Zjarrvënës

Nga Redi Shehu

Gazeta Start

Gjelbërim nën smogun bojë hiri të pambarim dhe flakë në të kuqe të ndezur që natën e bëjnë ditë dhe ditën e verbojnë nga perde tymi që përfshijnë shtete të tëra. Në kuadrin e kësaj tymnaje gjigande, nuk mund të shpëtonte edhe Shqipëria jonë e vogël dhe e shtrenjtë e cila në luftën e vet me flakët herë del fitimtare dhe herë humbet.

Nuk do të ketë panoramë më të dhimbshme, pas atyre të luftrave, se sa një pllajë plot me pemë ulliri shumëvjeçare të kthyera në ngjyrë ndryshku nga përzhitja e flakëve “ledhatuese”.

Fatmirësisht në ndryshim nga fqiu ynë grek, i cili nuk pati luksin të kishte keqardhje për pemët, pasi i ishte shkrumbuar shtëpia dhe familja, në Shqipëri përqëndrimi dhe për rrejdhojë edhe keqardhja u fokusua më shumë në djegien dhe shkrumbimin e qindra hektarëve pyje, të cilët sfiduan sëpatën gjakatare të kondrabandistëve të lëndës drusore që për dekada me radhë kishin bërë pothuaj të njëjtin dëm.

Keqardhja pastaj pasohet me habinë dhe më pas me një ndjenjë revolte të pashmangshme kur mëson se e gjithë kjo flakë, ky xhehenem tokësor, kishte për shkaktar jo një pasojë të ashtuquajtur natyrore, por as më shumë e as më pak, disa homo non-sapiens, rezatues të egërsisë intelektuale dhe shpirtërore, të quajtur zjarrvënës.

Jashtë çdo parametri logjik dhe aq më tepër ambiental, me një çfarëdo mjet prodhues flake, ata i vunë zjarrin më shumë se sa pyjeve, veteve të tyre. Duhet të kesh një koncept krejt jashtëtokësor, një konsideratë tepër të ulët për gjelbërimin, një qasje kataklizmore për gjithçka që përbën pejsazh, që të jesh në gjëndje që me vetëdije të plotë të shndërrosh të gjelbërtën, ngjyrën më të natyrshme të njeriut, në të kuqe dhe pastaj në ngjyrë gri funerali.

Është shumë e vështirë të gjesh një argument logjik, në mos të paktën në mënyrë inferiore të arsyeshme, për të mbushur boshllëkun kuptimor të një veprimi të tillë. Natyrshmëria njerëzore që prehet në ajrin e pastër dhe burimeve që rrjedhin mes pemëve të gjelbërta dhe barit krejt të pafajshëm gjer në naivitet, duket se nuk ekziston tek këta njerëz që me veprime të tilla, ndoshta të “fyer” nga përditshmëria e gjelbërt e tyre dhe e vendbanimeve të tyre, preferuan të ndërrojnë pejsazhin e të gjithëve.

Katastrofa ambientale që mori me vete në rrokullisje e sipër, jetë njerëzish dhe pasuri materiale, vetem se dikush mendon të sfidojë dikë duke i vënë zjarrin vendit të përbashkët, me siguri është një tregues i katastrofës shpirtërore të zjarrvënësve.

Në të vërtetë e gjithë historia njerëzore fatkeqësisht është vërtitur midis zjarrëvënësve dhe zjarrëfikësve. Midis atyre që kërkonin me çdo kusht të shfrenin nefset e veta në kurriz të të tjerëve dhe atyre zjarrfikësve të cilët punonin për të riparuar dëmet e tyre dhe për të ndërtuar e jo shkatërruar.

Zjarrvënia nuk është thjesht një fenomen i jashtëm, por është një fenomen që burimin e ka nga brënda. Në fakt zjarrëvënia është pasojë e jashtme, pas zjarrvënies së brëndëshme që ndodh me individë të tillë. Pas shkatërrimit të parametrave bazë që dallojnë një qënie njerëzore nga të tjerat.

Shtimi i rasteve të zjarrvënieve në botë nga viti në vit, në mënyrë dramatike është një nga treguesit se shoqërisë sonë moderne po i del tymi.

Papërgjeshmëria e shkatërrimit të një prone të përbashkët përbën edhe fillimin e degradimit të një shoqërie, ndërsa shkatërrimi i qëllimshëm i pasurive natyrore është fillimi i funeralit të saj.

Zjarrvënia e qëllimshme e një pejsazhi mahnitës natyror, nuk është gje tjetër vetëm se pamundësia për të shkaktuar luftë me njerëzit e kthyer në drejtim të natyrës.

Këta njerëz zjarrvënës të natyrës pak ndryshim kanë me zjarrëvënësit e qënies njerëzore, shkaktarë të luftrave apo edhe viktimave të tyre. Ndryshimi mes tyre është objektivi i zjarrvënies, ndërsa e përbashkëta e tyre është zjarri. Të ekzaltuar shpesh edhe nga lajtmotive të tipit ”light my fire”, ata ndezin deri në tërbin zjarrin brënda tyre i cili reflektohet pastaj në drejtim horizontal në marrëdhëniet e tyre me shoqërinë dhe ambientin.

Me e pakëta e mundshme e tyre është kapja dhe dënimi i merituar, me madhja e mundshme dhe më e vështira është edukimi i brezave të tërë mbi atë se cili duhet të jete impakti i individit me shoqërinë, të drejtat dhe detyrat e secilit ndaj komunitetit. Zjarrvëniet masive tregojnë se ky proces ka degraduar tashme. Tymi i pamasë që po kaplon shtete të tëra në ndryshim nga kohët e lashta kur përdorej si mjet sinjalizimi, sot në kohët moderne ky tym është një sinjalizim se njerëzit e sotëm edhe pse më të larë, të parfumosur dhe më të mirëveshur, në të shumtën e rasteve janë si ato pemët e mëdha hijerënda por që nga brënda trungut të tyre janë të zgavëruara.

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

1 Koment

  1. ilir thotë:

    14 July 2008 @ 11:55 pm

    ku ishin keto zjarrevenesa te pa shpirte ne kohen e xhaxhit?Tani jane bere trima,po nuk pati nje denim te rende per kete ata do vazhdojne ta bejne

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.

  • Po shikoni nje artikull ne faqen e arkivit te Peshkut pa Uje. Per te pare faqen aktive, shkoni tek peshkupauje.com