Identifikohu



Regjistrohu

Wiki Wiki

nga Xha Xhai

Tema e monumenteve që i ngrenë vetes shqiptarët në Internet, të cilën e preku Parrulla, nuk ka të bëjë vetëm me aspektin etik të mënyrës si e shohim ne veten si komunitet. Në raste të caktuara, informacioni i gënjeshtërt ose shtrembëruar që afishohet online mund të çojë dhe ndoshta ka çuar në dizinformim total të kureshtarëve, ose të gjithë atyre që nuk e shohin me syrin e nevojshëm kritik informacionin që marrin nga Interneti.

Rreziku vjen duke u shtuar me përhapjen e Internetit në trevat e shqiptarëve në Ballkan, ku shkollat gjithnjë e më tepër do t’i nxitin nxënësit e studentët t’i zëvendësojnë bibliotekat, librat e revistat shkencore me materiale të gatshme për përdorim gratis online.

Këtu dua vetëm të tërheq vëmëndjen për gjendjen e mjerueshme të faqeve shqip të enciklopedisë Wikipedia, e cila me të shpejtë po shndërrohet në instrumentin kryesor të referencës për të gjithë përdoruesit e informacionit në botën virtuale. Për nga natyra e vet, Wikipedia është e hapur ndaj përdoruesve dhe i përjashton hierarkitë akademike ose orvatjet për kontroll dhe manipulim të informacionit; mirëpo kjo presupozon edhe një shkallë të vetëdijes qytetare e cila ne, shqiptarëve, po na mungon.

Tema e Wikipedias në shqip është e gjerë e nuk mund të ezaurohet me një trajtim si ky i tanishmi; nga ana tjetër, mjafton një kupë verë për të marrë vesh se ç’ka në fuçi. Prandaj, i ngacmuar edhe nga disa fakte skandaloze që përmendi Parrulla në komentin e vet, shkova t’u hedh një sy xhevahireve të fundit të shqiptarisë të lëshuar zinxhirësh.

Që në fillim vërej se Wikipedia shqip kërkon kandidatura për burokrat, duke specifikuar:

Të nderuar editues dhe pjesmarrës më aktivë e më pak aktivë të Wikipedia-s në gjuhën shqipe meqë zgjedhja e Burokratit të ardhshëm është shumë e rëndësishme dhe jetësore për Wikipedia-n paraqisni medimet tuaja rreth kushteve të cilat duhet të plotësojë një burokrat për të marr pozitën e një Burokrati.

Meqë kandidaturat për burokrat nuk më interesojnë, shkoj të shfletoj disa nga kategoritë në faqen hyrëse të shqipes.

Më tërheq vëmendjen kategoria e shoqërisë civile, ku lexoj:

Shoqëria civile është shume aktive kohet e fundit ne Shqiperi. Shoqeria civile shqiptare synon shkatrrimin e korrupsionit dhe permirsimin e nivelit te jeteses te popullsise se shqiperise.

Jua lë lexuesve të gjykojnë se çfarë idiotizmi përmblidhet në këto pak rreshta; por dua vetëm të shtoj se autori, përveçse nuk e ka idenë se për çfarë po flet, nuk di as të shkruajë shqipen, çka është mangësi serioze për këdo që vihet të hartojë faqe të enciklopedisë Wiki në shqipe. E vetmja gjë që mund t’i admirohet këtij enciklopedisti është guximi i çartur.

Kaloj pastaj te Antropologjia, për të lexuar:

Antropologjia apo mësimet mbi njeriun, mbi zhvillimin e vetive trupore dhe shpirtërorë të tij, bëhen në disa fusha si p.sh Atropologjia biologjike ara së gjithashë merret me shoqëritë fisnore, këndëvështrimi gjeografikë i llojeve të njeriut të sotëshëm, (Rasat e njeriut) si dhe zhvilliet individuale të njerut së bashku me zhvillimet trupore të njeriut. Me studimeve si të qenies njerëzore, pozicionimit të tij si i veçantë në kosmos, sjellja e tij ndaj rrethit dhe natyra e dyfisht krijuese dhe trupore bëhen nga fusha e Anatomisë filozofike.

