VENERA*
ANI
I.
Faqen e ftohtë të dashurisë
S’e kisha njohur para teje, Ani.
E sotmja jote gjithnjë
E nesërmja e dikujt tjetër.
Nxitoja,
Të merrja si helmin e pakët,
Si bar
Të spërdridhja me fletën e bardhë të trupit tim,
Të ndizja
Dhe të thithja fort,
Me shpresën e marrë se ti do bëheshe tym
Nga djegia.
Ti mbeteshe aty
Përndezur pa djegur,
Ndërsa djegur dhe tym
Bëhesha unë….
E nesërmja e tjetrit vinte aq mizorisht.
Xhelozija
Ngulej në tegelat e pantallonave të tua rozë,
Të preferuarat
Që rrëshqisnin poshtë aq kollaj.
Xhelozija ngulej tegelisht në shpirtin tim,
Mijëra gjëlpëra mekanike mizore.
Buzët lodheshin në gjoksin tënd të madh
Pa folur.
E pastër ajo lëkurë edhe pse
Ventuza të tjera kishin thithur aq limfë,
Qime të tjera si dermatoma
Kishin gërvishur
Mikrorelievet
E dyshimeve të pista
Dhe thithkat-gërmadha ish-obelisqe të pafajësisë.
Xhelozija ishte speci djegës
Që mësova prej teje, Ani.
Më dogji në fillim
Si flakë ferri.
I pamësuar,
Fjalën nesër e dija
Thjesht dhe vetëm si vazhdim
I sot.
Nuk dija për greminat e netëve
Me yje të tjerë që ndrijnë pabesisht,
Ku ylli yt shket e humbet
Si një emër greko-latin
I papërdorur,
Si gjuhë e vdekur
E pafolur.
Më vonë
Djegësinë e xhelozisë nisa ta doja-shijoja,
Si esnafi i vjetër
Që loti i shuan mustaqen,
Tek djegien spec shuan me raki përcëllimë.
Me salcë xhelozie
Ngjyeja kafshatat e mëdha të epshit,
Gjersa mësova nga ti si hahet dashuria,
Etiketën e tryezës së saj
Nën shandanët e mollëzave,
Me kupat e gjinjve,
Frutierat e sqetullave,
Shampanjën e trupit.
Fjala dashuri u ndalua,
Si autor dekadent në monizëm,
Ngrirë si aset bankar
Kriminelësh,
Në arqipelagun e lidhjes sonë
Me takimet si ishuj të rrallë
Larg e larg.
E ruaje nga inflancioni
Nga bjerrja
Se ajo
S’ish pare tranzicionesh,
Lek a dinar
I pisët.
Frangë zvicerane alla franga dashuria!
Unë mund të quaja dashuri gjithçka,
Si fëmija
Që me dy rrokje
Është gati të shpjegojë gjithë botën.
Për ty
Do grihesha me grushte
Me shokun më të ngushtë.
Më pe me sytë kriminalisht të qashtër:
S’ia vlen,
Me të dy kam fjetur.
S’jam e jotja,
As e tij.
S’jam pronë.
Ti për erën s’grindesh,
Për mua pse?
2000 vjet drite larg.
Ditë të qeta, lagje e huaj, konservative.
Mështeknat s’kuptojnë. Era fryn ndryshe,
Zbutur, fllad shtëpiak.
Ani,
Në fakt
Unë grindem për erën…
II.
Unë kam një problem meteorologjik,
S’kuptoj ç’do bora në maj
E zogjtë në janar
Pse këndojnë,
Qukapiku më çudit mbi trungun e mardhur
Që vuan, Promete prej druri,
Më hutojnë lulet e mashtruara të shkurtit
Mbi degët e kërrusura si pikëpyetje plaka.
Atëher’ vjen ti, ora jote,
Atëher’ të ndesh
Nëpër rrugica qorre mendimesh,
Pashmangshëm
Si postbllok gjerman.
Përfundoj në Aushvicin tënd,
Me të vërtetën xhadë
Evolucioniste,
Që ti thyen si svastikë
Kryqet:
Lulet e shkurtit janë fajtore,
Jo shkurti i luleve!
Une zihem me erën,
Jo me mullinjtë e saj,
S’nxura mend që një kurriz femre
Kur të largohet
S’të jep as një gur që të çash zemrën,
Jo më shpjegime e vërtetime
E sepsera si grera.
Pyetjet e tua
Sapo braktisin gojën
I përdhunon era,
Si jetimët që arratisen
Nga jetimorja
Dhe dhunohen nga rruga mizorisht.
Një kurriz femre zvogëlohet
Me katrorin e kohës,
Me nxitim të frikshëm, fizikë vrastare,
Me një Njuton më mizor
Se Çinghiz Khani.
Shpina e femrës
Është aksiomë,
Kusht matematik
I mjaftueshëm,
Trejd mark me reputacion,
Firmato,
Ka emrin tënd, Ani,
Si vulë hekuri të nxehtë mbi kurrizin e kalit
Që turfullon nga dhembjet, ikën i ndërkryer
Me damkën që përcëllon,
Por dhe e shpëton
Nga Humbja.
