Vegjetarianët, një mijë e një arsye për të qenë të shëndetshëm edhe pa ngrënë mish
Gazeta shqip
15 Dhjetor 2007
Është vërtetuar plotësisht se sëmundjet nuk shkaktohen nga viruset dhe bakteriet, por nga mendimet e gabuara, jetesa, dhe sigurisht ngrënia e gabuar. Sot, gjëja e parë që shumë njerëz pyesin kur dëgjojnë për një dietë vegjetariane është: Pse është gabim të hash mish? Në të vërtetë, ka shumë arsye të rëndësishme pse këshillohet të mos hamë mish, bazuar kjo mbi studime të pastra shkencore, që tregojnë qartë se ata që nuk konsumojnë fare mish, preken më pak nga kanceri, sëmundjet e zemrës, bëjnë një jetë të shëndetshme dhe mbi të gjitha jetojnë më gjatë se mishngrënësit.
Historia e vegjetarianizmit
Fillimet e historisë së shkruar tregojnë se dieta vegjetariane konsiderohej si dieta më natyrore për njerëzimin. Grekët e hershëm, egjiptianët dhe çifutët i përshkruanin qeniet njerëzore si frutëngrënës, ndërsa priftërinjtë e mençur të Egjiptit nuk hanin kurrë mish. Shumë filozofë të mëdhenj grekë - duke përfshirë Platonin, Sokratin dhe Pitagorën - ishin mbrojtës të fuqishëm të dietës vegjetariane. Qytetërimi i madh i indianëve inkas bazohej në një dietë vegjetariane, ndërsa në Indi, Buda i nxiti dishepujt e tij që të mos hanin kurrë mish. Në Bibël shkruhet qartë: “Dhe Perëndia tha, ‘Dëgjoni, unë ju kam dhënë çdo farë që lëshon bimë, e cila gjendet mbi sipërfaqen e tokës, dhe çdo pemë, në të cilat ka fruta; për ju, ato do të jenë si mishi‘. (Zanafilla 1 : 29)”. Ndërsa Pali, një nga dishepujt më të mëdhenj të Jezusit, shkroi në letrën e tij për romakët: “Është mirë të mos hani mish… (Romakët 14 : 21)”. Kohët e fundit, historianët kanë zbuluar tekste të hershme të ngjashme me Dhiatën e Re që përshkruajnë jetën dhe ligjëratat e Jezusit. Në një nga këto shkrime Jezusi thotë: “Mishi i kafshës së therur në trupin e njeriut, do të bëhet varri i tij. Sepse unë me të vërtetë ju them, ai që vret, vret vetveten, dhe kushdo që ha mishin e kafshëve të therura, ha trupin e vdekjes”. Hindutë e hershëm në Indi gjithmonë e ndalonin ngrënien e mishit ndërsa Manu, ligjvënësi i parë i tyre, shkruante: “Mishi asnjëherë nuk mund të përdoret pa shkaktuar dëm te krijesat e gjalla, dhe nëse njeriu dëmton qeniet e vetëdijshme, ai nuk mund të fitojë lumturinë qiellore. Pra, si rrjedhim, largojuni mishit”. Libri i shenjtë i Islamit, Kurani, ndalon ngrënien e “kafshëve të ngordhura, gjakut dhe mishit…”.
Kështu, gjatë gjithë historisë, shumë njerëz kanë përshtatur dietën vegjetariane dhe i kanë nxitur të tjerët të bëjnë të njëjtën gjë. Pas shumë studimeve dhe kërkimeve të kohëve të fundit, shkencëtarët kanë arritur në përfundimin se paraardhësit tanë të hershëm ishin vegjetarianë, të cilët nuk e hanin mishin, përveç periudhave kur kishte kriza të skajshme. Kjo ndodhi gjatë periudhës së fundit të akullnajave, kur dieta e tyre normale e frutave, arrave dhe perimeve mungonte dhe qeniet e hershme njerëzore iu duhej të fillonin të hanin mish kafshësh, me qëllim që të mbijetonin. Për fat të keq, ky zakon i të ngrënit mish vazhdoi edhe pas kësaj periudhe, nga domosdoshmëria (si eskimezët dhe fiset që banonin në Veriun e largët), ose për shkak të zakonit, kushtëzimit, apo mungesës së njohurive të duhura.
