“Miss Albania” dhe Edi Rama

Tema

15 Shkurt 2007

Letër e Hapur drejtuar Z. Edi Rama

Miss Albania dhe Edi Rama

Nga Gentiana Ramadani*

I dashur Z. Rama, në mbrëmjen e 13 Shkurtit keni qenë i ftuar në emisionin televiziv, Studio e Hapur, të gazetarit Gerti Shella, në News 24 TV (një televizion që e respektoj). Përveç monologut tuaj, përrallor, ju ishit përballë edhe një paneli nga fusha të ndryshme të shoqërisë për t`iu drejtuar nga një pyetje në lidhje me atë se çfarë keni bërë ju si kryetar bashkie në Tiranë në këto 6 vjet. Sigurisht, përgjigjet që ju dhatë nuk kishin asnjë lidhje me pyetjet që u shtruan, por nuk arrij të kuptoj Z. Rama se deri kur ju do vazhdoni të mendoni se keni të drejtë të fyeni dhe të ironizoni inteligjencën apo titujt e gjithsekujt në këtë shoqëri. Nëse nuk jeni i qartë për çfarë po flas, më lejoni t`jua kujtoj.

I dashur Z. Rama, para dy ditësh isha e ftuar ashtu sikurse edhe ju, në këtë emision, si përfaqësuese e shoqërisë civile për t`ju bërë një pyetje, të cilën unë e gjykoja të arsyeshme dhe me baza për punën që kryej. Jo vetëm nuk mora përgjigje, jo vetëm e devijuat bisedën, ashtu siç juve dhe institucionit tuaj ju interesonte, por së bashku me ironizimin që i bëtë një titullit tim të fituar në adoleshencë, ju më fyet publikisht, duke thënë se Miss Albania nuk ka informacion për këtë çështje, kur në fakt, nuk isha e ftuar si miss Albania. Po të isha si e tillë, sigurisht pyetja ime do ishte tjetër, ndoshta për monopolin e sponsorizimeve kulturore, (ku ju siguroj se edhe këtu kam informacion).

Atëherë, për t`ju thënë juve se në radhë të parë isha aty si një drejtuese e një prej OJF në Tiranë, do thoja të suksesshme dhe kam plot informacion, sigurisht nuk mund të mohoj edhe titullin e Miss-it, i cili nuk më ka penguar asnjëherë të kultivoj dijet e mia, veçanërisht ato në fushë gender, po ju shtroj edhe njëherë pyetjen, njëkohësisht po jap edhe përgjigjen, gjë të cilën duhet ta bënit ju gjatë emisionit.

Pyetja: Z. Rama, ju nuk keni patur një strategji të veçantë në Bashkinë e Tiranës për parandalimin e dhunës në familje apo për të njohur shërbimet mbështetëse, sikurse janë strehëzat apo qendrat ditore për grupet vulnerabël, siç janë gratë dhe vajzat e trafikuara apo të dhunura. Më duhet të theksoj se kjo është një nga detyrat qendrore që ka sektori i shërbimeve sociale pranë institucionit që ju drejtoni. Konkretisht, çfarë keni bërë ju për këtë grup në nevojë, pra, gratë dhe vajzat e trafikuara dhe të dhunura? Çfarë programesh sensibilizuese keni realizuar në këto 6 vjet?

Atëherë, ju them unë se çfarë është bërë. Asgjë.

Ju keni vetëm një plan veprimi në kuadër bashkie, të ndarë në katër faza, i cili ka mbetur në kuadrin e një cope letre të shkruar dhe të parealizuar.

Faza e parë e këtij plani, është, Ndërgjegjësimi i komunitetit (këtu është realizuar vetëm një projekt 6- mujor në shkollën “Myslym Keta”, shpërndarje dhe fletëpalosje)

Faza e dytë është Legjislacioni (Bashkia Tiranë për këtë pikë ka organizuar vetëm disa tryeza të rrumbullakta, pra, biseda)

Faza e tretë, Integrimi-formimet profesionale, por jo vetëm. Kjo pikë ka të bëjë me ngritjen e qendrave ditore dhe rezidenciale (këtu ka vetëm një qendër për fëmijë Every Child, që nuk i përket target grupit që unë ju kam pyetur, pra, gratë dhe vajzat e trafikuara dhe të dhunuara, po edhe sikur, vetëm një qendër për fëmijë nuk mjafton, aq më tepër me fondet e Bankës Botërore)