Ti je plagë e hershme, Ani,
Vragë tatu, vaksinë e vjetër,
Ku gishtat shkojnë
Për refleks
Si dora e plakut
Në rruazën e preferuar të tespijes.
Nuk dhemb, veç në të rrallë,
Kur prishet moti,
Pa pritur,
Se meteorologët gjithnjë më ngatërrojnë,
Kurrë s’mi lexuan mirë
Isobaret e shpirtit.
Meshkujt e tu
Projektonin gjithë fituesit e dueleve të mi
Të mëvonshëm,
Çekanët që goditën
Egon skuqur si metal
Në prushin e humbjes.
Dhe humbja
Është shansi për klas,
Se klasi është
Bukuria e humbësit,
Jo e fitimtarit.
Këtë ma mësove bujarisht,
Çuditërisht,
Anisht,
Me faqen e ftohtë të diamantit të dashurisë,
Dimrin pa të cilën asnjë verë s’ka kuptim,
Të sotmen tënde që asnjëherë s’është jotja
Pa të nesërmen e dikujt tjetër, Ani!
———-
Elsa
Ajo ndizej si llambë e kuqe
abazhuri
me sumbullat zbërthyer në “on”,
kërkonim klasë bosh
për një “leksion”
ku plankonspektin e dinim përmendësh,
të dy vdisnim aty nga pika shtatë
në klasën me mure të zbehta
lehonë.
Puthjet kafshuar shpejt,
si kusarët bukën
në ikje e sipër,
tek cepi pranë sallës së lektorëve
të ekonomisë politike,
nga ku profesori me emrin Musa
mund të dilte çdo çast
me mbivlerë në dorë
dhe të bënte hatanë
me “forcë prodhuese”
kundër asaj “mardhënie në prodhim”
“aq larg së qeni
komuniste“,
në shpellën suvarënë
të korridorit
pa ndriçim.
Se s’kish barazi vërtet
në lidhjen tonë
si inekuacion,
më shumë më deshte
se mund ta doja.
Përkundër ligjit mekanik,
një “e goditur”
nuk shkaktonte një tjetër
po aq “të kundërgoditur”.
E bukur nuk ishte
Elsa,
por xhinde në dashuri,
sikur gjak magjistricash
kish në biografi.
(Kjo natyrisht
nuk shkruhej gjëkund
edhe pse ish
nga më të mirat veti.
Biografia - pastërtore e madhe,
si amvisë koçare,
nuk duronte njolla.
Detergjentë nuk kish në treg,
pra kuj-des!
Bio-graf-inë,
se nuk është
çarçaf i virgjëreshës
varur të Hënën
mbi tel a avlli.
Çarçafët
te lagjia
më shumë se çdo tablo post-moderniste
mbanin art, enigëm a poezi,
me periudhat e kuqe të Pikasove periferikë,
suburbansa, kurortiransa,
të sapo martuar me saze dhe taze,
dhën-durë-ve të rinj.
Kritike të hidhëta,
Ike dhe Shaje
që kontrollonin autenticitetin,
që hulumtonin nëse pas të kuqes në vishnje
a ish vërtet mullenja e sapovrarë nga çiftja e dhëndërit Qerim
apo gjak pulastreni
prerë me biçak -
“stakfurullah rahman e rrahim” -
në komplotin e parë të përbashkët të çiftit me mëkate
me conspiracy theory
çarçafesh të pavirtutshëm
dhe derte nate).
Realizëm erotik
katunaro-studentor
filozofik gjeometrik
frutor perimor
dërrdëllitës gjithë-ditës
folkloriko konviktor:
dashuria - mollë (e lejuar - për inat të biblës)
në orar “unik”: 7 me 3
(tetë-me-dyshi shtriqur nga dy krahët me një orë).
Më tepër se mollës starkinge,
dashuria i përqasej korrektësisht
patates politike,
patates universale, racionale, të thellë:
shumë gjellë për të qenë bukë
dhe shumë bukë për të qenë gjellë.
Dashuri zhardhok,
tubero-agrare,
konsumuar kurrë
një herë për së mbari,
me menura, apetaizer,
e tonikë hap-oreksi,
me Hors d’œuvre pikante
apo me kamariere seksi,
por ngrënë aq shpesh ashtu nxitimthi,
në këmbë,
me kafshime të mëdha si uria
që në stomak rëndë
si ashensore me litarë të këputur zbresin.
Patate jeshile e hidhët shpesh,
dashuria!
Në korridoret e konviktit
të femrave u hap një fjalë
me pësh-pëshe e vesh-veshe – emaili atëbotë ende s’kish dalë,
të merrnin për të bllokut
të thoshe “blogist”,
dmth që ushqimet s’i merrje me listë.