Cilat janë rreziqet e të ngrënit mish?
Studimet kanë treguar se eskimezët, që kryesisht jetojnë me mish dhe me dhjamëra, plaken shpejt dhe jetojnë mesatarisht 27-28 vjet. Kirgezët, një fis lindor rus shtegtarësh që jetojnë kryesisht me mish, maturohen shpejt dhe në të njëjtën kohë vdesin herët; ata rrallë e kalojnë moshën e të dyzetave. Nga ana tjetër, studimet nga antropologët e kulturave jo mishngrënëse kanë dokumentuar shëndetin, qëndrueshmërinë dhe jetëgjatësinë që gëzojnë njerëz të tillë si fisi Hunzas në Pakistan, tribuja Otomi (vendasit e Meksikës) dhe popujt vendas të jugperëndimit amerikan. Nuk është e pazakontë për fise të tilla të kenë individë të shëndetshëm dhe aktivë që jetojnë 110 vite e më shumë. Statistikat botërore të shëndetit, në mënyrë të vazhdueshme, tregojnë që kombet të cilat konsumojnë më shumë mish, kanë prekshmëri më të madhe nga sëmundjet (e zemrës, kancerit), ndërsa grupet e vegjetarianëve në vende të ndryshme kanë shkallë prekjeje më të vogël nga to.
Kanceri
Një studim i fundit i kryer në rreth 50,000 vegjetarianë zbuloi rezultate që tronditën botën e kërkimeve kanceroze. Studimi tregoi qartë që ky grup në mënyrë të habitshme ka një vlerë shumë të ulët kanceri dhe të gjitha llojet e tij zhvillohen në vlera më të ulëta, krahasuar me një grup tjetër të së njëjtës moshë dhe seks. Studimi tregoi gjithashtu që jetëgjatësia e tyre është po ashtu më e gjatë. Një kërkim tjetër i mormonëve në Kaliforni, tregoi që kanceri në këtë grup zhvillohej në një masë prej 50% më të ulët sesa ai i popullsisë tjetër.
Pse ata që hanë mish janë më të rrezikuar nga kanceri?
Një arsye mund të jetë fakti që mishi i kafshëve, i ndenjur për disa ditë, merr një ngjyrë gri në të gjelbër, ndaj edhe industria e mishit përpiqet ta maskojë këtë gjë, duke shtuar nitrite (NO2), nitrate (NO3) dhe konservues të tjerë. Këto substanca e bëjnë mishin të duket i kuq, por në vitet e fundit, shumë prej tyre, në mënyrë të përsëritur, kanë treguar se janë kancerogjene.
William Lijinsky, një kërkues shkencor për kancerin në laboratorin Kombëtar të Ridge në Tennessee tha: “Unë nuk i jap ushqime që përmbajnë nitrat as edhe maces sime. Për më tepër, shkencëtarët britanikë dhe ata amerikanë, që kanë studiuar bakteret e zorrëve të mishngrënësve, duke i krahasuar me ato të vegjetarianëve, kanë gjetur ndryshime shumë të dukshme. Bakteret në zorrët e mishngrënësve reagojnë me lëngjet e tretjes për të prodhuar kimikate, të cilat shkaktojnë kancer. Kjo mund të shpjegojë pse kanceri i zorrëve është shumë i përhapur në zonat mishngrënëse si Amerika e Veriut dhe Evropa Perëndimore, ndërsa ai është mjaft i rrallë në vendet vegjetariane si India. Në Shtetet e Bashkuara, për shembull, kanceri i zorrëve është forma e dytë më e përhapur e kancerit (i dyti pas kancerit të mushkërive), dhe populli i Skocisë, i cili konsumon 20% më shumë mish lope sesa populli i Anglisë, ka një nga shifrat më të larta në botë të kancerit të zorrëve.
