Zbulohet vila me e madhe romake nen token e patateve

Zbulohet vila romake nën tokën e patateve

Atje ku dikur prodhohej patatja, arkeologët zbulojnë vilën më të madhe romake dhe rrënojat e një bazilike e të një mazoleumi. Arkeologët: Butrinti i mbijetoi periudhës së paqëndrueshme të antikitetit të vonë. Konstandinopoja e konsideronte si një pikë të rëndësishme strategjike që duhet ta zotëronte me çdo kusht…

Shkruan nga Butrinti, Kristi Pinderi

Arkeologët shqiptarë dhe anglezë që punojnë në Butrint kanë mundur të kuptojnë këtë vit se ky qytet i jashtëzakonshëm u ka mbijetuar sulmeve barbare dhe ka mundur të jetojë edhe në antikitetin e vonë. Gërmimet e këtij viti në fushën e Vrinës kanë zbuluar gjithcka nga rrënojat e një vile romake, e cila për nga përmasat duket se është vila më e madhe romake e zbuluar ndonjëherë në territorin shqiptar.
Matthew Logue, një arkeolog irlandez shpjegon për revistën MAPO se siti i gërmimit në fushën e Vrinës ka treguar se pas një tkurrjeje si pasojë e një periudhe të paqëndrueshme në antikitetin e vonë, popullsia vendase vazhdoi të zhvillojë jetën e saj në Butrint. Këtë e tregon më së miri vila romake në Vrinë, e cila rreth shekujve të 7 dhe të 8 u shndërrua në një stacion shërbimi për të gjithë udhëtarët që kalonin në të.
Pak metra larg rrethimit të vilës janë zbuluar gjurmët e një rruge strategjike ngjitur me akuadoktin romak. Rrënojat e kësaj vile shtrihen në një territor shumë të madh aq sa të duket jashtëzakonisht impresionues. Dhe të mendosh që e gjithë kjo pasuri ka qenë e mbuluar pak kohë më parë nga dheu dhe e gjithë fusha ka qenë e përdorur për të kultivuar kulturën e patates…
Përbri kanalit të Vivarit sot shikon vetëm disa peshkatarë të moshuar që hapin apo mbyllin për efekt peshkimi portën që lidh kanalin e Vivarit me liqenin e Butrintit, por shekuj më parë, kjo zonë ishte një prej qendrave kryesore të Butrintit, ku gjallonte jeta e ku një familje shumë e pasur vendase zotëronte këtë vilë, që më vonë e transformoi në një stacion shërbimi për udhëtarët.
Pak kohë më parë arkeologët zbuluan ngjitur me këtë vilë një strukturë që u ngjasoi me një tempull. Por këtë vit ata kuptuan se ajo strukturë, nuk ishte në fakt një tempull, por një mazoleum ku preheshin eshtrat e familjes së pasur që e zotëronte këtë pronë impresionuese. Matthew Logue, arkeologu irlandez që dy vitet e fundit është përqëndruar në disa kulla perëndimore të qytetit të Butrintit, sqaron se gërmimet në fushën e Vrinës kanë lidhje pikërisht me këto kulla që ai po studion.