Faza katër, është studimi lidhur me dhunën në familje. (Edhe këtu gjithçka ka mbetur në kuadrin e fjalëve dhe asnjë qendër apo mbështetje sociale për këtë grup në nevojë nuk është ngritur që të ofrojë shërbim. Të gjitha shërbimet ekzistuese janë projekte të OJF-ve që mbahen nga donatorë të huaj)

Siç e sheh pra Z. Rama, ju nuk keni bërë asgjë konkrete në lidhje me politikat sociale në sektorin e shërbimeve sociale në bashki. Për më tepër kjo është dhe kompetence e qeverisjes vendore, e miratuar me ligj nr. 8652, dt 31.07 .2000, ‘Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore’. Ekzaktësisht, neni 72 në Fushën e rendit dhe mbrojtjes civile, pika c), ku ju tregon juve se keni përgjegjësi direkte për kujdesin social, zbutjen e varfërisë, si dhe garantimin e funksionimit të institucioneve përkatëse. Apo ligji nr. 9355, dt 10.03.2005-së ‘Për ndihmë dhe shërbimet Shoqërore’ neni 1 pika 2, ku ju bën me dije ju si institucion përveç të tjerash, të krijoni mundësi për integrimin dhe sigurimin e një sistemi ndërhyrjesh e shërbimesh për përmirësimin e jetesës së komunitetit.

Pra, deri më tani, nuk ka asnjë punë konkrete për parandalimin e dhunës në familje, në njësinë kundër dhunës ndaj grave, si pjesë e sektorit të barazisë gjinore në Bashki. Nuk ekziston asnjë qendër apo strehëz e ngritur nga Bashkia Tiranë, qendra këshillimi apo avokatie (detyrë e juaja kjo) që të ofrojë shërbime mbështetëse, mbrojtjeje për gratë e dhunuara, shërbime shëndetësore apo juridike në Tiranë. Nëse ka, janë vetëm 2 shtetërore, njëra është Qendra për pritjen e viktimave të trafikuara- Shërbimi Social Shtetëror ,si dhe IOM- Qendra për integrimin e viktimave të trafikut.

Çdo strehëz apo qendër për mbrojtjen e grave dhe vajzave në nevojë, janë projekte të OJF-ve me financime të donatorëve të huaj.

Meqë, ju së bashku me gazetarin aspak profesionist, u morët rreth 7 minuta me dilemën që ju kishte përfshirë të dyve, nëse jam apo jo një ish-miss, vendosët të kthenit një përgjigje, siç kurse keni bërë gjithmonë, duke fyer atë që keni përballë. Thatë se nuk kam aspak informacion për këtë çështje, (në fakt, po e shikoni sa informacion kam) u mjaftuat më këtë fyerje ndaj meje dhe vazhduat përrallën e zakonshme se ju jeni për barazi gjinore dhe si i tillë keni arritur të shtoni numrin e grave socialiste në radhët e partisë tuaj. Por gaboheni, i dashur, edhe pse nuk ishte kjo pyetja ime, ju më mirë se kushdo tjetër duhet ta dini, se sasia nuk përbën cilësi. Pas kësaj, ju mjaftoi edhe një buzëqeshje që kush e di se kush ju ka thënë se e keni edhe të bukur, së bashku me gazetarin që tregoi sa pak profesionist dhe i anshëm është, vazhduat si pa problem bisedën.

I dashur zotëri, unë të them merre mbrasht atë buzëqeshje qe vetëm ushtarët tuaj në selinë rozë mund ta suportojnë, pasi unë nuk dua t`ia di se kush jeni ju në momentin që fyeni personalitetin, punën dhe sakrificën time. Fyeni një nga eksperiencat e mia më të bukura në kohën e adoleshencës, siç është marrja pjesë në një konkurs bukurie dhe që me krenari ju them se nuk më është dashur mua të zhvishem për të fituar votat e jurisë, paçka se në atë moshë gjithçka lejohet. Jeni ju ai që po përdorni fizikun, lakuriqësinë dhe ca dëshira të çuditshme dhe anormale, njerëzore në një moshë aspak të vogël, duke luajtur dhe rolin e viktimës si e si për të fituar votën e qytetarit tiranas.