Sëmundjet e zemrës
Shkencëtarët e Harvardit gjetën se tensioni mesatar i gjakut te vegjetarianët që ishin studiuar, ishte në mënyrë të ndjeshme më i ulët sesa ai i një grupi të krahasueshëm, jovegjetarianësh. Gjatë Luftës Koreane, 200 kufoma ushtarësh të rinj amerikanë, me moshë mesatare prej 22 vjeç, u ekzaminuan mbas vdekjes. Pothuajse 80% e tyre kishin arterie të ngurtësuara, të ngushtuara nga ngrënia e mishit. Ushtarët koreanë të së njëjtës grupmoshë u ekzaminuan, dhe u gjet se nuk vuanin nga ky dëmtim në enët e tyre të gjakut. Koreanët ishin pothuajse të gjithë vegjetarianë.
Në Amerikë, sëmundjet e zemrës janë vrasësi numër një: një në dy njerëz vdesin nga zemra, ose nga sëmundjet që lidhen me enët e gjakut. Përherë e më shumë, mjekët (dhe Shoqata Amerikane e Zemrës) po kufizojnë në mënyrë të prerë sasinë e mishit që mund të hanë pacientët e tyre të zemrës, ose u thonë atyre, që të ndalojnë plotësisht së ngrëni mish. Revista e Shoqatës Amerikane të Zemrës raportoi në vitin 1981 se “një dietë vegjetariane mund të parandalojë 90-97% të sëmundjeve të zemrës (sëmundja trombo-embolike dhe bllokimet koronare)”.
Shkencëtarët tani e dinë që ushqimi i fortë (celuloza) dhe fibra e dietës vegjetariane, në të vërtetë, ulin nivelin e kolesterolit. Dr. U. D. Register, kryetar i Departamentit të Ushqimit në Universitetin e Loma Linda në Kaliforni, përshkruan eksperimentet në të cilat një dietë e pasur me bathë, bizele, etj., në të vërtetë, e uli kolesterolin, madje edhe kur subjektet përkatëse, konsumonin sasi të mëdha me gjalpë.
Vegjetarianët janë shumë më të shëndetshëm se mishngrënësit
Mishi nuk përbën një dietë natyrore për njeriun dhe as produktin më të shëndetshëm për të. Vegjetarianët thonë se mishi konsumon para kohe trupin e njeriut dhe krijon shumë sëmundje. “Një motor me benzinë mund të punojë edhe me vajguri, por ai do të bllokohet shpesh, dhe do të ketë më shumë defekte sesa kur do të punonte me benzinë”. Për më tepër, trupat tanë nuk janë thjesht makineri, por krijesa të ndërlikuara, të cilat duhet të na shërbejnë gjatë gjithë jetës sonë. Si rrjedhim ka arsye të forta që atyre duhet t‘u jepet ushqimi për të cilat ata janë ndërtuar, për të konsumuar - një dietë natyrore me fruta, drithëra, arra, bimë bishtajore, perime dhe prodhime blegtorale.
