Identifikohu



Regjistrohu

Xhim Marku, njeriu më i fuqishëm në Britaninë e Madhe

Emigranti shqiptar është një nga njerëzit më popullorë në Londër, falë sportit “Strongest Man. Më shumë sesa për forcën e tij, Marku adhurohet nga femrat për shkak të buzëqeshjes që ka.

KLODIANA BUFI
Gazeta Albania

Xhimi Marku është emri i njeriut më të fuqishëm në Britaninë e Madhe. Emigranti shqiptar është një nga njerëzit më popullorë në Londër falë sportit “Strongest Man”, disiplinë që ai e ushtron prej dy vitesh. Marku ka lindur në Fierzë, pranë qytetit të Tropojës, dhe ka emigruar drejt Londrës kur ishte vetëm 18 vjeç. Sot është 32 vjeç dhe peshon 135 kg, ndërsa mbi shpatullat e ka mbajtur superpesha të rënda.
E ka nisur këtë sport vetëm nga dëshira që të mbante trupin në formë dhe papritur ka fituar respektin e të gjithëve me anë të forcës së tij. Marku jeton në zonën Harrow, në perëndim të Londrës. Falë fizikut të tij të madh është punësuar si roje sigurie në një lokal nate dhe të gjithë e dinë që ai është burri i frikshëm i “strongest men”. Në Britani Xhimi Marku njihet me nofkën Jimmy Calves ose (Jimmy Pulpa), për shkak të pulpave të këmbëve të tij të trasha në krahasim me trupin. Përveç këtij detaji, me të cilin njihet në të gjithë Europën, Xhimi ka dhe duar të mëdha dhe shumë të fuqishme, aq sa do të përkulnin me lehtësi një shufër hekuri.

KARRIERA

Performanca e shqiptarit në aktivitetin më të rëndësishëm “Britain‘s Strongest Man” për herë të parë trembi të gjithë rivalët e tij, derisa Xhimi i mahniti të gjithë duke arritur të realizojë ëndrrën e tij: të jetë njeriu më i fuqishëm i Mbretërisë angleze. Karriera e tij është e larmishme, duke e parë veten disa herë në podiumet e nderit, madje duke thyer njerëz që prej vitesh mbanin titullin e kampionit absolut, siç ndodhi vetëm pak muaj më parë me kampionin polak, Mariuzs Pudzianoeski. Pasi është shpallur një herë kampion i Britanisë së Madhe, shqiptari për dy vjet radhazi ka zënë vendin e katërt në “Britain‘s Strongest Man”. 32-vjeçari në vitin 2006 u shpall kampion absolut dhe burri më i fortë në Angli, titull që shumë shpejt Xhimi do ta merrte në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar. Në konkurrimet e tij ai gjendej përballë rivalëve të njohur për titull nga Irlanda, Uellsi dhe Skocia. Kalimi me sukses i provë pas prove tërhoqi menjëherë qindra fansa në Britaninë e Madhe, përfshirë këtu dhe shumë shqiptarë emigrantë në mbështetje të bashkëkombësit të tyre. Me mijëra emigrantë shqiptarë edhe sot e kësaj dite në Britani do të ulen përpara ekraneve të televizorit për të parë Markun. Por veçanërisht talenti i tij dhe titulli prej burri të fortë bëri që dhe shumë femra angleze të dashurohen me të. Më shumë sesa për forcën e tij, Marku adhurohet nga femrat për shkak të buzëqeshjes që ka. Xhimi Marku është i vetmi shqiptar që gjendet mes një sporti të tillë. Siç tregon ai vetë, ka shumë të rinj shqiptarë që stërviten për të qenë “Strongest Man”, por ende asnjë prej tyre nuk kanë provuar të garojnë në evenimente të rëndësishme të këtij sporti.

“STRONGEST MAN”

“Strongest Man” është një sport unik dhe i veçuar nga të tjerët, gjithashtu nuk bën pjesë në lojërat olimpike. Është cilësuar si disiplinë e sportit vetëm përpara 30 viteve. Evenimenti “Strongest Man” për herë të parë është zhvilluar në SHBA dhe prej shumë vitesh amerikanët mbanin stafetën e meshkujve më të fortë të rruzullit tokësor. “Strongest Man” hyri në Europë shumë vonë dhe si fillim ishin vendet nordike që e përqafuan si sport. Disa vite më pas ky sport gjeti terren në Irlandë dhe më pas në Angli, ku sot e kësaj dite kanë lënë gjurmë emra të mëdhenj si Jon-Poll Sigmarsson, i cili e mbajti titullin për disa vite më radhë, duke hyrë në histori si “vikingu i hekurt”. Pas viteve ‘90 janë vendet e Lindjes që e njohin këtë sport, sidomos Polonia dhe Ukraina, ku emra të spikatur të këtyre dy vendeve mbajtën për 6 vite radhazi titullin e burrit më të fortë. Njeriu të cilit i tremben të gjithë në Europë në këto momente është Mariuzs Pudzianoeski, por Xhimi Marku e ka thyer atë në një nga disiplinat më të vështira të “Strongest Man” si ajo e mbajtjes së peshës më të rëndë, ku shqiptari ngriti mbi supe 367 kg.

