Turizmi 20 lekësh i kryeqytetit
Ka dalë nga shtëpia dhe është vonë, është shumë vonë. Ai rend tek një vend ku ndodhet një grup njerëzish të tjerë. Ata të gjithë kanë një qëllim. Të gjithë synojnë të njëjtën gjë dhe janë gati që të luftojnë që ta kapin. Para tyre kalon një makinë që i shikon me shpresë. Ata e shikojnë. Shikojnë xhepat e tyre dhe më pas sërish shohin horizontin.
“Jo, jo. Asgjë nuk duket”. “Kështu është gjithmonë. Sa ke ti këtu?”
Ata janë njerëzit që po presin në stacionin e autobusit ndërsa makina që kaloi është një taksi që shpresoi më kot se do të gjente një klient në atë vend. Vështrimi i taksistit ndeshi në shprehjen e fytyrës së grupit të njerëzve që donin të thoshin: Kjo kushton 20 lekë…
Më në fund një gjë e ngjashme me një autobus u duk në horizont. Sikur dielli të kishte lindur për herë të parë pas një periudhe të gjatë errësirë, fytyra e njerëzve që prisnin autobusin në stacion nuk do të ishte ndriçuar në atë mënyrë. Ata nisën të shihnin njëri- tjetrin me gëzim sikur donin të tregonin se më në fund drejtësia u vendos. Më në fund autobusi erdhi.
Sapo autobusi u afrua, fytyrat e dashura të njerëzve u errësuan sërish. Ata ishin miqësorë, ata po qeshnin ndërsa tani jo më.
Zënë pozicion. Bëjnë llogari me sy, parashikime dhe ngulin këmbët fortë dhe presin që autobusi të ndalojë dhe fati i mirë të bëjë që dera të hapet përpara këmbëve të tyre.
Ai më duket se e gjeti. Duhet të jetë i vjetër në pritjen e autobusëve. Duket që në fytyrë se nuk mund të gabojë. Dera hapet përpara këmbëve të tij. Ai është në pozicion. Ai vendi bosh do të jetë i tiji. Nuk ka rëndësi se pranë do të ketë dy njerëz me shumë trasta, të cilët sigurisht që do ta shtyjnë. Ai fitoi, kapi atë vend që donte dhe pa pritur që të zbresin pasagjerët ka hyrë brenda. Ka rrëshqitur si një ngjalë mes njerëzve dhe ka vënë dorën në mbështetësen e ndenjëses.
Por tani ndryshon sjellje. Ai shikon përreth, sikur rastësisht u ndodh në atë vend dhe fati po i jepte një ndenjëse bosh, pastaj me një veprim në dukje moskokëçarës, ai ulet, rehatohet dhe shikon përreth. Edhe pse të tjerët po e shikojnë me inat ai është i qetë. Të paktën kapi një vend në ferr. Isha i bindur që ai do të fitonte. Kishte një fytyrë “fitimtari”…
Gjatë kësaj kohe autobusi nuk ka lëvizur asnjë centimetër. Ai vazhdon që të dridhet më kot ndërsa njerëzit turfullojnë dhe shikojnë orën. Shoferi është i vendosur që të mos lëvizë nga vendi pa kapur edhe ata pak pasagjerë që mund ti dalin rastësisht në rrugë. Në një moment dikush bëhet guximtar dhe lëshon një britmë të mbytur: “Kemi ndër mend të lëvizim apo do të rrimë këtu tërë ditën?”. Kaq mjafton dhe radha e guximtarëve shtohet ndjeshëm. Ata të gjithë i kërkojnë shoferit që të niset por ai as që e ka ndër mend që ta bëjë këtë gjë. Është autobusi i tij dhe ai është sovrani. Ndoshta këtë duhet ta ndajë me dikë tjetër, por sigurisht ai është krahu i tij i djathtë, fatorinoja.
Më në fund ajo gjëja që e quajnë autobus niset. Sigurisht që tani është mbushur mjaftueshëm me njerëz dhe ata nuk po sistemohen dot ashtu siç duhet. Edhe për këtë problem shoferi e ka një zgjidhje. Me një nisje të papritur ai i ngjesh të gjithë në fund, sikur të ishin shalqinj të sapo blerë tek tregu.
Por nuk ka kohë të nervozohesh për këtë gjë sepse një bërryl i fuqishëm të tërheq vëmendjen. Është pasagjeri tjetër që ndodhet ngjitur me ty. Edhe ai po përpiqet që të fitojë vendin që i takon në këtë ferr lëvizës.
