U rrofshi ju o “ekspertë” Italianë që më “hapët sytë”
Sot lexova një lajm të tmerrshëm tek Gazeta Shqiptare. Ekspertët (si do ishte kjo fjalë në Shqip, mbase të “diturit”???) Italianë, falë një studimi të hollësishëm kanë zbuluar se një pjesë e mirë e vijës bregdetare në Durrës
“ka rezultuar me inerte si pasojë e depozitimit të mbeturinave në det. Një pjesë e bregut është ndotur nga depozitimi i mbeturinave inerte, ndërtimet pa kriter në buzë të ujit si dhe prerja e pemëve të cilat kanë shkaktuar përmbytjen e një pjese të mirë të vijës bregdetare”.
E që ta dini ju, këta “të diturit” (do të më falni për Shqipërimin) nuk flasin kot sepse kanë bërë kontroll edhe me satelit andej nga qielli për këtë vijën tonë bregdetare në Durrës. Heu sa paska ec kjo teknologjia.
Nuk mund ta shpreh se sa u “trondita” kur lexova këtë “lajm”. Bah, asnjëherë s’e kisha vënë kur kisha vajtur në Durrës që betoni kishte pushtuar bregdetin, që plehrat e ndërtimit ishin bërë mal në det, që pyllit dikur të dendur me pisha i kishte rënë një sopatë mizore që e kish katandisur në hijen e asaj që ka qënë dikur. Jo, kurrë s’i kisha parë këto gjëra. Edhe që plazhi në Currila ishte bërë për faqe të zezë apo që e gjitha kjo gjëmë është vepër e njeriut s’e kisha kuptuar. U deshën fotografitë satelitore e puna e disa të “urtëve” (apo të “diturve”) nga matanë detit që ta kuptoja këtë fakt.
Megjithatë, shyqyr që vonë, vonë por më në fund e mësova. Më mirë vonë se kurrë apo jo? Tani e tutje nuk do të kaloj më “i paditur” tek rruga përgjatë atyre përbindshave prej betoni në Durrës. As nuk do ti shikoj gjithë krenari për gjithë këtë “zhvillim” teknologjik që kemi arritur më në fund. Jooooo, tani falë ca parave të harxhuara (mos janë vallë dhuratë e BE-së për ndonjë ndihmë në Shqipëri???) unë e di që këto shëmtira po na hanë atë që teorikisht e kemi pasuri kombëtare. Tani, atë urimin që më vjen ndonjëherë në buzë që një ditë deti të ngrihet e ta përpijë këtë shëmtirë, do të mund ta them me zë të lartë sepse nëse më parë isha i paditur, sot falë satelitit mu hapën sytë. Rrofshi ju o ekspertë, o të ditur, o të urtë Italianë që bëtë gjithë këtë punë për të më treguar atë që kam para syve. Ku do ishim ne pa ju, e ku do ishit ju pa ne?
Llukan Tako
15 Gusht 2007
Shkrimi nga Gazeta Shqiptare:
Alarmi i italianëve: Inertet masakruan bregdetin
Artur Korriku
Gazeta Shqiptare
15/09/07
DURRES -Specialistë italianë të ekosistemit kanë bërë një studim në bregdetin e Durrësit, ku një pjesë e konsiderueshme e vijës ka rezultuar me inerte si pasojë e depozitimit të mbeturinave në det. Një pjesë e bregut është ndotur nga depozitimi i mbeturinave inerte, ndërtimet pa kriter në buzë të ujit si dhe prerja e pemëve të cilat kanë shkaktuar përmbytjen e një pjese të mirë të vijës bregdetare. Janë më shumë se 4 kilometra vijë bregdetare të cilat jo shumë vite më parë kanë qenë ranishte dhe zona të gjelbëruara, që janë përmbytur nga uji i detit.
SPECIALISTET
Një fotografim satelitor i vijës bregdetare i cili shtrihet nga Gjiu i Lalësit deri te porti detar, i realizuar nga specialistët italianë të Rajonit të Markes në Itali, tregoi se një pjesë e mirë e bregut të detit është përfshirë nga erozioni. Ky studim tregoi se është përmbytur nga uji i detit më shumë se 4 km gjatësi dhe 200 metra gjerësi në hapësira të ndryshme përgjatë kësaj vije bregdetare. Specialistët e mjedisit kanë konstatuar se ky fenomen është shkaktuar nga dora e njeriut gjatë gjithë këtyre viteve.
Shkak për këtë janë bërë depozitimet e mbeturinave inerte brenda në det në disa zona kryesisht në afërsi të Durrësit, prerja e sipërfaqeve të tëra me pemë si dhe ndërtimet pa kriter në det dhe në breg të tij.
ZONAT
Territoret e përmbytura janë ato të Rrushkullit. Ndërkohë, në vend të pyllit me pisha ku dikur gjallonin kafshë dhe shpendë të rrallë, sot ka vetëm ujë deti. Kjo pjesë ka qenë rezervat pyjor ku gjuanin për fazanë të artë udhëheqja politike e kohës së diktaturës. Pas viteve 90, sëpata preu pishat dhe zhduku një pjesë të mirë të pyllit. Po ky fenomen ka ndodhur në bregdetin pranë fshatit Rinia, në të cilin një pjesë e bregut është transformuar në moçalishte. Fenomeni shfaqet edhe në zonën e Porto-Romanos, ku fare mirë tendencën e futjes së detit në tokë e tregojnë bunkerët e kohës së Enverit, të cilët dikur ndodheshin në breg të detit dhe sot janë 200 brenda në det, ku thellësia e ujit arrin deri në mbi një metër. E njëjta gjë po ndodh në Durrës për shkak të depozitimit të mbeturinave inerte në mënyrë masive, sidomos ngjitur me murin rrethues të portit si dhe ndërtimi i disa pistave detare të cilat kanë shkaktuar përmbytjen e një sipërfaqeje të mirë bregdeti në zonën e Currilave dhe të Brrylit.


