Identifikohu



Regjistrohu

Zbulohet “Kantinë” vere në qelinë e Gaxhait në Peqin

Gazeta Shekulli

Flamur Vezaj

TIRANË- Pas tentativës së tij të fundit për arratisje nga burgu 302, Gazmend Brraka i njohur me pseudonimin “ Gaxhai” duket se ka gjetur një tjetër “pasion” për të kaluar vitet në qeli: prodhimin e verës. Edhe pse koha e fermentimit ka kaluar, një kontroll rutinë në burgun e sigurisë së lartë në Peqin ka zbuluar dy kova plastike të mbushura me ujë dhe rrush në qelinë e të dënuarit me burgim të përjetshëm. Sipas burimeve të besueshme nga burgu i Peqinit bëhet me dije se toga e shoqërimit ka gjetur dy kova 10 litërshe në ngjyrë blu, të mbuluara në grykë me qese e të fshehura në qelinë e Gaxhait. Punonjësit e nisur me shërbim nga Tirana janë bërë kuriozë dhe sapo kanë hequr qeset, nëpër qeli ka kundërmuar era e verës. I pyetur nga punonjësit e togës së shoqërimit, Gaxhai është përgjigjur se: “ ajo nuk është verë, por komposto rrushi, të cilën e kam përgatitur vetë”.
***
Justifikimi i të dënuarit me burgim të përjetshëm nuk i ka bindur punonjësit e togës së shoqërimit, të cilët i kanë nxjerrë dy kovat jashtë qelisë, ku edhe kanë vërtetuar se brenda tyre kishte më shumë se tre muaj që fermentohej verë. Të pyetur nga “Shekulli” për këtë rast, drejtuesit e Policisë së Burgjeve kanë pohuar faktin se në qelinë e Gazmend Brrakës janë gjetur dy kova të mbushura me ujë dhe rrush, por nuk kanë pranuar se i dënuari po fermentonte verë. Një rast i ngjashëm u zbulua në tetor të vitit të kaluar në po të njëjtin burg të sigurisë së lartë, ku edhe u gjetën dy kazanë që shërbenin për prodhimin e rakisë, të krijuar me mjete rrethanore. Të dënuarit jo vetëm që prodhojnë verën, e cila nuk ka nevojë për mjete të shumta, por të ndihmuar edhe nga familjarët, brenda qelive kanë mundur të prodhojnë edhe rakinë e rrushit.
***
Në burgun e sigurisë së lartë në Peqin janë të mbyllur brenda murit rrethues të dënuar që kanë kryer krime nga më të rëndat, ndërkohë që ndodhet një tjetër sektor i sigurisë së zakonshme. Ndërkohë, mësohet se gjatë kontrollit të djeshëm nëpër qelitë e këtij institucioni, toga e shoqërimit ka gjetur dhe sekuestruar tre aparate telefonikë celularë. Burimet zyrtare nuk kanë bërë me dije “pronarët” e këtyre celularëve, por kanë shtuar se ashtu si edhe në rastet e tjera, kanë filluar hetimet për të zbuluar mënyrën sesi këto sende të ndaluara kanë mundur të kapërcejnë hekurat. Kontrollet për sende të ndaluara nëpër qelitë e të paraburgosurve dhe të dënuarve janë bërë tashmë të zakonshme. Çdo fundjavë, me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Saimir Shehri, pesë furgonët e togës së shoqërimit, së bashku me personelin prej 38 vetësh, mësyjnë nëpër qelitë e të gjitha burgjeve në vend, ku edhe kryejnë kontrolle të imtësishme për gjetjen e sendeve të ndaluara.

KONTROLLI

Mëngjesin e djeshëm, toga e shoqërimit ka zhvilluar një kontroll rutinë në burgun më të madh në vend, atë të Peqinit. Ky kontroll vazhdon prej javësh, pas një urdhri të firmosur nga drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Shehri

GAXHAI

Në qelinë e të dënuarit me burgim të përjetshëm, toga e shoqërimit ka gjetur dy kova 10 kilëshe të mbushura me ujë dhe rrush. Prej 3 muajsh, Gazmend Brraka kishte mbyllur rrushin, me qëllim prodhimin e verës në qeli

TELEFONAT

Përveç verës së gjetur në qelinë e Gaxhait, toga e shoqërimit ka bllokuar dje edhe tre telefona celularë në Peqin. Nuk bëhen të ditur “pronarët” e telefonave, por kanë filluar hetimet për zbulimin e futjes së tyre në qeli

