Login



Register

UT, diplomat, masterat e doktoraturat, me program të ri

 

Shezai Rrokaj: Kështu thyhen monopolet e lëndëve të disa profesorëve

 

Rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, ka deklaruar dje se “Senati miratoi kurrikulat e reja të pesë fakulteteve të mësuesisë, si dhe për Fakultetin e Infermierisë për të tria nivelet”. Kjo do të thotë se këtë vit të ri akademik, në Fakultetin e Histori-Filologjisë, Gjuhët e Huaja, Shkencat e Natyrës, Shkencat Sociale dhe në Fakultetin e Infermierisë mësimi do të zhvillohet me programe të reja dhe moderne, të krahasueshme me tekstet mësimore evropiane. Këto kurrikula të reja mësimore do të aplikohen gjatë tre viteve të diplomimit për studentët, në përputhje me sistemin e Bolonjës. Gjithashtu, me programe mësimore të ndryshuara do të kryhen edhe masterat e nivelit të parë, ato të nivelit të dytë, por edhe doktoraturat që do të zhvillohen pranë universitetit më të madh vend.

Sipas kreut të UT-së, Dhori Kule, tashmë masterat dhe doktoraturat janë të hapura për të gjithë studentët. Më në fund është plotësuar kështu edhe një nga detyrimet që Ministria e Arsimit vuri përballë universiteteve publike, në mënyrë që të lejonte zhvillimin e studimeve në nivele të epërme siç janë ato të masterave dhe doktoraturave. Vitin e fundit akademik 2007-2008 ky proces u pezullua. Tashmë, ai do të hapet për të gjithë të interesuarit, radha e të cilëve është mjaft e gjatë. Ndërkohë që kurrikulat për tre fakultete të tjera të UT-së do të diskutohen e pritet të miratohen në mbledhjen e senatit të ditës së hënë, konfirmoi rektori Kule.

Dekani i Fakultetit të Histori-Filologjisë, Shezai Rrokaj, u shpreh mjaft optimist për këto kurrikula të reja. Ai theksoi se programet e reja kanë disa karakteristika. Së pari, Rrokaj rendit faktin se “ato janë të krahasueshme me nivelet më të mira evropiane”. Ai shton se këto kurrikula janë tërësisht të aplikueshme për tregun shqiptar të punës, si dhe ekzistojnë burime njerëzore të mjaftueshme dhe të nivelit të lartë për aplikimin e tyre. Por një ndër meritat e këtyre kurrikulave të reja, sipas profesor Rrokajt, është edhe fakti se “ato do të thyejnë monopolet e disa profesorëve të fakulteteve tona”. Kjo gjë, sqaroi më tej dekani i Historisë dhe Filologjisë, do të rrëzojë kështjellat e paarritshme për studiuesit e rinj deri tani. Ai theksoi se një tjetër veçori e këtyre programeve të reja mësimore është edhe larmishmëria e tyre. “Do të ketë disa lloje masterash ku të gjithë mund të zgjedhin sipas preferencave”, sqaroi më tej dekani Rrokaj.

Në të njëjtën linjë u shpreh dje edhe dekani i Fakultetit të Shkencave Sociale, Dhori Karaj. “Programet e ndryshme të masterave dhe doktoraturave, por edhe diplomave e orientojnë studentin me tregun. E drejtojnë zgjedhjen e tij sipas nivelit akademik, por edhe sipas preferencës”, u shpreh dekani Karaj, duke shtuar se këto programe janë të hapura edhe për të gjithë studentët nga rrethet.

Ndërsa dekania e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, Klodeta Dibra, pohoi se këto kurrikula të reja janë tejet moderne dhe të krahasueshme me ato evropiane, duke e ngritur nivelit e arsimit të lartë shqiptar në standarde ndërkombëtare.

Nga ana tjetër, dekani i Fakultetit të Infermierisë, Petrit Bare, duke folur për kurrikulat e reja përmendi edhe bashkëpunimet që ky institucion ka me Belgjikën, Zvicrën dhe Amerikën për programin e masterave. Ai i ftoi të gjithë infermierët në vend që të kualifikohen profesionalisht me një nivel bashkëkohor.

Pas shpjegimeve që dhanë të pesë dekanët e degëve, ku do të aplikohen këto kurrikula të reja mësimore, rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, dha edhe një mesazh për të gjithë të rinjtë që do të ulen për herë të parë në auditorët universitarë. “Pas miratimit të kuotave nga qeveria, studentët e rinj i presim me modele kurrikulash moderne”, theksoi ai. Megjithatë, drejtuesi i universitetit më të madh në vend preferoi të mos komentojë nivelin aktual të maturantëve, dijet e të cilëve u provuan në lëndët e letërsisë, gjuhës shqipe dhe matematikës.

Shqip

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

3 Komente

  1. t_red Shkruaji mesazh privat thotë:

    5 July 2008 @ 11:42 am

    O burra se u be deti kos. Shih kur te plasin masterat e doktoraturat prape tani.

  2. edrus Shkruaji mesazh privat thotë:

    5 July 2008 @ 12:33 pm

    t_red, di gjë se sa janë çmimet?
    Jo për gjë, po me i pas nja dy tre mastera në xhep s’osh keq (letra s’kërkon as bukë dhe as ujë ta mbash në syrtar :P )

  3. Rasim thotë:

    9 July 2008 @ 3:11 pm

    edrus”” pershendetje

    me sa di une cmimi shkon diku rreth 1500-2000 euro ? nuk ka mundesi
    te jete me i larte ?

Burim RSS për komentet

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.