Identifikohu



Regjistrohu

Vuajtje për biznesin e vogël, radhë për pagesën e Tatimeve

Genc Kondi
Gazeta Shqiptare

Tmerr për pagesën e taksave të biznesit të vogël. Drejtoria e Tatimeve ka dhënë urdhër që brenda datës 20, nëse nuk do të paguhen taksat tremujore, subjektet do të paguajnë një gjobë prej 100 mijë lekësh të vjetra. Kjo ka frikësuar bizneset të cilat që prej tre ditësh kanë mbërritur në zyrat e pagesës së taksave dhe mbushjeve të formularëve, por kanë gjetur rradhë të papërballueshme. Ndërkohë që sportelet janë hapur vetëm në mesin e këtij muaji.
Janë 18.000 subjekte të vogla vetëm në kryeqytet, që duhet të paguajnë rregullisht detyrimet fiskale pranë Degës së Tatim-Taksave. Pavarësisht se këto subjekte kanë afat disamujor për të kryer veprimet fiskale, nga praktika shumëvjeçare dihet tashmë se ata i lenë detyrimet për t’i paguar ditët e fundit të afatit, kur afrohet gjoba. Kjo e fundit parashikon një shtesë prej 10.000 lekësh të reja në shpenzimet e tyre, të cilat janë shtuar së tepërmi kohët e fundit nga kriza energjetike, ndërkohë që fitimet po ulen nga rënia e fuqisë blerëse të klientëve.
Administrata tatimore e di shumë mirë tashmë se edukata fiskale e shqiptarëve është e tillë, që ata kujtohet gjithnjë në fund të periudhës për të kryer veprimet detyruese ndaj shtetit. Për më tepër, tani, që shteti po shtrëngon gjithnjë e më shumë masat kundër evazionit dhe që përgatitet të ndërmarrë edhe një seri masash shumë të rrepta gjobitëse ndaj atyre që abuzojnë me këto detyrime. Megjithatë, i pyetur dje nga “Gazeta”, drejtori i Degës së Tatim-Taksave Tiranë, Jovan Cano, ka bërë të paditurin. “E kanë fajin vetë, ne këmi bërë atë që ishte detyra jonë për të bërë”, ka thënë ai.
Gjëja më e paktë që mund të bënte Dega e Tiranës ishte të shtonte numrin e sporteleve në këtë periudhë. Në mënyrë që biznesmenët e vegjël të kishin mundësi të mbaronin shpejt punë dhe të ktheheshin në dyqanet, ofiçinat apo lavazhet e tyre e të mos humbisnin ditën. Ndërkohë, në orën 13.00, si në të gjithë lagjen, pranë këtij institucioni ndërpritet edhe energjia elektrike, duke shtuar konfuzionin dhe duke e ulur praktikisht ritmin e punës në zero. Por, biznesmenëve u duhet që, nga zyrat e Tatimeve, të ushtrojnë durimin e tyre edhe në arkat e Postës Qendrore të Tiranës, ku, gjithashtu, i pret një rradhë e paparë. Pasi edhe këtu nuk funksionojnë më shumë se dy sportele. Ku kryhen veprime me lekë në dorë, në kushtet e një mungese spektakolare vendi. Duke penguar edhe punën e sporteleve të tjera, ku normalisht duhet të kryhen veprime të tilla, si pagesa e faturave të KESH-it, Albtelekomit, etj.
Në këto kushte, tregtarëve e prodhuesve të vegjël nuk u mbetet gjë tjetër, veçse të zgjedhin midis humbjes së një dite të tërë pune dhe përdorimit të “armës” së vjetër, që në administratën shtetërore ka zenë vend prej shumë kohe: ofrimit të një bakshishi për të shmangur rradhën. “Humb ditën, paguan paratë e fundit për taksa dhe, në fund, jep edhe diçka nën dorë”, mërmërit Osmani, teksa, i mërzitur, vrapon të rihapë minimarketin në rrugicën e lagjes së tij e të vejë në punë gjeneratorin. Por, ai ka shpëtuar nga një konfuzion edhe më i madh, që i pret nesër të vonuarit e rradhës.

Korrupsioni: 200 lekë për një formular gratis
Formularët e vetëdeklarimit të të punësuarve, të të vetëpunësuarve, borderove të pagave të tyre dhe llogaritjes së kontributeve, që duhet të paguhen për Sigurimet Shoqërore e Shëndetësore nga pronarët e punonjësit shiteshin lirisht dje, përpara derës së Drejtorisë së Biznesit të Vogël, nga një numër sekserësh. Ndonëse këto formularë tatimpaguesit nuk janë të detyruar t’i blejnë. Përpara një rradhe të gjatë dhe alternativës së papëlqyeshme të humbjes së ditës së punës, shumë biznesmenë të vegjël parapëlqenin t’i blenin ato me 200 lekë të reja copa. Kjo, në prani të punonjësve të Policisë Tatimore, të cilët bënin sikur nuk dëgjonin thirrjet e forta të sekserëve: “Kush do formularë?”
Nga e gjithë kjo, të krijohej bindja se çorganizimi nuk ishte aq i pa-organizuar. Pikërisht nga ata, që kishin lejuar shërbimin vetëm me një sportel për 18.000 biznese dhe që ndajnë me sekserët pagën e korrupsionit.

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

Shkruaj një koment (login)


Peshku ruan të drejtën të fshijë ose zbehë komentin që po dërgoni, sidomos nëse:
1) komenti fyen autorin, komentuesit e tjerë apo persona publikë
2) komenti është jashtë teme
3) komenti është shumë i gjatë
Nuk kemi qejf të censurojmë askënd, por ama diskutimet në faqe duam t'i mbajmë civile dhe të sjellshme.