Ai takimi që kishe kërkon që të jesh serioz dhe je përpjekur në maksimum. Ke bërë banjë, je rregulluar aq sa ke mundur, mendon se tashmë gjithçka është perfekt dhe këmisha e ngrirë nuk mund të dukej më mirë se aq, por ai bërryl të tregon që e kishe shumë gabim. Faturino po tenton të kalojë pikërisht aty tek ty. Edhe ai ka një këmishë ku duket harta e një kontinenti. Shikon me vëmendje për të dalluar se cili kontinent është por nuk e gjen dot. Shikon përreth. Dy njerëz të tjerë duket se kanë në majë të gjuhës të njëjtën pyetje me ty: Cili është ai kontinent?
Por gjuha e tyre tërhiqet, fytyra rrudhet. Flegrat e hundës hapen më shumë se zakonisht për tu mbyllur menjëherë si për të shoqëruar kokën që shkon pas. Ajo nuk është harta e ndonjë kontinenti. Ajo mban erë, është harta e djersës së fatorinos tënd, një hartë kripe. Duart e tij janë tërë djersë, fytyra po ashtu dhe ai po afrohet. E shikon që po e bën këtë gjë që dhe përpiqesh që të gjesh shpëtim por nuk e ke atë fat. Me një fytyrë të zymtë ai kërkon paratë e këtij udhëtimi të paharrueshëm turistik. Në të vërtetë nuk kushton shumë dhe thonë se për këtë arsye edhe shërbimi nuk është i ndonjë niveli të lartë
Paratë i pagove por kjo nuk mjaftoi për të të shpëtuar. Faturonoja kaloi pranë teje. Ai u ngjit me ty. Dora e tij me djersë u bë njësh me fytyrën tënde. Meqë ishte aty atij iu duk e arsyeshme edhe që të fshinte, disi rastësisht, fytyrën me këmishën tënde të sapo rregulluar.
Po, po! Të ndihesh pis në këtë moment është normale, nuk ka asgjë për tu habitur.
Pas kësaj një duhmë të godet në fytyrë. Një erë thartire e alkooli, aq e rëndë sa nuk ke çfarë ti bësh. Dikush me sytë e kuq kutërbon nga të gjitha anët. “Ku dreqin pive kështu o njeri, është ora nëntë e mëngjesit…”
Autobusi po ecën shumë ngadalë dhe në horizont shfaqet një tjetër rrezik. Një grumbull i madh njerëzish, të cilëve po u qesh fytyra, po të shikojnë nga larg. Ata janë ti pak minuta më parë. Ata presin autobusin sepse nuk kanw asnjw zgjedhje tjetër.
Dera hapet. Tmerr! Një re pluhuri hyn menjëherë brenda. Disa të shtyjnë duke të kërkuar leje për të zbritur. Ata janë të lumtur. Sapo vendosin këmbët në tokë hapin krahët, shikojnë përreth dhe buzëqeshin. Më pas lëshojnë një shikim drejt teje si për të thënë: Mos u mërzit, do vijë edhe stacioni yt. Por deri atëherë, ngushëllime…
Më në fund prurjet e reja zunë vend në autobus. Mes të shtyrash dhe të sharash ata arritën që të sistemohen si shishet e birrës në një arkë të shtrembër.
Më bën përshtypje një prej tyre. Është një burrë i moshuar me mustaqe si qëmoti. Ka një qeleshe në kokë, kostum tradicional tw njwtreve tw dwgjjuar dhe duket shumë krenar në vetvete pwr kwtw. Njerëz e shtyjnë, e largojnë dhe ai e kupton këtë gjë. Në vapën e autobusit është një burim i pashtershëm djerse. Sikur të mos fajtonin kontinentet e reja të kripës në këmishën e fatorinos, tashmë njerëzit i druhen kësaj prurjeje të re.
Veshët më dëgjojnë një zhurmë që më heq vëmendjen nga ky personazh interesant. Një grua po debaton me zë shumë të lartë me fatorinon. Ajo tërheq një djalë të vogël nga dora me një inat të paparë teksa i skërmit dhëmbët fatorinos. Përpiqem të kuptoj se ç’po ndodh dhe më në fund e mësoj. Ata po zihen për 20 lekë. Gruaja pretendon se fëmija e saj është shumë i vogël për të paguar biletë ndërsa fatorino insiston se ai do të marrë me hir apo pahir paratë e asaj bilete. Dhe sherri vazhdon. Ata shahen dhe kërcënojnë për 20 lekë. Ndoshta për ta ai 20 lekësh është shumë i rëndësishëm. Nuk i kuptoj dot. A mund të shpëtojë ndokënd një 20 lëkësh? A mund ti zgjidhë hallet apo i shton edhe më shumë ato?
