Varfëria dhe kafshata e mëshirës
Nikollaq Neranxi
Panorama
Ishte një krizë e paralajmëruar. Vala e tërmetit të rritjes së çmimeve në vendet e tjera, nga ku ne importojmë afro tre të katërtat e artikujve ushqimorë dhe lëndëve të para për industrinë ushqimore dha goditjen qysh gjysmën e dytë të vitit … të shkuar. Kjo rritje çmimesh, që u ndikua edhe nga faktorë të brendshëm si kriza energjetike, amullia në fushën fiskale, pakësimi i prodhimit të brendshëm bujqësor etj., kulmoi me dyfishimin e çmimit të nënprodukteve të miellit dhe të drithërave, në veçanti të bukës. Qeveria e përfshirë në lëvizjen e saj inerciale e rutinore, e dalldisur për të mbushur me patjetër thesin e buxhetit dhe uzurpimin e institucioneve, me gjithë paralajmërimet tona, as deshi të shikojë as të dëgjojë. Dhe ja ku jemi: Para një varfërie masive, e cila sa vjen e shtohet.
Varfëria është dukuri social-ekonomike, por jo fatalitet. Është ajo gjendje, e cila për shkak të mungesës së mjeteve financiare, mjeteve të prodhimit, pronës dhe pasurive të paluajtshme dhe mungesës së mundësive të barabarta, e cila kufizon ose privon individin, familjen, komunitetin dhe më gjerë, nga mundësia për plotësimin optimal të kërkesave jetësore bazë, për një jetë dinjitoze e më të mirë, që është aspiratë e gjithkujt. Faktorët që e shkaktojnë atë janë të shumtë, që në aspektin individual e më gjerë, përfshi dhe keqqeverisjen. Shqipëria është vendi më i varfër në Evropë. Kemi një varfëri të trashëguar, rrjedhim i faktorëve historiko-shoqërorë. Sistemi që lamë pas, pas një sundimi dyzetepesë vjeçar, na la të barabartë në varfëri. Me fillimin e demokratizimit të vendit, me mundësitë dhe rastet që u krijuan në ekonominë e tregut dhe lirinë ekonomike, që hapi hapësira veprimi, individë dhe grupe shoqërore të caktuara e kanë kapërcyer varfërinë, por për shumicën e popullsisë ajo është thelluar. Krahas atyre që “lahen në vaska floriri” apo hanë me lugë argjendi e jetojnë në luks të paparë, janë skamnorët, të mjerët, ata që u mungon kafshata e bukës dhe çatia e strehës. Dhe nuk janë pak, po t’u besojmë statistikave janë mbi një e treta e popullsisë! Megjithatë, nga qeveritë, asnjëherë nuk është saktësuar niveli zyrtar i varfërisë dhe pjesa e popullatës që jeton në këtë nivel mjerimi.
Në këtë tranzicion të gjatë e të mundimshëm shtatëmbëdhjetë vjeçar e që s’po i duket fundi, qeveritë venë e vinë, por varfëria është ulur këmbëkryq në vatrat shqiptare. Në vend që të lehtësohej, ajo thellohet. Rritja e fundit e çmimeve të artikujve të shportës, duke nisur që nga buka, vaji ushqimor, bulmetrat, mishi, frutat e perimet e të tjera, si dhe rritja e pritshme e çmimit të energjisë elektrike dhe në sektorët e tjerë, vështirëson shumë jetesën e shtresave të gjera të popullatës, të cilat duke mos qenë në gjendje të përballojnë çmimet e rritura të artikujve të shportës me afro 40%, detyrohen të pakësojnë konsumin dhe të keqësojnë cilësinë e jetës, të ulen e të ngrihen nga tryeza të panginjur. Të varfrit vazhdojnë të shtohen, më të rrezikuara janë 80 mijë familje që jetojnë në dietë urie me kafshatën e mëshirës që u jep qeveria si ndihmë ekonomike, mosha e tretë, që nuk janë pak, por afro 550 mijë vetë, si dhe punonjësit buxhetorë me paga të ulëta. Shtresa e mesme me pamundësi të shtimit të të ardhurave për të përballuar rritjet galopante të çmimeve, po rrëshqet drejt shtresës së varfër. Në dyqanet e pakicës shtohen listat e borxhlinjve. Kjo krizë, që sa vjen e thellohet, po godet edhe bizneset e vogla dhe sektorin e shërbimeve, duke i çuar drejt falimentimit dhe kësisoj në shtimin e ushtrisë së të papunëve. Inflacioni, paçka që nuk deklarohet, po kapërcen në dy shifra, qytetarët mbeten të rrezikuar e të pambrojtur. Gjithë sa sipërshkruam, janë e kundërta e programit qeverisës të maxhorancës, që erdhi në pushtet. Tullumbacja u shfry dhe demagogjisë i doli boja, programi social-ekonomik është një dështim i plotë. Në vend të mirëqenies sociale të premtuar, po përjetojmë mjerimin social!
Dihet që varfëria është burim i të gjitha të këqijave. Në aspektin psikik, ajo streson dhe rëndon gjendjen shpirtërore që kthehet në një lëngatë kolektive. Sindromi i varfërisë është i lexueshëm në pamjen e secilit, në sjelljet, qëndrimin, humorin e hidhur. Karakteret e dobëta depersonalizohen dhe kërkojnë ngushëllim e zgjidhje në gotën e alkoolit, drogën, dhunën ndaj të tjerëve, rritin kriminalitetin e deri në akte dëshpërimisht të dhimbshme e të skajshme të vetëvrasjeve për shkak të varfërisë, raste që fatkeqësisht i dëgjojmë përditë në media, aq sa mund të themi sa janë bërë refren i përditshëm i jetës sonë të varfër. Kronikat e zeza mbushin faqe të tëra të gazetave, në vend të lajmeve të mira e të gëzuara, a thua se s’ka fare të tilla!