Unë nuk mund ta di se çfarë kërpudhash meksikane ka tymosur autori, teksa e hartonte zërin e mësipërm të enciklopedisë; por ia qaj hallin studentit të shkretë shqiptar, që nesër do të përpiqet të mësojë diçka nga ky fragment monumental i erudicionit shqiptar, për të arritur në përfundimin se kot u ka hyrë studimeve, dhe se do të kish bërë mirë t’i përkushtohej bagëtisë së imët ose opingarisë profesioniste.

Kaloj pastaj te një listë shkrimtarësh shqiptarë, ku gjej ndër të tjera artikuj për këta udhërrëfyes të mendjeve e të zemrave të shqiptarëve anembanë botës: Abdulaziz Islami, Arben Orhani, Çerçiz Topulli, Dushko Vetmo, Eliott-Hasan Moglica, Fadil Bekteshi, Fejzi Bojku, Fejzullah Fejzullahu, Flori Bruqi, Iljaz Prokshi, Jeton Kelmendi, Kristaq Turtulli, Mirko Gashi, Ndue Ukaj, Qerim Arifi, Ragip Sylaj, Stavri Pone, Vahit Nasufi, Veli Karahoda, Zejnullah Halili…

Më duket vetja sikur kam hyrë në një univers paralel, e për më tepër pa leje.

Bëhem edhe unë pastaj guximtar si autorët e Wiki-t, dhe hap një nyje, të parën ku më shkon mouse-i, dhe pikërisht të autorit Shpendi Sollaku Noé, ku lexoj me një frymë këtë karakterizim nga “personaliteti i njohur italian” Stelvio Mestrovich:

Shpendi sollaku Noé është një shkrimtar i madh që ka pasur si qëllim daljen e poezisë nga akademitë, nga aristokracitë letrare, nga ambientet mondane. Poet nga nevoja, gazetar për domosdoshmëri historike, profesor e njeri i letrave rritur në underground, ku ka studiuar libra të ndaluara nga regjimi, politikan i lindur, martir i lirisë të shtypur. I paisur me një përgatitje solide kulturale, letrare, filologjike e muzikale, po aq sa edhe shkencore në sensin enciklopedik, poliglot, karaktert i guximshëm, kurioz nga instikti, inteligjenzë akute, mendje shumë të kujdesshme për të ardhmen qoftë letrare, filosofike o qoftë politiko-sociale, Shpendi Sollaku Noé është personalitet shumë kompleks dhe është i paisur me një ngarkesë të ngjeshur humane.

Më tepër nuk thua dot as për Milan Kunderën, edhe të duash. Përkundrazi, faqja që i kushtohet shkrimtarit tjetër Dritero Agolli, edhe ai poet nga nevoja, duket e kopjuar shpejt e lehtë nga ndonjë manual i lashtë i letërsisë së realizmit socialist për shkollat e mesme bujqësore me korrespondencë:

Për nga gjinitë, krijimtaria e Dritero Agollit është e larmishme. Në vjershat dhe poemat e Dritero Agollit gjejnë shprehje mendimet dhe ndjenjat e njeriut të ri, patriotizmi dhe besnikëria ndaj idealeve revolucionare, cilësitë e tij morale në jetë dhe në punë (Devon, Devoll. Poemë malore. Hapat e mia në asfalt etj.). Vepra e tij poetike më e shquar është Nënë Shqipëri (1975), ku krijohet figura e Atdheut me traditat heroike, me vështirësitë e shumta që ndeshi në rrugën e vet dhe me vendosmërinë për të përballuar çdo pengesë e armik. Në poemën “Baballarët” theksohet rëndësia e veçantë e vijimësisë së traditave revolucionare në jetën e shoqërisë. Në një sërë vjershash dhe poemash Dritero Agolli pasqyron frymën heroike të periudhës së Luftës ANÇ (Poema e udhës, Poemë për babanë dhe për vete etj.).