Atëherë nuk është çudi, që studimet e panumërta kanë vërtetuar se të gjithë vegjetarianët, në mbarë botën, janë shumë më të shëndetshëm se njerëzit që konsumojnë mish. Gjatë krizës ekonomike të luftës, kur njerëzit ishin të detyruar të jetonin me dieta vegjetariane, shëndeti i tyre u përmirësua në mënyrë të ndjeshme. Në Danimarkë, gjatë Luftës së Parë Botërore, pati mungesë ushqimesh për shkak të bllokadës së britanikëve dhe qeveria daneze emëroi drejtorin e Shoqërisë Vegjetariane të Kombit, për të drejtuar programin e racionimit. Gjatë gjithë kohës së bllokadës, danezët ishin të detyruar të jetonin me drithëra, perime, fruta dhe produkte blegtorale. Në vitin e parë të racionimit, përqindja e vdekjeve ra 17%. Kur norvegjezët u bënë vegjetarianë për shkak të mungesës së ushqimit gjatë Luftës së Parë Botërore, ndodhi një rënie e menjëhershme në përqindjen e vdekjeve nga sëmundjet e sistemit të qarkullimit të gjakut. Kur popujt e këtyre dy vendeve, iu kthyen dietës me mish, pas mbarimit të luftës, përqindja e vdekjeve dhe përqindja e sëmundjeve të zemrës u ngrit menjëherë në nivelet e paraluftës. Hunzas, një fis në Indinë Veriore dhe Pakistan, është bërë i njohur në mbarë botën për mungesën e sëmundjeve dhe jetëgjatësinë e tyre. Shkencëtarët kureshtarë nga shumë vende kanë shkuar në fshatrat e tyre për të zbuluar sekretin e një kulture, ku sëmundja pothuajse nuk njihet dhe vendasit zakonisht arrijnë moshën 115 vjeç e më shumë. Dieta e tyre konsiston kryesisht në drithërat, frutat e freskëta, perimet dhe qumështi i dhisë. Sër Rob Mc Garrison, një gjeneral dhe mjek britanik, i cili punoi me Hunzas shkroi: “Unë kurrë nuk pashë një rast apendisiti, koliti, apo kanceri”. Një grup me mjekë nga Harvardi dhe shkencëtarë kërkimorë shkuan në një fshat të largët me 400 njerëz në malet e Ekuadorit. Ata u mahnitën kur panë se shumë nga këta njerëz vendas jetonin gjatë. Njëri ishte 121 vjeç, dhe shumë prej tyre ishin mbi 100. Një ekzaminim i plotë iu bë atyre që ishin mbi moshën 75 vjeç - nga këta vetëm dy kishin sëmundje zemre! Fshatarët ishin vegjetarianë të pastër. Doktorët i quajtën këto zbulime “të jashtëzakonshme” dhe thanë që “ekzaminime të tilla me një popullsi të ngjashme në Shtetet e Bashkuara do të tregonin 95% me sëmundje zemre”.
Statistikat, vegjetarianët më të “dobët” dhe më të shëndetshëm.
Mesatarisht, vegjetarianët peshojnë rreth 9 kilogramë më pak se mishngrënësit. Instituti Amerikan Kombëtar i Shëndetit, në një studim të kohëve të fundit me 50.000 vegjetarianë, zbuloi që vegjetarianët jetojnë për një kohë më të gjatë, kanë raste më të pakta të sëmundjeve të zemrës dhe raste të rralla të kancerit, krahasuar me ato të amerikanëve që hanë mish. Në Angli, vegjetarianëve iu duhet të paguajnë më pak për sigurimin e jetës sesa mishngrënësve, sepse ka më pak mundësi që ata të sëmuren nga sëmundjet e zemrës, dhe si rrjedhim konsiderohen me rrezik më të vogël nga kompanitë e sigurimeve. Edhe restorantet vegjetariane paguajnë më pak për politikat e tyre të siguracionit për helmimin nga ushqimet, meqenëse klientët e tyre kanë më pak mundësi që të helmohen nga ushqimi sesa nga restorantet që shërbejnë mish.