Koleksioni që përballoi zjarrin

Logue vazhdoi edhe këtë verë gërmimet në këto dy kulla të Butrintit, që cilësohet si pjesa më e dukshme e një sistemi mbrojtës të vendosur në pjesën perëndimore të murit të qytetit. Njëra prej Kullës është një prej monumenteve të para që të shfaqet para syve teksa ke hyrë në qytetin e lashtë. Gërmimet e para në të nisën në vitin 2004 nga Instituti i Monumenteve.
Rreth shekullit të shtatë një popullsi e vogël e Butrintit ishte vendosur pikërisht rreth kësaj kulle. Në shekujt e 8 dhe të 9-të pas Krishtit, ajo u pushtua nga qeveritarët e qytetit, derisa në një moment, u shkatërrua nga një zjarr. Të ndërgjegjshëm se zjarri nuk do të kishte lënë asgjë të vlefshme në rrënojat e kullës, arkeologët e vazhduan punën pa ndonjë entuziasëm të dukshëm.
Por ajo që nuk e kishin menduar ndodhi kur, në një shtresë të poshtme të dyshemesë së dikurshme të kullës, zbuluan një koleksion të plotë me objekte prej qeramike, të cilat, sipas specialistëve të Fondacionit Butrinti, që po i studiojnë, janë unikale dhe të pa hasura në vende të tjera. Veç qeramikës, arkeologët zbuluan dhe objekte të tjera gjithashtu unikale, prej qelqi dhe metali.
“Qeramika e zbuluar na konfirmoi se Butrinti ka jetuar në një traditë të pasur të prodhimit të qeramikës, ndërsa objektet prej qelqi vërtetojnë se ky qytet, ndonëse nuk jetonte më në ditët e tij më të mira, vazhdonte të bënte tregti me qytetet italiane kryesisht”, thotë Logue, i cili përmes këtij gërmimi në Butrint, pret të marrë doktoraturën në Irlandë.
Zjarri e detyroi popullsinë elitare të Butrintit, të zhvendosej përfundimisht në atë periudhë në fushën e Vrinës, që ndodhet në anën tjetër të Kanalit të Vivarit, pikërisht përballë qytetit antik. Ishte pikërisht kjo zhvendosje që bëri që të riorganizohej qyteti, tashmë mesjetar i Butrintit, e madje të lulëzonte si një forcë e dukshme. Në rrënojat e vilës së dikurshme romake, tani shtrihen rrënojat edhe të një bazilike përsosmërisht të ngjashme me bazilikat e hershme të ndërtuara në territorin e Shqipërisë. Ishte pikërisht familja e pasur që zotëronte vilën ajo që ndërtoi edhe bazilikën, sipas një rregulli që familje të tilla me mirëqenie të kishin në pronën e tyre edhe një objekt kulti.
Kjo bazilikë është shumë e ngjashme me një bazilikë tjetër të zbuluar në Diaporit, një lagje kjo periferike e Butrintit. Në fillim të shekullit të 9-të një qeveritar i Kostandinopojës u vendos në Butrint. Ai zgjodhi si rezidencë të tij pikërisht qendrën e zbuluar në fushën e Vrinës. Logue shpjegon se ai “guvernator” ishte një prej njerëzve më të rëndësishëm të Kostandinopojës së atëhershme dhe fakti që pikërisht ai u vendos në Butrint tregon së për Kostandinopojën kjo qendër kishte një rëndësi të madhe strategjike, ndaj ajo duhej zotëruar me cdo kusht.
Komuniteti vendas, pas vendosjes së qeveritarit të Kostandinopojës nisi të mos kishte më frikë nga paqëdnrueshmëritë dhe sulmet e vazhdueshme të kohës dhe dalëngadalë qyteti e rimori shkëlqimin e dikurshëm dhe jeta nisi të zhvillohej normalisht. Ata vazhduan shkëmbimet tregtare dhe rinisën të prodhojnë qeramikë dhe objekte të tjera vendase.
Këto zbulime dhe e gjithë seria e gërmimeve të fundit në Butrint duket se janë epilogu i një studimi të hollësishëm të kësaj qendre të UNESCO-s që sot thith numrin më të madh të turistëve të huaj dhe vendas në territorin shqiptar. Politika e re e Fondacionit Butrinti dhe e gjithë strukturave shqiptare të trashëgimisë kulturore duket se do të fokusohet në vitet e ardhshme jo më tek gërmimet, por te restaurimi dhe konservimi. Eshtë koha që zbulimet e reja në Butrint të konservohen, të ruhen sa më mirë e të fillojnë të vizitohen ashtu si dhe rrënojat kryesore të tij.
Por kur shkon në Diaporit, apo dhe në fushën e Vrinës, trishtohesh kur shikon se ka fare pak sistem mbrojtës të këtyre rrënojave që me ardhjen e stinës së vjeshtës dhe të dimrit mund të dëmtohen. Në Diaporit, arkeologët kanë mbuluar një pjesë të madhe të bazilikës (me tipare të një manastiri), apo të banjës romake pjesë e vilës që ishte ndërtuar në atë zonë. Ama, edhe tani mund të shikosh që pjesë të ndryshme të rrënojave janë prishur nga bagëtitë e shumta që kullosin atje. I njëjti problem mund të jetë edhe me fushën e Vrinës dhe me vilën më të madhe romake të zbuluar në Shqipëri. E gjithë kjo pasuri ka nevojë të ngutshme për mbrojtje, konservim e padiskutim edhe për promovim.