MUNGESA E FONDEVE

Toga e shoqërimit, dy muaj pa dieta

TIRANË- Në zbatim të një urdhri të firmosur nga kreu i Burgjeve, përveç detyrave të mëparshme, toga e shoqërimit është ngarkuar të kontrollojë çdo fundjavë vendet e vuajtjes së dënimit. Por edhe pse ata nuk kanë munguar asnjë fundjavë nëpër burgje, ku edhe kanë bllokuar sendet e ndaluara, prej dy muajsh nuk kanë marrë asnjë lek për dieta. Në këtë sektor janë 38 djem të rinj, të cilët përbëjnë togën speciale pranë Drejtorisë së Burgjeve e që kryejnë shumë funksione si kontroll të qelive, shoqërim të të paraburgosurve nëpër gjykata, transferim të të dënuarve nëpër burgje apo ndërhyrjes në rast tensioni. Këta punonjës e kanë pagën bazë 14 mijë lekë në muaj, ndërsa për rrugët që kryejnë jashtë Tiranës, ekziston një rregullore që u jep të drejtën e pagesës edhe për dietat e ushqimit, të cilat variojnë nga 600 lekë deri në 2 mijë lekë. Sipas ligjit në fuqi, këto dieta jepen paradhënie, por prej dy muajsh ata nuk kanë përfituar asnjë lek. Asnjë nga punonjësit e kësaj toge nuk preferon të denoncojë me emër, nga frika e heqjes nga puna. Të pyetur nga “Shekulli” për vonesat e dietave, zyrtarët pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve e pranojnë si fakt. “Punonjësve të togës së shoqërimit u janë vonuar prej dy muajsh pagesat e dietave të ushqimeve, në mungesë të fondeve”,-pohojnë për “Shekullin” drejtues të Burgjeve.

I DËNUARI

Gazmend Brraka, kapobanda që lindi nga ’97
TIRANË- Trazirat e vitit 1997 e gjetën qytetin e Vlorës të ndarë në dysh, për shkak të luftës së bandave rivale. Në qytetin bregdetar vepronin në atë kohë dy banda të njohura ndryshe si banda e Zanit dhe e Gaxhait. Të dyja këto banda kishin ndarë territorin e qytetit dhe shpesh herë luftonin ndërmjet tyre. Gjatë një kohë relativisht të gjatë, lufta ndërmjet këtyre dy bandave ka shkaktuar dhjetëra viktima në rrugët e qytetit të Vlorës duke terrorizuar edhe qytetarët e thjeshtë. Në krahun e bandës së Gaxhait ishte vendosur edhe një tjetër kriminel mjaft i njohur, Viktor Ymeri, “Kartela”. Me rivendosjen e rendit dhe qetësisë në qytet dy kapot e bandave dhe anëtarët e tjerë u arrestuan nga policia. Momentalisht Gazmend Brraka është duke vuajtur dënimin me burgim të përjetshëm për vrasjen e dy personave si dhe për trazirat e vitit 1997. Ai është transferuar shpeshherë nga njëri burg në tjetrin, për shkak të tentativave të shpeshta e të dështuara për t’u arratisur. “Misioni im është të arratisem, e i juaji të më ruani”,-ka sfiduar autoritetet e shtetit Gazmend Brraka.

02/07/2006

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

2 Komente »

  1. vlonjati thotë:

    2 Korrik 2006 @ 9:13 pm

    Dhe ai njeri eshte tek e fundit, le te pije ndonje gllenke vere se su be qameti.
    Nuk kam asnje lloj respekti per personin, por do doja vetem te them se ai ter jeten do vuaj i kycur ne qeli, sbesoj se ka denim me te rend se vdekja e ngadalshme apo jo.

  2. albi thotë:

    5 Korrik 2006 @ 7:07 am

    sa per te pire ju kisha lejuar qka tju do qefi.

Burim RSS për komentet · TrackBack URI

Shkruaj një koment (login)


Peshku ruan të drejtën të fshijë ose zbehë komentin që po dërgoni, sidomos nëse:
1) komenti fyen autorin, komentuesit e tjerë apo persona publikë
2) komenti është jashtë teme
3) komenti është shumë i gjatë
Nuk kemi qejf të censurojmë askënd, por ama diskutimet në faqe duam t'i mbajmë civile dhe të sjellshme.