Valixhja e kurbetçiut
“Gjithë jetën nën urdhër,
Qeseja sa një kokërr hudhër! “
Çajupi
Aty, mes viteve ‘30 të shekullit që kaloi, kur Shqipëria qe mbretëri, nga familja e Bezatajve në krahinën e Tomorricës, iku Ganiu në kurbet. Qe i ri Ganiu kur iku dhe aty, në fshat, la të ëmën, Refikon, dhe të vëllanë, Shefitin. Ky, Shefiti, qe i martuar dhe kur iku Ganiu kish tri fëmijë. Kurse Ganiu qe i pamartuar. As Refikua, e ëma, dhe as I vëllai, Shefiti, nuk e donin këtë ikje, por hajde t’i mbushje mendjen Ganiut, pa?! Ky se ku kish përpjekur me një shok të ushtrisë(se e kish bërë ushtrinë Ganiu, andej nga Tirana! ) dhe, pasi ishin çmallur, si zakonisht kur takohen dy miq, kishin dalë dhe tek hallet e përditshme. Shoku qe nga një fshat i Korçës dhe ky dhe i kish hapur ato kartërat e kurbetit. Po ku ky shoku nga Korça që kish, siç thoshë, një xhaxha dhe një dajo në Amerikë, dhe ku Ganiu nga Tomorrica që dhe gjer në Çorrovodë, kish qenë a s’kish qenë më të rrallë. Edhe në Tiranë ku bëri ushtrinë, më shumë e kaloi në kazermë se sa për qytetin as që e njihte ai, jo. Mirë, o mirë, po ky shoku nga Korça jo vetëm i hapi kartërat, por i hapi dhe oreksin Ganiut. Dhe aty për aty, Ganiu i dha karar: - A më merr dhe mua me vete? Shoku, si u mendua një copë herë, i tregoi për harxhet e rrugës, se sos do shkonte gjer në Korçë, po larg e larg mërguar, deri në Amerikë. Ganiu u nda me shokun dhe lanë që të takoheshin pas një muaj. Sa mbrriti në shtëpi, Ganiu e hapi muhabetin në fillim me të ëmën, Refikon, dhe, më pastaj, me Shefitin. As Refikua nuk donte, por as dhe i vëllai. - More, po ku do të shkosh, xhanëm? - i tha i vëllai. As fis dhe as farë nuk kemi andej. Por dhe as lekë. Të futemi borxh, po vallë të shkon mbrothh dhe si do t’i lajmë, pastaj, ato çika lekë? Por Ganiu nguli këmbë si mushka: - Do shkoj dhe, sa të mbrrij atje, do punoj dërrçe që t’judërgoj jo vetëm ato që do merrni hua, por dhe për veten tuaj. Shefiti, sikur u thye nga kjo këmbëngulje e të vëllait, dhe me sy shihte nga Refikua, e cila, siç shihej, qe dhe më në hall. Burrin e kish humbur të ri dhe mezi ia kish dalë që të rriste fëmijtë. Çupën e kish martuar në derë të mirë dhe me hallin që kishin tani(se hall vërtet qe! )mund që ato lekë për të nisur Ganiun t’i merrnin atje. Të paktën, nuk do jepnin fajde. Dhe kështu bënë. U nis Shefiti dhe trokiti në derën e mikut. Ky e priti me gjithë të mirat dhe, kur mori veshë për hallin, i tha: - Nuk është puna tek paratë. Ato do të t’i japë dhe, kur t’i bëshë, m’i kthe. Po kam hallin e Ganiut unë. I ri po. Atje po njeri të njohur nuk kemi. Më duket se do t’i vejë si puna e atij kurbetçiut nga një fshat ngjitur me tonin, që shkoi në Amerikë, ndenji nja 10- vjet të mira dhe, ndërsa i ati priste që të dërgonte para, për të larë borxhin që e nis për andej, ky, birçja, tek kthehesh, kish hyrë borxh dhe shiti selishten, të vetmen tokë pjellore që i mbante gjallë. Pra, si puna e asaj