Login



Register

Zvarritja qe vret

“Mediat dhe Politika: Fabrikimi dhe imponimi i “mendimit kolektiv”- ishte titull shumë tërheqës. Nuk i bëje dot bisht me një sy. Publikuar nga lektori kosovar Gezim Mekuli në shkencat e mediave në Oslo, artikulli ishte himn për “shpëlarjen e trurit” që po i bëjnë mediat vendase kosovarëve dhe dëshirës së tyre për pavarësi. Bëhet fjalë për vetë mediat kosovare dhe opinionin e kontrolluar që ato injektojnë në aspiruesit për mëvetësi. Gishti mbi plagë e çon autorin të deklarojë se “edhe pse Kosova vetëquhet shoqëri demokratike, nuk është e tepërt nëse thuhet se sot ajo i përngjan më tepër një sistemi propagandistik totalitar”.

Ideja mbështet në përkufizimet për monopolin në lajme e në media, që është mekanizmi kontrollues më efikas i mendimit dhe debatit të lirë. Sipas autorit, shumë prej intelektualëve kosovarë të mendimit kritik nuk lejohen që të marrin pjesë apo të ndikojnë në zhvillimin e debatit kritik dhe kjo e bën situatën më të ngjashme me një sistem totalitar, ku është shteti ai që vendosë se cili mendim, ide dhe opinion “duhet” të dominojë në media dhe hapësirën publike.

Edhe nëse ky shkrim nuk ndeshet në burimet alternative të lajmeve mbi Kosovën, ngjarjet e fundit vetvetiu të çojnë të mendosh në të njëjtën linjë shqetësimi që ngrihet aty. Duke filluar që nga deklaratat e pafund për “përcaktimin e statusit final të Kosovës” është e pamundur të mos mendosh se ndikimi i tërthortë i UMNIKUT dhe ndërkombëtarëve është duke vepruar me qetësinë më të madhe për të shuar idetë “e çartura” për pavarësi.

Zvarritja është shfarosësja më e mirë e urgjencës së mendimit; kurse shpallja e opinionit publik që “duhet” të dominojë në trurin e masës vazhdon të paravendoset e të thuhet publikisht nga kontrolluesit modernë të mendimit. Katalizator i tyre i vetëm janë interesat. Kombëtare, politike, mediatike, financiare apo të çfarëdo lloji qofshin, interesat janë duke bërë një shpëlarje të frikshme truri në opinion publik shqiptar.

Që prej Marsit të vitit 1999 Kosovarët vazhdojnë të presin e të ngopen me lugën bosh të ndërkombëtarëve që ende nuk po e gjejnë rrugën të mbulojnë arbitrimin e 1913-ës. Atëherë u deshën vetëm pak orë, e tashmë u dashkan vite, njerëz e miliona të tëra të kuptojmë se Kosova jo vetëm duhet të presë, por edhe duhet të fillojë të ndërgjegjësohet pak e nga pak se fatet e saj nuk janë hiç ashtu siç imagjinojnë shqiptarët e saj. Shtyrja e pafund e marrjes së një vendimi është loja më acaruese që bëhet mbi ta. Detyrimi për të pritur zakonisht e kryen efektin e parashikuar. Falë tij, edhe ndikimi mbi alternativën e shpalljes së njëanshme të pavarësisë ka filluar të jetë aq i fortë, sa frika ndaj pasojave të saj ka filluar të jetë në qendër të opinionit dominues që po përhapet ngadalë dhe në mënyrë konstante në Kosovë.

Botërisht është e ditur se debatet publike dhe mediat respektojnë një “marrëveshje të panënshkruar” me politikat në fuqi dhe të pothuajse të gjitha pikëpamjet “e tjera” mbesin jashtë këtyre mediave. Të ketë reshtur vërtet brenda tetë vjetëve pasioni kosovar për mëvetësinë deri në atë pikë sa çdo rekomandim për shtyrje të pranohet kaq i paqtë, kaq publikisht, të shpallet dhe mbrohet edhe nga vetë mediat brenda saj? Kosova i rezistoi mos-asimilimit serb sepse ndaj tyre përdorej dhuna (e cilitdo lloj). Kurse ndërkombëtarët e sotëm po e mbajnë dëshirën për pavarësi nën kontroll, dominim dhe pothuajse nënshtrim ndaj pritjes së pafund thjesht duke përdorur në mënyrë shumë ndikuese arsyetimin. Dhe bërjen publike të tij nëpërmjet vetë medieve kosovare.

Ideologjia e përdorur nuk është shumë ndryshe nga ajo që ka pasur sukses në Gjermaninë e viteve ’30-të apo në Europën Lindore të gjysmës së dytë të shekullit XX. Siç shprehet Mekuli, “dominimi dhe kontrollimi i ideve bëhet “vetëm” për “të mirën” e popullit kosovar”; për të mirën e shtetit të ri që patjetër do ta krijojnë ndërkombëtarët. “Si jo?! Ja, durim, edhe nja 400 vjet të tjera, sa t’ju shkulet pak nga mendja kjo e bezdisura fjalë. Pavarësi! Po, po. Ja, për të mirën tuaj do ta mendojmë edhe një herë. Do ta bisedojmë. Patjetër do ta bisedojmë”-është refreni i përhershëm i ndërkombëtarëve. Mungesa e transapencës dhe dominimi, çdo herë, paraqiten si diçka “e pa interes”, “humanitare dhe shpirtmirë”.