Në pamundësi për të gjetur zgjidhje të përshtatshme e të pranueshme, gjenden rrugët e gabuara e të ndaluara që induktohen nga varfëria: në vend të mallrave eksportojmë krah pune, kryesisht ilegalisht, vazhdon trafikimi i qenieve njerëzore dhe i femrave për tregun e prostitucionit, prodhimi dhe trafikimi i bimëve narkotike, marrja peng dhe sekuestrimi i personave, shkeljet e kodeve doganore dhe kontrabanda, prodhimi klandestin i mallrave ushqimore dhe falsifikimi i firmave të njohura, evazioni fiskal dhe pastrimi i parave të pista dhe korrupsioni e mitmarrja, në të gjitha nivelet e administratës ku kryhen shërbime ndaj qytetarëve. Pa një luftë tërësore dhe efektive kundër varfërisë, së pari nga qeveria, por edhe me pjesëmarrjen e grupeve të gjera shoqërore dhe biznesit, shoqëria jonë s’ka për të shpëtuar apo u lehtësuar nga këto dukuri. Nuk duhen luftuar vetëm pasojat, por kryesisht shkaqet që i pjellin ato.
Të jesh i varfër nuk është turp. Të mos luftosh kundër varfërisë, kjo po, është e turpshme. Parë në planin social askush nuk pajtohet me varfërinë, gjithë veprimtaria dhe përpjekjet e secilit janë një reaksion i natyrshëm për të kapërcyer këtë prag vuajtjeje. Përpjekjet për të shpëtuar nga varfëria dhe për të krijuar burime të qëndrueshme ekonomike, janë sa të ndryshme dhe aq të pangjashme midis individëve, të cilët mbi bazën e iniciativës private, mundësive dhe aftësive përpiqen të gjejnë vetveten në një hapësirë që sa vjen e ngushtohet dhe konkurrencë që ashpërsohet. Ka të humbur e të fituar. Në gjithë këtë veprimtari, që gati duket kaotike dhe jashtë kontrolli nga jashtë, por që u nënshtrohet ligjësive të mirëfillta të një ekonomie të hapur tregu, bëhet evident roli i shtetit. Këtu vlen të ndalemi: Varfëria nuk luftohet me mendësi bolshevike, me anatemimin e atyre që lahen në vaska floriri, apo që i ushqejnë qentë me petulla dhe biftekë. As me mëshirë, me kafshatën e urisë e të turpit. Varfëria pakësohet me punë, me hapjen e vendeve të reja, me stimulimin e biznesit të vogël, rritjen e prodhimit për treg, duke shfrytëzuar burimet tona të shumta të mbitokës e të nëntokës, e para së gjithash në bujqësi, që është fusha ku investimet kthehen në të mira materiale dhe shpërblehen brenda vitit bujqësor. Në vend të këtyre veprimeve, bizneset e ngritura, jo vetëm që nuk mbështeten për zgjerimin e aktiviteteve, por luftohen deri në falimentim. Nuk mbrohen nga konkurrenca e pandershme dhe hyrja pa doganë e mallrave, që shton evazionin fiskal dhe nxjerr nga tregu kompanitë e mëdha ku punësohen qindra vetë. Fuqizimi i biznesit me shtimin e të ardhurave do të fuqizojë edhe buxhetin e shtetit. Duke shmangur këta faktorë negativë dhe duke zbatuar politika fiskale të mira dhe jo rrënuese, si dhe me kreditimin bankar, krijohen mundësitë që do të sjellin pakësimin progresiv të varfërisë. Nuk pretendojmë se po themi ndonjë gjë të re, këto dhe rrugë të tjera janë të njohura, mjafton vullneti për t’i zbatuar, por mesa duket, ky vullnet mungon.
Qeverisë, megjithëse ekonomia është sektor jetik e prioritar, i mungon vizioni dhe vullneti për t’u angazhuar fort në këtë sektor me politika reale zhvillimore afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjata. Nuk di qoftë dhe një rast të vetëm, që Kryeministri, i cili preokupohet edhe për energjinë atomike, apo shtetarët e tjerë, t’u jenë drejtuar shtetasve dhe votuesve të tyre që t’i kthehen punës, pasi ajo është burim i të mirave materiale dhe përmirësimit të kushteve të jetesës. Nuk e dinë apo nuk duan?
Le të kthehemi aty ku e nisëm. Në krizën aktuale, që nga përmasat dhe pasojat është e ngjashme me fatkeqësitë natyrore, krahas masave të tjera zbutëse që i kanë zbatuar vendet e rajonit, Qeveria duhet të bëjë indeksimin real e të vërtetë të rritjes së çmimeve, e theksoj të vërtetë, menjëherë tani duke rritur pensionet e pagat e buxhetorëve. Është shaka e hidhur dhe cinike deklarata se kjo ndërhyrje do të shtyhet për në korrik, që do ta zgjasë këtë agoni muaj të tërë. Duhet tani, nesër është vonë!


Shkruaj një koment (login)