe e jemja. personalisht, absurditeti ma mballos gojën. plus që në rastin konkret, më duhej diçka për të shtyrë kohën në diell…:)

  20. akvll thotë:

    8 September 2008 @ 1:13 pm

    sa s’ka nisë me shkrujt disa libra paralel, mirë duken bathët.:)

  21. Luçi thotë:

    8 September 2008 @ 1:23 pm

    Aklli,
    Ke mungu me keto lloj frutash te embela ke peshku.
    Silli ma shpesh, se ngelem duke hang kumblla te tharta e me krimb :-)

  22. blu thotë:

    8 September 2008 @ 3:08 pm

    nje nga keto tetat te ngjitet kudo te jesh e nuk ke shanse ta zbrapsesh. ajo ka nje lume fjalesh ne goje e gabimi me i madh eshte ti kthesh pergjigje. sapo te pikase qe ti di shqip ajo eshte aty. statuje e cuditshme dhe e paporoisitur nga askush. e vetmja menyre dhe krejt e pahijshme eshte te besh sikur se sheh e sikur se degjon. atehere ajo iken duke folur me vete per indiferencen e te rinjve qe nuk i blejne ate librin e cmuar me aforizma nga te panjohur…

  23. losttext thotë:

    8 September 2008 @ 3:10 pm

    pse sthu ti qe qenkerka e papame kjo tetua… :D

  24. losttext thotë:

    8 September 2008 @ 3:13 pm

    duhet naj komshi komshiu ta braktise komshillikun, e ti qepet ksaj tetos e ta beje TM personazhen e saj sa s`eshte vone.

  25. Artian thotë:

    8 September 2008 @ 3:34 pm

    Nuk eshte faji i “tetos” por i menyres krijuese te shqiptareve,per te bere biznes.Libri ne shqiperi,tregtohet si misrat e pjekur ne mes te Kryeqytetit,si damotet,djathi,ullinjte,dhe patllixhonet.
    Ajo “teto” neper plazhet e Vlores,ishte e vecante,pikerisht se hyte ne konkurencen e damoteve me libra.!,por konkureca alla shqiptarce,kjo eshte.
    - u njef edhe mendjen,shqiptareve nga nje soj jemi.,ashtu si i blejne fruta perimet,dhe misrat e pjek,mu ne mes te Tiranes ,do te blejne dhe do te marin kulture,edhe nga librat e “tetos”
    “Teto”ishte exzeplare edhe per kulturen qe kishte,i fuste nje pershkrim librit, qe do ta bleje shpejt e shpejt., dhe ec bleje. ….te ofronte dhe kartevizite te autorit te librit,numer telefoni…njesoj si katunari qe te shet damotet e freska,te vjela ne mjes.

    “Teto”nje vecanti e kishte edhe ne veshje,tip japoneze,me shami ne koke,qe mbulonte edhe qafen edhe supet,dhe siper nje kapele kashte,dhe zyzet mbi te…Pantallona te shkurtera,me pulpat e kolme dhe te nxira nga vapa…sishte e keqe jo .

  26. t_red thotë:

    8 September 2008 @ 8:02 pm

    “Bli Metamorfozen - me tha mua. Jo te Kafkes, jo. Kete te Henriku K.G.-se, se eshte perle”. - Ajo kafshoi buzen per te me siguruar vertetesine me te cilen po fliste; une bleva metamorfozen me te shemtuar qe mund te kisha imagjinuar ndonjehere :D

    Diten tjeter i bleva Mopasanin…treguar nga komshiu i Floberit. :D :D :D

  27. akvll thotë:

    8 September 2008 @ 9:00 pm

    G.S. jo K.G. :D
    p.s. ti e paske ngrënë më shtrenjtë se unë.

  28. Pjer Thomas thotë:

    9 September 2008 @ 5:18 pm

    Akullnaja, e ka mbyll tregimin pikerisht ne kohen qe duhej ta vazhdonte, pikerisht tek ai libra-shitesi tek rruga e Elbasanit, dhe aty te fuste dhe dialogun me te, dhe te dilte krahasimi ndermjet shitses ambulante qe ndoshta shiste me shum libra dhe kish me shum te ardhura, ndonse injorante ne letersi, dhe shitesit me librari te shumte, me njohuri per çdo autor, por qe shiste me pak, paguan taksat dhe ne fund falimenton :-) Kjo po do dilte nje tregim i bukur.

  29. akvll thotë:

    9 September 2008 @ 5:29 pm

    Pjer Thomas, sot dëgjova për një film ku personazhi kryesor dëgjonte për çudi zërin e një shkrimtareje që lexonte atë që kishte shkruar për jetën e tij; dhe i binte pikës përherë. Asëll-asëll, atij i ndodhte çdo gjë që shkruante kjo. Dhe në fund, shkrimtarja duhej ta vriste, që vepra të merrte kuptim. Edhe… po të le ta kërkosh vetë filmi. Më duket se ishte me Dustin Hoffman.:)

    p.s. se mos më hidhet njeri në grykë se e mbaj veten për shkrimtare, se nuk është fare e vërtetë. le pastaj për ndonjë qenie të mbinatyrshme a ku di unë.