Mekanizmat kontrolluese nuk janë shumë të lehta për t’u dalluar me sy të lirë. Konsumuesit e mediave e kanë shumë të vështirë ta dallojnë atë. Madje, kur është i sofistikuar, mekanizmi të jep shpesh idenë e delirit ndaj asaj që krijon përshtypjen se të fal, duke të bërë gjoja pjesë aktive në debat edhe kur ai është përtej xhamit apo mbërritjes reale.

Në Kosovë po përhapet i ngadaltë po aq sa edhe i sigurt mendimi kolektiv për shumë aspekte. Sipas autorit kosovar Mekuli, “Sistemi kontrollues i mendimit dhe debatit efektiv nuk është i hapur, por ai është shumë imponues dhe i cunguar”. Madje ai thotë se në lojë duket sikur janë futur edhe “opinion- bërësit” që përkrahin zvarritjet dhe shpallin analiza që i ngjajnë projektuesve institucionalë të shfarosjes së mendimit të pavarur. Furnizimi i shpeshtë me informacion të gatuar në zyrat e marrëdhënieve me shtypin në Kosovë dhe në ato që kanë të bëjnë më Kosovën, njëlloj si analoget e tyre po zbatojnë detyrën teksa ndërtojnë e të përpiqen të fabrikojnë “unitetin” në mendimin politik dhe “mendimin e masës”.

Fabrikimi i ideve kosovare sot nuk ka nevojë për dhunë fizike nga Serbia. Ai po arrihet shkëlqyeshëm nga shkenca e re e marrëdhënieve me publikun, nga pranimi i ideve dhe nënshtrimi pa filtër nga mediat. Idetë, mendimet dhe ndjenjat për ndryshim të japin përshtypjen sikur po arrijnë lodhjen nga frika e përcillen në fikje e sipër.

Po cili është roli i vërtetë i mediave kosovare sot? Nën akuzat e të qenit vegël e ngadalësisë vrasëse të qëllimeve kosovare, a kanë ato të drejtë të përcaktojnë e para-shpallin të “vërtetën” politike dhe historike të shqiptarëve aty? A po kthehen ato në “fabrikuese të mendimit kolektiv?”. Përgjigjet për më sipër, më tepër se çfarëdo tjetër, cenojnë qëllimin për të cilin kosovarët kujtojnë se ekzistojnë. Zvarritja dhe shuarja e tij do të ishte prurja e vetme e rolit fabrikues, nëse mediat kosovare, ashtu siç ngre me të drejtë shqetësimin autori kosovar, i janë nënshtruar vërtet një ndikimi të tillë.

t_red

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

8 Komente

  1. losttext Shkruaji mesazh privat thotë:

    28 January 2008 @ 7:33 am

    Kurse ndërkombëtarët e sotëm po e mbajnë dëshirën për pavarësi nën kontroll, dominim dhe pothuajse nënshtrim ndaj pritjes së pafund thjesht duke përdorur në mënyrë shumë ndikuese arsyetimin.

    Puna eshte se autori i cituar ne artikull me duket se e sheh kete perlesheli` te nderkombetareve nisur nga premisa shqiptare-etnike. Por Kosova, te pakten hapur, nuk pranohet te jete entitet (shtet) i ndertuar mbi uniformitetin etnik te popullsise, packa se ky i fundit ishte/eshte katalizatori per ndryshimin edhe nje here te relievit te kufijve ballkanike.

    Sikur te ishte e thjeshte, ceshtja e pavaresise, e bashke me te edhe kontrolli i supozuar i mendimit te shprehur neper media, do ishin zgjedhur me kohe.

    Cdo shenje e mendimit ndryshe, apo rebelim e ngritje zeri ndaj kesaj mefshtesie nderkombetare, eshte fare kollaj te merret dhe interpretohet si shenje revanshizmi, ultra-nacionalizmi dhe serbo-fobie.