Pra një mag Kavaje,
me magji e dorë-me-nji,
me voodoo kavaqotse
ndreqte punët e dashurisë;
si Ceni VIP që “dorë-me-nji”
ngjiste kocka të vështira
me jakira e allçira -
magu i ri i Kavajës
ngjiste dashuritë që s’ngjisnin,
mos qoftë thënë,
si kolitira.
Iku dhe Elsa te magu i ri,
magjia e zezë, shafraja e bardhë,
si sandviç në mes
e zakonshmja gri,
me zgjidhje “halli”, formulë tutkalli,
hall ILA-je, shpresë ILB-ëje,
ILC-ëja humbur
ne ditë paleozooiku,
në ditë të qylsit,
të filo-lolo-gjikut.
S’di ç’shenjë i kërkoi
magu prej meje,
se fije floku,
se kore sperme,
apo fije astari nga xhaketa e vetme….
Seanca mistike
me goca konvikti:
dua “të përfundoj” me iksin,
ypsilonit ti bjerë në kokë për mua,
t’mos shikojë për tjetër grua,
një vjehërr të artë,
anëtar të KQ e lart,
magjeps profesorin e ri të … mmmmm…. fizikës,
martesë,
emërim,
pashaportizim,
stabilizim,
të lutem mag, sa kërkon?
të t’jap dyfishin si shpërblim…
Dëshira e Elsës
magun çuditi,
lakonizëm therës,
pak stil Nefertiti:
“ai të bjerë në grua
që ta dojë si unë e dua
dhe ajo sa ai mua…..”
Nuk di ç’bëri magu, me avuj shafraje
me “panxha akrepi”,
gjuhë zhabash Kavaje….
Por dhe më xhinde u bë
Elsa
në dashuri,
se një mëkat magjistari
kish plus në biografi.
PS:
Vite, magji kanë kaluar dhe Elsën
nuk di se ku është e nga bëhet më,
por s’mund të them që hera herës
magji e magut dhe Elsës nuk zë.
————————
* ose versioni juaj i shumësit të Venusit


14 February 2008 @ 12:56 am
Emigranto! Qeke bo drq. Poeziae e Anit eshte fantastike, pjesa e pare sidomos. Pjesen e dyte me duket se e ke shkruar me shume per ti bere qefin vetes se sa ta kerkonte. Poezia. Po prape shume bukur. Me duket edhe pak ndryshe nga poezite e meparshme, apo e kam gabim?
14 February 2008 @ 1:16 am
E bere ferk,Emigrant!Mire me Anen,po me Elsen c’pate?Do dilte Musai?!Epo pune emadhe?!Pse do lije”dasmen te shkoje per shkarpa ti?!”.Kur bien kemboret,nuk degjohen zilet.T’i leme “sperdredhjet”:poezite jane te bukura dhe nuk kam se c’te them me tej.
14 February 2008 @ 1:32 am
emo, vetem dy te parat lexova me vemendje, me shume per arsye kohe, por edhe sepse leximi mezi me rrodhi deri ne fund vaj.
Ka plot figura e gjendje me vlere, por (ndoshta me duket mua) itinerari qe ndjek subjekti yt kalon neper gjithfare ngjyrimesh dhe “etiketimesh”, saqe behet viktime e transformimit te riperteritshem qe peson prej tyre.
Kjo mund te jete e bukur ne vetvete, e madje edhe e gjetur, por egziston rreziku qe asaj qe don te thuash i humbet rendesia (the relevance).
E perseris, ndoshta me duket mua keshtu, dhe nuk arrij te futem dot ne ate gjendje te brendshme te nevojshme per te shijuar keto poezi, por sec kam nje bindje qe ca gjera mund t`i thuash edhe me me pak vargje…
Pershnetje, bro, e shkruhemi.
14 February 2008 @ 3:57 am
Faqen e ftohtë të dashurisë
S’e kisha njohur para teje, Ani.
shume e bukur. poema ngjan pak me Ll…. e IK por mbetet e bukur dhe e mencur
urime
14 February 2008 @ 5:49 am
Filloj te humbas ne lexim dhe vetem kur here here gjej veten duke lexuar.
Vargu ka karakter te nje “dialogu-monolog” qe here do t’i shpetoj e here do ti tregoj. Eshte social perceptimi dhe mekanizmi i fjales, duke perjashtuar shance te asaj qe s’thuhet, deshira frymezimi, pothuaj se vuan nga zgjuarsia.
Ka nevoje per pak “naivitet”
14 February 2008 @ 1:21 pm
Thanks, everybody!
14 February 2008 @ 3:07 pm
bukuria e vjershave te tua , eshte si ritem vrastar mbi çdo te vertete te kalbur komerciale te shen valentinit..mire qe te kemi!
sidomos ajo poezia e Elses me vrau fare.
“Ajo ndizej si llambë e kuqe
abazhuri
me sumbullat zbërthyer në “on”,” , duhet votuar per tu bere shprehje kult!
gjithe te mirat Çim!
15 February 2008 @ 4:55 pm
Poezite e Emigrantit/çimit, ishin vertet te bukura dhe plot art sidomos ajo e para.