  30. Penar Musaraj thotë:

    9 September 2008 @ 6:02 pm

    akvll, ai filmi quhet ne anglisht “Stranger than Fiction”.

  31. whisper the real thotë:

    9 September 2008 @ 6:52 pm

    Kete personazhen e njoh edhe une, madje vite me pare kam bere edhe nje reportazh televiziv te shkurter per te. Nje grua e varfer dhe e vuajtur qe per te rritur femijet e saj ben dy pune: turni i trete si infermiere ne spitalin e Vlores dhe librashitese ambulante ne cdo cep te Vlores dhe plazheve te saj. Dimer vere…ne shi apo ne zheg nese do rrini 24 ore ne Vlore patjeter qe do u bjere ne sy ajo dhe bicikleta e saj e mbushur me libra…
    Edhe mua me ka dhene nje liber ajo si dhurate. Ishte libri i vellait te saj Henrik SG Gjuetia e pellumbave, nje liber voluminoz rreth 700 faqesh, i shtypur pa cilesi dhe me germa te imta…
    E kisha lene ne nje cep te biblioteks sime ate liber per shume kohe kur nje dite nisa ta shfletoj….I kam perpire 700 faqet e tij apo me perpine nuk e di…Ndoshta i mungonte stili i lemuar letrar qe do te donim te kishte, por nuk i mungonte aspak ajo analize shpesh sureale e shpesh psikanalitike qe ai u bente vetes se tij dhe gjithe shqiptareve jashte apo brenda burgjeve te diktatures. pa e tepruar them qe ai liber tejkalon edhe “Ridenimin” e Lubonjes apo libra te njohur te ketij lloji qe jane nje pasuri dokumentare per periudhen me te tmershme te nje populli nen diktature. Padyshim libri me i plote i shkruar ndonjehere per krimet e diktatures komuniste ne Shqiperi…Autori ka vuajtur per shume vite ne moshen me te bukur burgjeve te Spacit dhe Burrelit…ne liber qarkullojne personazhe reale shpesh me emrat e tyre te vertete apo edhe me iniciale apo llagape…Nje liber dokumentar qe nuk ka nevoje per te qene fiction pasi e vertat qe pershkruhet aty eshte shpesh ne pragun e nje fictioni te cilin eshte mire ta njohin te gjithe shqiptaret…

    Sot duke kerkuar neper internet dicka rreth Henrik SG gjeta kete koment te bere nga gazetari dhe publicisti Vasil Qesari i njohur ne virtualitet edhe me pseudonimin Amarus):