E pra, Z. Rama, jemi në vitin 2007-të dhe gjithkush nga ne ka patur shansin ta kalojë njëherë kufirin shqiptar. Asnjë shtet nuk e ka filluar evropianizimin e tij nga mbjellja e një parku, lyerja e ca palleve, apo vendosja e një stoli. Gjithçka fillon me komunikimin (që ju ju mungon), kujdesin social ndaj komunitetit që ju voton, kulturën dhe respektin që duhet të ketë një udhëheqës apo lider për qytetarin e vet.

*Drejtuese e shoqatës “Gratë Mbështesin Gratë”

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

23 Komente

  1. Indiferentja thotë:

    15 February 2007 @ 10:24 pm

    Po z. rama ka kthyer pergjigje? :D

  2. ardi thotë:

    15 February 2007 @ 10:33 pm

    une mendoja se miss - et i zgjidhnin edhe nga zgjuarsia, jo vetem nga bukuria….

  3. edrus thotë:

    15 February 2007 @ 10:49 pm

    Ka shume te drejte kjo vajza….
    …..i propozoj atij qe te rizgjidhet qe te perdore ndonje menyre tjeter per te ringjallur Tiranen.
    Si thoni,mund ti propozoj terapine e shok-ut?
    (te shkaterrohen parqet dhe te lyhen me ngjyre tulle te gjitha pallatet qe ka ‘lyer’ Rama .

    qendra dhe mbeshtetje sociale nga bashkia?
    Ketej nga anet tona jane OJQ qe merren me ato pune :),ndersa komuna mendon se si te na rrise taksat per pleherat :(

  4. shefi kuadrit thotë:

    16 February 2007 @ 4:34 am

    Car pergjigje ti ktheje aman, me biba do merret Rama..

  5. Indiferentja thotë:

    16 February 2007 @ 4:38 am

    hahaha o shefo, po une per gallate do kisha qejf ta lexoja pergjigjen e tij, se e kam parasysh ironine per perdor :D

  6. gene thotë:

    16 February 2007 @ 5:24 am

    Nuk me pelqen fakti qe rama nuk i jep pergjigje misit!

    Po edhe missi mund ta kish nisur pyetjen ndryshe e jo me:Z. Rama, ju nuk keni patur një strategji…

    edhe une do isha nervozuar ne vend te rames pasi kjo nuk eshte pyetje. Provokime te tilla mund t’ia lejojne vetes gazetae me njefare pushteti.

    pastaj me vjen keq qe missi eshte revoltuar aq shume sa bie poshte dhe thote:…që me krenari ju them se nuk më është dashur mua të zhvishem për të fituar votat e jurisë, paçka se në atë moshë gjithçka lejohet(????????????!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!). Jeni ju ai që po përdorni fizikun, lakuriqësinë dhe ca dëshira të çuditshme dhe anormale, njerëzore në një moshë aspak të vogël, duke luajtur dhe rolin e viktimës si e si për të fituar votën e qytetarit tiranas…

  7. gene thotë:

    16 February 2007 @ 5:27 am

    tani qe e lexoj perseri missi, CFARE DO TE THUASH ME KETE TE FUNDIT????????????!!!!!!!!!!!!!

    MOS DO TE THUASH SE VOTUESIT E TIRANES E HEDHIN VOTEN PER ATE QE ZHVISHET ME SHUME??????????????!!!!!!!!!!!!!!!!!!!

    Ah sikur ta kishe informuar me pare olldashi per kete!

  8. shefi kuadrit thotë:

    16 February 2007 @ 6:41 am

    Misi ngeli pa pergjigje nga Rama dhe nga inati del e na bo si e revoltume bla bla duke bere si goc e ndershme por ofendon aq shume sa edhe ajo pak te drejte qe mund te kete pasur i humbet fare.

  9. endri thotë:

    16 February 2007 @ 8:12 am

    Me vjen keq qe zoti Rama e quajti “miss???” sepse mis ajo nuk ka qene asnjehere as ne paraqitje e as ne formimin intelektual?… i njoh shume mire bindjet e saj dhe si u ftua ne ate emision.
    Duhet te ishte menduar mire para se ti lutej gazetarit qe ta ftonte ne ate emision per tu perball me E.RAMEN.

    E ndoqa nje here ne drejtimin e nje si bicim koncerti ne Shkoder ku deshi te prezantohej si “kompetente” ne artine te drejturit te spektaklit ne skene.Doloi bllof.Gentiana nuk ke bere zgjidhjen e duhur ne jete,do te kesh probleme gkithmon shiko te gjesh sektorin qe pershtatet.