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

7 Komente

  1. flokenaja thotë:

    26 August 2008 @ 2:25 pm

    Ama, edhe tani mund të shikosh që pjesë të ndryshme të rrënojave janë prishur nga bagëtitë e shumta që kullosin atje.

    c’mekat
    cfar qyteterimi kemi patur dhe ku jemi kthyer

  2. etmond thotë:

    26 August 2008 @ 3:58 pm

    sa te pa arsyeshem qe jane ne shqiperi institucionet perkatese qe kan apo marin persiper kryevepra te antikitetit te lashte… dhe sa mjerishte ato shkaterrohen nga baketit qofeshin ato me kater kembe apo me dy!!!!!!!!!!!

  3. zzzz thotë:

    26 August 2008 @ 8:25 pm

    Flokenaja, po s’ka qenë i yni ai “qytetërim”, ka qenë i pushtuesit …

  4. Dori thotë:

    27 August 2008 @ 12:20 am

    Kristi, ke bërë tërë atë punë duke intervistuar ke shkruajtur dhe tërë këtë artikull, s’mund ta çoje punën deri në fund duke i kushtuar pak më shumë vëmëndje fjalëve që përdor? Si p.sh.:
    impresionues - mbresëlënës
    akuadoktin - ujësjellësin
    unikale dhe të pa hasura në vende të tjera - mirë që përdor unikal, po si mund të jetë i tillë nëse haset në vende të tjera??

    Nejse ma merr mëndja se njëfarë mundi e ke marrë për të mos përdorur fjalë të huaja kur e krahason me shkrime të tjera nga shtypi shqiptar.

    A ke ndonjë fotografi apo e ke bërë intervistën larg Butrintit?

    S’e mora vesh, si i prishin bagëtitë këto objekte? Kanë mbijetuar mijëvjeçarë por po prishen tani nga kafshët (jo ato njerëzore)??

  5. trimi thotë:

    28 August 2008 @ 10:47 am

    Sa mire qe behen keto zbulime, por si nuk u permenden njehere arkeolgoet shqipetare, per me teper ata te rinjte???

  6. klajdevour thotë:

    28 August 2008 @ 11:02 am

    dori, ke te drejte per fjalet e huaja, me ndodh gjithmone me shkrimet per arkeologjine, po cte bej, kur kam qene ne fakultet dhe pastaj ne ekspedita gjithmone ujesjellesin romak e quanim akuadokt, gjithmone mesoheshim me fjale te tilla si impresionues, impozant, etj :)
    kam foto, eshte nje foto ajrore ku duket e gjithe vila, po nuk di si postohet, do ia forward adminave me email

  7. auron thotë:

    31 August 2008 @ 12:01 pm

    Kristi

    ndoshta titulli mund te ishte i lidhur me Misrin pasi ne fushen e Vrines (sipas banoreve qe jetojne atje) nuk kan mbjelle ndonje here patate por miser. Gjithsesi, ne fakt monumenti ka nje periudhe prej 8 vjetesh qe germohet nga arkeologet shqiptare dhe te huaj pjese e Fondacionit Butrinti. Duhet ta dish se puna ne kete monument eshte kryer me te shumtit nga studentet shqiptare ( nje forme trajnimi qe pala angleze ju kryente, por dhe nje fuqi punetore e papaguar) nje praktike e cila u kritikua ne mbledhjen e organizuar ne UNESCO ne 31. mars.2005 ne hotel Butrinti. Ekspertet e Unescos e kritikuan kete metode duke e argumentuar se ne qendra te rendesishme si butrinti “World Heritage Sites” nuk mund te perdoren studente per tu trajnuar ne monumente te rendesishme por ato duheshin germuar nga ekspertet e arkeologjise (te cilet kushtojne)