    ‘MISTERI’ HENRIK S.G.Unë po thekesha në diell, te ‘Plazhi i Enverit’, matanë Tunelit në Ujë të Ftohtë, kur dëgjova zërin e gazetashitëses që reklamonte me zë të lartë, mallin e saj. U ngrita të blija një gazetë, thjeshtë sa për të vrarë kohën, kur, shitësja më tha: ‘Bli dhe këtë libër, e ka shkruar një ‘patrioti’ yt nga Franca. Është një mrekulli, ke për të parë …’. Nga Franca? I hodha një sy titullit dhe lexova: ‘Simfonia e fundit në ishullin Simon’, Botimet Dajti -2000. Më lart qe emri i autorit. Henrik S.G. Kush ishte ky Henrik, pa mbiemër por me dy iniciale në vend të tij? Ishte më tepër kërshëria që më shtyu ta blej atë. Në mesditë, pasi bëra një “sieste” të shkurtër, nxora nga trasta e plazhit librin dhe siç isha shtrirë në divan, nisa të lexoj. Thjesht fillimin, faqen e parë të tij, nga që kisha mendimin se do të kisha të bëja me ndonjë ‘surrogato’, nga ato që tashmë kanë uzurpuar me shumicë, gjithë libraritë e Shqipërisë, por jo …
    Po lexoja vërtet diçka të rrallë, origjinale, të ‘veçantë’. Diçka që s’e kisha lexuar më parë. Dhe si hoqa sytë prej tij. Atë pasdite e atë natë, nuk dola fare jashtë, gjersa e përpiva të gjithë, nga kreu në fund. Përmbajtja e librit, pak a shumë ishte kjo: Një djalosh largohet nga Shqipëria në korrikun e ’90-s, duke kapërcyer murin e ambasadës franceze. Ai bukurosh që nuk mund të kalonte pa tërhequr vëmendjen e njerëzve, vajzave e grave, rrëfen historinë e jetës së tij. Historinë e një shqiptari brenda së cilës përfshihet, historia 50-vjeçare e vendit të tij në diktaturë e, po aq edhe mendësia e një vendi të pazhvilluar e të mbyllur, duke hequr ndërkaq paralele mes tij dhe Perëndimit. Por, ajo që ishte esenciale dhe tepër tronditëse qe fakti se autori në fjalë, pra ‘misteriozi’ Henrik S.G. hidhte vështrimin në brendësinë e honeve të errëta të species njerëzore, të djallëzisë perverse genetike të tij, ku zbulonte fatalitetin individual e atë të vetë shoqërisë me konkluzionin se megjithatë, fatkeqësia e tij, nuk ishte thjesht shqiptare si fillesë, por i përkiste mbarë qenies njerëzore në përgjithësi.
    Të nesërmen, në plazh, gazetashitësja kaloi përsëri pranë e unë, përfitova nga rasti për ta pyetur rreth autorit dhe librit që më ajo më kish rekomanduar një ditë më parë e që e kisha përpirë, me një kënaqësi makabre të veçantë. ‘Oh, tha ajo, po ti mund të takohesh me të. Për më tepër që jetoni të dy, në të njëjtin vend. Po deshe, të jap edhe numrin e telefonit’. Pranova me kënaqësi. Më pëlqente, kisha dëshirë që kur të kthehesha në Francë, ti beja një telefonatë, ‘misteriozit’ Henrik SG. Thjesht për ta uruar për “Ishullin Simon …”. Por, ajo copë letër e grisur nga cepi i një gazete ku kisha shënuar me ngut një numër telefoni, për fat të keq më humbi e kështu do të më duhej të prisja edhe një vit tjetër që unë, këmbëngulës e gjithmonë kureshtar, të ia kërkoja atë përsëri gazetashitëses ne fjalë. Po në të njëjtin plazh, por një verë më vonë. Për fat, ajo e kish me vete atë numër dhe unë bëra kujdes të mos ta humbja përsëri …
    Këtë vjeshtë, pas nja dy javësh që kisha mbërritur në Bordo, telefonova në numrin e shkrimtarit të panjohur. Matanë receptorit m’u përgjigj një zë i qetë, i shtruar, disi indiferent, por gjithsesi korrekt. I shpreha ‘misteriozit’ Henrik S.G, pakëz me zjarr, konsideratat e mia rreth romanit dhe ndërkohë, mësova se ai kish botuar ndërkohë edhe dy të tjerë. Një roman me titullin ‘Gjuetia e pëllumbave’ e një tjetër që ai e kish quajtur ‘Metamorfoza e një brezi të humbur’, (ky i fundit, vjet, kish fituar çmim të parë në prozë, në Konkursin Kombëtar të Letërsisë. Por, për këta dy romane, do të shkruaj më vonë). Pra, bisedova me të në telefon dhe i thashë gjithashtu, në se do të ishte e mundur që të takoheshim. Asnjë problem! Ra menjëherë dakord. Vendi takimit: në La Rochelle. Na binte pak a shumë, të bënim nga një orë e ca rrugë, duke udhëtuar drejt njeri-tjetrit që kështu të takoheshim, në një vend ‘asnjanës’. Pikërisht, në një qytet të këndshëm buzë Atlantikut, mjaft tërheqës e shumë i vizituar. Me një gji që hyn thellë në tokë si pykë, me portin e jahteve, fortesat dhe kullat e lashta mbrojtëse. Vendi i takimit, për më lehtësi: Stacioni i Trenit.
    Ishte një e diel plot diell e dritë verbuese, pikërisht para dy javësh, që mbërrita në La Rochelle. Ndala veturën para stacionit të trenit dhe dhjetë metra larg, para meje qëndronte, ‘misteriozi’ Henerik S.G. Ishte ai, kokë e këmbë që kisha para syve ! E njoha menjëherë, pa e parë kurrë ! Ca vjet më i ri se unë, ishte i hollë lastar, profil nordik. Me vështrim herë zhbirues e herë krejt indiferent. E, teksa u përshëndetem e pastaj u ulëm në një restorant të këndshëm, nisëm të bisedonim për gjithçka: për burgjet, vitet e vuajtjeve, holokaustin shqiptar, artet, letërsinë, librat e tij, Francën dhe francezët, specien dhe perversitetin njerëzor. Flisnim duke u hedhur ‘degë më degë’, thjesht nga që koha, sidoqoftë, ishte e kufizuar. Dhe, ndërkohë, vëreja se dhe pse kishin kaluar tetëmbëdhjetë vjet që ai jetonte në Francë, shenjat vrastare të vuajtjeve në kampe përqendrimi e kishin damkosur keqas, ndofta për jetë, gjer në vdekje. E, nga ana tjetër, nuk e kisha menduar më parë se, njohja me të do të ishte për mua një ‘choc’ i vërtetë e për më tepër, tek ai do të zbuloja një njeri dhe shkrimtar tepër të veçantë: me jetë, ide, vizione, stil, fantazi e gjuhë të cilat do të më trullosnin rendë, aq keqas sikur të kisha pirë një jetë të tërë, vetëm absinth e mariuhanë

  32. losttext thotë:

    9 September 2008 @ 8:06 pm

    di ndonjeri te na thote nese jane te gjetshem librat e H S.Gs ne Tirane?