16 Shtator 2007 @ 12:57 am
“Kompetetët” Llukan. “Kompetentët italjon’”- se kumbon fort keshtu…
16 Shtator 2007 @ 1:15 am
Ku do ishim ne pa ju, e ku do ishit ju pa ne?
Lukan e ke goditur ne vend kete te fundit
16 Shtator 2007 @ 7:52 am
pse kaq cinizem ? Mos valle te erdhi keq nga “shuplaka e komshiut”..Thjesht kane bere nje studim per te vene nje pah ate qe te gjithe ne e dime shume mire..
common secret..dont ya!!
16 Shtator 2007 @ 8:45 am
E keqja në Shqipëri, nuk është se nuk i dinë gjërat (bile dinë shumë më tepër, bile… janë të gjithë kompetentë),por është mentaliteti/mëndësia që: “hë mo, se kështu ka qënë gjithmonë” dhe indiferenca që sa vjen e trashet që s’i lë njerëzit që të shikojnë problemet për të cilat mbarë bota sot po shqetësohet (dhe shkatërrim i ekosistemit është një ndër to).
Dhe jo se kanë qënë italianët, por edhe grekërit ta kishin thënë një gjë të tillë, do të isha i lumtur që TË PAKTËN TË FLITET PËR PROBLEMIN, mos ta lënë si një problem jetim me pretekstin banal që;s’është e imja, ose që kshtu e ka thënë Zoti.
16 Shtator 2007 @ 10:12 am
Bathor-izmi,eshte filozofia e stradegjia e partise ne pushtet me ne krye
strategun e saj keshtu do te ndodh …
16 Shtator 2007 @ 10:38 am
ene sa pare kane rru keto talionet per te ba kete studimin kompetent??!!
16 Shtator 2007 @ 11:31 am
studimi eshte hapi i pare per te marre paret rual
tani vijne projektet e zhvillimit, fondet nga Be apo cooperazione italiana etj etj etj dhe pastaj fillon aplikimi i projektit qe nuk realizohet kurre.
16 Shtator 2007 @ 12:26 pm
I lumte mer gene i lumte ca te te….Korrupsion alla BE ecc
Putin paska thene nje anekdote mbi korruspionin ne Rusi para dy diteve:
Pyesin.
Mund te behet djali i nje gjenerali, gjeneral?
PO, eshte pergjigja.
Mund te behet djali i nje gjenerali,marshall?
JO, eshte pergjigja.
Pse?
Sepse edhe marshalli ka femije per te rrite.
16 Shtator 2007 @ 12:32 pm
S’po e marr vesh se përse po bëhet ky diskutim?
Ato fondet për studimin i kishte dhënë qeveria Shqiptare??
Nëse ‘reggione Marche’ krijon programe për të patur fonde nga UE, dhe UE ja akordon, përse nuk shikoni të bëni ndonjë studim më serioz juve, dhe ndoshta dhe juve UE ju akordon fondet për realizimin e tij.
16 Shtator 2007 @ 1:02 pm
sheh rrushi rrushin……
http://news.kataweb.it/item/325731/clima-in-via-di-estinzione-1-500-km-di-spiagge-italiane
16 Shtator 2007 @ 5:31 pm
Varet edhe nga menyra e te lexuarit.
:D
Ose edhe varianti tjeter popullor “na rrofshi per dimer se per vere rrojme vet..
Ja psh.ajo …. U rrofshi ju o Italiane…te jep pershtypjen sikur ka kap nje tuf italianesh te pa rrujt dhe po u jep urdher Rruajuni…:D
Keshtu qe “rrofshi” nuk ka te beje fare me cinizmin per mua .
16 Shtator 2007 @ 5:43 pm
Fenomeni i futjes se detit ne thellesi, eshte vene re dhe ne Seman nga fieraket, dhe nese shteti apo qeveria me sakte nuk merr masat, shum zona do zhduken shum shpejt siç po zhduken fshatra te tera , ishuj te ulet neper bote , nga ngritja e nivelit te ujtit te detit.
17 Shtator 2007 @ 6:41 pm
Jam shume dakord me ironine dhe mendimet e shprehura nga Llukani, per gjera qe nuk kane nevoje per dylbi, nuk ke nevoje per studime.
Megjithate, desha te shtoj se ne shkencen ne te cilen specializohem, cdo gje eshte evidence based, pra e bazuar mbi fakte. Dhe qe faktet te grumbullohen, e te studiohen nga ana cilesore e sasiore dhe te behet analiza statsitikore, duhen grumbulluar nga dikush.Dhe qofte dhe per pleherat ne rruge duhen ca bicim ambjentalistesh a specialistesh qe ta grumbullojne infon ne menyre shkencore, sepse ndryshe do ngelej ne duar te gazetareve.Keshtu ndodhin gjerat ne perendim. Perderisa ne Shqiperi nuk ka grupe pune qe merren me ndotjet inerte te mjedisit, kete pune vijne dhe na e bejne taljont. me leket qe na jep BE per ndihme, sic e permendi dhe nje parafoles.
Pra ata po na servirin ne leter qe “rakia behet nga rrushi”, ate qe te tere e dime, sepse na e kane thene gjysherit gojarisht, por qe nuk e kemi diku te shkruar ne leter.