deles që thonë tek kërkonte të vinte brirë, la dhe veshët atje. Këtë nuk ta them për punë të parave, por as na kanë parë sytë mirë dhe as na kanë ndjerë veshët gjë. Janë të rrallë, të rrallë ata që kanë parë hair nga kurbeti. Megjithatë, paratë ia dha dhe, kur mori veshë se kur do nisej Ganiu, i tha: - Do vij që në darkë me tët motër. Unë do ta shoqëroj deri në Durrës. Dhe iku kështu Ganiu. Pas tri muajësh erdhi haberi që Ganiu mbrriti në Amerikë. Se ku në Amerikë, këtë nuk e dinte askush. Kaluan dhe ca muaj dhe erdhi një letër. Me vrap dhe në fshatin matan për ta lexuar, se as Refikua dhe as Shefiti s’dinin të lexonin. Një letër si e shkruar në këmbë! “. . . sosa mirë, po punoj në një duhantore dhe të fala kokë për kokë”. Kaq. Prit për ndonjë para, po hiç! Kaluan edhe dy vjettë tjerë. Prapë hiç. Bëri si bëri Shefiti dhe shiti mushkën për të kthyer borxhin. Mandej, filloi lufta dhe nuk bëhej më hesap as për lajme dhe as për letra. Dhe Ganiu humbi si sëpata pa bisht. As i gjallë dhe as i vdekur. Ndërkaq, nënë Refikua vdiq. Plasi më mirë të thuash. Nga malli për të birin. Shefiti po plakej dhe tani ish bërë me një vathë fëmijë. Nga tri që pati, në 6 flmijë. 4 vajza e dy djem. Djemtë lindën pas vajzave. Vajzat qenë bërë për martesë, kurse djemtë po rriteshin. Kur aty mes viteve ‘50, vjen një telegram. “Më 5 prill 1954 jam në Durrës. Dil e më prit. Ganiu. “
Qenka gjallë, - s’e mbajti dot gëzimin Shefiti. Me telegram në dorë u hodh deri tek emotra që nuk qe shumë larg prej fshatit të tyre. Dhe motra e vetme sa nuk ulriti nga gëzimi. Gaz i madh sa nuk bëhej . Erdhi dhe prilli dhe në Durrës(se vinte me pamporr! )kish dalë dhe i, kunati, Niaziu, dhe një nga djemtë e Shefitit që po bëhej burrë. U përqafuan me mall, dy vëllezërit dhe madnej ikunati. Kur mbrritën në fshat, nuk rreshtnin gostitë. Gaz i madh jo vetëm tek Bezatajt, po në tërë fshatin. Ganiu kish ndryshuar shumë. Qe mplakur dhe kish hyrë si doku në ujë. Por, megjithatë ai dallonte që atje tej, se kish parë dynja me sy. Qe i bredhur, more babam! Ndërsa të gjithë ç’shihje për reth qenë vesshur me të leshta, ky, Gani Kurbetçiu, na qe veshur me një kostum bojë kafe dhe më kish një këmishë me jakë(atyre anëve të gjithë këmishët i ishin pa jakë, grykëza! )të bardhë dhe, veç kësaj, na kihste dhe kollare. Dhe të kishe kollare këtyre anëve do të thoshte se ti nuk je një njeri do si do, po je tjetër; krejt tjetër: d. m. th. je i mënçëm, je i ditur! E kishin vënë në qoshe Ganinë dhe, kurdoherë, që pihej, shëndeti i parë pihej për të. Por dhe ky dukej sikur mbahej në të madh. Sikur gjithçka që bëhej për të, bëhej se i meritonte. Fshati qe vënë si në radhë: kush e kush ta nderonte më shumë. Dhe me këtë trgonte se jo vetëm s’e kishin harruar, por dhe e donin. Kur fliste, të gjithë e shihnin në sy dhe kurkush nuk guxonte të kundërshtonte qoft dhe një fjalë që thoshte se kish qenë në Amerikë i biri i botës. Dhe nuk ishte