  33. belle_fleur thotë:

    9 September 2008 @ 8:13 pm

    Lost, e garantume qe ne vlore, buze detit do takosh kete gruan me biciklete e cila shet librat e misteriozit H.S.G. :)

  34. losttext thotë:

    9 September 2008 @ 8:22 pm

    S’ besoj se do kem kohe te shkoj ne Vlore, belle, po ku i dihet - kushedi si eshte transformuar ajo perle e bregdetit shqiptar.

  35. edrus thotë:

    9 September 2008 @ 8:28 pm

    Lost, dërgoj nja dy qillo fiq Akllit dhe ta dërgon ajo librin e saj :)

  36. XYZ thotë:

    9 September 2008 @ 8:38 pm

    Well, nja dy fjale per dy fiqte e varur ne dege :

    Akvllnaja, shkrimi eshte i mire - e sheh qe nuk mbaj inat ? kur me pelqen shkrimi, edhe pse eshte i nje armiku te betuar te lirise se popujve te vegjel, prape e lavderoj :D

    Por me lejo dy gjera : kam frike se eshte i shkurter. Sigurisht qe thelbi eshte thene dhe se ai mund te thuhet edhe me nje paragraf, ashtu si dhe me nje roman. Asnje kufizim ne kete. Ajo qe e ndjell lexuesin eshte hapja disi majtas-djathtas per te bere ca vleresime kalimthi mbi gjera te ndryshme qe preken ne shkrim. E kam fjalen, jo kaq doreshtrenguar. Nese ti ke dhuntine te tregosh bukur, dhe nese je e bindur ne kete, atehere nuk duhet ta frenosh veten por te rrefehesh. Jo jeten tende, sigurisht, por historia te na vije njeçike me e shpeshtjellur, te na rrefesh mendimet e personazhit (te tuat) permes ndonje historiçke te vockel, e keshtu me rradhe.

    Te ftoj te behesh nje shkrimtare bujare, nje shkrimtare qe nuk kursehesh per lexuesin. Ka psh shkrimtare qe nuk i thone te gjitha ne nje roman sepse e ruajne idene per nje roman tjeter. Mirepo, askush nuk te pengon t’i rikthehesh dy ose tre here nje problemi, sigurisht me nje histori tjeter. Philip Roth nje avaz ka : permasa e vdekjes, e rrenimit fizik, e perndjek ne çdo liber. A mos eshte ky nje shkrimtar i merzitshem qe shkruan perhere (shpesh here, te pakten) per nje problem ? Aspak. Mund te marre Nobelin nga viti ne vit.

    A mos e zgjata si teper ? OK, je m’arrête là, puisque sinon tu vas en sortir l’artillerie lourde et puis allez vous tenir après :D

  37. losttext thotë:

    9 September 2008 @ 8:49 pm

    edrus, e ka rrit pazarin ajo mer, se o bo shkrimtare e modhe, ene s`i pelqe hic me u zhgenjy… (akllo, joke he ;) )

  38. akvll thotë:

    9 September 2008 @ 10:23 pm

    xyz, ti je populli i vogël? se të ishte për mua, s’të kisha mbyllur në kafaz, po të kisha bllokuar fare. shaka, hë. :D
    sidoqoftë, mua s’më duket se e nisa për roman dhe e bitisa skicë. ti mund të duash të lexosh më shumë, por mua me duket se ajo copë qëndron ashtu si dhe sa është.

    pas leximit të komentit të whisperit, mendoj se personazhi i tetës vërtetë duhet të studiohet për të parë se çfarë varfërie është ajo që e çon njeriun t’i shesë librat si qofte, ndërkohë që mund të shesë qoftet si qofte. po ky s’ishte qëllimi im. batuta e tetës m’u duk përfaqësuese e absurdit të sistemit të vlerave në tregun e letrave shqipe. losti bën shaka, por gjysma është e vërtetë; ajo që s’më pëlqen të zhgënjehem. dhe jo se jam bërë shkrimtare e modhe (ashtu je vetë, losssstie; unë jam blogaxhie and proud to be:)), por sepse jam mësuar të lexoj libra cilësorë, që ndjekin një apo disa linja në funksion të një apo një grumbulli idesh, të shkruar me kujdes e dashuri dhe që të hapin dyer, a mbase dhe veç ndonjë dritare, a mbase thjeshtë e tundin derën që ke parë të hapet dikur më parë. Nga libraritë shqiptare zhgënjehesh shumë shpesh sepse s’ke ndonjë lloj sistemi referimi; sepse gjithkush mund të botojë… dhe gjithçka. dhe gjithkush shet gjithçka. dhe më e keqja, gjithkush reklamon gjithqysh gjithçka. kaq ishte puna e fiqve.

    përshëndetje!