Më kot kërkoj, në këtë listë, të dhëna për autorë shqiptarë që i kanë dhënë tonin kulturës gjatë këtyre 15 vjetëve të fundit: Pëllumb Kulla, Aurel Plasari, Fatos Lubonja, Zef Pllumi, Pjetër Arbnori, Kiço Blushi… ose edhe ndonjë më të vjetër e të mirënjohur, si Gavril Dara (i riu), Jani Vreto, Ndoc Nikaj, Foqion Postoli, Lasgush Poradeci, Anton Harapi, Vincenc Prenushi, Ali Asllani, Arshi Pipa e kështu me radhë deri te Sterjo Spasse, Shefqet Musaraj, Kapllan Resuli, Fadil Paçrami, Kol Jakova, Anton Pashku, Elena Kadare, Ruzhdi Pulaha, Naum Prifti (me gjithë 11.100 referencat në Google) Miço Kallamata, Gjergj Zheji, Ali Abdihoxha… Shkronja Q ka Qerim Arifin, por jo Qamil Buxhelin; shkronja S ka Skënder Mustafin, por jo Sabri Godon as Spiro Çomorën; ndërsa shkrimtarët shqiptarë që u fillon emri me G (Gani, Guri, Gori, Gavrosh, Galip, Gafurr, Gogo, Gugash, Gavril, Gerta, Grigor, Gramoz, Gonxhe, Gojart, Gazmend, Gëzim, Gent) janë të dënuar të mbeten jashtë liste, pasi kjo rubrikë mungon krejt. Gjysma e faqes kushtuar Gjergj Fishtës merret me çështjen krejt anësore të letrave që ky autor i paska shkruar Mussolini-t, thuase është fjala për ta pranuar poetin e madh geg në ndonjë celulë të Partisë Komuniste. Letërsia arbëreshe, nga ana e vet, është e përfaqësuar deri edhe nga Dushko Vetmo, por Françesk Anton Santorin nuk e shoh të përmendur gjëkundi… Sa më shumë lexoj, aq më shumë turpërohem!

Përkundrazi, Wiki shqip u hap vend shkrimtarëve më të rinj, si Besnik Mustafaj, për të cilin lexojmë:

Më 1991 i ofrohet nga Fatos Nano posti i ministrit të kulturës qe ai refuzon. Më 1992 i ofrohet posti i ministrit të punëve të jashtme që ai gjithashtu refuzon, por pranon postin e Ambasadorit të Shqipërisë në Francë (nga 1992 deri në 1997). Si ambasador ai arriti firmosjen e traktatit të miqësisë midis Francës dhe Shqipërisë, traktati i parë miqësie i Shqipërisë me një vend perendimor që nga paktet e Tiranës të viteve 1930. Ai gjithashtu qe negociatori i hyrjes së Shqipërisë në Këshillin e Evropës. Më 1997 ai jep dorëheqjen pas ardhjes në pushtet të Partisë Socialiste dhe rikthehet në Shqipëri, ku ai do të pranoj postin e drejtorit për marrëdheniet me jashtë të Partisë Demokratike.

Pikërisht të dhëna që i hyjnë në punë kujtdo që dëshiron të mësojë diçka për Besnik Mustafajn shkrimtar (pa përmendur sa ironike tingëllon kjo rezyme rutinash politike, në një kohë që Mustafaj gjithnjë kujdesej të precizonte se e vinte letërsinë mbi politikën)!

Ndërsa për një tjetër autor të ri, Ervin Hatibin, lexojmë:

Ervin Hatibi […] është një nga poetët e brezit te ri, ose më mirë i brezit rinor të fundkomunizmit. Ismail Kadare ka thene se Hatibi është vazhdimesia dhe e ardhmja e poezise moderne shqiptare, pra nje talent qe e ka treguar veten qe kur ishte vec 15 vjec. Ervin Hatibi ka shkruar shume poezi te “modeleve” te ndyshme, pra mund te gjejme nje potpuri stilesh ne poezine e tij. Dallohet për origjinalitet dhe perdorjen e mrekullueshme te gjuhes shqipe. Poezia e dhene me lart është shkruar nga Hatibi për grupin e muzikes se lehte Ritfolk, te cilet e kane kthyer ate ne kenget e tyre me te preferuara nga publiku shqiptar. Pothuaj gjitha tekstet e kengeve te Ritfolk kane dale nga pena e Ervin Hatibit. Ketu do gjeni nje poezi me tone moderne te ketij poeti te ri. (cit. Alban Tartari)

Çdo gjë e thënë qartë e pastër, vetëm se, natyrisht, nuk ka asnjë poezi “të dhënë më lart”, dhe kush e ka kopjuar tekstin paturpësisht, nuk ka marrë as mundimin ta redaktojë sado pak (nuk di si ka reaguar ndaj kësaj Alban Tartari).

Nuk vazhdoj dot më, por lexuesit që kanë kohë për të vrarë, mund t’i eksplorojnë vetë ligatinat e Wiki-t shqip, për të marrë kontakt të drejtpëdrejtë me inkompetencën tonë si komunitet në fushë të dijes; ose me apoteozën e llucës në kulturën shqiptare. Edhe liri, edhe demokraci, tha; tamam si e kishim ëndërruar.