Në Universitetin e Harvardit, një mjek ka treguar se një dietë vegjetariane pakëson të ftohurat dhe alergjitë. Studimet te fëmijët kanë treguar që fëmijët vegjetarianë kanë dhëmbë më të mirë dhe raste të rralla sëmundjesh - ftohje, alergji, etj. - se fëmijët jovegjetarianë, të cilët janë të prirur drejt dhjamosjes dhe sëmundjeve të zemrës. Pra është provuar shpesh, në mënyrë shkencore, se ngrënia e mishit është shumë e dëmshme për trupin e njeriut, ndërsa një dietë vegjetariane, e zgjedhur mirë në harmoni me ligjet e natyrës, do të na ndihmojë të kemi një trup dinamikisht të shëndetshëm, një tempull të pastër për mendimet dhe ndjenjat zhvilluese të mendjes.
Vegjetarianët, fizikisht më në formë se mishngrënësit
Një nga konceptet e gabuara më të mëdha rreth dietës vegjetariane, është që ajo do të formojë një person të dobët, të zbehtë dhe shëndetlig. Asgjë tjetër nuk mund të jetë kaq larg nga e vërteta. Shumë studime, në fakt, kanë treguar se vegjetarianët janë më të fortë, më të shkathët dhe janë më të durueshëm se mishngrënësit. Dr. H. Schouteden i Universitetit të Belgjikës kreu teste për të krahasuar qëndrueshmërinë, forcën dhe shpejtësinë e marrjes së vetes nga lodhja te vegjetarianët dhe mishngrënësit. Zbulimet e tij treguan që vegjetarianët ishin plotësisht superiorë në të tria karakteristikat. Në testet e qëndrueshmërisë të kryera në Universitetin e Yale mbi atletët, instruktorët, doktorët dhe infermierët, u gjet që vegjetarianët kishin mbi dy herë më shumë qëndrueshmëri se mishngrënësit. Teste të ngjashme nga J. H. Kellogg në Sanatoriumin e Battle Creek në Miçigan konfirmuan zbulimet e Yales.
Një studim në Universitetin e Brukselit nga Dr. J. Ioteyko dhe V. Kipani, gjeti që vegjetarianët ishin në gjendje t‘i kryenin testet e qëndrueshmërisë dy ose tre herë më gjatë se mishngrënësit para rraskapitjes së plotë dhe atyre iu desh një e pesta e kohës për të marrë veten nga lodhja pas çdo testi, sesa kundërshtarët mishngrënës. Këto rezultate të habitshme tregojnë që dieta vegjetariane është superiore për forcën fizike, durimin, dhe efektshmërinë. Në të vërtetë, kafshët më të fuqishme dhe që jetojnë më gjatë në botë janë të gjitha vegjetariane. Kali, qetë, bualli dhe elefanti kanë trupa të shëndetshëm, fuqi dhe qëndrueshmëri, gjë që u mundëson atyre të transportojnë ngarkesa masive dhe të bëjnë punë të rënda për njerëzit. Asnjë mishngrënës nuk e ka durimin ose qëndrueshmërinë për të qenë kafshë pune. Është gjithashtu interesante të theksojmë se shumë atletë të mëdhenj, që kanë kapur rekorde botërore në mundje, boks, ecje sportive, futboll, vrapim në natyrë, kanë qenë vegjetarianë.
Natyra njerëzore
Qeniet njerëzore nuk janë mishngrënëse vetëm nga fiziologjia - anatomia jonë dhe sistemi i tretjes tregon që ne kemi evoluar për miliona vjet, duke jetuar me fruta, arra, drithëra, dhe perime.