  39. Idris thotë:

    10 September 2008 @ 3:30 am

    Ja dhe nga une Akell!
    Me kujtove nje histori te shkuar.
    Kerkonim ne vitet 60 ca libra qe botoheshin te paket ne kopje dhe kuptohet qe duhej “mik” ti siguroje si psh A.Mickievich,Berns etj(s’po zgjatem. Ashtu te lidhur si “mishi me thoin” :) dashamirsit e letersise4 ja kalonim njeri tjetrit me rradhe…
    Dhe ja ne moshe me RROGE..ne nje fshat te Korces ne dyqanin
    “artikuj te perzier”…Pasi kthyem caze pije te rralla , konjaku mbaroi dhe ne ngulem kembe qe ka po “s’do te na japesh”
    -Hajde mo njeri te kontrolloje…Si me “i shkathti” u futa une dhe gjeta prapa nje thesi ..arka me konjak.
    -Po kete ce ke e pyeta pasi pashe brenda thesit…..(ocudi e madhe ?)Gorki , Lermontov , Berns , Mickievich , Rubairat etj e tje..Nje thes plot.
    -Libra -tha shitsi.-I kane sjelle para 10 vjeteve dhe si blen njeri .Parvjet mi hoqen nga iventari .
    -A ma shet thesin per 100 lek ?……. Ti sa do e bleje ? :) :) :)
    Je pene shume e vecante….sidomos “Po ndonjë komshi i Mitrush Kutelit nuk ju gjendet?” :) :) :) Mbase nonje te BURULOVSKIT ??????

  40. XYZ thotë:

    10 September 2008 @ 10:00 am

    GJITHKUSH GJITHQYSH GJITHCKA - akullnaja.

    On ne peut pas mieux dire.

    Shtepite botuese shqiptare, ne shumicen e tyre, perfaqesohen nga HUNJ te vertete. Sepse ata edhe duan te fitojne para, edhe bejne çmos qe te mos fitojne.

    Fatmir Toçi, si kryetar i Lidhjes se Botuesve, do te duhej te financonte vete ai nje emision letrar cilesor ne njerin prej kanaleve TV me te ndjekur ne Shqiperi. Nje emision te perjavshem.

    Akullnaja e di se bombardimi trunor ka shume rendesi sot ne epoken e informacionit qe vershon nga te kater anet. Pse Shqiptaret jane kaq te dhene pas llogjeve politike ? E thjeshte fare : sepse atyre iu bombardohet truri mengjes-dreke-darke me kesi lajmesh.

    Pse Cifuti urrehet per vdekje ne boten arabe ? Perseri, e thjeshte fare : sepse bota arabe bombardohet mengjes-dreke-darke nga propaganda anti-çifute.

    Pse Kinezi ndihet krenar kur arrin ta kaloje nje dite te tere pa peshtyre pertoke ? Sepse ai bombardohet perdite nga rregullat e sjelljes ne shoqeri : te peshtysh pertoke eshte e demshme per ndertimin e socializmit dhe per imazhin e Kines ne bote.

    Atehere, e dashur akullnaje, nga te krijohet kultura letrare tek lexuesi shqiptar ? Te zbrese nga qielli ? Veshtire…

    Nese bisedat letrare neper emisione TV do te beheshin te shpeshta dhe krejt normale ne peizazhin mediatik shqiptar, atehere publik shqiptar do te mesohej me idene qe paska dhe nje gje qe s’e paskemi ditur : libri dhe leximi.

    Mire gazetat e vogla qe s’paskan fuqi, po gazetat e medha, a kane nje redaksi letrare ? A mbajne kritike letrare ne bordero ? Dhe a ka nje vend te posaçem per letersine ku te shkruhet vertete shqip dhe te mos peshtiroset lexuesi ? Nuk e di.

    Dhe une e ti pastaj duam fiq ! Eh mire mire… te arrihet fiku duhet perpjekje, nuk piqet fiku per nje dite.

    - Les figues, sont-elles mûres ? demanda XYZ.
    - Bin non, réponda Akullnaja, hélas ! non. Ou en tout cas, pas pour toi.
    - Très bien, dit XYZ. Je vais en chercher ailleurs.
    - Bonne chance, dit Akullnaja, et elle rentra.

  41. akvll thotë:

    10 September 2008 @ 10:17 am

    marrante, la dernière partie. merci.:)

  42. akvll thotë:

    10 September 2008 @ 10:21 am

    Idris, të falemnderit! Ti paske bërë biznes… Po ça do të më thuash? Që unë duhet të shkoj ta bëj plazhin përballë akademisë së shkencave që të lexoj ndonjë libër të hajrit?:)

  43. Artian thotë:

    10 September 2008 @ 11:09 am

    Ka faj “Teto”qe shet libra ne diellin pervelues te plazhit?.

    Jo!

    Shoqeria shqiptare,e ka kuptuar keq menyren e zhvillimit,ekonomik dhe kulturor.,dhe nga keto dy menyra te keqia zhvillimi lindin edhe psikologjira te shtrembera,menyra te menduarit primitiv ne arritjen e qellimit.
    Duhet te theksojme,se as fiqte,as banane,as artikuj plazhi,sigurisht as librat-nuk duhet te shiten ne ate lloje menyre.Nuk mund te tregtohet me ndryshe?
    Te kompleksi freskia,ne Orikum,Restorantet ishin te mira ,dhe sherbehej me kulture.Po njerzit duan edhe “ushqime” te tjera,per zhvillimin e mendjes,trupit.Nje dyqan me libra do te kishte gjithmon,kliente.,gjithashtu edhe per fruta perime.por edhe nje pike informacioni kulturor nuk do te ishte keq,dhe do te kishte shume kliente.
    Por edhe nje kend lojrash,per te ritur,edhe per te vegjel do te kishte pa tjeter,kliente.
    Edhe njerzit do te benin nje pushim aktiv.
    Aty ku ka njerez aty ka edhe bisnes dhe bisnes me kulture.