    Ka te ngjare qe ky kontroll i medias nga qeveria e Kosoves dhe UNMIKU te vazhdoje edhe pas shpalljes se pavaresise…

  2. Haxhiu thotë:

    28 January 2008 @ 11:19 am

    Zvaritja e pavaresise done me thene:Nenshtrim i popullit shqiptar ku nga ndrkombetaret nuk do permendet fjala pavaresi,edhe kur parlamenti kosoves e shpalle kete.Per te gjitha keto probleme eshte rezuluta 1244.Kosova do te jete nene mbikqyrjen e nderkombetareve edhe per disa dhjetra vite.Dhe nese e shohin ndonje te mete te qeverisjes do behet berllog puna e kosoves nga nderkombetaret!Dhe ka mundesi qe sipas pakos se Ahtisarit e sheh qe nese komuniteti serb nuk voton pro pavaresise nuk mundet te aprovohet vendimi qe do e marrin parlamentaret shqiptar!Ne fund nuk ka se çka te beje populli sepse tjeret marrin vendime per nje gje te tille.Per tu pavaresue kosova ma pare duhet te mbahet referendumi gjithepopullor e mbas saj shpallja e pavaresise.Kjo eshte rregulle nderkombetare e jo fjale e imja boshe!
    Eshte ka luhet nje loje me permasa te papara,sidomos per shqiptaret,nga ana e qeveritareve kosovarEdhe nese shpallet kosova e pavarure,qeverija e kosoves nuk do te ka mundesin e ratifikimit te akteve vendim marrese per as nje gje!!
    Nese ka dikush me shtue ma teper ,ma konkret shkruani se nuk eshte loje te lozet me nje popull prej dy milionesh!
    Zot shpetoje shqiptarin

    Haxhi.L.K.

  3. Tironsi thotë:

    28 January 2008 @ 12:06 pm

    “Eshte ka luhet nje loje me permasa te papara,sidomos per shqiptaret, nga ana e qeveritareve kosovare”
    Ca a ka luhet, Haxhi?

  4. Haxhiu thotë:

    28 January 2008 @ 3:21 pm

    A e ke ndegjuar Nasradinin kur e sharritke drynin e shitores dhe njani ja bani çka po bane Nasradin? Ai ja priti pi bie sharkis !Ky:Por Nasradin nuk pi nihet zani !Nasradini ja priti;Ja ndegjon neser!
    Tiranosi,ja nin zanin edhe Tiranes s’uaj se keni bere pushim mjafte,dhe duhet me kecyer pakes vallen e SHotes!

  5. Zana Shkruaji mesazh privat thotë:

    29 January 2008 @ 10:40 pm

    Sipas teje Haxhi ne paskena ba pushim mjafte???Kur do ti dilni vetes zot ju kosovaret Haxhi??Nuk nxirren geshtenjat prej zjarrit me duart e te tjereve.Lavdi Zotit Shqiperia eshte shtet i pavarur,nuk eshte ne lufte me askend,bile as me serbet.Ju n’qofshi te zot rehatohuni.E mandej,me duket se nuk na pelqen me marre fort urdhna e aq mapak prej jush.Shqiperia e diftoi veten kur duhej……….Keni marre per s’koti.Nuk jua ka fajin As Tirana e jam gati te mendoj as Beogradi.E keni te keqen brenda.Sa ma ipakulturuar e i papjekur te jete nje komb,aq me kollaj e pa qendrese i perpunohet mendimi e deshira.Mbi te gjitha vlera si pavaresia meritohet….

  6. AR31 Shkruaji mesazh privat thotë:

    29 January 2008 @ 10:51 pm

    Si moj Zana nuk ja paska fajin Beogradi??? Po ne rastin me popujt e tjere te Ballkanit, prape s’paska faj Beogradi? mos u beni negacioniste o njerez! Po Kosoven kush e masakroi? Ufot? Kosovaret jane shqiptaret porsi ty dhe une, ndaj ne keto momente ti mbeshtesim sa me teper deri sa te dalin te pavarur. Po eshte e vertete, qeverite shqiptare(ps, pd) kane bere shume shume pak per Kosoven, kane heshtur para drames kosovare, kane luajtur me te, kane pritur, jane bere tellall zerash te trete qe nuk e njohin problemin nga afer. Ne ende vazhdojme ta trajtojme ceshtjen e Kosoves si ceshtje qe nuk na perket! ky eshte skandal!

  7. Zana Shkruaji mesazh privat thotë:

    29 January 2008 @ 10:59 pm

    AR31!Thashe gati mendoj………..N.q.s nuk i sheh zgjidhjet e problemeve kryesisht brenda vetes,pak ke per te zgjidhur,keq,e pjesshem.Pastaj ti merre shtruar mor burre.Ne a hoqem nje diktature terribile 50 vjeçare,nuk di te pakten nuk kam informacion se kosovaret u shpupurishen fort per ne.E keqja eshte ekeqe edhe kur ta ben serbi edhe kur ta ben Enveri.Ne megjithate iu hapem dyert e beme te paberen per ta.Ti mos ubej negacionist e mohon çka u be per kosovaret.Ne kemi shume e shume probleme te tjera,aspak kohe per te humbur e te ndryshme prej Kosoves.Do te preferoja te zgjidhnim ato.

  8. Jetoni thotë:

    31 January 2008 @ 3:53 pm

    Mekuli tregohet analist dhe kritik i rrept i mediave masive ne Prishtine dhe ne Tirane. Shume here ka te drejte edhe ia qellon, edhe pse shpesh me duket se eshte majtist i rrezikshem. Por majtist qe e njef shkencen e mediave te permasave boterore.
    Pergezime

Burim RSS për komentet

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.