    Mesuesi Juaj i Gjuhes Shqipe

  10. zana thotë:

    16 February 2007 @ 8:22 am

    Sa te helmuar jeni ne shpirt o njerez!òfare the vajza te gabuar?????
    Mjaftont’ju dali nje qe nuk flet mire per idhullin tuaj tezbuluare e nderseheni.Endri,sikur te mos mjaftoje i ben edhe biografine e deshtimeve profesionale.i deshtuar ne kete rast nuk eshte vaza,ne mos per tjeter natyra kaqene bujare me te dhe e ka bere te bukur…Lukuni…

  11. Naimi thotë:

    16 February 2007 @ 9:30 am

    Me duket se kohet e fundit peshku pa uje eshte qelbur nga virusi ramist. Eshte e vertete se ka vend per te kritikuar missin ne fjale. Megjithate ajo tregon ujkun dhe ju shikoni gjurmet.

  12. Altona thotë:

    16 February 2007 @ 9:47 am

    Fjale me vend! Eshte apo jo Miss ajo, kete e ka treguar diku tjeter. Une mendoj se ne ate emision ajo nuk ishte e ftuar si miss, por si perfaqesuese e institucionit ku punon, ndaj dhe ka bere ate pyetje. Sa per Z. Rama, nese me te vertete do te kishte nje pyetje duhej ti pergjigjej, por jo te te injoroje ashtu pa pike turpi apo dhe me keq te te ofendoje. Kush eshte ky mo qe ofendon e injoron gjithkend?

  13. big brother thotë:

    16 February 2007 @ 10:14 am

    Haha
    Ajo Genta eshte nje cope mishi me dy sy.
    Po nejse mo, Rama dihet qe eshte i paedukate.

  14. Vlore1920 thotë:

    16 February 2007 @ 10:23 am

    Kjo ja fut kot. Ne s’po veme dot ne vije dritat, ujin e rruget, kjo na kerkon problemet sociale ne familje.
    Ne na mungon baza akoma. Ato gjera shikohen po jane faze tjeter. Shoqata eshte:Grate mbeshtesin grate. Ca kerkon nga Rama kjo :D:D

  15. Kotherja thotë:

    16 February 2007 @ 10:46 am

    Aq di aq thote. Nuk ka pse ta mbysni vetem qe flet. Nuk prish pune se flet.

    Do mesoje nese e ka gabim.

    E keqja eshte se nuk kupton qe e perdorin. Eshte e domosdoshme ta kuptoje kjo cupa.

    Mu kujtua filmi ” Cifti i lumtur” . Ne ate kohe eshte xhiru ky film Gerta nuk ka qene akoma projektu. Atje ka nje batute.

    “A, nese te ka ik vajza pa leje , ashtu sikurse na ka ik dhe neve, atehere une te shtrengoj doren” Beb Shiroka dhe Nikolin Xhoja.

    Gerta nuk fillon jeta ate dite qe ke fillu ti me u ba drejtuese e njeres prej 2000 e ca shoqatave shoqatave, OJF-ve dhe OJQ-ve.

  16. Dea thotë:

    16 February 2007 @ 10:47 am

    Nje pergjigje ka dash Ramadani ne nje emision televiziv ( se ato te tjerat ja tregoi Sot, Edit).
    Po ku i mere pergjigje ketyre mi cuc aman. Keta e dredhin fjalen para burrave me ‘namuz’ te sojit te tyre dhe sja ben syri terr.Skan pike karakteri e edukate as para mamit e motres (se gurn spo e quajme).Ku u kerkohet pergjegjesi ketyre mi? Prane tyre mundesisht mundohu gjej ndonje cep e mbulo koke, se ti nxjerrin syt e se merr vesh as nga te erdhi….
    Edhe aq kot sja ka fut kjo copa misht joooooooo. Ska emancipim te shoqeris pa emancipimin e gruas dhe rrjedhimisht familjes.
    Me respekt per femrat, se s’jeni rrit rrugeve!

  17. albos thotë:

    16 February 2007 @ 11:15 am

    ca dmth
    ” lyerja e ca palleve, apo vendosja e një stoli.”