    Por boset e shqiptareve,duhet te kene pak fantazi,por sic dihet,leku eshte ne duart e njerzeve ordiner,te zakonshem.,ndoshta pa kulturen e nevojshme.

    Klienti(poplli) cer ti japesh,dhesi tja japesh,ate do te haje dhe ashtu do ta haje.

  44. flokenaja thotë:

    10 September 2008 @ 11:28 am

    Para nja 7-8 viteve, isha ulur ne nje bar andej nga blloku, kur me zune syte nje burre te vjeter ne moshe, me pamje shume fisnike, qe ngulmonte duke u ngateruar neper karrige, t’u shiste dicka njerezve qe ishin ulur ne veranden e barit. Ai shiste libra dhe blloqe telefonash.Ne castin qe m’u drejtua mua, perpara se ai te me bente nje ligjerate kryesisht rreth librit e cilin e shiste 100 leke te reja, une vendosa t’i bleja nje bllok dhe nje liber.Kur i zgjata leket, ai me veshtroi gjate ne sy, e kuptoi qe une e bera se me erdhi keq per ate vertitje te tij neper karrige, aq te shvleresuar prej veshtrimeve te njerezve te ulur ne bar dhe me tha perulesisht: zonjushe, lexojeni se eshte me te vertete nje liber i bukur…
    Kur shkova ne shtepi e shfletova me nje fryme ate liber te vogel me proverba te mbledhura nga kombe te ndryshme, te perkthyera aq mjeshterisht nga; nje inxhinier ( qe zoteronte 6 gjuhe te huaja) i dale ne pension.
    Eshte nje nder librat me e çmuar qe kam dhe e ka perligjur aq denjesisht ate vertitje te shperfillur prej kohes qe jetojme, ate vertitje aq “umile” te atij burri fisnik…

  45. Artian thotë:

    10 September 2008 @ 11:45 am

    Ti floku, i ke bere nder atij ,”inxhinieri”se te erdhi keq…Nderi ne fakt duhet bere ndryshe,ne nje forme tjeter..dhe jo nga personalish ti…ka ose duhet te kete qendra bamirsie,te organizuara qe “nderi”te jete i orientuar…
    sepse ato sende qe ti i bleve,nuk e shpeton dote inxhinierin,ose nje qe tregton ndryshe..pastaj eshte dhe pak e ekzagjeruar ,se nje qe di 6 gjuhe te huaja,dhe inxhinier,nuk shet libra,se eshte gje e zgjuar..vazhdon prap te perkthej..

    Eshte faji i shoqerise floknaja..ai inxh,duhet te rri ne shtepi ose te vazhdoje,te korre leke ne rrugen e filluar,te perkthimeve..dhe jo te shitsit…

    Jeta ndonjehere eshte e cuditshme..kam punuar ne qendrat e bamirsive,dhe kam pare lypsare,me kulture dhe talent,me syte e mi kam degjuar nje prej tyre,qe i binte pjanon zhaz piano ne menyre te shkelqyer….
    Por problemi eshte diku tjeter..

  46. Artian thotë:

    10 September 2008 @ 11:47 am

    Gabimisht jam shprehur me larte,por te lexohet ,me syte e mi kame pare dhe kam degjuar… :)

  47. flokenaja thotë:

    10 September 2008 @ 12:00 pm

    Artian, ai ishte burre i zgjuar e kuptoi menjehere perse vendosa t’ia bleja sendet…
    Ne fakt, ishte ai me beri nder mua, se eshte nje liber tejet i cmuar, (shefi im kerkoi te ma merrte, mos huazonte ndonje shprehje per raste mbledhjesh lol po une, nuk ia dhash qe nuk ia dhash ).

  48. spiritus thotë:

    10 September 2008 @ 12:22 pm

    Fiq apo libra? Kulture apo konsumerizem?
    Kjo eshte dilema e shqiptareve te futur ne ekonomine e tregut. Shkrimi ne fillim kete dileme me percjell: prisja te blija fiq por u cfaq librashitsja ambulante…
    ka nje debat te hapur te ngritur mbi konstatimin se sot lexohet me pak se sa ne diktature.Arsyetimi niset nga nje premise e gabuar mendoj sepse ne kohen e izolimit totalitar , ajo letersi edhe ashtu e censuruar, ishte e vetmja dritare dhe i vetmi ushqim ne ate shkretetire ideologjike.
    Sot, ne boten e internetit, te burimeve kaq te shumta te informacionit dhe te bollekut te botimeve (libra, revista, gazeta, tabloide..Paloma:) leximi eshte segmentuar dhe diversifikuar.Gjithashtu nga librarite /shtepite botuese konstatohet se libri shitet, pra lexohet. Statistika krahasuese fatkeqsisht nuk ka.
    .
    Por debati ngritur ka dhe nje moment qe duhet vleresuar: cilesine e botimeve, koston e tyre dhe politikat emenaxhimit/shperndarjes se librit.
    Etja per fitime sigurisht qe ka prekur edhe librin-kete mall specifik. Bashke me botimet cilesore, gjithkush, me pak para sot mund te botoje c ti doje kokra eqefit. Ka rastisur te kem ne dore libra kujtimesh ose krijimtari letrare: o zot, na meshiro me antikulturen dhe idjotsite qe shkruhen!
    Dhe me ne fund, tetoja qe shet libra neper plazhe shum mire ben perderisa mungojne strukturat qe duhej ta benin me kulture dhe profesionalizem kete pune edhe aty prane bregdetit kur, bashke me te shijuarit e relaksit, edhe mund te lexosh dicka .
    Qe tetua librashitese ben kopetenten ne vleresimin e librit qe e paska shkruar komshiu P.Markos:) eshte zbavitese por ja qe ajo qe ne na duket si idjotizem kthehet ne nje mjet per te peshkuar edhe bleresit ..idjote:))
    Ceshtje zanati te shetesit ambulant. Nuk eshte i vetmi .Sa here na ka ndodh neper pazaret qe bejme te degjojme shitesin injorant( ndoshta dikur ka qene lopcar apo rrites derrash) te thote: eshte speciale!! haha
    Ne cdo hap realiteti shqiptar te ofron absurditet dhe komedira gazmore.

  49. akvll thotë:

    10 September 2008 @ 1:47 pm

    spiritus, dilema jeme âsht: libër llafosu kot apo fiq? në fakt nuk është dilemë; preferoj fiqtë.
    problemi për mua qëndron te sistemi që bën që një libër të botohet pa asnjë kriter. s’kam gjë me shitësen ambulante unë [le që po, kam gjë: ku e gjen guximin të thojë që jam unë që s’marr vesh se në fakt shkrimtari është shumë i talentuar (haha…ngaqë vjen nga lagjja e PM…)? te ajo që s’di, sigurisht.]. e kam me botuesit që mjaft të marrin paratë e shtypit dhe hedhin në treg gjithçka, pa marrë në punë as një korrektor, le më redaktor. se po të mos botonin ata, teta s’do kish ndoshta rast të bëhej personazh. e kam dhe me shkrimtarët apo shkrimtarwannabe-t që s’marrin as mundimin të rilexojnë qoftë dhe një herë çfarë kanë shkruar para se ta hedhin për botim. mungesë e thellë respekti për lexuesin dhe blerësin nga ata që prodhojnë.
    teta nuk është veçse hallka e fundit e zinxhirit që për një arsye ose për një tjetër riprodhon mentalitetin e të parave, në mënyrë komike. se teta ndoshta është mësuar me mentalitetin se po qe libër është ” gjë e mirë”. (kështu mendoja dhe unë para se të lexoja 10 surrogatot e para postkomuniste). dhe mbase teta e ka lexuar atë që shet dhe s’e ka kuptuar pse është “gjë e mirë” dhe arsyeja e vetme që ka gjetur për të justifikuar të qënit “gjë e mirë” është komshillëku me një shkrimtar të madh. më pëlqeka ky variant.
    shëndet.

  50. spiritus thotë:

    10 September 2008 @ 1:56 pm

    Akv varianti yt, qe sapo shpjegove, eshte vertet i bukur per te pasqyruar situaten absurde dhe komike te shitses analfabete por e uritur (prandaj shet libra apo jo?) Nuk i heq asnje presje ketij kendveshtrimi elegant dhe te mprehte.
    Por kendveshtrimi qe solla me lart mer spunto nga krijimi juaj per teshkuar me tej ne raportet liber-lexues, kulture-konsum, e te tjera, e te tjera:) Me pelqeka edhe ky variant:)
    ciao

  51. fh thotë:

    10 September 2008 @ 2:17 pm

    akullore, ke te drejte, kot me t’hy n’hak. Ja thu, ja thu po kujt ja thu tha. The di.
    Megjithate! Nuk me duket gje e keqe qe botohet shume, qofte edhe per lume. Njesoj si albumet me muzike - blej e provoj shume derisa rehatohem me ate qe me pelqen ose qe me duket se e kam zbuluar vete.
    Tani edhe fiqte mund te jene te mire (rritur ne baçen e Driteroit) e te kqi (lekurtrashe, t’pabome,) ose t’mire vetem per komposto.
    Dua te them Variety is the spice of life. Ca libra i blejme ne dyqan, ca te ambulatorja, po ca edhe i vjedhim ose ca harrojme ti kthejme.
    Ka edhe miza..edhe flutura..mbi fiq.