Për më tepër, është e dukshme që instinktet tona natyrore janë jomishngrënëse. Shumica e njerëzve thërrasin njerëz të tjerë për të therur mishin e tyre, dhe do të sëmureshin nëse do ta bënin vetë therjen. Në vend që të hanë mish të jo të gatuar, ashtu siç bëjnë të gjitha kafshët e tjera mishngrënëse, njerëzit e ziejnë, pjekin, ose e skuqin atë dhe shtojnë të gjitha llojet e salcave dhe erëzave me qëllim që t‘i heqin erën karakteristike. Një shkencëtar e shpjegon këtë gjë kështu: “Një maceje të uritur do t‘i shkojë goja lëng kur i merr erë mishit të gjallë dhe jo një fruti. Në qoftë se njerëzit mund të kënaqeshin duke kapur një zog, ta shqyenin atë të gjallë me dhëmbët e tyre, dhe të pinin gjakun e ngrohtë, ne mund të nxjerrim përfundimin që natyra u ka dhënë atyre instinkte mishngrënëse. Nga ana tjetër, për një bistak rrushi të ëmbël do t‘u lëshonte goja lëng, dhe madje edhe kur nuk kemi uri, ne hamë fruta sepse ato kanë shije të mirë”.
Shkencëtarët dhe natyralistët, duke përfshirë evolucionistin e madh Çarlz Darvin, pranojnë që njerëzit e hershëm ishin ngrënës të frutave dhe të perimeve dhe gjatë gjithë historisë anatomia jonë nuk ka ndryshuar. Shkencëtari suedez Von Linne shprehet: “Struktura e qenieve njerëzore, e jashtme dhe e brendshme, e krahasuar me atë të kafshëve të tjera, tregon që frutat dhe perimet përbëjnë ushqimin e tyre natyror”.
Pra, nga studimet shkencore është e qartë që fiziologjikisht, anatomikisht dhe instinktivisht, qeniet njerëzore janë në mënyrë të përsosur të përshtatura për një dietë frutash, perimesh, arrash dhe drithërash.
Shkrimtari
Njëherë, shkrimtari i madh rus, Leon Tolstoi, kishte shtruar një darkë në shtëpinë e tij. Ai ishte vegjetarian dhe pothuajse të gjithë miqtë e tij ishin si ai, përveç një zonje, e cila hante mish. Kur u ul për të ngrënë, ajo pa, për habi të saj, që nuk kishte asgjë në pjatë, ndërsa një pulë e gjallë ishte lidhur në karrigen e saj! Tolstoi i shpjegoi: “Ndërgjegjja ime ma ndalon ta vras pulën. Përderisa ju jeni e vetmja mysafire që hani mish, unë do të isha tepër i nderuar nëse ju do ta merrnit përsipër ta therni vetë pulën”.


16 December 2007 @ 12:03 am
Ne ne shqip kemi nje shprehje: Mishi qe s’ha mish nuk osht mish!
Shaka…
16 December 2007 @ 12:10 am
Këta ngatërrojnë ngrënien me shumicë të mishit me ngrënien e mishit. Çdo gjë që konsumon me shumicë të bën dëm (edhe uji). Kjo s’do të thotë që na duhet të shndërrohemi në mosngrënës të mishit.
Nga e gjetën këtë perlë? Ke ndonjë citat? Përse i kemi ato dhëmbë që kemi nëse hanim vetëm perime?
16 December 2007 @ 12:15 am
Kur thone “njerzit e hershem” keta duhet te nenkuptojne ata qe sapo ishin zhvilluar nga majmunet
Qe te mos keqkuptohemi, ky shkrimi eshte renditur ne kategorite “24 Karat” dhe “Argetim”… Pjesa qe me pelqen me shume jane rrjeshtat e fillimit ku thuhet si te ishte e gdhendur ne gur se:
Si kunderpergjigje ndaj ketij shkrimi, qe s’ma merr mendja se do te gjente shume miratues ne shoqerine tone, do te permendja kete shkrim ketu
16 December 2007 @ 12:18 am
Ne shqipot kemi eksperience nga monizmi se si u katandisem kur hanim vetem 2-3 here mish ne vit!!!
16 December 2007 @ 12:22 am
Kjo eshte e vertet ,
..Elefanti nuk ushqehet me mish ,ai eshte vegjetarian dhe eshte kafsha me e forte e pyllit..
16 December 2007 @ 8:35 pm
llukano rrofsh se na bone me qesh. hihihihi