(Princi i vogel) Ndodhej në zonën e asteroideve 325, 326, 327, 328, 329 dhe 330. Pra filloi t’i vizitonte me shpresë se do të gjente atje ndonjë punë me të cilën të kalonte kohën dhe njëkohësisht diç të mësonte.
Në të parin banonte një mbret. Mbreti, i veshur me purpur e me hermelinë, qëndronte ulur në një fron shumë të thjeshtë, po prapë të madhërishëm.
-Ah! Ja një nënshtetas, - ia pat mbreti me ta parë princin e vogël.
Dhe princi i vogël tha me vete të tij:
«Si mundi e më njohu, gjersa nuk më ka parë kurrë?»
S’e dinte se bota mbretërve u paraqitet tepër e thjeshtuar. Të gjithë njerëzit janë për ta nënshtetas.
-Afrohu, se dua të të shoh më mirë, - i tha mbreti, që krenohej së tepërmi që po bëhej së fundi mbret për dikë.
Princi i vogël kërkoi me sy ndonjë vend ku të ulej, por planeti ishte i zënë tejpërtej nga manteli i mrekullueshëm mbretëror. Qëndroi pra në këmbë dhe, meqenëse ishte i lodhur, hapi gojën e gogësiu.
-Etiketa nuk e lejon që të gogësish përpara madhërisë së tij, - tha mbreti. - Unë ta ndaloj këtë.
-Po unë nuk mundem të mos gogësij, - u përgjigj princi i vogël, i turpëruar. - Sepse kam bërë një udhëtim të gjatë dhe jam pa gjumë…
-Kur qenka kështu, - tha mbreti, - të urdhëroj atëherë të gogësish. Ç’prej vitesh nuk kam parë njeri duke gogësirë. Gogësimat janë për mua ca gjëra fort të kureshtshme, Jepi! Gogësi akoma. Ky është një urdhër.
-Po ju më frikësoni… oh, jo, kështu nuk mundem, - tha princi, i kuq në fytyrë.
-Hm! Hm! - u gjegj mbreti. - Atëherë unë… unë të urdhëroj që edhe të gogësish, edhe të mos gogësish, një herë po, një herë jo …
…