  52. Idris thotë:

    10 September 2008 @ 3:04 pm

    Shiko akull….Po qe per “teten” duhej te ishe influencuar nga vergjet :
    Plaka ik e plaku ndiq
    Na moj plake nja dy fiq…
    se ne kete rast plaku i jepte falas fiqte…por po te kishte libra ????? vallaj se i falte!!! :) :) :)
    Doja te thoja qe “tetka” paska qene e shkelqyer per marketing sepse po ta analizosh thelle “ato surrugatot qe lexuam nga libraberes te medhej”
    qe u ishin mohuar vlerat :P :P :P kishin nje gje te perbashket :
    Letersi ben kushdo , boll te besh pjese ne nje Parti Politike!
    Tetka paskish qene me e zgjuar sa te hante ndonje te share po te thoshte psh “eshte komshi i IK” ose “eshte prej nahijes E.Koliqit”
    kishte gjete nje personazh nga “te dy krahet” :D :D.

  53. Pjer Thomas thotë:

    10 September 2008 @ 7:18 pm

    Akullnaje , ate filmin e kam pare, mirpo qe je e penes kete mendim nuk ma heq dot, pavarsisht se kete here , prure nje nga krijimet me te dobta te tuajat. Nuk them se ishte krijim i dobet por ne krahasim me ç’ke sjelle, kjo ishte me e dobta. Shpresoj qe kritika ime dhe e te tjerve te te ndihmoje, ndonse je mjeshtre e fjales.

  54. emigrant thotë:

    10 September 2008 @ 7:44 pm

    pjer, kjo ishte skice publicistike sharmante. nuk di si i ben krahasimet.

  55. akvll thotë:

    10 September 2008 @ 10:09 pm

    fh, variete un quj kur ka fiq të zinj dhe të bardhë, vere e vjeshte, shinsa e tivarsa (flm magjar:)), etj., etj. të kesh zgjedhjen mes fiqve me krimba dhe fiqve pa krimba, s’më duket dhe aq spicy…veç në e pastë krimbin brënda dhe të padukshëm dhe duhet të zgjidhësh ndonjë mister për ta gjetur (krimbin…)

    Pjer, ky s’ishte krijim, ishte pasqyrim pothuajse besnik i skenës. kam heqë ca personazhe dhe ca lëvizje, po përndryshe është vetëm fotografi. s’të pëlqen, s’të pëlqen. unë s’du ta falimnetoj librarinë, jo sepse nuk kam fuqi, po sepse e di që funksionon ashtu si është. dhe për më tepër, unë nuk besoj se ata që s’paguajnë taksat ia dalin më mirë se ata që paguajnë taksat; të paktën me shtyllën kurrizore (jo vetëm atë fizike) kanë më shumë halle. kështu që nëse moral fabula do të kishte, libraria do jetonte në jetë të jetëve sepse librari e do punën e vet dhe e njeh dhe e bën me qejf, ndryshe nga teta apo ndonjë shkrimtarwannabe apo botueswannabe. po kjo do ndodhë ndonjëherë tjetër. gjithësesi, të falemnderit për mendimin e mirë që ke për mua; më inkurajon.

    Idris, m’u bllokoftë tastjera që të mësova ato kokrrat e verdha!:)

    Emigrant, t’u rrit’ nera. (e hirshme i thojnë:P).

  56. fh thotë:

    11 September 2008 @ 3:11 am

    të kesh zgjedhjen mes fiqve me krimba dhe fiqve pa krimba, s’më duket dhe aq spicy…
    E drejtë akvll. Argument fitues. Seriozisht. E terheq tezen time prej prashitesi zymbylash.

  57. edrus thotë:

    11 September 2008 @ 5:46 am

    Akëll, i ke thënë të gjitha, gjithçka mbi vlerat dhe antivlerat e shkrimeve/botimeve&shpërndarjes së librit, por nuk ke shkuar deri në fund :P .
    Meqë është hera e dytë ose e tretë që e dëgjoj emrin e asaj librarisë, dhe gjithnjë për punë të mirë, presupozoj që do të jenë të shumtë ata që do të donin ta njihnin më mirë.
    Ndoshta mund ta njihnin më mirë me ndonjë reçension të librave që janë në qarkullim kohët e fundit… dhe, pse jo, nëse do të krijonin dhe shërbime të tjera; me këtë kam parasysh dërgimin me postë të librave nga ana e tyre (kuptohet që shpenzimet e transportit janë në kurriz të klientëve).

    P.s:O Akëll, çfarë është spicy?
    Spicë? kuj? :P (Se më erdhi nërmen kjo puna e kujit tu e pas menien te kpujt e fiqvet :)

  58. akvll thotë:

    11 September 2008 @ 10:47 pm

    Ed, ata që duan ta njohin më mirë, adresën e mësuan. Për të tjerat, fjala jote në vesh të librarëve! (Mund t’ua çosh dhe vetë në vesh kur të shkosh ndonjëherë:))
    Spicy është me spec, pra mo. (Djegës.);)

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.

  • Po shikoni nje artikull ne faqen e arkivit te Peshkut pa Uje. Per te pare faqen aktive, shkoni tek peshkupauje.com