Nga ana tjetër shoferi nuk pranon që të nisë autobusin pa u zgjidhur ky problem kaq i rëndësishëm për mbarëvajtjen e udhëtimit. Mes mallkimesh, gruaja dorëzohet dhe lëshon monedhën e vogël metalike në dorën e djersitur të fatorinos.
Epo njerëzit kaq deshën dhe nisën që të komentojnë atë që ndodhi. Të gjithë kanë një fajtor. Dikush ia vë fajin fatorinos, autobusit, dikush shoferit. Madje ka nga ata që arrijnë të fajësojnë kryetarin e bashkisë, kryeministrin. Në këtë pikë solidariteti prishet. Jo, jo, ata nuk janë më shokë, bashkëvuajtës. Tani ata do të zihen për temën e tyre më të preferuar, politikën.
Në këtë moment nuk po mundem të duroj më. Më ka mbaruar fryma. Shoh përreth dhe kuptoj se nuk jam unë por autobusi. Aty nuk ka më oksigjen. Sërish shoh përreth që të gjej shpëtimin tim, një dritare nga ku mund të vijë një puhizë e lehtë ere por jo. E tmerrshme. Autobusi ynë nuk paska dritare. Ai ka ardhur nga vendet Nordike, ku ishte përdorur me dhjetëra vite në dimër. Sigurisht se atje nuk kishin përse të prodhonin një autobus dimëror që do të udhëtonte në -20 gradë celsius me dritare hpur.
Dikush sikur më kuptoi dhe më thotë se i kanë marrë të tillë si pa dritare që ti veshin nga jashtë me reklama të ndryshme për të fituar para. Nuk e di, ta kenë bërë me të vërtetë për këtë gjë???
Sigurisht do më kishte dalë nga mendja nëse nuk do të ishte tragjike. Gjatë kësaj kohe ai fatorino i mbuluar nga djersët ka kaluar më shumë se dhjetë herë pranë meje dhe në asnjë rast nuk ka harruar të fshijë llërat dhe fytyrën në këmishën time. Jo, jo. I përpiktë si një orë zvicerane.
Por fatorino ka edhe humor, madje shumë të hollë. Një grua tentoi të ankohej për duart e tij që si pa dashje rrëshqitën ëmbëlsisht në të gjithë trupi e saj, por u përball me një skërmitje. “Ky është autobusi. Po nuk të pëlqeu merr një taksi, përndryshe mbylle gojë”,- ishte ulërima e radhës. Dikush u përpoq ti dilte në krahë gruas por edhe ai dështoi përballë numrit dy të autobusit, fatorinos. “Fajin e ka ai (shoferi) që ju merr ju të shëndoshëve. Të ishte për mua do kishit zbritur tek stacioni tjetër”,- bërtet fatorino që pas kësaj përsërit vargun e tij legjendar “bileta, abone”
Ndoshta deri tani jam treguar mizor. Kjo mund të jetë e vërtetë pasi ata dy djemtë tek cepi po kënaqen. Kanë arritur që të fusin në mes një vajzë tepër interesante dhe nuk tërhiqen aspak nga ideja që ta shikojnë atë nga pjesa e sipwrme. Sa herë që shoferi arrin të gjejë ndonjë gropë në rrugë, ata shfrytëzojnë rastin që të shijojnë pak nga lëkura e njomë e vajzës. Sigurisht rasti më i mirë është kur kalon fatorinoja. Aty po që ata kanë lirinë të bëjnë çfarë të duan dhe nuk e lënë pas dore këtë rast.
Është e tmerrshme. Unë po shoh këtë skenë. Shumë të tjerë po shohin këtë skenë të sikletshme dhe askush nuk reagon për. Teksa po mendoja për një reagim gjithçka u ndërpre në mes. Në horizonte arrita të shikoja stacionin tim. Më në fund do isha i lirë pas pak sekondash. Më në fund do të shikoja edhe unë të tjerët si fitimtar në momentin që do të vija këmbët në tokë. Ah këto dreq sekondash po zgjasin më shumë se sa e kisha menduar.
Hapet dera. Më në fund shpëtimi. Më në fund ajër. Më në fund çfarë. Nesër rinis e njëjta histori me të cilën nuk mësohesh dot. Ndoshta herën tjetër udhëtimi do të jetë me njerëz më interesantë.