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

6 Komente »

  1. Lumja thotë:

    31 Korrik 2007 @ 12:16 pm

    Autori thote : “por ia qaj hallin studentit të shkretë shqiptar, që nesër do të përpiqet të mësojë diçka nga ky fragment monumental i erudicionit shqiptar”

    Aha, mos e rr u j mer lal. Ik e shif i here tekstet shkollore me te cilet mesojne kalamaqerit apo studentet shqiptare edhe ke per te ndryshu mendim per Wikipedian shqiptare. :-) :-)

    Pastaj Wiki dihet qe eshte burim informal informacioni dhe pa pas probleme te medha me saktesine e informacionit edhe ne gjuhe te tjera.
    MEgjithate para ca ditesh lexova qe kishte korrigjuar ca gabime te Enciklopedise Britanike, :-) dhe nje shembull ishte emri i mesem i Bill Clinton a dicka e tille :-)

  2. Blendi Shkruaji mesazh privat thotë:

    31 Korrik 2007 @ 2:17 pm

    Kritiket e Wikit kane mbetur stagnant ne nje pike te vetme: “Wiki mund te manipulohet nga kushdo”
    - Po kjo eshte ideja pra, dhe sa me te shumte te jene perdoruesit serioze aq me i sakte behet informacioni, sepse kalon tani ne filtrat e te gjitheve ne dhe dhe perspektiva te ndryshme behen pjese e se teres. Ideja funksionon qe c’ke me te dhe kete e provon Wikipedia Anglisht qe eshte tashme Enciklopedia me e perdorur ne kete gjuhe. Sido qe referencat nuk pranohen ne sistemet edukative, realisht rendesia e sotme dhe e neserme e Wikipedias si nje vegel per te mesuar/gjetur info eshte pertej cdo dyshimi.

  3. olti thotë:

    31 Korrik 2007 @ 3:40 pm

    Wikipedia mund te manipulohet, por nese ka nje komunitet vertete te madh dhe te vetedijshem nje gje e till zor se ndodh. E them kete sepse nje nga rregullat e Wikipedias per artikujt e vendosur apo te shkruar eshte domosdoshmeria per permendur ne fund te artikullit dhe burimin/et ku eshte bazuar autori per ate qe ka shkruar apo vendosur.

  4. adriatik thotë:

    31 Korrik 2007 @ 5:57 pm

    nuk e di a lexon peshkun “Mezi i kalter” (poezi te Sallakut), ne se e lexon do t’i lutesha si shok qe ta detyroje ate italianin qe ta heqe percaktimin qe ka sjelle me lart autori i ketij artikulli. Shpend vella, ti je njeri i mire dhe e kupton se kush te njeh dhe lexon Wikipedine ne kete artikull nuk do ti vije mire me lavderatat shume te teperuara te italianit.

    Kujto kur kendonim “Shallin e zi”, kengen tende te preferuar. Une nuk doja fillimisht se ishte shume e trishtuar, por kur na vinin gocat perqark, tingujt e arpexhiove gjashteshe fillonin te dilnin nga shpella e kitares dhe ti me zerin qe te forcohej me shume nga prania e ikses mbeshtillje qenien e te gjitha vajzave te tjera dhe mua me lije me gishta mbi shinat e telave.

    Shpend, ndofta takohemi, une vij shpesh ne Italine qe e kishim enderruar. Une te kam ardhur disa here ne Itali, kam shkuar ne Ufizzi ne Firence, ne Koloseum ne Rome e disa vende te tjera. Kam pyetur shpesh per ty por nuk kam mundur te te gjej. Ne se te bje rasti te me kesh lexuar postimin tim besoj se e di kush jam dhe kerko e-mailin tim tek moderatoret.

    Nese moderatori e gjen te papershtatshem kete postim nuk me vjen keq ta fshini.

  5. Kuqo thotë:

    1 Gusht 2007 @ 6:06 pm

    Wikipedia shqip do te vazhdoje te mbetet ne ate gjendje per sa kohe qe ne te nuk shkruajne specialistet ose se paku individe me nje minimum njohurish nga fusha ne te cilen ata po shkruajne. Edhe ata artikuj qe mund te quhen te mire jane perkthime nga wiki te tjere, kryesisht nga anglishtja.