pak kjo gjë. Një natë, Shefiti, si me terezi e solli fjalën atje ku i dhëmbte. - Burazer, - i tha, - së pari që shyqyr që erdhe gjallë e shëndosh, po ndonjë çikë pasuri aporokopi ke sjellë me vetet, apo jo? Sos për vete, pa puna jonë u pa. Dhe Ganiu: - Pse u ngroha në diell atje unë? Por ka patur ca “meselera” me bankat(punë shkresash)po prapa vjen valixhja ime. Vijnë pas valixhet e mia, Shefit! Kaq. Po se mos është pak? Doli fjala nga dhëmballa dhe mori 27 mëhalla. U hap nëpër fshat. Dhe varda gostitë. Të gjithë i thoshin Gani- be! Dhe Gani- beu ku leh qen e ku del tym, ku ja bën daullja bym. Zuri pinte pa hesaap. Një natë, në pije e sipër, se ç’ndjeu një dhëmbje. Kuje e zezë! Natë po. Larg, sa të duash. Nga Çorovoda; dhe nga Korça ca më larg. E vunë mbi një mushkë dhe tri katër burra me Shefitin në krye për në Çorrovodë! Po më kot. Dha shpirt rrugës. Kaq qe thënë nga Zoti! E varrosën me dhimbje.
* * *
Kish kaluar më shumë se një vit nga nga vdekja e Ganiut, kur mbrriti një letër nga Amerika. Nga Amerika?! Oh, - mendoi Shefiti, - për valixhet. Me siguri. E mori zarfin dhe ia dha të birit që ishte me shkollë tani. E hapi i biri, po nuk po e elexonte dot. - More kështu ke mësuar në shkollë ti? - iu akrrua. Sillma t’hu se do shkoj tek mësuesi unë. Ashtu bëri. Mësuesi e mori letrën dhe i tha. - Shefit është anglisht letra. Vjen nga Amerika. Një 500 dollarsëh shoh unë, po më tej nuk di. Vetëm në Çorrovodë gjen derman. Shefiti për t’irënë mëshkurt për në Çorrovodë, u nis të flinte tek motra. Një rrugë e dy punë. Hëm të çmaleshin , por dhe të llafoseshin për punë të atyre “valixheve” a “valixhes” të merhum Ganiut. Të nesërmen në mëngjes, u gjend në Çorrovodë, në komitet tek një miku i tij. E gjetë edhe atë “inglizin” që dinte të lexonte “amerikançe” në Çorrovodë. Ky, sa mori letrën, e lexoi dhe u tha. Letra vjen nga Amerika, nga një spital. Atje ka qenë i shtruar Ganiu. - Çfarë e ke ti Ganinë? - e pyeti. - Vëlla, - u përgjigjën ata një gojësh. E, - shtoi, përkthyesi, - spitali të njoftonë se Ganiu ka për të shlyer 500 dollarë dhe si adresë ka dhënë adresën tënde. - Si, ore, si? - kërceu Shefiti. Duan dollarë nga unë se Ganiu paska qenë flosh?! Po kjo pikë e zezë kështu?! Pastaj, si e mblodhi veten, pyeti: - Ore, po a vjen dot Amerika atje në majë të Tomorricës që të më marrë këto dollarë? - Jo, - ia pritën dy të tjerët. Atëhere, - tha Shefiti, - epo të, paça, moj Amerikë, se nga Shefit Bezati s’ke për të marrë ndonjë dollar. Për Ganinë shita mushkën, por për ty nuk kam ç’të shes. Por dhe sikur të kisha, xhanëm. Le të hapin “valixhen” e tim vëllai apo dhe të tjera që i ka lënë pas, se në diell nuk është ngrohur ai?! Dhe iku Shefiti në Tomorricë, dhe e tregoi të gjithë këtë histori. Kurse unë e solla për ju.
Përparim Hysi, 12 dhjetor 2007
Për “peshkupaujë”, 19dhjetor 2007

21 December 2007 @ 8:15 pm
Histori, nga ato te monizmit, qe perhapeshin per te trembur njerezine.