    Per ironi ne vitin 2006 ne websitin e Institutit te Arkeologjise Amerikane u botua nje reklame ku thuhej se Fondacioni Butrinti ftonte kedo qe ishte i interesuar per arkeologjine te vinte ne nje kurs dy javor ne Butrint per te germuar ne fushen e vrines. Sigurisht ne baze te nje pagese prej 2000 eurosh qe duhej te derdheshin ne nje konto bankare ne Londer.
    duke pasur parasysh se ne Raportet Vjetore qe ben Fondacioni Butrinti thuhet se ata sjellin rreth 100 deri ne 150 studente te huaj ne BUtrint mund ta besh llogarine e sakte se cfare te ardhurash mund te jene mbledhur por me aq sa di une asnje euro nuk eshte derdhur prane Parkut KOmbetar te Butrintit sipas kerkesave te Ligjit Shqiptar.

    Personalisht une dergova nje leter Zyres se Trashegimise Boterore te Unescos dhe Drejtuesve te Fondacionit Butrinti ku i informoja se kjo inisiative ishte ne kundershtim me ligjet shqiptare. Reklamane ne websit u hoq menjehere (une kam disa kopje te printuara) por te ardhurat nuk u depozituan prane Parkut Kombetar.

    Deri me sot une kam degjuar dhe lexuar Raportet se monumenti per te cilin ti shkruan mendohet se eshte nje Bazilike. Keto te thena jane botuar edhe ne shtypin e perditshem gati cdo vere qe nga viti 2004 dhe arkeologet angleze kane pretenduar se ky monument eshte nje Bazilike.

    edhe tempullin ata e datuan gabim por edhe e quajten nje bazament shtatoreje apo varr monumental. Une kam qene prezent kur Prof. Neritan Ceka e argumentoi arsyen se perse ky monument ishte nje Tempull dhe jo nje bazament shtatoreje apo varr monumental. Pra mendoj se identifikimin e Tempullit e ka bere Prof. Neritan Ceka dhe per korrektesi ne shkrim mund ta kishe sjelle edhe kete variant te arkeologut shqiptar Ceka

    Kullat,
    per dijeni projekti i mureve dhe kullave te periudhes bizantine filloi ne 2003 sipas nje kerkese qe une iniciova ne Bordin e Butrintit. Kulla e pare ishte identifikuar nga Prof. Richard Hodges si Kishe Mesjetare, ne fakt doli nga germimet nje Kulle mbrojtese. Ne u nisem nga fakti se donim qe te pastronim kete zone nga plehrat e grumbulluara ne vite por projekti ne fakt vazhdoi si nje shembull model i germimit arkeologjik dhe i restaurimit si faze e dyte. Projekti u financua dhe u zbatua nga Parku KOmbetar dhe Drejtoria Rajonale e Monumenteve dhe ne paguam edhe kerkimin arkeologjik qe u krye nga arkeologia Solinda Kamani e IMK dhe Prof. Gjerak Karaiskaj.

    Per korrektesi mund te shikosh edhe tabelen informuese qe eshte vendosur ne Murin e restauruar qe projekti eshte kryer nga Parku i Butrintit dhe Drejtoria rajonale e Monumenteve ne 2003-2004.

    per sa i perket shqetesimit tend mbi problemin e restaurimeve ne Butrint. ky eshte nje problem shume i mprehte dhe i diskutuar per vite. nje nga pengesat e medha ka qene mos gadishmeria e arkeologeve per te mos parashikuar fonde konservuese per ato qe germonin. si rezultat kemi nje situate shume deshperuese ne Diapor dhe ne Vrine e cila eshte germuar nga pala angleze dhe sipas praktikave nderkombetare duhet te jete pergjegjese edhe per konservimin e zones te cilen germon. Nje praktike shume te mire ne kete fushe kane italianet qe germojne ne Finiq te cilet kane konservuar shume nga monumentet e germuara.
    Fondacioni Butrinti dhe arkeologet angleze jane kritikuar per vite me rradhe per keto praktika si nga Institucione shqiptare si ato nderkombetare (lexo raportin e Unescos ne 2003)

    shpresoj se keto fakte do te te ndihmojne ne shkrimin e rradhes per butrintin.

    pershendetje miqesore

    auroni

    ne fillim u mendua

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.

  • Po shikoni nje artikull ne faqen e arkivit te Peshkut pa Uje. Per te pare faqen aktive, shkoni tek peshkupauje.com