    Une nganjehere beja ndonje gje te vogel. hoqa dore mbas shume debatesh nese maqedonet duhet te te quhen maqedone apo sllavo-maqedone. Mbeti sllavo-maqedone sepse ne wikin ne gjuhen maqedone eshte shkruar shume keq per shqiptaret. perpiqemi te shkruajme dicka te bazuar ne fakte apo te marrim hak per idiotesin e dikujt tjeter? Diskutim tjeter qe perfundoi ne fyerje reciproke ishte ai mbi titullin e nje artikulli: djalli apo dreqi.

  6. incognito Shkruaji mesazh privat thotë:

    10 Gusht 2007 @ 11:18 am

    Te nderuar,

    Wikipedia eshte nje enciklopedi e lire dhe aty mund te shkruaje e te redaktoje kush te doje. E, megjithate, aty nuk shkruan kushdo, ngaqe njerezit, pa marre parasysh mendimin e Xhaxhait, kane nje cike moral. Me tej, per te shkruar me kompetence per autoret shqiptare, shkruesi duhet te kete informacione te duhura.

    Sic del nga teksti origjinal ne krye te faqes, Xhaxhai nuk ka haber se per cfare flet. Ai permend nje grumbull krijuesish shqiptare, te cilet sipas tij nuk qenkan relevante per letersine shqipe. O, xhaxha, sa per informim: Qerim Arifi i ndjere, te cilin ti e merr neper goje dy here duke shfaqur dyshime ne eshte apo s’eshte personalitet per te permendur ne wikipedia, ka qene nje poet i mrekullueshem, perkthyes i T.S. Eliot, Steinbeck, Dos Pasos, etj. Q. Arifi ka qene shqiptar i Kosoves, e me sa duket Xhaxhai qe ben rolin e literatit me nje ton prej inspektori te Gestapose, nuk i quan relevante shkrimtaret qe jetojne jashte katundit te tij. Me tej, Mirko Gashi (lexo me tej ne albanianliterature.com) ka qene po ashtu nje prej poeteve me te mire nga Kosova. Abdylaziz Islami eshte nje shkrimtar nga Shkupi, i pranishem ne kulturen shqiptare per 40 vjet rresht. Etj. etj. Me fjale te tjera, 90 perqind te “autoreve te dyshimte” nga lista e Xhaxhait jane shkrimtare te njohur, nese jo ne katundin e Xhaxhait, atehere pak me tej. Xhaxhai eshte nje parmenidian qe s’do ndryshime. Per te Dritero Agolli eshte shkrimtar, te tjeret jane kalemxhinj. O, Xhaxhi, gjeneratat e shkrimtareve qe permend ti, socrealistet, shkrimtaret oborrtare, autoret e makaronave letrare si Agolli, Godo, etj. kane lare hesapet me letersine shqiptare. S’kane lene pothuajse asgje me vlere. Eshte per te ardhur keq sesi per shume shqiptare letersia eshte dicka tradicionale, romantike, historike, iluministe, folkloriste. Njerez si Xhaxhai vendosin se kush vika tonin kultures shqiptare ne 15 vjetet e fundit (!).

    Per te mos e zgjatur me tej, ja nje keshille per Xhaxhane: me pare te lexosh veprat e autoreve qe permend, e me pas te shkruash e te vleresosh nese keta jane apo nuk jane te denje per te qene te pranishem ne Wikipedia. Dhe nje gje akoma: cdo njesi ne Wikipedia ka opsionin e diskutimit. Futu ne faqen e ndonjerit nga “shkrimtaret e kontestuar” dhe shtyp linkun “Diskuto”. Mos harro ama te diskutosh me emer dhe mbiemer dhe jo si nje anonimus, sepse “shkrimtaret e kontestuar” jane te prezantuar edhe ata me emra dhe mbiemra.

Burim RSS për komentet · TrackBack URI

Shkruaj një koment (login)


Peshku ruan të drejtën të fshijë ose zbehë komentin që po dërgoni, sidomos nëse:
1) komenti fyen autorin, komentuesit e tjerë apo persona publikë
2) komenti është jashtë teme
3) komenti është shumë i gjatë
Nuk kemi qejf të censurojmë askënd, por ama diskutimet në faqe duam t'i mbajmë civile dhe të sjellshme.