Pak si demode keto histori Papi.
21 December 2007 @ 9:21 pm
Perparim e ke lexuar “Emigrantet” te W Moberg, ky tregim eshte i ngjashem me gurin e mullirit.
Fatet e emigranteve jane njesoj per te gjithe.
22 December 2007 @ 4:33 am
Ishte tregim i dhembshem ky, o Papi. Duke e lexuar më solli ndermend historine e hidhur të dajos, që vdiq nga tymi i gurit në minierat e Firminy-së (Francë). Iku nga Këlcyra me 1933, në kohë të Luftës I i nderpreu letrat. Vetëm në vitin 73 me anën e një emigranti ( më duket se nga Çepani i Skraparit) lidhi marrdhëniet me të motrën. Me gjithëse për familjen tonë filluan ditët me të zeza per shkak të xhelozisë se një sekretareje putanë partie, ne asnjëherë nuk i shkëputëm marrdhëniet me të. Plaçkat që dërgonte na thyenin shpinën me doganën e rënde, por na vinte turp ti thoshim mos dërgo. Në 80 vdiq, por para vdekjes i kishte lënë amanet një emigranti orën e vet prej floriri që tja sillte së motrës, gjë që ai e kreu me ndershmëri. Simëje asnjë herë nuk iu terën syte që nga ajo kohë deri sa mbylli të vetët më 2005.
Papi, ne peshqit me duket se jemi shumë mirë, por imagjinoj se ka shumë fatkeqë sidomos kur shoh nja dy emisione tek News 24 dhe Vizion plusi që të merr të qarit kur dëgjon fate aq të trishtuara. Po aq të fuqishme janë emocionet edhe kur kerkimet e atyre vajzave dhe djemve të mirë të stafit te emisionit perfundojnë me sukses.
22 December 2007 @ 4:40 am
Ps. (Lufta II)
22 December 2007 @ 7:52 am
“Doli fjala nga dhëmballa dhe mori 27 mëhalla” - hehehe e bukur kjo shprehja. Historia eshte treguar bukur sidomos perdorimi i gjuhes labe (nese mund te them kete) e ben dhe me terheqes historine, packa se te dhemb kur lexon tregime emigrantesh te cilet moren rruget e botes per nje jete me te mire. Ca prej tyre ne ate kohe bene prokopi, por ka patur dhe si puna e Gani mavrise qe s’ishte ne gjendje as te lante borxhet e veta.
22 December 2007 @ 8:25 am
janë aq të rrallë sa askush nuk mund të thotë me siguri që egzistojnë
.
22 December 2007 @ 11:50 am
huh e bukur….
22 December 2007 @ 4:58 pm
Perparim, me duket si e degjuar kjo histori (ose “mesele”, do i thoshte i ndjeri babai im) - nuk jam i sigurte, sidoqofte. Me pelqeu qe kishte shume “Skrapar” brenda.
Per edrus-in, pa lidhje me temen: im ate thoshte “nuk me duhet mua bukuria e pjatos mo lla’, un shoh c’ka aty brenda”….
)
(pjato-pjatua eshte versioni skraparlli per pjaten - ket i kisha per nje komentin tat diku gjetke
22 December 2007 @ 5:31 pm
Em
23 December 2007 @ 4:12 am
Duke ju falenderuar te gjitheve,per “Valixhj e kurbetciut”,theksoj qe ngjarja eshte e vertete.Emigrant!Kete”Ganine”(vetem emrat jane te sajuar!)jo vetem e njoha,por ne shtepine tone hengri nja dy dreka te mira.Se mik pas miku,zbriti deri ne Myezeqe;ne ishim gjithesej nja 10 shtepi nga Skrapari(kishim te benim me njeri-tjetrin!)dhe koke per koke na nderoi “Ganiu”me ate kostumin kafe.Tregonte per”valixhen qe i vinte pas”dhe,befas,vdiq.Mandej,ngjarjet jane sic kam rrefyer.Sidoqofte,drama e kurbetit eshte e njhur ne shume e shume variante.