SUPERMAN SHOW

Vizita e Markut në atdheun e tij nuk është e rastësishme. Njeriu më i fortë në Britani do të jetë i ftuar nderi në “Superman Show”, natën e finales së madhe, që transmetohet në Vizion Plus. Emisioni, i cili prej disa muajsh ka mbledhur së bashku burrat më të fortë të Shqipërisë, do të shijojë “live” talentin e shqiptar më të fortë të Britanisë, Xhimi Marku. Të enjten, në orën 21:00, në Vizion Plus do të jetë mbrëmja e madhe.

367 kg

Njeriu të cilit i tremben të gjithë në Europë në këto momente është Mariuzs Pudzianoeski, por Xhimi Marku e ka thyer atë në një nga disiplinat më të vështira të “Strongest Man” si ajo e mbajtjes së peshës më të rëndë, ku shqiptari ngriti mbi supe 367 kg.

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

8 Komente »

  1. adriatik thotë:

    8 Shkurt 2008 @ 10:31 am

    Ndihem mire, kur degjoj qe ky njeri me vlera eshte shqiptar. Me duket se edhe mua me jep dicka nga respekti qe gezon ne Britani, edhe une ndjej respekt per Xhimin, zemrat shqiptare rrahin per Xhimin ne cdo ndeshje dhe mendjet e kujtojne si shqiptar qe u ve melhem plageve te krenarise se tyre qe ua kane gotitur pabesisht ne kete kaperxyell shekulli.

  2. george Shkruaji mesazh privat thotë:

    8 Shkurt 2008 @ 11:03 am

    Hec mer plako se asnjehere se zen ne goje per shqipe. Ka mar dhe theksin anglez kur flet keshtu qe ec e thuj qe eshte shqipe.

  3. Danieli thotë:

    8 Shkurt 2008 @ 4:25 pm

    Na sillni ndonje foto te ketij Mic Sokolit qe ti njohim surratin.

  4. AR31 Shkruaji mesazh privat thotë:

    8 Shkurt 2008 @ 5:26 pm

    http://www.youtube.com/watch?v=4ciw2agw6KA&feature=related ka dicka per te ketu me duket enjoy

  5. AR31 Shkruaji mesazh privat thotë:

    8 Shkurt 2008 @ 5:29 pm

    “from england jimmy marku” e keni tek 04′ 40 e videos me siper.

  6. shefi kuadrit thotë:

    8 Shkurt 2008 @ 7:46 pm

    “Por veçanërisht talenti i tij dhe titulli prej burri të fortë bëri që dhe shumë femra angleze të dashurohen me të. Më shumë sesa për forcën e tij, Marku adhurohet nga femrat për shkak të buzëqeshjes që ka”

    haha cfare niveli gazetarja…

  7. Pjer Thomas thotë:

    8 Shkurt 2008 @ 8:51 pm

    Nje artikull i ngjashem mbi heroin tone shqiptar ne Britani , ka qene dhe meperpara ketu tek Peshku. Na vjen mire qe del nje bashkombas i joni, veç artikulli duhej shoqeruar dhe me vidio dhe te percaktonte me qarte se ç’te enjte do jepej shfaqja, se te enjte jane 4 çdo muaj, por cilen date.

  8. Ursula thotë:

    11 Mars 2008 @ 10:32 am

    Bravo Xhimi! Me vjen mire qe nje shqiptar si ai gezon respektin e te gjitheve ne Britanine e Madhe. Nuk ka redesi cfare theksi ka Xhimi e rendesishme eshte qe ai nuk e mohon kurre qe i perket vendit te Shqipeve. Bravo dhe Gazetares qe ka shkruar per kete njeri.

Burim RSS për komentet · TrackBack URI

Shkruaj një koment (login)


Peshku ruan të drejtën të fshijë ose zbehë komentin që po dërgoni, sidomos nëse:
1) komenti fyen autorin, komentuesit e tjerë apo persona publikë
2) komenti është jashtë teme
3) komenti është shumë i gjatë
Nuk kemi qejf të censurojmë askënd, por ama diskutimet në faqe duam t'i mbajmë civile dhe të sjellshme.