    Rama doli lakuriq e nuk kishte gje te lyer ;)

  18. kujtesa thotë:

    16 February 2007 @ 11:23 am

    16 Shkurt 2007 @ 10:14 am

    Haha
    Ajo Genta eshte nje cope mishi me dy sy.
    Po nejse mo, Rama dihet qe eshte i paedukate

  19. elbasani thotë:

    16 February 2007 @ 11:27 am

    kush eshte kjo Genta?
    nejse ska rendesi, por duhet te nenvizoj nje fakt.

    ne Shqiperi gazetaret jene shume qesharak ne formulimin dhe permbajtjen e pyetjeve.
    jane teper amator dhe teper te polizuar dhe pak te formuar
    per shembull si eshte e mundur qe Mero Baze te jete gazetar, opinionist kryeredaktor i nje gazete?
    eshte nje tjeter te gazeta Sot, Mustafaj, ai eshte rracist dhe e shpreh dhe ne opinionet e tij rracizmin ne menyre qe dhe Hitleri da ta kishte zili

  20. lis thotë:

    16 February 2007 @ 11:35 am

    elbasan, mos e ke fjalen per Kastriot Myftarajn te gazetes “Sot”? Jam dakord per kete te fundit, ato qe ai shkruan (teori antisemite) jane racizem i paster (megjithese ai ka rrethanen lehtesuese qe nuk eshte i shendoshe menderisht) dhe sipas Kushtetutes nuk do duhej te botoheshin. Megjithate nuk me pelqen kur pergjitheson per gjithe gazetaret. Si ne cdo profesion, ka te afte dhe jo. Nuk futen te gjithe ne nje thes.

  21. elbasani thotë:

    16 February 2007 @ 11:40 am

    jam dakort qe nuk duhet te pergjithesosh por kush jane keta te afte gazetar qe kemi?
    me thuaj nje.
    per shembull te opinioni kemi blendi fevziun qe ka 4 vjet qe nuk jep me informacion etj

  22. lis thotë:

    16 February 2007 @ 12:37 pm

    elbasan, ti je jashte shtetit, por edhe sikur ketu te ishte, nuk do te mund te informoheshe dot pa perdorur gazetat dhe televizionin. Ato lajme qe ti (dhe une) lexon dhe me te cilat formon opinionet e tua, pergatiten perdite nga reporteret e terrenit. Ti po ngaterron pak analistet me duket me gazetaret. Une mund te te shkruaj nje liste te gjate me gazetare (me pak te famshem) qe jane profesionale dhe raportojne objektivisht, por kam frike se ngaqe nuk jane kaq te famshem sa analistet nuk eshte se do arrijme gje. Fevziu eshte drejtues emisioni (host of a talk show). Sa per analiste qe une per vete i lexoj me qejf, jane Andi Bushati, Blendi Kajsiu (sa per te permendur disa, pasi me qellon te lexoj gjera te mira nga njerez te ndryshem ashtu sikur qellon, qe dikush qe pelqej te shkruaj dhe ndonje gje koti). Nuk e di ai ndjek dot nga aty ku je, por emisioni i Bushatit per Kosoven (zone e ndaluar, me ka pelqyer shume), per te permendur nje nga te fundit.
    Edhe nga anshmeria e skajshme e dikujt mund te informohesh. Psh nuk besoj se ka gazetar/analist me te informuar per punet e qeverise sot se sa Mero Baze. Pavaresisht nese me peqlen apo jo, kur e lexoj marr vesh se ku do me dale qeveria apo “ku fle lepuri”.

  23. farfalla thotë:

    20 May 2008 @ 7:52 pm

    Se kuptoj …
    Po cfare intelekti keni edhe ju te dashur komentues?
    Ne rradhe se kuptoj pse e personifikoni nje njeri me emrin miss?
    Fillimisht ajo eshte Gentiana Ramadani dhe para se te ishte nje miss eshte nje vajze e thjesht jeta e te ciles mori nje kthese ne moshen e adoleshences,nje kthese qe shum prej jush do ta kishit dashur,dhe tani po flisni nga inati.
    Se marr vesht se si nuk e keni kuptuar se kush eshte ai Rat ma?
    Po flasim per nje njeri qe se di se cfare eshte familia e kshuqe ska se si me njoft edukaten e mbi te gjitha ska se si te jape kontribute institucioni qe ai drejton se ai nuk mund te njihet as si njeri
    Genta te lumte per perpjekjet qe ben ne mndihme te komunitetit

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.

  • Po shikoni nje artikull ne faqen e arkivit te Peshkut pa Uje. Per te pare faqen aktive, shkoni tek peshkupauje.com