Ened Janina/ Shekulli


30 January 2008 @ 1:55 am
Nuk e ka shkruajtur Krasta kete shkrimin…asnjelloj ngaterrese… mbi emrin e autorit Ened Janina qe eshte ne fund, une vetem e postova ketu, se mendoj qe eshte perle dhe se shpreh te gjithe arsyet se perse une refuzoj te marr urbanin ne Tir dhe prej vitesh i bej rruget me kembe…
30 January 2008 @ 2:30 am
Më në fund ajo gjëja që e quajnë autobus niset. Sigurisht që tani është mbushur mjaftueshëm me njerëz dhe ata nuk po sistemohen dot ashtu siç duhet. Edhe për këtë problem shoferi e ka një zgjidhje. Me një nisje të papritur ai i ngjesh të gjithë në fund, sikur të ishin shalqinj të sapo blerë tek tregu. - lum si pasagjeret ne kryeqytet! Nje jete te tere jane trajtuar si shalqinj, hedhur sa andej e sa ketej dhe ju perplaset koka pas xhamit te dritares.
30 January 2008 @ 3:07 am
Krasta!Mire ke bere qe e ke sjelle tek”peshku…”kete shkrim kaq interesant,por,megjithate,kam nje verejtje:-Ky,z.Janina,tani e ka botuar tek”Sheklulli” apo ne behar?Ne eshte se e ka sjelle tani,eshte si kofini pas te vjeli!Ne eshte se e ka botuar qe ne behar,eshte tjeter pune.Se,te them te drejten,me mbuluan dhe mua djerset nga ajo”llahatar”e atij fatorinos;te autobuzit dhe te gjithe asaj “guide aq te bukur turistike?!”
30 January 2008 @ 3:45 am
Explorator!
:)
C’fare dhembke hoqe ? Per ke e kishe”ofshamen”? Pse te renkonte shpirti Ke fundi i autobuzit ????
Nuk eshte shume justifikuse “ecja prej vitesh ne kembe”…… Nxirre se te lehteson…Hapja zemren P…eshkut.
Nje pershkrim i bukur perderisa te duket sikur “te zihet fryma” kur e lexon
30 January 2008 @ 8:46 pm
Tregim i bukur dhe me humor
me pelqeu, kish nje stil qe te terhiqte.
30 January 2008 @ 8:55 pm
obobo, m’u kujtuan ato udhetimet me autobuzin e linjes te ores 2 pasdreke ne mes te gushtit, standarti 40 grade celsius. Ne Shqiperi duhet filluar edukimi i popullsise ne mase mbi perdorimin e deodorantit e pse jo edhe te briskut, jo per estetike po per hir te bashkeqyqareve e bashkeautobuzareve!!
30 January 2008 @ 9:30 pm
Te udhetosh me autobuz ne Tirane eshte me te vertete nje problem me vete. Mjetet jane te paketa, te piseta, te ngadalta (kete te fundit jo vetem per faj te tyre por per faj te trafikut te Tiranes). Kam pershtypjen qe nje pjese e mire e njerzeve s’do ta kishin problem te paguanin edhe me teper per levizjen me autobuz nese do te shtohej numri i tyre duke pakesuar ate ngushticen e tmerrshme ne oret e pikut, si dhe nese do te mirembaheshin pak me teper. S’duhet shume pune, e nqs sipermarresit vete s’kane interes te bejne dicka te ketille sepse edhe tani i nxjerrin fitimet e tyre, atehere i takon autoriteteve perkatese ti detyrojne.
P.S. Nje nga gjerat qe gjithmone me ben te buzeqesh eshte kur shikoj disa njerez qe s’presin me te tjeret ne strehen e autobuzit por prapa saj si per te mos i kuptuar te tjeret qe po presin autobuzin. Qesharake
30 January 2008 @ 9:41 pm
Meqe e kalove ne “thelbin e ceshtjes” jam PLOTESISHT me kete mendim qe do te shtoja se ..Eshte e vetmja menyre per te kuptuar qe :
-Jo cdo lloj privati mund te diktoje e fitoje mbi rregullat e shoqerise dhe aq me teper JO NE KOHE TE ZGJATUR.
Ne se eshte kompetence e Bashkise .Protestoni:-”Zgjohu Edi Rama.Ketu mba ere korupsion”. “Mjaft ” mund ta beje kete.
Ne se shte problem i koklavitur ose ne varesi te jera …lereni…
nenshtrojuni stilit MIXHIST te drejtuarit dhe …………………..
na le te kenaqemi e shijojme tregimin ….