Unë edhe në pezull mbahem
Shkruan : Ben Andoni (Mapo)
Unë edhe në pezull mbahem. Sepse forca e vërtetë e qenies është ekuilibrimi i vetes në honet e mëdha të shpirtit. Dhe, unë gjej forcë dhe aty të mbahem…Arrij të mbahem, sepse kërkoj, di të shprehem”, ka thënë për MAPO-n, para pak ditëve. E çuditshme në moshën e tij, kur artisti mundohet të thjeshtësojë artin e tij në maksimum dhe të jetë së tepërmi racional në shprehje, ai i atribuon vetes një rrugë të mundimshme. Duket se kërkon vetë kalvarin për të nxjerrë atë që e mundon…identitetin e tij shpirtëror. Dhe, në stërmundimin për të krijuar dhe për të cekur deri imtësitë e parëndësishme, Naxhi Bakalli, tregoi me ekspozitën e fundit në GA se kërkimi i tij nuk mbaron. Nuk do të mbarojë kurrë, derisa të ketë forcë jetësore. Dhe, mjeshtri i vizatimit të formës, tash i shton në skrupulozitetin e tij krijues, ngjyrën. E shumëllojtë ajo shpërfaqet me potencë. Një sinfoni e tërë ngjyrash. Kritikja e artit pamor, Zana Varvarica e ndan krijimtarinë e tij, bash me ngjyrën, në dy periudha të spikatura:
“Në periudhën e parë, ai nuk e ka shpërthyer ngjyrën, edhe pse e ndiente atë, nuk e ka nxjerrë të gjithë shtresëzimin e saj jashtë ndërgjegjes së tij, por e konservoi njohjen mbi të. Ndërsa pas viteve `90 Bakalli, deri tek kjo ekspozitë e fundit, tregoi se ngjyra është një nga qenësitë vendimtare të ndërgjegjes së tij krijuese. Ajo është pjesë figurative e shtresëzuar e emocioneve dhe ndjesive të piktorit ndaj botës së objekteve dhe të ideve. Ngjyra në vetvete ka elemente të fshehta të cilat zbulohen nga piktori në çastin më fillestar. Ai lidhet me kapacitetin dhe dendësinë e ndjesisë së tij shpirtërore ndaj saj, lidhet me aftësinë e shqisave për të vëzhguar mbi përbërjen e saj, lidhet me nivelin e elementeve psikologjike të mbarsura në anën e brendshme të psikikës së vet. Në këtë ekspozitë ai e ka zbuluar ngjyrën si një çast jetik të veprës”.
Në fakt, ajo që të grishte dhe që do ta perceptosh tek autori është skrupuloziteti i tij i linjës. Është shkruar dhe vënë në dukje shpesh aftësia dhe mjeshtëria e tij e linjës. Fillesa, mrekullia e punës në dydimensionalshin e tij fillon bash aty. Dhe, Naxhi Bakalli, pikturon me një finesë të mahnitshme linjën. Forma e tij është tejet përmbajtjes. Tek e fundit, është forma ajo që tregon përmbajtjen, ndjeshmërinë…punën. Në atë nuk ka asnjë pakt të autorit. “Ajo më vjen vetë dhe është respekt për punën. Unë e ndjej atë, se ashtu duhet të realizohet. E ndjej që duhet…”, thotë ai.
Piktori i njohur ka rrëfyer përmes 91 punëve në pikturë, grafikë dhe skulpturë një art të mirëfilltë abstrakt, të sjellë përmes një gjeometrie, që përfaqëson enigmën e tij sizifiane për njeriun, për honet e tij, ku shpeshherë qëndron pezull, por nuk humbet . Nuk do të ishte gabim po të mos nënvizoje këtë vazhdimësi të autorit. Këtë seriozitet të jashtëzakonshëm për të vendosur linjën, ngjyrën përballë enigmës. Kudo ka një ‘shpëtim’ për të, nëse do të vazhdosh dhe këtu duket se është një justifikim edhe për format e tij të jashtëzakonshme. Ky është te kërkimi vetjak..dhe jo te prehja e rrugës së autorëve të tjerë.
“Unë mendoj se ka ardhur momenti, që të bëhen disa refleksione. Meqenëse liria që u dha për të konceptuar në art nënkupton rrugë, të cilat autorët duhet ti gjejnë si rrjedhojë e kërkimit të tyre. Por krahas me këtë që mund të bëjnë një seri autorësh është edhe një invazion i pavarur nga qëllimet që ato kanë dhe i venë vetvetes. Përqasje me rrymat dhe preferencat e autorëve të ndryshëm botërorë kanë krijuar fenomenin e rrezikshëm të asgjesimit që ka të bëjë me shfytyrëzim të artit shqiptar”.
Në këtë përgjigje bërë për një të përditshme shqiptare, ai ka guxuar që të tregojë një nga sëmundjet e vërteta të artit shqiptar, atë që ka lidhje me kërkimin e ngushtë të fizionomisë së disa prej artistëve shqiptarë pas viteve ’90. Nga punët e tij e kupton se, të paktën, të gjithë kanë rrugë për të kërkuar dhe për t’u ndjerë, pa i bërë askujt mbivendosje. Bakalli, vetë, e ka kërkuar enigmën e tij me figurat e shumëfishta gjeometrike, ku planet e ndryshme me bazë, me kënde, rrathë, paralelopipedë, linja, “të cilat kanë buruar nga çasti krijues, nga vlera e së panjohurës, nga trysnia që ajo ushtron çdo herë, nga dëshira e nevojshme për ta njohur, nga ankthi për ta ndalur të panjohurën atje ku ajo shfaqet. Dhe piktori mund ta bëjë këtë. Krijoi simbolikën e ngjyrës, i dha sinjifikim gjeometrizimit dhe e pranoi të panjohurën si brenda vetes ashtu dhe jashtë saj. Gjatë zbulimit e quan fenomen në vazhdim, e brumton me fenomenin e vetvetes dhe më pas e ndal mbi një dydimensional, duke i dhënë fizionomi të qarta vizionare dhe disa herë hipervizionare”, shprehet Varvarica për të.
Kaq. Ai do të vazhdojë njësoj. Pra do të kërkojë dhe do mbështetet fortë në linjën e tij, që tash i ka shquar edhe një pjekje të jashtëzakonshme të ngjyrës. E cila është një mbështetëse e fortë për idenë, për jetën, për gjithçka.
“Në esencë kërkimi mbetet, zgjedhja ka veçanti. Pra edhe në kërkimet e dikurshme kishte një veçori të llojit të vet, tani ka veçanti tjetër që është sintetizmi i dukurive ekzistenciale i të vërtetave dhe përfaqësimi i tyre në një formë sa më thelbësore”, është shprehur vetë ai në një intervistë për medien.
“Unë kërkoj dhe do të kërkoj, sepse ndjehem mirë kur mendoj se shikoj drejt dukurive esenciale të ekzistencës. Ndaj isha mirë, kur vendosa që ekspozita të ishte një Enigmë e pezullt, sepse tek e fundit, atje unë kërkoj dhe mundohem të hedh dritë..deri në honet më të thella”.
Ekspozita e fundit e Naxhi Bakallit ka pasur shumë publik dhe ajo është vizituar nga njerëz të sferave të ndryshme në kryeqytet dhe jashtë tij. Më mirë se kaq nuk mund t’i ndodhte autorit, që erdhi pas 17 vjetësh mungesë në Galerinë Kombëtare.


Shkruaj një koment (login)